Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PERKTHIME | Rikthim i Misterit Femëror të Krijimit

Rikthim i Misterit Femëror të Krijimit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Llewellyn Vaughan-Lee

Rikthim i Misterit Femëror të Krijimit

Llewellyn Vaughan-Lee

http://whenthesoulawakens.org/the-divine-feminine_275.html

Pastaj, krijesat dalluan në tërë format dhe paraqitjet e veta, Atë, Krijuesin e tyre. Sepse në fillim, kur Zoti tha: “Le të jetë!” dhe kjo ndodhi, mjeti dhe fillesa e krijimit ishte Dashuria dhe të gjitha krijesat u formuan nëpërmjet saj, sa hap e mbyll sytë.

ZANAFILLA E KRIJIMIT

Femërorja (feminine) është origjina e krijimit. Kjo e vërtetë është diçka e thellë, esenciale dhe çdo grua e di këtë në tërë qelizat e trupit, në thellësitë e saj instinktive. Nga substanca e thelbit të qënies së saj vjen jeta. Në gruan, ngjizet jeta. Jeta lind prej saj, teksa merrë pjesë në misterin më të madh, të sjelljes së një shpirti në jetë. E megjithatë, ne e kemi harruar ose mohuar thellësinë e këtij misteri, se si drita hyjnore e një shpirti krijon një trup në barkun e një femre, se si nëna e ndan këtë mrekulli, nëpërmjet dhurimit të gjakut të saj, të trupit, në atë që do të lindë. Fokusi i kulturës sonë tek një Perëndi që nuk ka trupëzim, tek një Zot që ndodhet diku larg, i ka abandonuar gratë duke u mohuar atyre shenjtërinë e këtij misteri të thjeshtë të dashurisë hyjnore.

Ajo që ne nuk kuptojmë është se ky mohim patriarkal ndikon jo vetëm mbi çdo grua, por edhe mbi vetë jetën. Kur mohojmë misterin hyjnor të gruas, gjithashtu mohojmë diçka thelbësore për jetën. E ndajmë jetën nga thelbi i saj i shenjtë, nga burimi që ushqen gjithë krijimin. E largojmë botën tonë nga burimi, kur vetëm ai mund ta shërojë, ta ushqejë dhe ta transformojë atë. I njëjti burim i shenjtë, që i ka dhënë jetë secilit prej nesh, nevojitet për t'i dhënë kuptim jetës sonë, për ta ushqyer atë me atë që është e vërtetë, dhe për të na zbuluar misterin, qëllimin hyjnor për qenien gjallë.

Për shkak se njerëzimi ka një funksion të rëndësishëm në gjithë krijimin, atë që ja mohojmë vetvetes ne ia mohojmë gjithë jetës. Duke i mohuar femërores fuqinë dhe qëllimin e saj të shenjtë, në të vërtetë kemi varfëruar jetën, i kemi mohuar jetës burimin e saj të shenjtë, kuptimin dhe qëllimin hyjnor, të cilat njiheshin dikur nga priftëreshat e lashtësisë. Mund të mendojmë se ritet e tyre për pjellorinë dhe ceremonitë e tjera kishin të bënin vetëm me nevojën për prodhimin apo korrje të bollshme. Në kulturën bashkëkohore, nuk mund ta kuptojmë se si nëpërmjet tyre në të vërtetë shpallej një mister tjetër më i thellë, mister i cili lidhte vetëdijshëm jetën dhe burimin e saj me botën e padukshme, burim që e mbante tërësinë e jetës si mishërim të hyjnores, duke lejuar mrekullinë e hyjnores të pranishme në çdo moment.

Ditët e priftëreshave, tempujt e ceremonitë e tyre nuk janë më, dhe, për shkak se mençuria e femërores nuk gjendet e shkruar, është transmetuar thjesht gojarisht (logos është parim mashkullor), kjo dije e shenjtë ka humbur. Nuk mund ta ri-gjejmë të kaluarën, por mund të dëshmojmë për botën ku mungon prania e saj, një botë që e shfrytëzojmë për lakmi dhe pushtet, që e përdhunojmë dhe e ndotim pa asnjë shqetësim. Vetëm pas kësaj, do mund të fillojmë punën ta gjejmë atë, të rikthehet përsëri, për t'u bashkuar me shenjtërinë që është në thelbin e krijimit, dhe për të mësuar përsëri se si të punojmë me parimet e shenjta të jetës. Pa ndërmjetësimin e femërores hyjnore ne do të mbetemi në këtë djerrinë fizike dhe shpirtërore që kemi krijuar, duke u lënë trashëgim fëmijëve tanë një botë të sëmurë dhe të rrënuar.

Zgjidhja është e thjeshtë. A mund ta kujtojmë plotësinë që ndodhet brenda nesh, tërësinë që bashkon shpirtin me trupin? Apo do të vazhdojmë të ecim tatëpjetë kësaj rruge që e ka braktisur femëroren hyjnore, që i ka hequr  gruas forcën dhe njohurinë e shenjtë mbi veten? Nëse pranojmë të parën, do mund të fillojmë ta rigjejmë botën, jo me plane mashkullore, por me mençurinë e femërores, mençurinë që i përket vetë jetës. Nëse zgjedhim të dytën, do mund të bënim vetëm disa zgjidhje sipërfaqësore me teknologji të re. Ngrohja globale dhe ndotja do mund të luftohej me plane shkencore, por bota nuk do të kishte ndryshim të vërtetë. Një botë që s'është e lidhur me shpirtin e saj nuk mund të kurohet. Pa pjesëmarrjen hyjnore femërore,  asgjë e re nuk mund të lindë.

RIGJETJA E DASHURISË SË SHENJTE

Nëse dija hyjnore për gruan ka humbur, si mund ta dimë se çfarë duhet të bëjmë? Pjesë e mençurisë së natyrës femërore është se ajo di të presë, të dëgjojë, të jetë e hapur. Vetë gruaja nuk ka vetëdije se si ta sjellë dritën e një shpirti në barkun e saj dhe ta ndihmojë atë për të formuar trupin. Ky mister ndodh brenda saj. Ajo nuk di, me vetëdije, as se si ta ushqejë këtë dritë me dritën e saj, në të njëjtën mënyrë që ajo jep gjakun e saj për të ndihmuar trupin të rritet. Është misteri i dritës që lind në materie, vetë shtatzania është një kohë pranimi, duke pritur, duke dëgjuar dhe ndjerë çfarë po ndodh brenda saj. Ajo dhe Nëna e Madhe, Gjithësia, janë në një qenie dhe, nëse gruaja dëgjon brenda vetes, ajo gjen aty gjithë njohurinë për të cilën ka nevojë.

Mbase e kemi braktisur këtë mençuri thjesht femërore të dëgjuarin e brenda-vetes. Në këtë epokë informacioni, mbushur me kaq shumë fjalë, është e lehtë të nën-vlerësohet një njohuri instinktive që vjen nga brenda. Se, parimet e shenjta të jetës nuk janë shkruar kurrë: ato i përkasin rrahjes së zemrës, ritmit të frymës dhe rrjedhjes së gjakut; ato janë të gjalla si shiu dhe lumenjtë, si zmadhimi e zvogëlimi i hënës. Nëse mësojmë të dëgjojmë, do të zbulonim se jeta, Nëna e Gjithësisë, po na flet, po na tregon se çfarë duhet të dimë. Jemi të pranishëm në një kohë kur bota është duke vdekur, në pritje të rilindë përsëri. Të gjitha fjalët që ndodhen në bibliotekat tona dhe në internet, së bashku, s’do të na e tregonin dot çfarë të bëjmë, por e shenjta femërore mund të na i tregonte sekretet që di ajo, mund të na tregonte si të jesh, si të jesh një mami që merr pjesë në rilindjen e saj. Ne jemi fëmijët e saj. Ajo do mund të fliste me secilin prej nesh, nëse kemi përulësinë ta dëgjojmë.

Po si mund ta dëgjojmë atë që nuk e dimë? Si mund ta gjejmë atë që kemi humbur shumë kohë më parë? Çdo moment është i ri. Momenti i tanishëm nuk është thjesht një përparim i momenteve të kaluara, por është i gjallë në mënyrën e vet, i plotë dhe i përsosur. Eshtë momenti që kërkon vëmendjen tonë. Vetëm në momentin që është prezent do mundeshim të ishim plotësisht zgjuar dhe t'i përgjigjeshim nevojave reale. Vetëm në këtë moment, të tanishëm, do mund të ishim plotësisht të vëmendshëm. Vetëm në momentin e pranishëm hyjnorja mund të vijë në ekzistencë. Njerëzit mund të bëjnë plane, por një nënë e vëmendshme ndaj fëmijëve të saj di nevojën reale të momentit. Ajo ndjen në brendësi të qënies së saj lidhjen me jetën si një të tërë, mënyrë që i është fshehur natyrës mashkullore. Ajo e di se nuk mund të bëhen plane kur ka kaq shumë variabla, por mund të jepen përgjigje që i përfshijnë të gjithë, dhe të gjitha lidhjet me të. E shenjta femërore është duke na kërkuar që të jemi të pranishëm në jetë në të gjithë tërësinë e saj, pa paragjykim ose plane. Vetëm atëherë ajo do mund të na flasë, të na zbulojë misterin e rilindjes së saj.

Dhe, për shkak se kjo është një lindje, femra duhet të jetë e pranishme jo vetëm si ide, por si prani e gjallë brenda nesh, brenda burrave dhe grave; sepse edhe pse gruaja më së shumti e mishëron shenjtërinë femërore, një pjesë e sekretit të saj ndahet gjithashtu në burrat, ashtu si një djalë që e mban nënën e tij disi ndryshe nga ç’e mbajnë vajzat e saj. Megjithatë, për të jetuar femëroren është diçka që ne pothuajse e kemi harruar: kultura jonë patriarkale e ka mohuar fuqinë dhe mençurinë e saj, e ka ndryshuar atë aq sa duket se e ka ndarë nga magjia që i përket ritmeve të krijimit. Por ne kemi nevojë për të, më shumë sesa guxojmë ta kuptojmë.

Sidosi, për të përmbushur plotësisht shenjtërinë femërore, parimin krijues të jetës, duhet të jemi të përgatitur për zemërimin e saj, për dhimbjen që ka ardhur nga abuzimi i saj. Për shekuj me radhë, kultura mashkullore ka shtypur fuqinë e saj natyrale, ka djegur tempujt e saj, ka vrarë priftëreshat e saj. Nëpërmjet përpjekjes për zotërim dhe frikës nga femërorja, për atë çfarë s’mund ta kuptojë ose kontrollojë, patriarkati jo vetëm e ka lënë pas dore, por qëllimisht e ka torturuar dhe shkatërruar atë. Ai, jo thjesht e ka përdhunuar atë, por ka grisur pëlhurën e vetë jetës, tërësinë primare për të cilën ajo është gjithmonë në kujdesje. Dhe femra është e zemëruar, edhe nëse zemërimi i saj është shtypur rrugës së bashku me magjinë e saj.

Të mirëpresësh femëroren është të bëhesh me dije dhe të pranosh dhimbjen dhe zemërimin e saj dhe pjesën që ne kemi luajtur në këtë përdhosje. Gratë gjithashtu shpesh kanë bashkëpunuar me mashkullin, kanë mohuar fuqinë e tyre dhe magjinë natyrore, në vend të tyre kanë pranuar vlerat mashkullore, mënyrat e të menduarit. Ato kanë tradhtuar veten e tyre më të thellë. Na duhet gjithashtu të jemi të kujdesshëm që të mos kapemi në këtë errësirë, në dinamikën e abuzimit, në zemërimin dhe tradhtinë.

Për gratë është veçanërisht e lehtë të identifikohen me vuajtjen femërore, trajtimin e saj nga mashkulli, dhe ta hedhin dhimbjen dhe zemërimin e tyre mbi burrat. Kështu, do kapeshim edhe më tepër në këtë rrjetë që na mohon çdo transformim. Nëse identifikohemi me dhimbjen e femrës, ne lehtësisht bëhemi agjent i zemërimit të saj, në vend që të shkojmë në thellësi të misterit të vuajtjes, në dritën që është gjithmonë e fshehur brenda errësirës. Sepse në thellësitë e femrës gjendet njohuria e plotë, se abuzimi është gjithashtu pjesë e ciklit të krijimit. Nëna e Gjithësisë mishëron një tërësi që përmban edhe mohimin e vetvetes dhe ne kemi nevojë për tërësinë e saj, nëse duam të mbijetojmë dhe të rilindim.

Transformimi i vërtetë, si çdo lindje, ka nevojë për errësirën po aq sa edhe për dritën. Ne e dimë se femra ka qënë e abuzuar, ashtu si planeti vazhdon të jetë i ndotur, por gruaja që ka përjetuar dhimbjen e lindjes, që e njeh gjakun që i përket procesit të lindjes, e ka fillesën gjithmonë në errësirë; ajo i njeh ciklet e krijimit në mënyra që janë të mbuluara për mashkullin. Ajo duhet ta japë njohurinë që ka për këtë cikël të pranishëm të vdekjes dhe rilindjes, duke nderuar kështu dhimbjen që ajo ka vuajtur. Pastaj do mundej ajo të zbulonte se magjia dhe fuqia e saj janë gjithashtu në të rilindur, por në një mënyrë të re, janë duke ju rikthyer asaj në mënyrë që nuk mund të ndoten më nga mashkulli dhe fuqia e tij. Por pa pjesëmarrjen e saj të plotë ekziston rreziku i një lindjeje të amullt; atëherë ky cikël i tanishëm i krijimit nuk do ta realizonte potencialin e tij.

Së pari duhet të pranojmë vuajtjet e femrës, të vetë tokës, ose ndryshe drita brenda femrës do të na fshihej. Na duhet të paguajmë çmimin e dëshirave tona për të dominuar natyrën, për veprimet tona arrogante. Ne nuk jemi të ndarë nga jeta, nga erërat dhe moti. Ne jemi pjesë e krijimit dhe na duhet t'i kërkojmë asaj falje, të marrim përgjegjësinë për qëndrimet dhe veprimet tona. Na duhet të shkojmë me vetëdije në epokën tjetër, duke njohur gabimet tona. Vetëm atëherë mund ta nderojmë dhe ta dëgjojmë atë plotësisht. Gjithmonë ekziston mundësia që ne nuk do ta merrnim këtë hap. Se si fëmijët që janë shpërfillës ashtu edhe ne, nuk do të pranonim dhimbjen që i kemi dhënë nënës sonë dhe nuk do ta gjenim tërësinë që ajo mishëron. Kështu do të mbeteshim brenda errësirës që po fillon të gllabërojë shpirtrat tanë: premtimet e zbrazëta të materializmit, botës së përthyer të fanatizmit. Të ndërmarrim një hap në pjekuri, është gjithmonë të pranojmë gabimet tona, gabimet që kemi bërë.

 RIZGJIM BRENDA NJESHMERISE SE SHENJTE

Është një sfidë e vërtetë të hysh në këtë mjedi të femërores, të nderosh diçka kaq të shenjtë dhe të thjeshtë, si mençuri e vërtetë e jetës. Ndërsa qëndrojmë në skaj të humnerës të sotme globale, kemi nevojë për këtë mençuri më shumë se kurrë. Sa herë kjo botë ka ardhur kaq afër zhdukjes, sa herë në miliona vitet e saj është përballur me fatkeqësitë? Tani kemi krijuar katastrofën tonë me injorancën dhe lakminë tonë, dhe hapi i parë është të kërkojmë ndihmën e Nënës Sonë dhe të dëgjojmë mençurinë e saj, kështu do mund ta gjenim veten në një mjedis shumë të ndryshëm nga ai cfarë aktualisht përfytyrojmë. Do të zbulonim se ka ndryshime që ndodhin në thellësitë e krijimit në të cilat jemi pjesë dhe se ndotja e dhimbja që kemi shkaktuar janë pjesë e një cikli jete që përfshin shkatërrimin e vet të dukshëm.

Nuk jemi të izoluar, madje edhe në gabimet tona, jemi pjesë e gjithë krijimit, ashtu siç e kemi mohuar të gjithë. Në arrogancën tonë e kemi ndarë veten nga jeta dhe përsëri nuk mund të jemi kurrë të ndarë. Ky është vetëm një iluzion i të menduarit mashkullor, nuk ka gjë të tillë si ndarja, është vetëm një mit i krijuar nga egoja.

Çdo gjë është pjesë e të gjithës, madje edhe gabimet dhe fatkeqësitë e saj. Vetëm pasi t'i kthehemi kësaj vetëdijeje të thjeshtë do të zbulojmë se ka ndryshime që po ndodhin të cilat kërkojnë pjesëmarrjen tonë dhe që na kërkojnë të jemi të pranishëm. Aksi i krijimit po zhvendoset dhe diçka po bëhet e gjallë në një mënyrë të re. Ne po rilindim, jo në ndonjë kuptim të pjesshëm, por si një tërësi e së plotës. Nuk kemi imazhe në vetëdijen tonë mashkullore për të menduar se çfarë mund të jetë kjo, por kjo nuk do të thotë se nuk po ndodh. Diçka brenda nesh e ndjen se epoka e tanishme ka marrë fund, se kohës së ndarjes sonë po i vjen fundi. Aktualisht, e ndjejmë këtë më dukshëm nga ana negative, duke ditur se imazhet e jetës nuk na mbështesin më, se konsumizmi është duke vrarë shpirtin tonë ashtu si edhe planetin. E megjithatë ka edhe diçka përtej horizontit, si një agim që mund ta ndiejmë edhe nëse nuk mund ta shohim.

Ky agim mbart një dritë, kjo dritë po na thërret, po thërret shpirtrat tanë, nëse s'është ende në mendjet tona, po na kërkon ta mirëpresim atë, ta sjellim atë në ekzistencë. Nëse guxojmë t'i themi "po" këtij agimi, do të zbulojmë se kjo dritë është brenda nesh, brenda secilit prej nesh dicka e re po krijohet. Jemi pjesë e një misteri të përbashkët: jemi drita e fshehur brenda materies që po zgjohet.

Për shumë shekuj kemi qënë të kapur në mitin e ndarjes, derisa u izoluam nga njëri-tjetri dhe nga energjitë e krijimit që na përmbajnë. Eshtë një dritë në rritje që mbart njohjen e Njëshmërisë, Njëshmërisë që është e gjallë në shenjat e së përjetshmes. Kjo është ajo që na është dhënë përsëri. Është drita që po zgjohet. Drita e Njëshmërisë është pasqyrim i njëshmërisë së shenjtë të jetës dhe secili nga ne është shprehje e drejtpërdrejtë e këtij uniteti. Njëshmëria nuk është një ide metafizike, por diçka kaq e thjeshtë, e zakonshme. Është në çdo frymëmarrje, në rrahjen e krahut të çdo fluture, në çdo pjesë të mbeturinave lënë rrugëve të qyteteve. Kjo njëshmëri është jeta, jeta që nuk përjetohet më nëpërmjet vizionit të copëtuar nga egoja, por që njihet nga zemra vetë, që ndihet nga shpirti. Kjo njëshmëri janë rrahjet e zemrës së jetës. Është njohja e krijimit për Krijuesin e saj. Në këtë njëshmëri jeta feston veten dhe origjinën e saj hyjnore.

Femërorja e njeh këtë njëshmëri. E ndjen atë në trupin e saj, në mençurinë e saj instinktuale. Ajo e di ndërlidhjen e saj ashtu siç e di se si t'i ushqejë fëmijët e saj. Ende deri më sot kjo njohuri nuk e ka mbajtur të ndezur dritën e vetëdijes mashkullore. Ka mbetur e fshehur brenda saj, në errësirën e vetes instinktuale. Një pjesë e dhimbjes së saj ka qenë që ajo nuk di se si ta përdorë atë njohuri në botën racionale dhe shkencore që jetojmë. Në vend të vlerësojë njohuritë e saj ajo ka luajtur lojërat e mashkullit, duke imituar mendimin e tij, duke lënë mënjanë njohuritë e saj për marrëdhëniet dhe ndjenjën e saj të modelit që i përket krijimit.

Tani është koha që kjo urtësi e femërores të kombinohet me ndërgjegjen mashkullore, në mënyrë që të përftojmë një kuptim të ri të tërësisë së jetës për të na ndihmuar të shërojmë botën tonë. Zgjidhjet tona aktuale shkencore vijnë nga mjetet mashkullore të analizës, nga vetë ajo mendësi ndarjeje që ka shkaktuar problemet. Ne nuk mund të lejojmë që të izolojmë veten tonë nga e tëra, dhe fakti që problemet tona sot janë bërë globale e ilustrojnë këtë. Ngrohja globale nuk është vetëm një imazh shkencor, por një realitet dramatik. Duke kombinuar mëncurinë mashkullore dhe femërore do mundemi të arrijmë të kuptojmë lidhjet mes pjesëve dhe së gjithës, dhe nëse vëmë veshin mund të dëgjojmë jetën duke na treguar se si ta korrigjojmë këtë ç’ekuilibër.

Gjendet një dritë brenda jetës, e njohur për alkimistët si lumen naturae, që mund të flasë me ne, të flasë me dritën e vetëdijes tonë. Ekziston një dialog origjinal i dritës me dritën, që njihet nga çdo shërues. Pasi dëgjon trupin e pacientit të saj dhe e lejon atë të komunikojë me të, e lejon dritën e saj të flasë me dritën brenda tij. Nëpërmjet këtij dialogu të dritës, ajo di se ku t'i vendosë duart e saj, mjekimin që nevojitet, pikat e presionit që duhen prekur. Ky komunikim i drejtpërdrejtë është i kombinuar me njohurinë e shërimit që ajo ka mësuar, duke lejuar alkiminë të ndodhë, që të mund të rizgjojë energjitë brenda pacientit, të riorganizojë trupin dhe shpirtin. Kjo është se si ndodh shërimi në të vërtetë, dhe ajo që është e vërtetë për një individ është gjithashtu e vërtetë për botën, përveç se ne jemi njëherësh pacientë dhe shërues. Plagët dhe ç’ekuilibri në botë janë plagët dhe ç’ekuilibri ynë. Ne e kemi brenda nesh dijen dhe njohurinë për të riorganizuar veten dhe botën. Kjo është pjesë e misterit të tërësisë së jetës.

Femërorja mund të na japë një kuptim se si të gjitha pjesët e ndryshme të jetës harmonizohen, modelet e marrëdhënieve të tyre, ndërlidhjet që ushqejnë jetën. Ajo mund të na ndihmojë të shohim vetëdijshëm atë që ajo di instinktivisht, se gjithçka është pjesë e një tërësie që gjallon, e tërë organike, në të cilën të gjitha pjesët e krijimit komunikojnë së bashku dhe secila qelizë e krijuar shpreh të gjithën në mënyrë unike. Një kuptim i tërësisë organike të jetës gjendet në njohurinë instinktive të femërores që, e kombinuar me ndërgjegjen mashkullore, kjo mund të shprehej edhe me fjalë, jo vetëm ndjenja. Ne mund të kombinojmë shkencën e mendjes dhe shqisave, me dijen e brendshme. Mund të na jepet një skicë e planetit që të na mundësojë të jetojmë në harmoni krijimi me gjithë jetën.

SI MAGJI E RE, E PRANISHME

Çfarë do të thotë të rigjesh femëroren? Do të thotë të nderojmë lidhjen tonë të shenjtë me jetën, që është e pranishme në çdo moment. Do të thotë të kuptosh se jeta është një e tërë dhe të fillosh të njohësh ndërlidhjet që formojnë rrjetin e jetës. Do të thotë të kuptosh se gjithçka, çdo veprim, madje çdo mendim, ndikon në të tërën. Dhe kjo gjithashtu do të thotë të lejojmë që jeta të na flasë. Ne jemi vazhdimisht të bombarduar nga kaq shumë përshtypje, nga shumë media dhe reklama, sa që nuk është e lehtë të dëgjosh zërin e thjeshtë të vetë jetës. Por ajo është e pranishme, edhe brenda mirazhit të frikës dhe dëshirave tona, ankthit e shpresave tona. Dhe jeta na pret ta dëgjojmë: vetëm se na duhet të jemi të pranishëm në çast, dhe të jemi të vëmendshëm. Ajo përpiqet të na komunikojë sekretet e krijimit, në mënyrë që të mund të marrim pjesë në mrekullinë që është duke lindur.

Kemi mërguar prej shtëpisë sonë, I jemi dhënë një peizazhi steril plot fantazi që s’kanë shpirt. Është koha të kthehemi në shtëpi, të marrim atë që na takon, jetën e shenjtë në të cilën jemi pjesë. Është ajo që po na pret, shenjat shfaqen rrotull nesh. Ato nuk janë vetëm në pakënaqësinë tonë, në dijen se jemi shfrytëzuar dhe gënjyer. Ata janë në cilësinë e magjisë që ka nisur të shfaqet, si rrahjet e krahëve të engjëjve, të cilët s’mund t'i shohim por mund t'i ndjejmë. Është duke na u kujtuar ajo që ne vërtet jemi, prania hyjnore që është brenda nesh dhe brenda jetës. Jemi duke u zgjatur për nga kjo magji, për një jetë që bashkon botën e brendshme dhe të jashtme. Dhe kjo jetë tjetër është tashmë me ne në një mënyrë që nuk do ta prisnim. Duhet të jemi të hapur dhe të pranojmë, të themi ‘po’ për atë që ende s’mund ta shohim ose prekim, por mund ta ndiejmë dhe t'i përgjigjemi. Dhe, për secilin prej nesh, ky takim i botëve do të jetë i ndryshëm, i veçantë, sepse edhe ne jemi të ndryshëm, unikë. Është shenjtëria brenda jetës që na flet në gjuhën që kuptohet nga ne. Ndoshta, për kopshtarin flet në magjinë e luleve, për nënën në diçka të papritur në rrugën e fëmijëve të saj - gjithnjë është diçka që mund të shihet kalimthi, edhe pse ende nuk njihet - një premtim që e dimë se kemi qenë duke e pritur. Fëmijët vetë e ndiejnë të parët, por për ta nuk është aq e pazakontë; ajo është pjesë e ajrit ku ata marrin frymë, drita në të cilën jetojnë. Ata ende nuk kanë harruar plotësisht, dhe ndoshta do të rriten në një botë në të cilën mbetet kjo magji.

Misteri i femërores hyjnore na flet nga brenda krijimit të saj. S’është ndonjë perëndi e largët në qiell, por një prani e këtushme, me ne, që kërkon përgjigjen tonë. Është kthimi i hyjnores të pohojë krijimin e saj, mrekullia e vërtetë e asaj se çfarë do të thotë të jesh gjallë. Ne e kemi harruar atë, ashtu siç kemi harruar aq shumë nga ajo që është e shenjtë, dhe megjithatë ajo është gjithmonë pjesë e jona. Por, tani kërkon të njihet përsëri, jo vetëm si mit, si imazh shpirtëror, por si diçka që i përket gjakut dhe frymës. Ajo mund të na zgjojë ndaj një shprese diku në ajër, ndaj ndonjë kujtese të lashtë zgjuar në mënyrë të re. Ajo mund të na ndihmojë të lindim hyjnoren që është brenda nesh, në njëshmërinë që gjendet kudo rrotull nesh. Ajo mund të na ndihmojë të kujtojmë natyrën tonë të vërtetë.

© 2007 Qendra Sufi i Artë 

Llewellyn Vaughan-Lee është një Sufi mësues dhe autor. Në vitet e fundit fokusi i shkrimeve dhe mësimdhënies së tij ka qenë rreth përgjegjësisë shpirtërore në kohën e tanishme të tranzicionit dhe në ngritjen e ndërgjegjes globale të të qënit një (shih www.workingwithoneness.org). Ai është gjithashtu i specializuar në fushën e punës me ëndrrat, duke integruar mësimet e lashta Sufi me njohuritë e psikologjisë moderne. Llewellyn është themeluesi i Qendrës Sufi i Artë (http://www.goldensufi.org/). Librat e tij më të fundit janë Alkimia e Dritës, Puna me Energjitë Primare të Jetës dhe Fuqia Shpirtërore, Si funksionon. Perktheu: Adriana Myrtaj

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1