Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | POEZIA KANADEZE

POEZIA KANADEZE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Ziko

POEZIA KANADEZE


Poezia kanadeze, për vetë specifikën e krijuesve të saj me origjina dhe tradita të ndryshme të prejardhjes së tyre, është e hapur, që në fillimet e veta, ndaj prirjeve apo rrymave më të reja, shkollave letrare moderne dhe postmoderne. Në të ndjehen dhe reflektohen, veçanërisht, përvojat e poezisë angleze, franceze dhe amerikane. Ajo, në fillimet saj, ka trajtuar temën patriotike, vjershat e para ishin këngë ose himne patriotike. 
Poezia e re kanadeze është, kryesisht, një poezi intime, medituese mbi jetën e përditshme. Ajo i trajton problemet e saj në planin filozofik apo ekzistencial, mbi jetën dhe vdekjen, mbi njeriun e kohës sonë dhe raportet e tij me natyrën. 
Poezia kanadeze është një poezi thellësisht lirike, pa emfaza, pa deklarata retorike, pa vargje bomastike, pa ngërdheshje apo psherëtima sentimentale dhe ëndërrime romantizante, është një poezi me këmbët në tokë, aspak anakronike, ajo është e shtruar, por dhe e thellë, poezi nga e cila ke se ç'të mësosh mbi raportin midis idesë dhe realizimit estetik të saj. Temën politike, atë të patriotizmit ajo e trajton sipas mënyrës së vet. Himni kanadez e përcakton dhe e specifikon qartë devizën e vet: “Canada our home and nativ land” (Kanadaja është shtëpia dhe vendi ynë i lindjes), pra, bëhet fjalë për një “patriotizëm” të dyfishtë, të etërve emigrantë dhe të bijve të tyre të lindur dhe të rritur në tokën kanadeze, patriotizëm që është larg patriotizmit klasik. Raporti i banorëve të saj (dhe i poetëve) me vendin është i diferencuar emocionalisht, por i qartë në synimin e vet: “we stand on guard for the” (ne qëndrojmë në roje për ty (Kanada). 
Poezia kanadeze ka ecur me ritmin e poezisë botërore dhe të rrymave të ndryshme që gjallojnë në të, që nga modernizmi e posmodernizmi, strukturalizmi dhe poststrukturalizmi, konceptualizmi etj., duke synuar një vargëzim me cilësi të lartë estetike bashkëkohore. Harta e zërave dhe individualiteteve poetike është e pasur, po kështu edhe spektri i formave poetike që nga soneti e gjer te poema, të shkruar, kryesisht, me varg të lirë dhe më pak me varg të matur. Duke mos patur një trashëgimi më të hershme kombëtare të ngulitur: klasike, sentimentale, romantike, kjo poezi e ka më të lehtë përparimin në rrugën e modernitetit, nuk ka tradita të fosilizuara që ta pengojnë.
Historia e poezisë kanadeze, ka plot firma dhe personalitete të spikatura, kryesisht, lirike të nominuara ose fitues të çmimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si Mark Strand, Margaret Atwood, Gwendolyn Margaret MacEven, Erin Moure, Desi Di Nardo etj.


MBETURINAT Mark Strand 

E liroj veten nga emrat e të tjerëve. Zbraz xhepat.
Pantoflet bosh i vendos përbri rrugës.
Natën e kthej prapa orën;
Hap albumin familjar dhe shoh veten time kalama.

Ç'fitoj nga kjo? Ora e bëri punën e saj.
Shqiptoj emrin tim. I them lamtumirë.
Fjalët ndjekin njëra-tjetrën nëpër erë.
E dashuroj gruan time, por e zboj.

Prindërit e mi dalin nga fronat e tyre
Në dhomat qumështore të reve. E si mund të këndoj unë?
Koha më thotë se kush jam unë. Ndërroj dhe jam prapë ai.
E boshatis veten nga jeta, dhe mbetet prapë jeta ime.


KËNGA E SIRENËS Margaret Atwood

Është e vetmja këngë që
Desha ta dija:
Është e papërballueshme.

Këngë që ysht njerëzit
Të hidhen në ujë
Edhe kur shohin kafka.

Këngë që s'e di askush
Kush e dëgjoi ka vdekur,
Të tjerët s'e kujtojnë.

Doni t'jua them sekretin
Dhe, po ta bëj këtë,
Do më shikoni të veshur me kostum zogu?

Kjo s'më pëlqen
Mbi majat e gishtave ngrihem
Në këtë ishull piktoresk mitik

Me dy krahët e mi manjakë efemerë
Nuk dua ta këndoj këtë trio
Fatale dhe të çmuar

Po jua them sekretin
Juve dhe vetëm juve,
Afrohuni: kjo këngë

Kjo klithmë kërkon ndihmë
Por ju nuk mundeni,
Ju nuk jini aq të veçantë

në fund të fundit. Ah,
Kjo është një këngë e mërzitshme
Që funksionon përherë.


PISHAT E ZEZA NËN UJË Gwendolyn Margaret MacEven

Kjo tokë, si pasqyra, ju shndërron në thellësi të saj
dhe bëheni pyll në liqenin që ju grabiti;
Pishat e zeza të mendjes suaj mbyten në thellësi,
ju vjen ndër mend blerimi i moshës suaj,
Kujtesa juaj është ky rresht i pishave të mbytura.

Eksploruesa, e quani veten, ju erdhët jo sepse 
këtu do të gjelbëroni më mirë,
Ju deshët të bënit një hap të madh,
planifikuat një bukuri hijerëndë, një ëndërr sfilitëse.

Por pishat e zeza të mendjes suaj fundosen thellë e më thellë 
Dhe ju mbyteni, e mbyteni të përgjumur
Në botën elementare;
Ku ka diçka që ju kërkoni ta mësoni.


FTOHMA Erin Moure

Ftohma

Syri i saj blu e bën pishinën belbake

Kujtesa më bëhet (e gjelbër)

Tmerri ekolitik

Dora ose emri i tij në frëngjisht do të thotë “i lëmuar”

Stina e verës është tegeli i errët brenda kokës sime, ky emër

Koka “ime”, që pranoi ose shkëlqimi bashkëtingëllor

I patretshëm

Ose vreshtat e hardhive ose drurët e eukaliptit

Çohen në çast këtu


VAGABONDËT E BUKUR Desi Di Nardo

Nuk jam pistil i lules ose
Farë e bymyer mbytur me polen
Por figurë e veçantë që pres 
Me pëllëmbët si kupë të bëhem 
Vrasëse e bulkut, bletës dhe molës
Ujësjellës shpirtëror,
I papërshkueshëm nga pasqyrat e thella ujore
Dhe lulet e lotosit, me rrënjë në kënetë
Vështromë
Vështromë mua
Jam dallëndyshe e dashuruar me erën
Më e lehtë se era
Rilindje që dridhem vazhdimisht
Nën kërcënimin e shiut

Përktheu: Vangjush Ziko

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xh) on 25/09/2017 18:01:04
avatar
Faleminderit Pr me clodhet,sidomos me ate hyrien sqaruese per Poezine kanadeze.
Begati peste,pena juaj PENE!Pr Vangjushi
Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1