Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PERKTHIME | SERGEJ ESENINI DHE MAJAKOVSKI

SERGEJ ESENINI DHE MAJAKOVSKI

Font size: Decrease font Enlarge font
image SERGEJ ESENINI

Këtë përkthim ia kushtoj poetit Eseninian lushnjar, Baki Nezha i cili edhe pse si i persekutuar punonte në gurore, nuk e lëshonte nga dora librin me lirika të lirikut të magjishëm  të Serge Eseninit.   ( Faslli Haliti )  

nga Paolo Statuti

SERGEJ ESENINI DHE MAJAKOVSKI

ESE 

Vladimir Majakovski dhe Sergei Yesenini - dy poetë të mëdhenj, në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, dhe nuk mund të ishte ndryshe: i pari - anëtar themelues i Lefit (Frontit të majtë të Arteve), këngëtar i proletariatit, i quajtur "gjiganti i brishtë", i devotshëm në dashuri , modest dhe i sjellshëm në marrëdhëniet njerëzore, revolucionar autentik që përpiqej për lirinë totale të individit nga çdo oligarki ; i dyti – poet gjenial  fshatar ,  që nuk i toleronte rivalët, "hero" bohem i Moskës, biseksual me një jetë të trazuar dhe të çrregullt si pak kush ...

Qëndrimi negativ  i Eseninit, ndaj Majakovskit  u theksua nga disa shkrimtarë të rrethit të këtij të fundit. Kritiku dhe historiani i letërsisë V.B. Shklovsky, për shembull, thekson  se "Esenini nuk e pëlqente Majakovskin dhe i griste librat e tij, po t’i gjente në shtëpi."  Poeti V.S. Rozhdestvensky  i  quan të "të çuditshme" marrëdhëniet midis  dy poetëve: "Kishte mes tyre  një armiqësi që nuk shterte kurrë. Për Majakovskin Esenini ishte një "lirik i keq”  në mënyrë të dukshme.  Duke polemizuar me këtë të fundit dhe me audiencën e tij entuziaste i cili i gjykonte me ironi takimet poetike të rivalit. Kolerik që prekej deri në ekstrem, Esenini nuk ia fali kurrë ". Dhe ja një dëshmi e poetit proletar N. Poletaev: "Një herë, gjatë një pritje në Shtëpinë e Shtypit, natën e Vitit të Ri, pasi  piu me bollëk, Esenin i binte më qafë  Majakovskit, duke i  bërtitur, pothuajse duke qarë:" Rusia është imja, e kupton? - Imja, dhe ju ... ju jeni amerikan! Rusia është imja " Menjëherë pas kësaj, Majakovski iu përgjigj qetësisht:" Ju lutem, merre, pra! Haje me bukë. "Nuk është sekret për askënd se Majakovski mbahej një gjeni, dhe për këtë arsye i konsideronte krijimet e poetëve të tjerë, duke përfshirë edhe klasikët e letërsisë ruse, me një farë përçmimi. Disa i kritikonte hapur, të tjerët i përqeshte,  të tjerë akoma i fajësonte si grafomanë, ndërsa veprat e tyre nuk kishin asnjë vlerë për brezat e ardhshëm. Qëndrimi i tij ndaj Eseninit ishte shumë kontrovers, ia njihte talentin letrar , por nuk mund të pranonte mungesën e ideve dhe parimeve të këtij "zejtari pijanec  të njohur", duke menduar se Esenini duhej ta përdorte talentin e tij, jo për të përshkruar bukuritë e natyrës ruse, por për të mirën e revolucionit.

Megjithatë, pas vdekjes tragjike të Eseninit, Majakovski e rishikoi mendimin e tij mbi jetën dhe krijimtarinë e poetit fshatar, aq sa në pranverën e vitit 1926 ai shkroi poezinë e famshme "Sergei Eseninit", nga e cila burojnë ndjenja të ndryshme: keqardhjeje , druajtje, mirëkuptim ..., por unë  nuk mendoj të bëj këtu një analizë të kësaj poezie, por do të kufizohem të risjell në vëmendje strofën e fundit të saj e cila është një polemikë parafrazë e fjalëve të famshme të poezisë së fundit të Eseninit: "Në këtë jetë të vdesësh nuk është e re/  por më e re nuk është edhe të jetosh. " Kur Majakovski shkroi këtë poezi, versioni zyrtar i vdekjes së Eseninit ishte vetëvrasja, dhe ai nuk mund të parashikonte se një ditë kjo vetëvrasje do të vihej në dyshim. Ai ishte i bindur se Esenin ia kishte marrë jetën vetes vullnetarisht, për shkak se ai nuk kishte mundur të zinte vendin  e tij në shoqërinë e re. Sot, pas publikimit të dokumenteve të GPU, ku duket se poeti u vra, edhe vërtetësia e letrës famshme të shkruar nga Esenini me gjakun e vet, në mungesë të bojës, para se të vdiste, vihet në diskutim , dhe mendohet se ka qenë sajesë, për të vërtetuar tezën e vetëvrasjes. Esenini me jetën e tij, jo të rregullt, me kritikat ndaj pushtetit sovjetik, me zemërimin e tij në mbështetje të popullsisë fshatare e cila ndjente veten të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga revolucioni - ishte bërë një personazh shumë i papërshtatshëm për regjimin. Shkurt, disa detaje të trupit të tij të  varur në tubin ngrohjes, e favorizojnë tezën e vrasjes: dora ishte në një pozicion të panatyrshëm, sikur të kishte kërkuar të ngrihej që të mos mbytej, laku nuk ishte i shtrënguar shumëgërvishtjet në krahun e djathtë dhe një kontuzion nën syrin e majtë, bënin të mendohej për një kacafytje, përleshje, të  dëshpëruar me vrasësit e tij, edhe pse, mbase, ishte i dehur.  Autopsia do të zbulonte  gjithashtu se kolona vertebrore e tij ishte këputur, sikur dikush e kishte kapur  nga këmbët dhe e kishte tërhequr poshtë me forcë, ndërsa ishte ende i varur.

Po "vetëvrasje" e Majakovskit? Dyshimet dhe misteri e kanë rrethuar përherë vdekjen e tij. Sipas tezës më të besueshme, ai qe nxitur për t’u "vetëvrarë" nga policia politike e Stalinit, por nuk u trajtua  si një vrasje e vërtetë. Drejtori  Aleksandr Dovzhenko  i cili ishte me Majakovskin  në prag të vdekjes së tij, kujton: "Ne ishim ulur së bashku në kopsht, që të dy të prerë , ai i rraskapitur nga nuliteti, pafuqia,  nga rufjanët, tutorët, nga kanibalët dhe spekulatorët ..." Me sulmet e tij mbi burokratët që sipas tij, "mbysnin" revolucionin, në vitin 1930 Majakovski i kishte humbur të gjitha beneficet e mëparshme të regjimit stalinist. Midis gjërave të tjera mbetet si një mister, furnizimi i poetit me një pistoletë  nga GPU. Ai u befasua dhe donte t’ia kthente pistoletën , por agjentët këmbëngulën që ai ta mbante atë, duke i lënë të kuptojë se të tilla ishin "dispozitat". Si  përfundim Majakovski dhe Esenin, dy poetët rivalë, kaq të  ndryshëm midis tyre, për ironi të fatit u lidhën nga një vdekje e tillë.

 

POEZI NGA SERGEI ESENIN  (1895-1925)

Sergej Alexandrovich Esenin ka lindur 3 tetor 1895 në Konstantinovo (sot Esenino), në rajonin e Ryazan (Rusi); bir i vetëm i prindërve fshatarë, është eksponenti më i rëndësishëm i së ashtuquajturës shkollë e "poetëve fshatarë". Në vargjet e tij pasqyrohet bota rurale e Rusisë të fillimit të shekullit të njëzetë; fjalët e tij lartësonin bukuritë e fshatit, dashurinë ndaj mbretërisë së kafshëve, por edhe ekseset e jetës së tij (Esenin qe alkoolik dhe frekuentues i rregullt i bordellove).
I rritur me gjyshërit, fillon të shkruajë poezi, pothuaj, në moshën nëntë vjeç. Në 1912, u transferua në Moskë, ku për të jetuar, punon si korrektor në një shtëpi botuese. Në Shën Petersburg u bë i njohur në qarqet e letërsisë. Kjo bëri që në saj të Alexandr Blokut, ai promovua si poet. Në 1915 publikon përmbledhjen e tij të parë me poezi "Radunika" e cila u pasua shpejt nga "Ritit për të vdekurin" (1916). Shpejt u bë një nga poetët më popullor të atyre viteve.
Bukuria e Eseninit është krejtësisht e jashtë zakonshme; biseksual, ai në pjesën e parë të jetës së tij kërkon mbështetjen e burrave me ndikim, ndërsa në pjesën e dytë preferencat e tij do të shkojnë në drejtim të seksit femër. I pajisur me një personalitet romantik Esenini dashurohet shpesh dhe arrin kështu, të martohet pesë herë.

Ai u martua për herë të parë në 1913, martohet me Ana Izrjadnovan, kolege pune pranë shtëpisë botuese, me të cilën ai ka djalin e tij Juri (më vonë i arrestuar, më pastaj gjatë spastrimeve të mëdha staliniste edhe vdiq, në një gulag në vitin 1937). Në periudhën 1916-1917 Sergej Esenin u thirr nën armë, por menjëherë pas Revolucionit të Tetorit të 1917-tës, Rusia del nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të çonte në një jetë më të mirë, Esenin e mbështet atë, por shpejt zhgënjehet duke arritur deri sa të kritikojë edhe qeverinë bolshevike (e kësaj periudhe është poezia "Tetor i egër më mashtroi").
Në gusht të vitit 1917 Esenin martohet me aktoren Zinaida Raikh. Me të ai ka një vajzë, Tatianën, dhe një djalë, Konstantin. Në shtator të vitit 1918 ai themelon shtëpinë vet botuese të quajtur "Kompania punonjëse moskovite e artistëve të fjalës"
Njohu pastaj Isadora Dunkanin,atëherë balerinë e famshme tashmë;Takimi do të jetë vendimtar për frymëzimin e tij poetik. Marrëdhënia e tij me të (17 vjeçe më e madhe) është shumë e mundimshme, e vështirë dhe plot shpenzime të tepruara: sensacional ishte episodi në Paris, ku të dy u dëbuan nga një hotel, sepse Isadora kërcente lakuriq, ndërsa Esenini recitonte vargje. Të lidhur në martesë më 2 maj 1922 (ajo, biseksuale me një preferencë për gratë që dinte vetëm disa fjalë rusisht: martesa ishte një marifet publiciteti për të dy), u ndanë një vit më vonë.

Kthehet në Moskë dhe martohet me aktoren Augusta Miklaevskaja. Në dy vitet e fundit të jetës së tij Sergej Esenin jeton në mes ekseseve, shpesh i dehur; por kjo periudhë e dëshpërimit personal është gjithashtu edhe periudha në të cilën ai krijon disa nga poezitë e tij më të bukura dhe shënuara.
Në pranverën e vitit 1925 martohet për herë 
të pestë me Sofia Andrejevna Tolstaya, mbesën e Leon Tolstoit. Gruaja përpiqet për ta ndihmuar, por Esenini nuk arrin të shmangë një ezaurim nervor: hyn në një spital psikiatrik, ku qëndron vetëm një muaj. U dorëhoq për Krishtlindje: dy ditësh pasi pret një damar dhe shkruan me gjakun e tij, poezinë e tij të fundit me të cilën i jep lamtumirën botës; njeri i dhunshëm dhe agresiv, në të njëjtën kohë i aftë për ndjeshmëri të madhe, Sergej Esenin vdes duke kryer vetëvrasje të nesërmen, 27 dhjetor 1925, në moshën 30 vjeç: ndërsa ndodhej në një dhomë hoteli në Shën Petersburg, ai var veten në tubacionet e sistemit ngrohjes. Ekziston ende dhe sot misteri për të cilin disa mendojnë se vetëvrasja ishte një mashtrim: Esenin u vra në të vërtetë nga agjentët e GPU.
1.

Më ka mbetur vetëm një argëtim:
Gishtat në gojë dhe fishkëllimë të gëzuar.
Është përhapur nami i keq për mua
Se jam një tip brutal e gërnjar i trazuar.

 

Ah, ç’humbje e pamend, e marrë!
Në jetë kaq humbje të marra ka.
Më vjen turp që besoja në Zot,
Hidhërohem që s’besoj në të më.

 

Distanca të largëta, të arta!
Jeta e përditshme djeg çdo gjë, sot!
Sillesha unë si derr dhe bëja skandale
Me qëllim që të digjesha më fortë.

 

Dhunti e poetit është të përkëdhelë e të presë.
Një markë fatale ndodhet brenda tij.
Një trëndafil të bardhë me një zhabë të zezë
Do të doja t’i martoja mbi tokë të dy.

 

Por, nuk u jetësuan, s’u realizuan
Këto synime të ditëve të arta, flori.
Por meqë djajtë më bënë fole në shpirt
Kjo do të thotë që engjëjt jetonin aty.

 

Pra, për këto plogështi të gëzuara,
Nisur drejt një vendije  tjetër, dua,
Që në minutën e fundit t’u kërkoj atyre
Që do të jenë së bashku me mua

 

Për të gjitha mëkatet e mia të tmerrshme,
Për mungesën e besimit në mirësinë hyjnore
Të më veshin ata me një këmishë ruse
Që të vdes nën ikona e kore.


(1923)

2.

Nuk pendohem, nuk thërras, nuk qaj,
Do më kalojë si tymi i bardhë i mollës, e di. 
Rrethuar nga ari i venitur,
S’do të jem më, jo, i ri.

 

Nuk do rrihesh më si një herë e një kohë,
Zemra, e prekur nga freskia
Dhe vendi i mështeknave pëlhurë
S’do më josh më të bredh zbathur si dikur.

 

Shpirt endacak! Përherë rrallë e më rrallë
Trazon zjarrin e buzëve shpuzë
Oh, freskia ime e humbur,
Plotësi e shqisave dhe e vështrimeve dhunë.

 

Tani jam bërë më koprrac në dëshira,
Jeta ime, mbase vetëm të kam ëndërruar?
Si në një mëngjes kumbues pranveror
Gallopoja mbi një kalë të kuq të harbuar.

 

Të gjithë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë.
Kullon pikë, pikë prej panjës bakri i gjetheve ...
Dhe qoftë i bekuar përjetë,
Kush erdhi të lulëzojë e të vdesë.
(1921)

3.

Pushoi së foluri koria e artë
Me gjuhë të gëzuar mështeknash perri
Dhe krillat duke fluturuar trishtueshëm,
Për askënd s’kanë më ato dhembshuri.

 

Dhembshuri për kë? Kushdo në botë është pelegrin
Do të ikë, do të braktisë shtëpinë, do shkojë diku.
Ëndërron kërpishtja ata që ikën
Me hënën e plotë mbi pellgun blu.

Rri vetëm mes livadhit të zhveshur
Ikin përsëri larg krillat me erën shpejt
Jam i mbushur me hare rinore
Për asgjë të shkuar s’më vjen më keq.

 

S’më vjen keq për vitet e humbura kot,
S’trishtohem për lulëzimin e shpirtit ngjyrë lila,
në pyll digjet një vodhëz e kuqe
por s’mund të ngrohë askënd ajo më.

 

Nuk do të digjen vilet e vodhëzës,
Bari s’do të zhduket pse është zverdhur,
Siç lë pema gjethet e saj të bien pa zhurmë,
Kështu i lë të bien fjalët e trishta dhe unë

 

Dhe nëse koha duke i shpërndarë me erën,
I grumbullon në një ligatinë të kotë ..
Thoni kështu ... që pylli i artë
Pushoi së foluri me gjuhë të zgjedhur sot.
(1924)

4.

Më është e njohur kjo rrugë
Dhe kjo shtëpizë e ulët fare,
Kashta e kaltër e kabllove
U përmbys përmbi dritare.

 

Ishin vite fatkeqësish të rënda,
Ishin vite forcash të trazuara, të çmendura.
Kujtoja fëmijërinë time në fshat,
Kujtoja kaltërsinë e fushave të ndërkaq.

 

Nuk kërkoja as gëzimin, as paqen,
E njoh këtë lavdi të kotë e njoh.
Por tani, sapo mbyll pak sytë,
Vetëm shtëpizën atërore shoh.

Shoh kopshtin në pikat e kaltra,
Me zë të ulët vjeshta mbështet mbi gardh.
Në krahët e gjelbër qëndrojnë blirët
Britmat dhe cicërimat e zogjve ndajnatë.

 

E kam dashur këtë shtëpi prej druri,
Në trarët vakej një krismë kërcënuese,
Stufa jonë në mënyrë të çuditshme, 
Në natën me shi, uturinte, bubulluese

 

Zëri i fuqishëm dhe dënesa e potershme,
Si mbi dikë të humbur, të gjallë.
Çfarë shihte, gamilja prej tullash,
Në rënkimin me shira, vallë?

 

Sigurisht shihte vende të largëta,
Ëndrrën e një kohë tjetër, më pas,
Rërat e florinjta të Afganistanit,
Mjegullën e kristaltë të Buharasë.

 

Ah, edhe unë i njoh këto vende,
Me hap të vogël, kam rendur atje 
Vetëm më afër vendlindjes sime 
Do doja të kthehesha gjithnjë.

 

Por u shua ajo topitje e ëmbël,
Çdo gjë u tret në tymin blu.
Paqe ty, kashtë fshatare,
Paqe ty, shtëpi, ndërtuar me dru.
(1923)

5. 

     Panja ime lakuriqe, panja ime e mardhë,
Pse rri e përkulur nën stuhinë e bardhë?

Mbase ke parë diçka? Mbase diçka ke dëgjuar? 
Sikur për një shëtitje jashtë vendit kishe shkuar.

Dhe, si një gardian i dehur, duke dalë në rrugë,
U zhyte në dëborë, t’u bënë këmbët akull, qull.

Ah, unë vetë u bëra i paqëndrueshëm tani.
Nga zbavitja me miq, si zor të vete në shtëpi.

Atje jashtë njoha pishën, shelgun takova, 
Këngë mbi verën për ta nën stuhi, këndova.

Vetë u ndjeva i barabartë me panjën e egër,
Por jo lakuriq si ajo, por plotësisht i gjelbër.

Dhe duke shmangur ndrojtjen , i dehur thumb,
Si të ishte gruaja e tjetrit, panjën përqafova unë.

(1925)

KOMENTE NGA: SANDRO ANGELUCCI

Gjeta të botuar – me kënaqësi - në "Blogun “L’ombra delle” parole postimin për Eseninin: një poet i një thellësie kurrë të mjaftueshme nëse mendohet për shenjën e lënë nga poezia e tij, jo vetëm në letërsinë ruse. Një poet, shumë i dashur për mua, që vë në qendër urtësinë e fshatarëve në një periudhë në të cilën ata ishin në pikëpyetje (siç ndodh gjithmonë në lëvizjet ciklike të mendimit) lirizëm dhe spontanitet. Përmbledhja e tij e parë, "Radunica", i habiti të gjithë dhe pastaj ofron një primitivizëm të nxehtë që i kundërvihet ngrirjes dhe zhurmës e jetës së përditshme. Është e vërtetë se ai do të transformojë vuajtjet e tij lirike të përzëna nga vendi i tij Eden në shenjë proteste ekstremiste të një të dehuri dhe blasfemuesi, por asgjë nuk do të fshijë kurrë, donjëherë, bukurinë e habitshme që rrjedh nga vargjet e tij: Izba gati për të ripërtypë "thërrimet aromatike të heshtjes"; era që zhvesh fustanin e berjozës .... kapërcejnë të dhënat poetike dhe bëhen mit: origjinal, pa perëndim.

ALFREDO DE PALCHI

U dashurova menjëherë me poezinë, me jetën dhe vdekjen e Eseninit, kur në moshën njëzetvjeçare, unë lexova një numër poezish të tij. Që prej 68 vitesh nuk e kam harruar atë pikërisht se nuk e imitova. E pra, diçka, romantike, dashuria e tij për botën e kafshëve, dashuri jo vetëm fizike, është vetëm për gruan. Poezia e tij, mua, injorantin e gjuhës ruse, më joshte me thjeshtësinë diskursive gjithmonë e rëndësishme. Tani që kam lexuar këto versione të reja në një gjuhë të freskët mrekullisht në një italishte të sotme, kujtoj se vdekja e tij ndodhi pikërisht një vit e 14 ditë para lindjes sime. Urimet më të mira, përkthyeses, zonjës Donata Di Bartolomeo dhe një falënderim të madh asaj që na bëri të të rilexojmë Eseninin.

GEORGE LINGUAGLOSSA

Poeti lirik nuk mund të mbijetojë në një botë përmbysjesh të shpejta dhe febrile, shoqërore dhe politike. Esenin ishte një poet lirik, me vokacion intim, por nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar pas Revolucionit të Tetorit.
Pastaj kemi një lloj tjetër poeti lirik: Leopardi dhe Hölderlin, të shtrënguar të jetojnë, pavarësisht vetes së tyre, në një epokë restaurimi dhe ngritjeje në fuqi politike. Në të dy rastet, bëhet fjalë për situata tragjike, por poeti lirik mund të lindë vetëm në situata tragjike, është ky paradoksi historik social dhe psikologjik emocional, në të cilin ai është i shtrënguar të mbijetojë. Flitet për një ekuilibër shumë të hollë dhe të paqëndrueshëm midis ndërgjegjes reflektuese dhe poetit lirik si dhe ndërgjegjësimit reflektues e poetit jo më shumë lirik, në këtë linjë të hollë demarkacioni, gjatë këtij kufiri poeti lirik mund të prodhojë poezi.
Në rastin e Eseninit revolucioni ishte një fenomen shumë i madh dhe invaziv, që poeti lirik mund të mbijetojë; Esenini e urrente modernitetin, urrente metropolet perëndimore të pasura në mallra dhe shërbime; urrente Nju Jorkun me rrokaqiejtë e tij që i krijonin ankth. Ai nuk kishte më rrugëdalje: e ardhmja ishte kundër tij. Në poezinë e tij dritëzojnë aty – këtu, ngjarjet e tmerrshme të revolucionit:
Qenë vite fatkeqësish të rënda,
Qenë vite forcash të turbullta, të marra.

Por pastaj çdo gjë bie, Esenini kërkon paqen e shtëpisë së tij në ”pyllin artë ", mund të jetojë vetëm si një" vakabond" " sherret" në një botë që largohet gjithnjë e më shumë ...

Përgatiti dhe Përktheu: Faslli Haliti

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1