Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | MOGOSOAJA

MOGOSOAJA

Font size: Decrease font Enlarge font
image JANIS RICOS

JANIS RICOS

MOGOSOAJA

nga “Arkitektura e pemëve”

1.

Këtu heshtja të zotëron si një gjumë muzikor.

Të palëvizura metrokubet e diamandta të erës.

Këtu edhe dashuria fle e heshtur,

e vaisur në faqen e saj të majtë.

Sipër saj bie shiu i pushit të luleve, i polenit

dhe në flokët e saj kanë mbirë që tani

yjet e verdha të luleshqerrave.

 

Këtu ndjen një lumturi si lodhja dhe si harresa.

2.

Këtu, drurët, ujërat – gjysmëdrita e gjelbër,

qetësia e gjelbër, lavdia e gjelbër e vegjetacionit,

të gjelbra njëra pas tjetrës zgavrat e pyllit

në shkretëtirën e gjelbër të kohës.

 

E palëvizur lëkundja e degëve mes fisnikërisë së gjelbër.

Koha u gjunjëzua para heshtjes së gjelbër

vetëm zërat e largëta të qyqeve tingëllojnë

si orë të gjelbra të varura në kohën e drunjtë

orë të gjelbra që përsëriten në mënyrë të pacaktuar,

me një kuptim të pashpjeguar, të gjelbër.

 

Duhet të kujtohemi të zgjohemi vet.

3.

Duhet të kujtohemi të shikojmë, të kujtohemi të  vëmë

re,

duhet të kujtohemi të dëgjojmë hapat tona,

hapat e zogjve në ajër,

hapat e luleve në tokë – sepse këtu të mbështjellë

                        dantella e bukurisë si merimangë,

 

 

të lidh duart në një papunësi të mëndafshtë,

të qep  me një pikë çuditëse buzët

dhe dorëzohesh në fitoren e lodhur

sikur të jesh shndërruar që tani në statujë të  vetvetes,

si statuja që është zhytur në liqenin e heshtur të

                                                                                    Mogosoajës.

 

Duhet, pra, të kujtohemi të flasim,

të kujtohemi të shikojmë në sy

heshtjen e ujët dhe statujën tonë.

4.

Një prerje në ujë që të shikosh thellësinë,

një prerje në heshtje që të flasësh,

një prerje në magjepsje që të dëgjosh.

 

Sa është ora në pyll?

- Heshtje.

Sa është ora në heshtje?

                        - Gjelbërim.

Sa është ora në gjelbërim?

                        - Këngë.

 

Dua të shoh, të dëgjoj dhe të këndoj.

Folëm një fjalë në dimensionet e botës

të të përgjigjem. – Heshtje.

Dy pika prej kristali të kaltër

Çiftëzohen në trekëndëshin e fildishtë të një gjetheje

kallami.

Gërma e parë e heshtjes. Monogrami i heshtjes.  

 

Tej heshtjes është kënga.

Brenda në këngë hap dritaret e saj bota.

5.

Gjethe ngjiten, gjethe zbresin në pyll.

Pylli vërtetohet në çdo moment me mijëra veprime

                                                                      të gjelbra.

Mijëra insekte lajmëtarë venë e vijë,

insekte zanatçinj, shitës ambulantë, argjendarë,

farkëtojnë arin e polenit, bëjnë unaza,

fejojnë dritën me lulet, njerëzit me pemët,

mbartin plaçkat e pranverës deri në pallatet e

                                                            nëntokës.

Më vonë një zambak ngrihet i bardhë

duke  kurorëzuar ndërtesën që funksionon e fshehtë.

 

Qielli aprovon përpjekjet tona.

6.

Të tre katrorët e vetmisë të rrethuara

nga shigjetat që s’ hezitojnë të dallëndysheve.

Pesë pallonj me qafat si saks hapin bishtat e tyre

duke mënjanuar qetësinë me pesë triumfe të lulëzuara.

 

Mbi shpatullat e statujave të mëdha

ngrenë dashuritë e tyre harabelat.

Dikush peshkon. Dikush foli nga varka.

Një zë u përgjigj mbrapa pemëve.

Mund të flasësh. Do të të dëgjojnë.

 

Mbi varrin e princ Bimbeskut

një i ri pikturon  profilin e pyllit.

Shumë i kaltër. Shumë i gjelbër. Mungon e kuqja –

e kuqja e një çatie që strehon njerëzit,

e kuqja e enëve të lashta prej balte dhe e gjakut të ri.

 

Ta kujtosh: mos harro të kuqen.

7.

Ato flluska që ngjiten në ujin e qetë

janë nga frymëmarrjet e fshehta të pemëve dhe të bimëve.

Këto rrathë që projektohen në sipërfaqen e qetësisë

janë nga rënia e gjetheve të padukshme. E di?

 

Zogjtë mbartin në gishtrinjtë e tyre pyje të tërë.

Vargjet mbartin në duart e tyre një qytet të tërë me ndjenja.

Pas çdo porte pret një zemër. Mos e harro.

 

Duhet të dhurosh që të fitosh.

8.

Këtu hedhin valle dallëndyshet  dhe njerëzit.

Një i sëmurë gjen buzëqeshjen e tij.

Buzëqeshja gjen vargun e saj.

Një poet mbaron të puthurën me një këngë.

 

Nën gjumin rri zgjuar pulsi ynë.

Nën heshtjen kënga jonë.

Me atë që dhurojmë ekzistojmë.

 

Duke u larguar nga Mogosoaja sjell në botë

dy vjersha të reja mbi shpatullat e mija.

si fshatari, i djegur nga dielli dhe era e muajit  të kuq,

kthehet nga puna e tij duke dihatur në vesën e mbrëmjes,

me gjithë zjarrin e perëndimit në ballin e tij

dhe me këpucët që prekën tokën tonë të mençur,

mbi supe.

Përktheu:

Andrea Zarballa,

Agim Mato

Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 30/06/2017 01:45:52
avatar
Ricosin, POETIN, kete fryme qe mugullon edhe nen shqipen e derdhur si gjthe vjeshte mesdhetare, ne perkthimin prej Arkitekture se Pemeve, e kam lexuar qysh heret, dikur dikur, kur guxoja te besoja se dija te lexoja poezi piktoresh te tille!
Asokohe mbase nuk ua dija dobine perkthyesve, s'arrija tu cmoja prurjen, dhurate e bekim prej fjale te shpirteruar ne dy vise gjuhesh njeherazi.
Mbase ngaqe ishte stina e shkrimeve ku gjer edhe perkthimet e Jusuf Vrionit botoheshin ne Paris pa emrin e tij, njelloj si tharja e kenetave prej te burgosurve politike i atribuohej arritje socializmes, rrafshimes qe per pak mund ta harronte brenda kenetishtes se Maliqit edhe murgun e madh te shqipes, Mitrush Kutelin, qe mbijetoi edhe me emer te dyte, perkthyesi...

Lexova, kesaj mbremje te trishte Qershori Janis Ricosin e Andrea Zarballas e Agim Matos, vetem pak dite kthyer nga Shqiperia qe nuk e bindi dot shumicen e vete te votonte Tiranen zyrtare, vetem pak dite pasi takova ne magjine e lodhur te Sarandes njerin prej te dyve, Agim Maton...

Nuk di pse, mbase ngaqe mosha si lexues ka sqimen e trillet e veta, mbase ngaqe duhet te ndodhesh sado shkurt, diku ne Mes-dhè, duhet te shkelesh dyzete hapa se paku ne Sarande dhe te njmoesh fundet e kembeve ne ujrat e Jonit, qe te besosh se vetem aty mund te perkthehet e prej te atyshmeve mund te shijohet Janis Ricos ne shqip...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1