Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | PERKTHIME | NË PRILL E NË MAJ

NË PRILL E NË MAJ

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vullnet Mato

Vullnet Mato

 

NË PRILL E NË MAJ

 

Oh, të dua pranë në gjithë muajt e vitit,

moj e mira ime, që të kam, laj-thaj,

por të lutem, me zjarrin tim të shpirtit,

veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

 

Mund të shkosh kudo të shëtisësh,

nga Japonia, deri larg në ishujt Havaj,

po leri vizitat e tua, te njerëzit e fisit,

veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

 

S’ta pengoj lirinë, as në behar e dimër,

madje flatrat e mia të jap për berihaj,

të fluturosh ku të do e bardha zemër,

veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

 

Nuk dua të vë kushte, në jetën intime,

moj e mira ime, që të kam, laj-thaj,

të fal muajt e tjerë, përgjatë çdo stine,

veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!

 

Ka nevojë dhe palca e eshtrave të mia, 

lulëzimin pranveror, tek ti ta shpërndaj, 

ndaj mos më lër të më dimëroj vetmia, 

veç në prill e maj, nga unë mos u ndaj!...

 

 

RIZGJIMI PRANVEROR

 

Ngazëlloj duke soditur rizgjimin e natyrës,

në këto çaste mëngjesore kaq solemne,

kur toka e përgjumur, fillon lan fytyrën,

në dushin e madh e çudibërës të rrezeve.

 

Fshesa e rrezeve, si amvisë e kujdesshme

nis të fshijë nga dheu hijet përrallore,

zbulon ngadalë konturet e së djeshmes,

me mozaikë të kredhur nën blozën natësore.

 

Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,

dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.

Kumbullat sykaltra përshkëndisin petalet,

për të pritur vizitën madhështore të diellit.

 

Zogjtë e tulatur, nëpër degët blerore,

shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,

qingjat e fjetur staneve, ndër bregore,

përshëndesin agimin me të parat blegërima.

 

Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë

dhe zënë të shkundin kristalet e vesës,

grunjërat e mëndafshta, drejtojnë kallinjtë

dhe luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.

 

Gjithë konturet e së djeshmes dritësore,

tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje,

me zbardhëllimin e së sotmen pranverore,

mbushur plot e përplot me qumësht drite...

 

 

 

PËRBINDSHAT E BABËZITUR

 

O Poseidon, i gjithëfuqishëm,

qofsh mallkuar në gjithë Eubënë

dhe në detrat përqark

zotërimeve të Helionit,

që me tre dhëmbë shkunde 

me tërmete tërë dhënë,

dhe le gjallë pas vetes,

përbindëshat e korrupsionit!...

 

Të grabisin trojet 

dhe të mbushin shpellat, 

me arin e djersës 

së argatëve të tokës dhe detit,

të varfërojnë  

edhe artistët nëpër parcelat,

ku ata mbjellin 

pasurimin e mençurisë së shtetit.

 

Ku fshihen polifemët me një sy, 

pas revanshit,

dhe përbindëshat e taksave 

për oksigjenin e erës,  

që duan të nxjerrin vaj 

nga shkëmbinjtë e Kalimashit

dhe të gllabërojnë 

lundërtarët e së dielës?!

 

Mblidhuni, o trima të deteve letrare, 

nëpër kontinente,

të skuqim majat vigane 

të penave tona në flakë e zjarr,

t’u verbojmë polifemëve 

syrin e ballit, me fuqi të vetme,

të ngordhin shpellave, 

pa lënë pasardhës grabitqarë!...

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1