Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | TABLOJA

TABLOJA

Font size: Decrease font Enlarge font

 

TABLOJA

                  .tregim .

Njëfarë Martinati, tregtar likeresh zotëronte një sasi té madhe parash, i këshilluar edhe nga nipi, frekuentues i rregullt i mjediseve artistike, vendosi të investojë një pjesë të kursimeve të tij në blerjen e pikturave. Martinati i cili nuk kuptonte gjë nga piktura, ia la këtë punë né dorë nipit, që grumbulloi menjëherë një sasi veprash nga piktorët më të mirë bashkëkohorë.

Dikur, nuk do t'i kishte as edhe një qindarkë nipit për tablotë, që i blinte shumë shtrenjtë. Martinati u qëndronte besnik dy ideve: bukurisé së natyrës dhe imitimit të realitetit; po t'u bindej shijeve të veta ai do të blinte peizazhe tërheqëse, tablo me personazhe stereo-tipike si: fshatarë, barinj, çapkënë rrugësh, natyra të qeta që mbushnin sallat e arta të tregtarëve me art të ulët dhe komercial. Martinati, ngaqë ishte i paditur, nuk kishte guxim ta kundërshtonte hapur nipin dhe, duke psherëtirë, vazhdonte ta mbushte shtëpinë me këto tablo që atij, më shumë se piktura i dukeshin pëlhura të llangosura.                                                                      

     Por ndërmjet tyre zhvillohej një luftë e heshtur, një polemikë e nëndheshme.

Pra, duke vazhduar të harxhojë lekë për blerjen e të ashtuquajturave kryevepra, Martinati mendonte si ta befasonte nipin e tij fodull. Dëshironte të blinte fshehtas një tablo dhe t'ia tregonte nipit, papritur e pakujtuar. Ky do të çirrej, do të tallej, por pak i interesonte. Së paku midis shumë tablove të llangosura, që shëmtonin muret e shtëpisë, kishte ditur ku t'i qetësonte sytë.

Martinati, që ishte bërë frekuentues i zellshëm i ankandeve dhe antikuarëve, mendoi se më në fund e gjeti veprën që i duhej. Bëhej fjalë për një tablo me përmasa të mëdha, që paraqiste, siç i kishte thëne tregtari, Mark Antonin, gjeneralin e madh romak dhe mbretëreshën Kleopatra. Aty shikoje me veshje të pasura mbretëreshën, te ulur në fron dhe gjeneralin të strukur te këmbët e saj, gati si për të treguar varësinë e tij të ndjenjave. Në sfond dallohej një sallë e madhe me kolona mermeri dhe me afreske. Martinati, përveç madhështisë së subjektit, e pëlqente shumë pikturën, sepse, siç i tha gruas, dy figurat shëmbëllenin vërtet si të ishin të gjalla, u mungonte vetëm e folura. Si përherë pa dijeninë e nipit, e pagoi tablonë dhe e çoi në shtëpi. Me ta varur në vendin e nderit, në sallën e ngrënies ftoi nipin dhe jo më kot i tregoi

pikturën që kishte blerë.        

Nipi s'i hodhi veçse një shikim, kalimthi, tablosë. Më pas, pyeti Martinatin sesa e kishte paguar dhe se fundmi foli me ftohtësi se tabloja ishte një koriçke dhe se vlente më pak se korniza në të cilën ishte vendosur. I nervozuar, Martinati, iu përgjigj se ishte më se i bindur për të kundërtën, qoftë dhe vetëm për vërtetësinë e dy figurave që ngjanin si të gjalla. Nëse ajo tablo me ato dy figura aq të ngjashme me dy njerëz si të vërtetë, nuk vlente asgjë, për çfarë vlenin atëherë pikturat e ngallosura dhe të pakuptueshme, që nipi kishte blerë? Nipi ngriti supet, edhe pse shumë herë ia kishte shpjeguar se në pikturë ka rëndësi arti dhe jo objekti i paraqitur. Martina ti iu përgjigj se sipas tij vlera kryesore e një tabloje ishte që të paraqiste gjërat në atë mënyrë që të kuptohen dhe të pëlqehen. Përndryshe ia vlente më shumë t/i mbante muret pa to.

Pra, diskutimi sa vinte e bëhej më i hidhur. Pasi u përpoq për herë të fundit, që t'i shpjegonte xhaxhait se ç'ishte piktura e mirë, nipi e quajti kokëfortë dhe injorant dhe iku duke përplasur derën.

Atë mbrëmje, në tryezë, Martinati i tha së shoqes: "Është e kotë... nuk më mbushet mendja, që të jenë më të bukura ca njolla boje me ngjyra e të pakuptimta më shumë se dy figura si këto, kaq të gjalla e té vërteta, që duken sikur dalin jashtë tablosë. Duke u shprehur kështu, në mënyrë të pavullnetshme ngriti sytë dhe i hodhi një shikim pikturës. Kur pa ato dy qenie të bukura dhe aq të vërteta, saqë iu bë sikur kishin ndryshuar qëndrim, luga që mbante në gojë i ra në pjatë. Në fillim, ndodheshin njëri te këmbët e tjetrës. Tani, përkundrazi, e pabesueshme, ai që qëndronte ulur në fron, kishte marrë Kleopatrën ndër gjunjë. Qëndrimi ishte i përzemërt, por që të dyja figurat ruanin madhështinë e tyre.

Nuk po u besonte syve, kështu që i foli grúas e i tha t'i shihte edhe ajo. Gruaja i vështro dhe vuri re se, vërtet, personazhet kishin ndryshuar qëndrimin. Por gruaja nuk u habit si Martinati. Me shumë urtësi ajo i shpjegoi bashkëshortit se, ashtu si edhe ai vetë ishte shprehur, ato dy figura ishin vërtet të gjalla. Ç’kishte atëherë për t'u çuditur këtu, kur ata të lodhur së ndenjuri gjithmonë në të njëjtin vend, kishin dashur ta ndryshonin atë? Martinati, pasi rnendoi pak e pranoi se vërejtja e së shoqes nuk ishte pa vend. Kështu, mbaruan së ngrëni, duke analizuar ngjarje dhe duke shikuar herë pas here vjedhurazi dy të përqafuarit, atje lart, në tablo.

Një dite më pas, vijoi habia tjetër: Mark Antoni, ndoshta xheloz, duke qëndruar drejt në këmbë me krahë të ngritur lart, nuk linte gjë pa thënë kundër Kleopatrës, e cila dukej se i përgjigjej siç e meritante. E shoqja tha se, së paku po të gjykoje nga pamja, Mark Antoni i kishte të gjitha arsyet të sillej në atë mënyrë.

Kleopatra ishte një bishtpërdredhur me famë. Por Martinati i doli krah Kleopatrës. Me kaq zjarr e mbrojti sa gruaja u bë xheloze dhe e qortoi se ai ushqente një simpati të fshehtë për mbretëreshën epshore. Të dy bashkëshortët shkuan në krevat buzëvarur.

Atë natë, dy personazhet, përveç aftësisë për të lëvizur, befas duket se fituan edhe aftësinë për të folur. Martinat, i zgjuar nga një zhurmë ngacmuese zërash që vinte nga salla e ngrënies, u çua ashtu veshur me këmishë dhe në majë të gishtave shkoi të dëgjonte. Zëri i mbretëreshës ishte i padallueshëm, me tone të ulëta dhe pabesa, ai i Mark Antonit, përkundrazi, ishte i ashpër dhe i dhunshëm. Por fjalët nuk kuptoheshin. Mbase ata flisnin latinisht, ndoshta greqisht, ose ndonjë gjuhë lindore.

Martmati i fshehur prapa derës, qëndroi një çast për te dëgjuar ato dy zëra që grindeshin, i mrekulluar, siç i tha pastaj së shoqes, me atë dialog ne errësirë, në një gjuhë të panjohur, me tingull të gurtë dhe arkaik, që dukej se përjetonte një botë krejt të humbur. Më në fund, ndjeu të ftohtin t'i tejçohej nga këmbët e zbathura në gjithë trupin, gati sa nuk lëshoi një fishkëllimë të lehtë. Por ata të dy nuk e kuptuan. I zhgënjyer, Martinati u kthye në shtrat. Gjithë natën, dëgjoi përgjumësh ata të dy, që grindeshin në errësirë, përbri në kuzhinë.

Pas asaj nate, dy personazhet i shtuan shenjat e jetës. Aty flisnin, aty vendoseshin në qëndrimet më të çuditshme dhe sikur çliroheshin. Madje, largoheshin nëpër një derë të tablosë duke e lënë atë herë pas here të zbrazët. Mbi të gjitha ky veprim i ikjes e bezdiste më shumë Martinatin. Mirë që diskutojnë natën, - thoshte ai, - le të ecin dhe të përqafohen, të përkëdhelen e kësisoj, por të zhduken, ishte veprim paksa i tepërt. Ai nuk i kishte shpenzuar lekët për të pasur një tablo boshe. Gruaja i përgjigjej se me këto fjalë ai tregonte, zakonisht, shpirtin e tij të ngushtë e të vogël.

Ata të dy nuk ishin dy njerëz, që të zotëronin vetëm një dhomë. Ata ishin njëra mbretëreshë dhe tjetri prijës romak. Kushedi dhe sa salla të tjera kishte në atë pallatin e tyre. Ishte e drejtë që, të lodhur gjithmonë në ekspozitë, herë pas here të zhdukeshin.

Martinati këmbëngulte se ishin piktura për të qëndruar në kornizë dhe jo për të ikur ku t'u tekej.

E meta e madhe e këtyre figurave kaq të gjalla mbetej natyra e pataktë dhe zhurmuese e marrëdhënieve të tyre. Tashmë, nuk kalonte as dite e as natë që të mos grindeshin për ndonjë shkak të tyrin. Këto zënka të vazhdueshme të tyre shkaktonin mes Martinatit dhe bashkëshortes së tij, grindje të ngjashme, sepse gruaja mbante anën e Mark Antonit të gjorë, viktimë sipas saj e mije gruaje paturpshme dhe paskrupullt, ndërsa Martinati mbronte zellshëm mbretëreshën e bukur. Dhe pastaj, me zhurmën grykore dhe të këputur të zërave të tyre, i pëngonin dy bashkëshortët qoftë për të ngrënë të qetë, qoftë për të fjetur natën.

Tashmë, nuk kishte asnjë fije dyshimi, se të dyja figurât ishin shumë të gjalla, por Martinati, dëshironte që së paku natën dhe gjatë ngrënies të ishin më pak të gjallë.

Kështu që Martinati, tablotë e përbuzura që i kishte blerë nipi, filloi t'i shihte me një sy tjetër. Ishte e vërtetë se femrat e zhveshura me këmbë të mëdha e me fytyra të shtrembëruara dhe burrat vëngërosh dhe të shëmtuar që popullonin ato tablo, nuk lëviznin e as nuk flisnin, por tani kjo mungesë realizmi e tyre dukej shumë më e pëlqyeshme sesa gjallëria e dy të dashurve mbretërorë. Ato nudo, ato portrete, bënin detyrën e tyre dukë qëndruar të palëvizshme në kornizë. Martinat i tha së shoqes se, po ta shikoje me vëmendje, ndoshta kishin të drejtë piktorët modernë që pikturonin në atë mënyrë, jashtë çdo realiteti dhe jashtë çdo ngjashmërie. Të shkoje thellë në pikturim në mënyrë të gjallë si në tablotë klasike bëhej e padurueshme.

Martinat, pasi u lëkund disa çaste, një natë kur të dy zërat po grindeshin më ashpërsisht se zakonisht, më në fund vendosi.

Shkoi në sallën e ngrënies, e hoqi tablonë nga muri dhe pa përfillur dialogun që zhvillohej aty, e çoi në papafingo, e vuri poshtë një kollluku të vjetër pa ndenjëse. Pastaj mbylli derën me bravë dhe u kthye në krevat.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1