Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | VAJTIM PËR JUGUN

VAJTIM PËR JUGUN

Font size: Decrease font Enlarge font
image SALVATORE QUASIMODO

 

 

 

 

Përktheu:Agim Mato

VAJTIM PËR JUGUN

Hëna e kuqe, era, ngjyra jote prej gruaje
veriore, dëbora e paanë...
Zemra ime është tashmë në këto ultësira,
në këto ujra të hirnosura nga mjegullat.
E kam harruar detin, guackën e madhe
që i fryjnë barinjtë siçilianë,
këngët monotone të karrove në xhade
ku çiçibanozi dridhet në tymin e kallamishteve,
e kam harruar shtegëtimin e çafkave dhe të lejlekëve
në ajrin e rafshnaltave të gjelbra
për tokën dhe lumenjtë e Lombardisë.
Po njeriu kudo këlthet për fatin e një atdheu.
Askush nuk do të më sjellë më në Jug.

Oh, Jugu është lodhur duke zvarritur të vdekurit
në brigjet e kënetave malarike,
është lodhur nga vetmia, nga vargojtë,
lodhur nga blasfemitë e të gjitha rracave 
që kanë ulëritur vdekjen që jehon në të gjitha puset e tij,
që kanë rrufisur gjakun e zëmrës së tij.
Për këtë arsye bijtë e tij kthehen në male,
detyrojnë kuajt të dremisin nën mbulesa yjesh,
përtypin lule akscie ndanë udhës
përsëri të kuqe, sërish të kuqe, sërish të kuqe.

Më askush nuk do të më sjellë në Jug.

Dhe kjo mbrëmje e ngarkuar me dimër
është ende e jona, dhe këtu të përsëris ty
kundërthëniet e mia absurde,
ëmbëlsinë dhe tërbimin,
një vajtim dashurie
që dashurinë s’mund ta mbërrijë.

EPITAF PËR BICE DONETTIN

Me sytë e ngulitur tek shiu dhe shpirtrat e natës,
atje, në kampin pesëmbëdhjetë në Musoko,
është gruaja emiliane e dashuruar prej meje
në vitet e trishta të rinisë.
S’ka pak që vdekja luajti me të
ndërsa kundronte e qetë erën e vjeshtës
tek shkundëte degët e rrepeve dhe fletët
nga shtëpia e hirtë e periferisë.
Fytyra e saj është ende e gjallë nga befasia,
siç ish në fëmijëri shtangia e rrufeshme
nga ai që përtypte flakët përmbi karro.
O ti që shkon, i shtyrë nga të vdekurit e tjerë,
para varrit të hapur njëmbëdhjetë e gjashtëdhjetë,
ndalo një minutë të përshëndesësh
atë që nuk u ankua kurrë nga burri
që rri këtu, i urryer, me vargjet e veta,
një nga të shumtët, punëtor të ëndërrave.

THANATOS ATHANATOS
(Vdekje e pavdekëshme)

Dhe do na duhet të të mohojmë, Zot
i tumoreve, Zot i lules së gjallë,
dhe të nisim me një jo në gurin e errët
të egzistencës dhe të ndjejmë vdekjen
dhe mbi çdo varr të shkruajmë vetëm
bindjen tonë të sigurtë: “thanatos athanatos”?
Pa një emër që të kujtojë ëndërrat
lotët, rrebeshet e këtij burri
të mundur nga pyetjet pa përgjigje?
Dialogu ynë i shurdhër bëhet papritur
një absurd i mundëshëm. Atje,
në mjegullën e dëndur, brënda pemëve
vigjilon fuqia e gjetheve,
i vërtetë është lumi që shtyn brigjet.
Jeta nuk është ëndërr. I vërtetë është burri
dhe vajtimi i tij xheloz për heshtjen.
Zot i heshtjes, shpërtheje vetminë.

LETËR NËNËS

“Mater dulcissima”, tani pikojnë mjegullat,
anija përplaset pa torua nëpër brigje,
pemët mbufaten nga uji, digjen nga dëbora;
nuk jam i trishtuar në Veri, nuk jam
i qetë me vetveten, nuk pres falje nga askush,
shumë më detyrohen lotë si njeriu me njeriun,
E di që nuk ndjehesh mirë, që jeton si
shumë nëna poetësh, e varfër dhe e drejtë
në masën e dashurisë për bijtë e largët. Jam
unë sot që të shkruaj.” – Më në fund do të thuash
dy fjalë për këtë djalë që iku nëpër natë
me një pallto të shkurtër dhe dy vargje në xhep.
Kështu të varfër, me shpirtin e gatshëm
do ta vrasin një ditë diku. -
“ Sigurisht, më kujtohet, hypa në një shkallë gri
të trenave rrangallë që mbartnin kumbulla e portokaj
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot me laraska,
me kripë dhe ekualipte. Tashmë të falënderoj dua
për ironinë që vure mbi buzët e mia të buta si të tuat.
Kjo buzëqeshje më ka shpëtuar nga lotët dhe dhimbjet.
Dhe nuk ka gajle se sot po mbartin lotë për ty,
për të gjithë ata që si ti presin dhe nuk dinë se çfarë.
Ah, vdejke e fisme,
mos e prek tik takun e sahatit të guzhinës të varur në
mur,
gjithë fëmijëria ime ka kaluar mbi zmaltin
e kuadratit të tij, mbi këto lule të vizatuara.
Mos i prek duart dhe zemrën e të moshuarve.
Do të më përgjigjet dikush, ndoshta? O vdekje e devotëshme, 
vdekje e hijëshme.Lamtumirë, e shtrenjtë,
lamtumirë, e imja “dulcissima mater”
* mater dulcissima – latinisht - e ëmbla nënë

KITARAT E VDEKURA

Toka ime është mbi lumenjtë ngjeshur me detin,
asnjë vis tjetër nuk ka një zë kështu të lehtë
ku hapat e mia koten 
midis xunkthve të rënda të kërmijve.
Padyshim është vjeshtë: në erën e shqyer
kitarrat e vdekura ngrefin kordat
mbi gropat e errëta, ku një dorë shkundullon
gishtrinjtë e zjarrtë.
Në pasqyrën e hënës
krihen vajzat me gjokset e portokajtë.

Kush qan? Kush i fshikullon kuajt në ajrin
e kuq? Do të ndalojmë në këto brigje
gjatë një zinxhiri të gjelbër dhe ti, e dashur,
mos më sill përpara kësaj pasqyre
të pafund: atje shihen brënda djem
që këndojnë dhe pemë të larta dhe ujra.

Kush qan? Unë jo, besomë: mbi lumenj
rendin fshikujt e egërsuar të një kamzhiku,
kuajt e errët, vetëtimat e squfurit.
Unë jo, rraca ime mban thika
që flakërijnë dhe hëna e plagë që djegin.

Comments (1 posted):

Faruk Myrtaj on 14/08/2017 14:46:18
avatar
Njeriu kendon moshen e vete
dhe ardhka nje moshe qe merr kuptim te plote loti, nena, prindi...
Agim Mato, me kenge rinie te nderprere,
sjelle ne shqip nje mesdhetar tjeter
per te rrefyer athanatosin e tij.
"Une jo, rraca ime mban thika..."
rrefen Salvatore Quasimodo, ne shqip
fqinjesi poetesh qe dijne te duan grate
teksa nderojne nenat e tyre si perendesha me kurore loti...

"O ti qe shkon i shtyre nga te vdekurit e tjere...
Vajto ate qe kurre nuk u ankua nga burri"!

Perkthyesi, mbase, arrin suksesin
vec kur ka gjetur veten origjinale mehershem
A thua vec poetet
dine te rilindin ne gjuhe tjeter poetesh ...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1