Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PERKTHIME | ÇARLI DHE FABRIKA E ÇOKOLLATAVE

ÇARLI DHE FABRIKA E ÇOKOLLATAVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image ÇARLI DHE FABRIKA E ÇOKOLLATAVE

ÇARLI DHE FABRIKA E ÇOKOLLATAVE

 ROALD DAHL

 Ilustruar nga Josef  Schindelman

 PËRKTHYER NGA NAUM PRIFTI

 SHTËPIA BOTUESE “ÇABEJ”

2007

KUSHTUAR THEO-S

PËRMBAJTJA

 

1 : Erdhi Çarli

2 : Fabrika e Z. Vili Vonka

3 : Z. Vonka dhe Princi Indian

4 : Punëtorët e fshehtë

5 : Biletat e Arta

6 : Dy fituesit e parë

7 : Ditëlindja e Çarlit

8 : Gjenden edhe Dy Bileta të Arta

9 : Gjyshi Xho provon fatin

10 : Familja fillon të vuajë nga uria

11 : Mrekullia

12 : Çfarë thuhej në Biletën e Artë?

13 : Erdhi Dita e Madhe

14 : Z. Vili Vonka

15 : Dhoma e çokollatave

16 : Umpa Lumpat

17 : Augustus Glup bie brenda në vaskë

18 : Gjatë lumit prej çokollate

19 : Dhoma e shpikjeve. Ndalësit e përtypjeve të përhershme

dhe Tofitë sa një fije Floku

20 : Makina e stërmadhe e çamçakizave

21 : Mirupafshim Vjollca

22 : Përgjatë korridorit

23 : Gurabiet katrore që shohin rrotull

24 : Veruka në dhomën e Arrave

25 : Ashensori i madh prej xhami

26 : Dhoma e çoko-televizorit

27:  Majk Teleja dërgohet nëpërmjet çoko-televizorit

28 : Mbeti vetëm Çarli

29 : Fëmijët e tjerë shkojnë në shtëpi

30 : Fabrika e çokollatave bëhet e Çarlit

 

 Në këtë libër janë pesë fëmijë

 AUGUSTUS GLUP

Fëmijë i panginjur

 

VERUKA KRIPA

Vajzë e llastuar nga prindërit

 

VJOLLCA SYSHKRUARA

Vajzë që përtyp çamçakiz gjithë ditën

 

MAJK TELEJA

Një djalë që s’bën asgjë, veç gjithë ditën sheh televizor

 

dhe

 

ÇARLI BUKET

Heroi

 

1

____________________

 

Erdhi Çarli

 

Këta dy pleq të moshuar janë babai dhe nëna e Zotit Buket. Ata quhen Gjyshi Xho dhe Gjyshja Xhozefinë.

 

 

Dhe këta dy pleqtë e tjerë janë babai dhe nëna e Zonjës Buket. Ata janë Gjyshi Xhorxh dhe Gjyshja Xhorxhinë.

 

Ky është Zoti Buket.                            Kjo është Zonja Buket.

 Zoti dhe Zonja Buket kanë një djalë të vogël që e quajnë Çarli Buket.

Ky është Çarli.

Si je? E po si je? Dhe gjene prapë si je?

Atij i pëlqen të njihet me ju.

E gjithë familja e tij —të gjashtë të rriturit (numërojini po deshët) dhe Çarli i vogël—jetojnë bashkë në një shtëpi druri në anë të një qyteti të madh.

Shtëpia nuk ishte aq e madhe për aq shumë njerëz dhe të gjithë jetonin mos më keq. Kishin vetëm dy dhoma dhe një krevat. Krevatin ua kishin lënë prindërve pleq, sepse ata qenë të moshuar e të drobitur.... Qenë aq të pafuqishëm sa kurrë nuk delnin prej shtratit.

Gjyshi Xho dhe Gjyshja Xhozefinë nga njëra anë, Gjyshi Xhorxh dhe Gjyshja Xhorxhinë nga ana tjetër.

 Zoti dhe Zonja Buket dhe Çarli i vogël flinin në dhomën tjetër mbi dyshekët që shtronin në dysheme.

Në verë s’qe dhe aq keq, ama në dimër thëllimi i erës së ftohtë që frynte mbi dysheme tërë natën, qe llaftari.

As nuk bëhej fjalë për të blerë një shtëpi të re më të mirë, ose makar edhe një shtrat tjetër për fjetje. Qenë tepër skamnorë për gjëra të tilla.

I vetmi person në familje i zënë me punë qe zoti Buket. Ai punonte në një fabrikë pastash dhëmbësh ku rrinte gjithë ditën mbi një stol dhe u vinte kapakët tubetavet, pasi ato i kishin mbushur me pastë dhëmbësh. Por puna e tij si vidhosës kapakësh nuk paguhej kushedi sa dhe i varfëri Buket, sado rëndë që punonte e sado shpejt që i vidhoste kapakët te kryet e tubetave, kurrë nuk nxirrte aq të holla sa të blinte gjysmën e gjërave që i nevojiteshin një familjeje aq të madhe. Madje të hollat nuk i mjaftonin as për të blerë ushqime për të gjithë. Për mëngjes blinin bukë dhe margarinë, për drekë patate të ziera e lakra të bardha dhe supë lakrash për zemërherë. Kjo qe gjella e vetme e tyre. Të dielave hanin disi më mirë. Ata mezi e prisnin të dielën, sepse atëherë edhe pse hanin të njëjtat gjëra, sikushdo merrte dhe diçka tjetër.

Buketët natyrisht nuk ngordhnin nga uria, mirëpo secili prej tyre—të dy gjyshët e moshuar, të dy gjyshet plaka, babai i Çarlit, nëna e Çarlit dhe veçanërisht vetë Çarli—që nga mëngjesi deri në darkë e ndienin barkun tmerrësisht të zbrazur.

Çarli ndihej më keq nga të gjithë. E megjithëse babai dhe nëna e tij, e linin pjesën e tyre të drekës a darkës pa ngrënë që t’ia jepnin atij, as ajo nuk qe e mjaftueshme për një djalë të rritur. Atij i qante syri për ndonjë gjë më të mirë e më të shijshme se lakrat dhe supa e lakrës. Gjëja që lakmonte më shumë se çdo gjë tjetër qe... ÇOKOLLATA.

Tek shkonte në shkollë çdo mëngjes, Çarli shihte kukumalet me çokollata pas vetrinave të dyqaneve dhe ai i mbante këmbët dhe ngjishte hundën pas xhamit, ndërsa goja i mbushej me lëng. Disa herë ditën ai shihte fëmijët e tjerë që nxirrnin nga xhepat e tyre ëmbëlsira me krem dhe i mbllaçitnin plot neps dhe kjo ishte tamam torturë për të.

Vetëm një herë në vit, kur kishte ditëlindjen, Çarlit i jepej rasti të shijonte një copë çokollatë. E gjithë familja kursente të holla për rastin e veçantë dhe kur vinte dita e madhe, Çarlit i dhuronin një copë çokollate që ta hante të tërën vetë. Dhe ai, sa herë e merrte atë në mëngjeset e mrekullueshme të ditëlindjes, e fuste me kujdes te një kuti e vogël druri që e kishte të tijnë dhe e ruante sikur të ishte kallëp floriri; dhe disa ditë më pas, vetëm sa e shihte, pa e prekur fare. Më në fund, kur s’mund ta përmbante veten, ia hiqte mbështjelljen prej letre fare pak te një anë sa dukej një cep  çokollate dhe pastaj merrte një grimëz— aq sa t’i mjaftonte ta ndiente shijën e ëmbël t’i përhapej ngadalë mbi gjuhë. Ditën tjetër po ashtu, kafshonte një drudhëz dhe po ashtu edhe më pas e më pas. Në këtë mënyrë Çarli e shpinte çokollatën dhjetë santimshe të ditëlindjes më tepër se një muaj.

Por unë s’u kam thënë akoma çka e torturonte më shumë se gjithçka tjetër Çarlin e vogël, lakmuesin e çokollatave. Kjo për të qe shumë, shumë më e keqe se sa kur shihte stivat me peta çokollatash prapa vetrinave, ose fëmijët e tjerë duke lëpirë kremin e pastave aty përpara tij. Qe gjëja më e tmerrshme torturuese që mund të imagjinoni dhe ja sepse:

Në atë qytet, që nga shtëpia ku jetonte Çarli dukej  vërtet një FABRIKË E MADHE ÇOKOLLATASH!

Të luan mendja vetëm kur e mendon.

Dhe nuk qe thjesht fabrikë e madhe e zakonshme çokollatash. Ishte më e madhja dhe më e famëshmja në tërë botën! Ishte FABRIKA E VONKAS,  pronar i së cilës qe një burrë i quajtur zoti Vili Vonka, shpikësi më i madh dhe prodhues çokollatash që s’ishin parë në botë. Dhe çfarë hapësire të madhe e të bukur zinte! Porta të mëdha prej parmakësh hekuri të shpinin  brenda saj dhe qarkohej nga një mur i lartë dhe tymi gulçonte nga oxhakët e saj dhe ca zhurma të çuditshme vinin nga thellësia e saj. Dhe jashtë mureve, një gjysmë milje në çdo anë, ajri qe mirisur me aromën e fortë të çokollatës së shkrirë!

Dy herë ditën, gjatë rrugës për të shkuar e për të ardhur nga shkolla, i vogëli Çarli Buket duhet të kalonte pranë portave të fabrikës. Dhe çdo herë që kalonte pranë saj, ai niste të ecte ngadalë, fare ngadalë, dhe hundën e mbante përpjetë në ajër dhe nuhaste thellë aromën e mrekullueshme të çokollatës përqark tij.

Oh, sa shumë e donte atë aromë!

Dhe oh,  sa shumë donte të futej brenda në fabrikë dhe ta shihte si e qysh ishte!

Mbëmjeve, pasi mbaronte supën e ujshme me lakra, Çarli gjithmonë shkonte në dhomën e dy gjyshëve dhe dy gjysheve të dëgjonte ca nga historitë e tyre dhe pastaj t’u uronte natën e mirë.

          Çdokush nga ata pleq të vjetër qe mbi nëntëdhjet vjet. Ata ishin të fishkur si kumbullat oshafe dhe aq kockorë sa skeletët. Gjatë ditës, derisa u vinte Çarli, ata dergjeshin në shtrat, dy nga koka dy nga këmbët, me kapuça që ta mbanin kokën ngrohtë, duke e shtyrë kohën pa bërë asgjë. Po sapo dëgjonin hapjen e derës dhe dëgjonin zërin e Çarlit që u thoshte “Mirëmbrëma gjyshi Xho dhe gjyshja Xhozefinë, dhe gjyshi Xhorxh dhe gjyshja Xhorxhinë,” të katër çoheshin ndenjur dhe fytyrat e tyre të fishkura dritësoheshin me buzëqeshje kënaqësie— dhe nisnin të flisnin. Sepse ata e donin djalin e mitur. Ai qe e vetmja gjë e shndritshme në jetën e tyre dhe vizitat e tij në mbrëmje, i prisnin me mall të pashuar gjithë ditën e ditës. Shpesh vinin edhe nëna dhe babai i Çarlit, të cilët rrinin pas derës duke dëgjuar storet që rrëfenin të moshuarit; dhe kësisoj për gati gjysmë ore çdo natë, ajo dhomë bëhej e këndshme dhe gjithë familja e harronte urinë dhe varfërinë.

Një mbrëmje, sapo Çarli hyri të shihte gjyshët dhe gjyshet, ai i pyeti: “A është e vërtetë se Fabrika e Çokollatave e Vonkës është më e madhja në botë?”

“E vërtetë,” thirrën të katërt menjëherë. “Natyrisht është e vërtetë! Pash zotin, nuk e dije ti këtë? Ajo është pesëdhjetë herë më e madhe se çdo tjetër fabrikë.”

“Mos zoti Vonka është vërtet më i zoti prodhues i çokollatave në botë?”

“Djali im i dashur,”  i tha gjyshi Xho, duke u ngritur paksa më lart mbi jastëk, “zoti Vili Vonka është më i çuditshmi, më fantastiku, më i jashtëzakonshmi mbrujtës çokollatash që ka parë bota! Mendoja se gjithkush e dinte kaq gjë!”

  “E dija që ishte i famshëm, gjyshi Xho, e dija po ashtu se qe edhe shumë i zoti...”

“I zoti!”bërtiti plaku i moshuar. “Më tepër se aq! Ai është magjistar çokollatash! Ai mund të bëjë gjithçka që do—gjithçka. A nuk është kështu të dashurit e mi?”

Të tre të moshuarit e tjerë e miratuan duke tundur kokat ngadalë lart e poshtë e duke thënë “Plotësisht e vërtetë!  Aq e vërtetë sa mund të jetë e vërteta.”

Dhe gjyshi Xho tha: “Mos doni të thoni se unë kurrë s’u kam folur për zotin Vili Vonka dhe fabrikën e tij?”

“Kurrë!” i tha Çarli i vogël.

“Zot, o Zot i madh! Nuk e kuptoj ç’po ngjet me mua?”

“Të lutem, gjyshi Xho, a mund të na e tregosh tani?”

“Sigurisht. Ulu i dashur këtu në shtrat përbri meje dhe më dëgjo me vëmendje.”

Gjyshi Xho qe më plaku nga të katër pleqtë. Ai ishte nëntëdhjetë e gjashtë vjet e gjysmë, pra një moshë që s’e arrin gjithkush. Si gjithë njerëzit e tejmoshuar, duke qenë delikat dhe i dobët, ai fliste shumë pak gjatë ditës. Por në mbrëmje, kur në dhomë qe Çarli, nipi i tij i dashur, ai sikur rinohej sërish. I ikte telekosja tej dhe lëvizte si djalë i ri.

“Oh, ç’burrë që është ky zoti Vili Vonka!” thirri gjyshi Xho. “E dini se ai ka shpikur më se dyqind lloje të reja çokollatash, secila e sajuar ndryshe, secila më e ëmbël e më e kremuar dhe më e shijshme se të gjitha çokollatat që bëhen në fabrikat e tjera!”

“Fare e vërtetë!”thirri gjyshja Xhozefinë. “Dhe i dërgon ato gjithandej te të katër cepat e tokës. A nuk është kështu gjyshi Xho?”

“Po moj e dashur, po. Dhe po ashtu gjithë mbretërve dhe presidentëve të botës. Po nuk bën vetëm ëmbëlsira. Jo, e dashur jo! Ka edhe disa shpikje fantastike të tjera gati, ai zoti Vili Vonka! E dini se ai ka shpikur akullore me çokollatë që rri e ftohtë dhe nuk shkrihet edhe pa  e futur në çantën e akullit për kushedi sa orë? Ju mund ta lini në diell tërë mëngjesin e një dite të nxehtë dhe të mos lëshohet!”

“Kjo është e pamundur!” briti Çarli i vogël, duke ia ngulur vështrimin gjyshit.

“Doemos që është e pamundur!” thirri gjyshi Xho. “Se është komplet absurde! Mirëpo ja që zoti Vili Vonka e ka bërë.”

“E drejtë!” pohuan të tjerët me kokë. “Zoti Vonka e ka bërë.”

“Ka akoma” vazhdoi gjyshi Xho, duke folur ngadalë që Çarlit të mos i shpëtonte asnjë fjalë, “zoti Vili Vonka mund të bëjë marshmalle me shijë manushaqesh dhe karamele që e ndërrojnë ngjyrën çdo dhjetë sekonda ndërsa i thithni në gojë dhe kufeta që shkrihen shijshëm sapo i vini ndërmjet buzëve. Ai mund të bëjë çamçakiza që nuk u ikën shija deri sa mbarohen dhe toptha sheqeri që mund t’i shpërdridhni sa të doni përpara se t’i kapni me kunj dhe t’i kapërdini poshtë. Dhe, ai bën vezë zogjsh ngjyrë blu me pika të zeza sipër, me një metodë tepër sekrete, sa kur i fut në gojë ato treten dalëngadalë e zvogëlohen e zvogëlohen sa nuk mbetet asgjë, veç një njolle të vogël ngjyrë trëndafili në majë të gjuhës suaj.”

Gjyshi Xho heshti dhe kaloi majën e gjuhës ngadalë mbi buzët e tij. “Më lëshon goja lëng, vetëm kur i mendoj ato,” tha.

“Edhe mua po ashtu,” tha Çarli, “veç të lutem vazhdo.”

Ndërsa ata flisnin, zoti dhe zonja Buket, mamaja dhe babai i Çarlit, hynë në dhomë pa u ndierë dhe po dëgjonin duke ndenjur pranë derës.

“Thuaji Çarlit për atë princin e çuditshëm Indian,” tha gjyshja Xhozefinë. “Atij do t’i pëlqente ta dëgjonte....”

“Do të thuash të Princ Pondiçerrit?” tha gjyshi Xho dhe filloi të kukurisej.

“Komplet i çaktisur” tha gjyshi Xhorxh.

“Por shumë i pasur,” tha gjyshja Xhorxhinë.

“Çfarë bëri ai?” pyeti Çarli i etur ta dëgjonte.

“Vër veshin,” tha gjyshi Xho, “se do ta tregoj.”

Comments (1 posted):

A. H on 16/03/2019 13:09:05
avatar
Dahl është një nga shkrimtarët më të këndshëm për fëmijë të shekullit të kaluar. Një rrëfimtar i mrekullueshëm dhe me shumë humor. Libri i parë që shënoi jetën tonë si fëmijë, në fundin e viteve '80, fillimi i '90-ës qe "Gj.M.M"(Gjiganti i Madh i Mirë) ku shkrimtari po aq i mrekullueshëm Naum Prifti kishte për të kaluar një sprovë të madhe, sepse përveç humorit të veçantë anglez, që duhet të përshtaste për fëmiëjët shqiptarë, në libër ekzistojnë dhe fjalë të shkruara jo mirë që e bëjnë shumë të lezetshëm tekstin, sepse të vendosura me përafërsi ato i japin tashmë dy kuptime; përderi sa Gjiganti kur flet me personazhet e tjerë, përdorë fjalë gabim. Kjo për këdo që përkthen e di se sa e vështirë është të duhet të përshtasë një tekst të tillë me kaq fantazi. i lexuam para dy-tre vjetësh sërish, tashmë në rolin e prindit dhe duhet të them se qeshnim njëllojë. gjuhë e mrekullueshme që edhe pse fëmijët e mi janë në emigracion, të lindur e kuptonin dhe e thithnin me kënaqësi. Është një shans i mirë që janë përkthyer dhe libra të tjerë tashmë sepse Çarlin dhe Matildën, ne i lexuam në anglisht dhe çdo prind që vlerson me dashuri rritjen cilësore të fëmijëve të tij, nuk ka se si të mos dolë të kenë kontakt me të tillë letërsi.
Urime!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1