Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | Kthim në Tipasa

Kthim në Tipasa

Font size: Decrease font Enlarge font
image Albert Camus

ANILA XHEKALIU

 

Kthim në Tipasa

« I hutuar, duke u sorollatur në fshatin e vetmuar e të lagur, rrekesha më së paku të gjeja këtë forcën, deri tani besnik, që më ndihmon të pranoj atë që është, kur një herë e mirë mësova se nuk mund ta ndryshoja. Dhe nuk mundja, në fakt, ta ringjisja rrjedhën e kohës, t`i rijepja botës fytyrën që kisha dashur e që ishte zhdukur për një ditë, shumë kohë më përpara. Dy shtatorin e 1939, në fakt, nuk kisha vajtur në Greqi, siç  duhej të shkoja. Lufta nga ana tjetër kishte ardhur deri tek ne, mandej kishte mbuluar vetë Greqinë. Këtë largësi, këto vite që ndanin rrënojat e nxehta të telave me gjemba, i gjeja njëlloj brenda meje, asaj dite, para sarkofagëve plot ujë të zi, ose nën brukët e njomura. I humbur si fillim në spektaklin e bukurisë që ishte pasuria ime e vetme, ia kisha nisur me plotninë. Mandej kishin ardhur telat me gjemba, dua të them tiranitë, lufta, policët, koha e revoltës. Ishte dashur të bëja pakte me natën: bukuria e ditës ishte vetëm një kujtim. Dhe në këtë Tipasa me baltë, vetë kujtimi mjegullohej. Bëhej fjalë pikërisht për bukurinë, plotninë apo rininë ! Nën dritën e zjarreve, bota kishte treguar befas rrudhat dhe plagët e saj, të reja e të vjetra. Ishte plakur fill, dhe ne me të. Ky vrulli që kisha ardhur ta gjeja këtu, e dija që gjallëron vetëm atë që nuk e di që do të turret. Aspak dashuri pa pak pafajësi. Ku ishte pafajësia ? Perandoritë shembeshin, kombet dhe njerëzit kapeshin për fyti ; e kishim gojën të ndyrë. Në fillim të pafajshëm pa e ditur, tashmë fajtorë pa e dashur : misteri rritej me shkencën tonë. Ndaj merreshim, o ironi, me moralin. I gjymtë, ëndërroja për virtytin ! Në kohën e pafajësisë, nuk e dija se morali ekzistonte. E dija tani, dhe nuk isha i aftë të jetoja në lartësinë e tij. Mbi kepin e lartë mbi detin që doja dikur, mes kollonave të lagura të tempullit të shkatërruar, më dukej se ecja pas dikujt që ia ndjeja ende hapat mbi plloçat et mozaikët, por që kurrë më nuk do ta arrija. Rigjeta Parisin, dhe qëndrova disa vite para se të kthehem në shtëpinë time. Diçka megjithatë, gjatë gjithë këtyre viteve, më mungonte në mënyrë të turbullt. Një herë të na jepet rasti të duam fort, jeta kalon duke kërkuar përsëri këtë afsh e këtë dritë. Heqja dorë nga bukuria dhe lumturia ndjesore që lidhet me të, shërbimi i veçantë i mjerimit, kërkon një madhështi që më mungon. Por, mbi të gjitha, asgjë s`është e vërtetë që të detyron ta përjashtosh. Bukuria e izoluar përfundon duke t`u ngërdheshur, drejtësia e vetmuar përfundon duke të shtypur. Kush do ta përdori njërën duke përjashtuar tjetrën nuk i shërben askujt as vetes, dhe në fund, i shërben dy herë padrejtësisë. Vjen një ditë ku, përveç  ngurtësisë, asgjë tjetër nuk më mrekullon, gjithçka është e njohur, jeta ia nis nga fillimi. Është kohë e mërgimit, e jetës së thatë, e shpirtrave të vdekur. Për të rijetuar, duhet një mrekulli, harrimi i vetvetes ose një atdhe. Disa mëngjese, në kthinën e një rruge, vesë fort e bukur pikon në zemër mandej avullon. Por freskia mbetet sërish dhe është ajo, gjithmonë, që zemra kërkon. M`u desh të nisem prapë. »

(– Vera – Kthim në Tipasa.)

Përktheu: Anila Xhekaliu

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1