Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PERKTHIME | Si mund të flasim për plotësim të nevojave tona ditore pa folur për Atë që i plotëson ato?

Si mund të flasim për plotësim të nevojave tona ditore pa folur për Atë që i plotëson ato?

Font size: Decrease font Enlarge font
image LLEWELLYN VAUGHAN-LEE

Nga LLEWELLYN VAUGHAN-LEE

Si mund të flasim për plotësim të nevojave tona ditore pa folur për Atë që i plotëson ato?

http://whenthesoulawakens.org/god-the-sustainer_345.html

Më së fundi, po i kuptojmë problemet tona ekologjike, të vërtetën mbi ngrohjen globale dhe pasojat katastrofike të saj. Gjithashtu po fillojmë të kuptojmë se këto ndryshime mjedisore po përshpejtohen, se koha po kalon më shpejt se sa mund ta kuptojmë. Po citoj një artikull të kohëve të fundit në New York Times nga Paul Krugman:

            Fakti është se planeti po ndryshon edhe më shpejt nga sa mund të mendohej prej pesimistëve: sipërfaqet e mbuluara nga akulli po zvogëlohen, zonat e thata po rriten në një sasi të frikshme. Sipas disa prej studimeve më të fundit, katastrofa e rritjes së temperaturës në përmasa të paimagjinueshme, nuk mund të konsiderohet më thjesht si një mundësi, por si një fakt, nëse ne vazhdojmë kursin tonë të tanishëm. 

Ne po fillojmë t'i përgjigjemi shqetësimit rreth efektit serë të gazeve me plane për të reduktuar clirimin e karbonit në atmosferë. Ne po propozojmë programe globale që mund të na gënjejnë duke na dhënë idenë e gabuar se po marrim masa të përgjegjshme edhe kur vazhdojmë në kërkesat tona të bëjmë përparim vetëm material. Por, vështirësia jonë globale është iluzion më i thellë se ky, është nocioni se mund ta shmangim katastrofën mjedisore pa marrë parasysh rrënjën e shkakut të saj dhe pa bërë ndryshimin në ndërgjegje, gjë e cila është e domosdoshme për të arritur në ndryshim të vërtetë.

            Prapa vetë-shkatërrimit tonë të tanishëm ekologjik të shkaktuar nga ndotja industriale, nga kimikatet, toksinat dhe në veçanti karboni që lëshon qytetërimi ynë, qëndron dëshira jonë për zhvillim material, demoni i konsumizmit dhe lakmisë që ecën me çizme të rënda mbi tokën e shenjtë të planetit tonë. Në rrënjë të gjendjes sonë ndodhet shpërfillja e thellë për mjedisin dhe me pasojat që janë nga veprimet tona, derisa të jetë tepër vonë. Ky është produkt i ndërgjegjes, që i është larguar botës së natyrës dhe ndërlidhjes me të. Ajo vjen nga qëndrimi ynë sikur të ishim të vetëm në botën rreth nesh dhe bëjmë me të si duam vetë - qëndrim ky që është i paimagjinueshëm për nativët që respektojnë botën fizike dhe për ato kultura, të cilat mbrojnë ekuilibrin midis njerëzimit dhe natyrës.

Ndërgjegjja jonë perëndimore është zhvilluar duke ecur sipas arsyetimit shkencor që e  trajton botën fizike thjesht si një objekt, si diçka mekanike, ligjet e së cilës ne mundëm t'i njohim dhe perfeksionojmë. Ne zhvilluam shkencën si një dhuratë për veten tonë, por filluam gjithashtu të krijojmë djerrinën materialiste në të cilën banojmë tani. Ne e ndaluam botën simbolike si diçka supersticioze dhe e harruam kuptimin e marrëdhënies midis botëve që lidhin së bashku të gjithë krijesat, si edhe konceptin e "Zinxhirit të pashkëputur të Qënies". Në vend të një tërësie të ndërvarur, ku secila pjesë ushqen dhe mbështet tjetrën, ne u bëmë zotër të një toke që nuk ka shpirt, të cilën kërkuam ta dominonim dhe nënshtronim për qëllimet tona.

Brenda këtij nocioni ndodhet një kushtëzim i thellë patriarkal. Ndërsa ndërgjegjja jonë kolektive u zhvendos prej kuptimit matriarkal të botës si një qenie e gjallë e shenjtë, hyjnia u bë një Perëndi e vecuar, që jetonte në qiell. Rrjedhat e shenjta ujore dhe pyjet u bënë gjëra që i përkisnin vetëm mitit dhe shpirtrat e natyrës që i popullonin ato u harruan. Ndërgjegja jonë patriarkale e përjashtoi të shenjtën nga bota natyrore, errësirën e së cilës njeriut më pas ju desh të pushtojë. Mbetëm të vetëm në një botë me një Perëndi, të cilën mund ta përjetonim vetëm pas vdekjes. Duke jetuar në një botë pa praninë e hyjnores, na mbetën  vetëm ligjet tona për të ndjekur, vetëm dëshirat tona për të na ushqyer. Pasojat e kësaj ndërgjegjeje mund të shihen në shkatërrimin tonë ekologjik dhe në botën e ëndrrave tona materiale ku nuk përfshihet shpirti.

 

Pyetja që duhet të bëjmë tani është nëse mund ta përmirësojmë situatën aktuale ekologjike pa parë në vetëdijen që e krijoi atë. A mund të ketë ndonjë ndryshim të vërtetë pa një ndryshim të vetëdijes? Çfarë do të thotë ky ndryshim dhe si t'i adresojmë shqetësimet tona të ngrohjes globale? Nuk mund ta lejojmë të jemi ëndërrimtarë idealistë. Duhet të kemi zgjidhje reale për gjendjen tonë reale.

Me arrogancën tonë patriarkale ne kemi harruar diçka që ka qenë qendrore për çdo qytetërim të mëparshëm: parësia dhe fuqia e hyjnores. Mund ta kemi dëbuar Zotin në qiellin e imagjinatës sonë, por kjo nuk do të thotë që ky pushtet suprem nuk është i pranishëm. Çdo qytetërim tjetër i zhvilloi dhe i kuptonte mënyrat se si të punonte me këtë fuqi për të kanalizuar energjinë e saj. Shamanët kuptonin mënyrën e funksionimit të shpirtit të Tij, priftërinjtë dhe priftëreshat mësuan të dëgjonin zërin e Tij, profecitë dhe paralajmërimet e Tij. Gjeometria e shenjtë u zhvillua për të kanalizuar energjinë e Tij nëpërmjet ndërtimeve të shenjta të ndërtesave. Por tani jemi bërë të verbër dhe të shurdhër të shohim udhët e tij që nuk duken. Ne mund të lavdërojmë dhe t'i lutemi një Zoti lart në qiell, por ne nuk dimë se si ta pranojmë hyjninë në jetën tonë. Si do mundeshim ta shëronim dhe ta transformonim botën pa praninë aktive të Krijuesit të saj?

Besimi në një Zot na vuri larg nga shumë perëndi dhe perëndesha që ekzistonin në botën e lashtë, kundrejt një perëndie të vetme vecuar prej nesh. Nëse ndodh që në ndërgjegjen tonë të rikthehet prania e një Zoti aktiv, kjo nuk do të jetë si një hap prapa në të shkuarën, por si një Njëshmëri hyjnore që përfshin gjithë krijimin. Mistikët gjithmonë e kanë përjetuar unitetin e qenies, aspektet e shumtë e të ndryshëm të krijimit që pasqyrojnë një Thelb të vetëm. Ne po fillojmë të bëhemi të vetëdijshëm për unitetin ekologjik të jetës dhe ndërlidhjen e tij; ekonomikisht dhe teknologjikisht ne po tërhiqemi në një epokë të re, në Njëshmërinë globale. 

Na duhet tani të kuptojmë Njëshmërinë hyjnore: se si, cilësitë e ndryshme të formës hyjnore formojnë një prezencë të vetme në botën e brendshme dhe të jashtme dhe si këto cilësi punojnë së bashku si një.

Në një nivel shumë të thjeshtë, ne nuk e kemi vetë atë fuqi apo teknologji për të "rregulluar" krizën tonë ekologjike. Problemet që na janë krijuar janë shumë të rënda. E megjithatë këtu është keqkuptimi ynë kryesor. Ne nuk mund ta zgjidhim këtë vetëm. Na duhet të ftojmë hyjnoren jo si një qenie përtej nesh, por si një prani të gjallë dhe aktive që ndodhet në cdo botë, të dukshme dhe të padukshme, të ftojmë të gjithë qeniet engjëllore që njiheshin prej paraardhësve tanë. Njëshmëria e Perëndisë përfshin shumë nivele të ndryshme të ekzistencës.

Ne për veten tonë e dimë se shërimi i vërtetë ndodh vetëm kur pjesa jonë e brendshme dhe e jashtme janë të përafruara, kur ushqehemi nga shpirti ynë dhe nga forcat hyjnore brenda nesh. Ajo që është e vërtetë për individin është e vërtetë për të gjithën. Është nga energjitë brenda dhe përtej krijimit prej të cilave do të ndodhë kurimi i krijesave, sepse këto janë qenie hyjnore që mbështesin, ushqejnë dhe ndihmojnë krijimin për tu zhvilluar. Si mund ta shërojmë atë që është krijuar pa ndihmën e devasve dhe forcave të tjera shpirtërore që ekzistojnë brenda krijesave? Ata janë duke na pritur t'u kërkojmë të marrin pjesë e të përdorin mençurinë dhe fuqinë e tyre. Na duhet përsëri të punojmë së bashku me Njëshmërinë hyjnore që është brenda dhe përreth nesh.

Por si të mësojmë të punojmë sëbashku me botën e brendshme kur kultura jonë i ka mënjanuar në një shkallë të tillë saqë e kemi harruar fare ekzistencën e tyre? Mund të flasim për engjëjt dhe madje të lutemi për ndërmjetësimin e tyre, por a e kuptojmë me të vërtetë fuqinë e tyre apo se ato janë vetëm një nivel i qenieve të padukshme? Bota e padukshme është e pranishme gjithkund rreth nesh edhe pse nuk mund t'i shohim ose t'i prekim, ashtu si frekuenca e dritës përtej asaj pjese të vogël të spektrit që mund të shohim. Së pari na duhet të dalim nga ëndrra jonë e ndarjes, izolimit me të cilin kemi burgosur veten dhe të pranojmë se jemi pjesë e një qenieje shpirtërore shumëdimensionale të cilën e quajmë botë. Bota është shumë më tepër sesa vetëm bota fizike që ne perceptojmë përmes shqisave, ashtu siç ne vetë jemi shumë më tepër sesa vetëm trupi ynë fizik. Vetëm si pjesë e një të tëre do mund të kontribuojmë për të kuruar të gjithën. Ashtu siç duhet të punojmë së bashku me ekosistemin e jashtëm, duhet të punojmë së bashku në botën e brendshme. Ne kemi nevojë për ndihmën, fuqinë dhe njohurinë e tyre. Devas kuptojnë modelin e ndryshimeve klimatike më mirë se ne, sepse ato janë forcat që qëndrojnë prapa motit dhe erërave. Ashtu si deva e bimëve njeh fuqitë shëruese të bimëve (dhe ju a mësoi shamanëve dhe kuruesve atë që dinte vetë), kështu ekzistojnë devas edhe më të fuqishme që njohin dhe japin udhëzime mbi modelet e evolucionit të të gjithë planetit.

Sapo të rifitojmë ndërgjegjen tonë për hyjninë brenda krijesave, ne do të zbulonim praninë e Tij të padukshme në shumë mënyra. Dhe sapo të pranonim se jemi pjesë e ndërvarur e kësaj tërësie të plotë, do të gjenim edhe se hyjnori mund të komunikojë përsëri me ne. Është vetëm njerëzimi që është larguar nga hyjnia, e ka dëbuar praninë e Tij dhe kështu është bërë i verbër dhe i shurdhër. Kur ta heqim këtë vello ndarjeje, do të rizbulojmë mënyrat se si hyjnori brenda krijimit komunikon me njerëzimin dhe se si mund të punojmë së bashku për të shpëtuar planetin. Ai do të na mësojë se çfarë duhet të dimë, të na udhëzojë për mënyrën se si duhet të ecim. Na duhet vetëm përulësi, të jemi të hapur dhe të dëgjojmë, ashtu si edhe për shërimin tonë na duhet të dëgjojmë shpirtin dhe ritmin më të thellë të trupit tonë.

Por ky ndryshim në vetëdije do të thotë se ne duhet të marrim përgjegjësi për veprimet dhe qëndrimet tona. Ne nuk mund të ecim më verbërisht dhe pa kujdes përmbi tokë. Duke lënë prapa mitin tonë të dëbimit, kjo do të thoshte se pranojmë gabimet tona dhe dëmtimin që kemi shkaktuar në botën e brendshme dhe të jashtme. Po fillojmë të marrim përgjegjësi për ekosistemin, ndonëse ende nuk e kemi kuptuar plotësisht se për këtë do të na duhet të sakrifikojmë ëndrrën tonë materialiste dhe të vuajmë dhimbjen e tërheqjes nga varësia prej saj. Marrja e përgjegjësisë për dëmet që kemi shkaktuar në botën e brendshme, për shembull, dhimbja që i kemi shkaktuar Nënë Madhes nga abuzimi ynë, është një hap që ende nuk e kemi marrë. As nuk e kuptojmë se si kemi e përdhosur botën hyjnore, imazhet e shenjta të së cilës po përdoren sot si një mënyrë tjetër për të shitur fantazitë tona materialiste. Simbolet dhe imazhet e shenjta dikur janë përdorur si mënyrë e lidhjes me hyjnoren, për të bërë kalimin nga bota fizike në misterin e shpirtit. Megjithatë, tani ne i përdorim këto imazhe për përfitime personale, pa marrë asnjë përgjegjësi për veprimet tona, për përdhunimin e së shenjtës. Do të ketë një çmim për të paguar nëse duam të rigjejmë botën simbolike të imagjinatës krijuese, ashtu siç duhet të paguajmë një çmim për gabimet dhe dështimet tona. Rikthimi kërkon sakrificë të vërtetë. Vetëm atëherë do mund të rimarrim dinjitetin që na takon dhe të ndihmojmë për të rregulluar gabimet që kemi bërë. Rritja kërkon përgjegjësi dhe është një proces i dhimbshëm.

Për të rigjetur dinjitetin dhe rolin tonë si kujdestarë të planetit nuk do të jetë e lehtë, por ne mund të lutemi për ndërmjetësimin e mëshirës së Tij, duke e ditur, sipas një premtimi të lashtë, se "mëshira e Tij është më e madhe se drejtësia e Tij". Ka një arsye të vërtetë se të lashtët kuptuan se Ai është një Perëndi i zemëruar dhe bënë pendesë dhe sakrifica për ta qetësuar Atë. Mund të mendojmë se shkenca dhe qytetërimi ynë mund të na mbrojnë nga kjo fuqi primare, por simboli i dragoit si fuqia e tokës nuk është pa kuptim. Ne kemi pak njohuri për forcat arketipale të cilave ju nënshtrohen jetët tona sipërfaqësore, dhe se si janë ato të gjitha të ndërlidhura dhe manifestojnë vullnetin e Perëndisë. Ne nuk mund të lejojmë që të vazhdojmë të jemi injorantë ose të mendojmë se mund të abuzojmë me botën për sa kohë që do të duam ne.

 

Ekologjia shpirtërore nënkupton rizgjimin e vetëdijes tonë për atë që është e shenjtë në të gjithë krijesat dhe duke e ditur se vetëm nëse punojmë së bashku me hyjnoren në të gjitha manifestimet e saj do mund të shpresojmë që të rifitojmë atë që kemi përdhosur dhe shkatërruar përmes lakmisë dhe arrogancës sonë. Do të thotë të rigjejmë mençurinë e paraardhësve tanë që i njihnin ndërlidhjet e shenjta brenda jetës dhe forcat hyjnore të saj. Edhe një herë, ne duhet të mësojmë se si të lidhemi me hyjnoren, si t'i sjellim vetes vetëdijen mbi shumë aspektet e njëshmërisë hyjnore në jetën tonë, në lutjet dhe meditimet tona. Ne nuk mund të lejojmë të qëndrojmë në këtë iluzion të ndarjes, të humbur në arrogancën tonë të ushqyer nga egoja. Nuk mund ta lejojmë pritjen. Kemi pritur tashmë shumë kohë, duke injoruar shenjat rreth nesh. As nuk mund të lejojmë që të mendojmë se shkenca dhe teknologjia do të na japin përgjigjet që na duhen për të rivendosur ekuilibrin ekologjik. Ideologjia ku ato mbështeten ka lindur nga ndarja e shpirtit me trupin, dhe kjo është ajo që ka shkaktuar problemet prej të cilave planeti po vuan sot. Bota fizike nuk është e vdekur, na duhet të kujdesemi për të. Është pjesë e një organizmi të gjallë si janë qelizat në trupin tonë. Dhe ky organizëm i gjallë është mishërim i shpirtit. Ne duhet të sjellim së bashku shpirtin dhe materien, të shërojmë ndarjen që ka lënduar botën ku jetojmë.

Kjo botë ka kaluar nëpër shumë kriza gjatë mijëvjeçarëve, por kjo është kriza e parë globale që është krijuar nga njerëzimi. Nëse marrim përgjegjësinë për gjendjen tonë të vështirë do të përcaktojmë të ardhmen tonë dhe të ardhmen e saj. Eshtë një mësim nga lashtësia, se në kohë katastrofash që afrohen, njerëzimit i jepet mundësia për ndërmjetësimin hyjnor; ne mund t'i kthejmë sytë drejt Zotit dhe t'i lutemi për ndihmë. Ne jemi në një moment të tillë kur shpirti i botës ku ndodhemi po na thërret. A jemi të përgatitur të mirëpresim përsëri hyjninë dhe të punojmë së bashku me forcat e krijimit? A jemi në gjendje ta pohojmë këtë si fuqizim tonin të vërtetë? Apo do të mbetemi në periferi dhe të shikojmë se si politikanët argumentojnë ndërsa bota vazhdon në kursin e saj të tanishëm?

Ne nuk e dimë se çfarë mund të thotë të punojmë edhe një herë me forcat hyjnore brenda krijesave. Ne në Perëndim kemi kohë që e kemi humbur këtë trashëgimi, edhe pse ajo është varrosur thellë në psikikën tonë. Megjithatë, është një ndryshim fare i thjeshtë i vetëdijes për të rimarrë këtë ndërgjegje, dhe duke bërë kështu, ne do të hyjmë në të ardhmen që po lind në këtë moment krize. Ne do të bëhemi gjallë në një mënyrë të re ndërsa ndihmojmë botën të zgjohet nga ëndrra që po e shkatërron. Ne do të jemi pjesëmarrës aktivë në punën e vërtetë ekologjike që nevojitet.

2009 The Golden Sufi Center

June 28th 2009.

(Shënim imi, A.M. 

C'është Ekologjia Shpirtërore? Pak fjalë nga wikipedia: 

Ekologjia shpirtërore është një fushë e re studimi. Ajo pranon se ka një aspekt shpirtëror për të gjitha çështjet që lidhen me ruajtjen, ambientalizmin dhe administrimin e planetit, se ka elementë shpirtërore në themel të problemeve tona mjedisore dhe më tej sugjeron, se njerëzimi ka nevojë kritike të njohë dhe adresojë dinamikën shpirtërore qe është shkaku i degradimit mjedisor.

Sipas ekologjisë shpirtërore, per zgjidhjen e çështjeve mjedisore si zhdukja e llojeve, ngrohja globale dhe mbi-konsumimi, njerëzimit i duhet t'i shqyrtojë dhe rivlerësojë ato duke i parë nga perspektiva e qëndrimit dhe besimit te tij për planetin, si dhe nga ana e përgjegjësive shpirtërore te njeriut për planetin. Problemet më të mëdha mjedisore lidhen me egoizmin, lakminë dhe apatinë tonë. Për t'u marrë me këto, njeriut  i kërkohet së pari të shohë për rrugët e transformimit të vet kulturor dhe shpirtëror. Në këto kushte, njeriut i bëhet detyrë të njohë historinë e krijimit të botës ku jeton, ta konsiderojë krijimin si të shenjtë. Si të shenjtë ta trajtojë dhe mirëmbajë. Ta nderojë atë shenjtëri. 

https://en.wikipedia.org/wiki/Spiritual_ecology)

Perktheu: Adriana  Myrtaj

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1