Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | PERKTHIME | Porta e Ligjit

Porta e Ligjit

image Ana Kove

Sot ka ditelindjen Franz Kafka, lexojeni: 

Porta e Ligjit 

Përpara portës së Ligjit qëndron një portier. Një burrë nga fshati i lutet portierit ta lejojë të futet brenda në Ligj, por portieri e kundërshton duke i thënë se në atë çast është e pamundur. Burri mendohet dhe e pyet nëse mund të hyjë më vonë. “Ndoshta, po”, i thotë portieri, “por, jo tani”. Porta e Ligjit qëndron e hapur, si gjithmonë, dhe portieri rri e ruan në qoshe të saj. Burri përkulet të shohë ç‘ka brenda. Portieri e sheh, qesh dhe i thotë:
“Në se ligji të ndjell kaq shumë, provo të hysh edhe pse është e ndaluar. Por ki parasysh: unë jam i fortë, por jam portieri i fundit. Nga salla ne sallë ka të tjerë portierë, që janë njëri më i fortë se tjetri. As unë nuk e përballoj dot të tretin”. Fshatari nuk e kish menduar kaq të vështirë. Ai besonte se Ligji duhej të ishte i hapur gjithnjë e për këdo. E ja tani, tek sheh portierin të veshur me gëzof leshi, me hundën me majë dhe mjekrën e gjatë e të zezë prej tartari, vendos më mirë të presë gjersa ta lejojnë të hyjë brenda. Portieri i jep atij një stol të vogël për t’u ulur para portës. Burri rri ulur aty për ditë e për vite. Bën shumë përpjekje për t’u futur brenda, duke iu lutur e përgjëruar portierit. Ndërsa ky s´ka ç´të bëjë tjetër, veç ta zhbirojë fshatarin me pyetje pa kuptim, nga ato që bëjnë zotërinjtë e mëdhenj: pyetje mbi vendlindjen e të tjera si këto. Por në fund, asnjëherë s’harron t’i thotë se s´mund ta lejojë të futet brenda. Burri, i furnizuar mirë për udhëtim, shpenzon gjithçka, edhe sendet me vlerë, për t’i prishur mendjen rojës. Ky i pranon çdo gjë me shfajësimin: “Po i marr, vetëm të mos mendosh se ke lënë ndonjë mjet pa përdorur”.
Gjatë gjithë viteve të pritjes burri s´ia ndan sytë portierit. I harron të tjerët dhe mendon se ky është pengesa e vetme për të hyrë brenda Ligjit. Në rini mallkon me zë të lartë fatin e tij të mbrapshtë dhe kur plaket flet përçart e sillet si fëmijë. Aq mirë e njeh ai tashmë portierin, sa është miqësuar edhe me pleshtat e gëzofit të tij. Madje, u lutet atyre ta ndihmojnë për të bindur portierin. Më në fund, drita e syrit i dobësohet, por nuk është më në gjendje të dallojë në është bërë vërtet natë apo e gënjejnë sytë. Tashmë shquan në errësirë një vezullim, që shkërmoqet pa u venitur nga pragu i “Portës së Ligjit”. Eh, s´e ka më të gjatë. Në çastet përpara vdekjes i sillen nëpër kokë gjithë ç´ka parë e dëgjuar viteve të pritjes e i mbështillen në një pyetje të vetme, që ende nuk ia ka bërë portierit. I bën atij me shenjë t’i afrohet, se s´mund ta lëvizë dot trupin e ngurosur. Portierit i duhet të përkulet thellë mbi të: “Hë, ç´do të dish tani?”, e pyet, “se ti je i pangopur.”
“Të gjithë duan t’i njohin ligjet”, thotë burri, “por, si ka mundësi që në gjithë këto vjet, askush, përveç meje, nuk desh të hyjë brenda kësaj porte?”
Portieri e di se burri po jeton orët e fundit, ndaj i ulërin fort në veshët që po e lenë: “Askush nuk mund të hynte kësaj porte, sepse kjo ish caktuar vetëm për ty. Tani, edhe unë do të shkoj, pasi ta mbyll.
Nga libri "Mjeshter te prozes se shkurter gjermane" 

(Nga gjermanishtja une)


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1