Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | FYTI PREJ ÇELIKU

FYTI PREJ ÇELIKU

Font size: Decrease font Enlarge font
image Mikhail Bulgakov.

Mikhail Bulgakov.

FYTI PREJ ÇELIKU

Mikhail Bulgakovi e publikoi “The Steele Windpipe” bashkë me shumë histori doktorësh, midis viteve 1925 dhe 1927. Ato u përkthyen në anglisht nga Michael Glenny dhe u botuan në “A Country Doctor’s Notebook”, nw vitin 1975.

Isha vetëm i rrethuar nga trishtimi i Nëndorit dhe vorbulla e borës. Shtëpija ishte mbytur brënda kësaj lemerije dhe nga oxhaku dëgjohej një ofshamë. Kisha kaluar njëzetë e katër vjet të jetës time në një qytet të madh dhe stuhitë që ulurinin i njihja vetëm nga novelat. Tani, kuptova se ato ulurima janë në jetën reale. Mbrëmjet këtu, zakonisht, janë të gjata. Fantazoja, duke shikuar në dritare reflektimin e llampës me velon (halon) e saj jeshile në të errët. Ëndëroja qytetin që kisha më afër, tridhjetë e dy mila larg. Kisha kohë që mendoja ta lija klinikën e fshatit dhe të shkoja atje. Atje kishte elektricitet dhe katër doktorë me të cilët mund të konsultohesha. Sido që të ishte,  me siguri, atje do të ishte më pak e frikshme se këtu. Por, nuk kisha shanse që të largohesha dhe me kohë kuptova se isha një lalash. Me sa duket, kjo ishte arsyeja që studiova mjekësi. “Supozoni, më sjellin një grua për lindje dhe ajo është një lindje e komplikuar. Ose,  le të themi, vjen një i sëmurë me një hernia të stranguluar. Çfarë të bëj, atëherë? A ma thoni dot këtë? Dyzetë e tetë ditë më parë mbarova studimet “i shkëlqyer”. Por, i shkëlqyer është një gjë dhe hernia është një gjë tjetër. Vetëm njëherë kisha parë një professor që operonte një hernie të stranguluar. Ai operonte, ndërkohë që unë qendroja ulur në amfitheatër. 

Kujdesesha që, vetëm, t’ia dilja mbanë … Sa herë mendoja hernien, djersa më rridhte  nga fundi i shpinës. Çdo mbrëmje kur pija çajin, qendroja në të njëjtin pozicion; nga ana e majtë ishin të gjitha librat për obstetrikën kirurgjikale dhe në krye të tyre botimi i vogël i  Doderlein. Nga e djathta ishin dhjetë volume të ndryshme të ilustruara për kirurgjinë operative. Shfryja, tymosja duhan dhe pija çaj të ftohtë me qumësht. Rashë të flija. E mbaj mend mirë atë natë. Ishte 29 Nëndori. Sapo u zgjova nga një trokitje në portë. Pesë minuta më vonë, duke veshur pantallonat, sytë u ngulën në mënyrë lutëse tek ato libra të shenjtë të kirurgjisë operative. Dëgjoja kërcitjet e slitave që rrëshqitnin në kopsht. Veshët e mi ishin bërë jashtëzakonisht të ndjeshëm. Rasti mund të ishte një asgjë, por mund të ishte një rast i tmerrshëm, një herni, ose një fetus transversal.

Atë natë, në orën njëmbëdhjetë, në spitalin Muryovo kishin sjellë një vajzë të vogël. Infermieria më tha fare ftohtë:  “Vajza e vogël është keq, është duke vdekur…..  Doktor të lutem, a mund të vish në spital…..Ajo, shumë shpejt do të bllokohet krejt.”

-- “Sa kohë është e sëmurë?”  pyeta, duke thyer heshtjen e tensionuar  të asistenteve të mia. “Sot, pesë ditë,”  u përgjigj nëna, duke më parë me ngulm.

--“Difteria”, i thashë përmes dhëmbëve të shtrënguara ndihmësmjekut dhe u ktheva nga nëna:

-- “Pse e ke vonuar kaq shumë?” Në atë moment, pas meje, dëgjova një zë të përlotur: “Pesë ditë zotni, pesë ditë!” U ktheva dhe shikoj një grua të moshuar me fytyrë rrumbullake, që heshturazi hyri brënda. Në atë moment, me veten time thashë: “Ah, sikur të mos ekzistonin këto gra të moshuara!,”. Me dhimbje dhe i turbulluar ju ktheva:  “Qetësi zonjë, ju jeni në rregull” dhe e pyeta përsëri nënën: “ Pse e keni lënë kaq gjatë? Pesë ditë? Hmm”. Menjëherë, me një lëvizje automatike, nëna ia dha vajzën e vogël gjyshes dhe u ul në gjunjë para meje.

--“Jepi ndonjë ilaç,” tha ajo dhe përpoqi ballin në dysheme. “ Do të vras veten, po qe se ajo do të vdesë.” 

--“Ngrehu, menjëherë,” i bërtita, “ndryshe, nuk do të flas fare me ty”. Nëna u ngrit shpejt, mori fëmijën nga gjyshja dhe filloi ta përkundë. Gruaja e vjetër u drejtua nga dera dhe filloi të lutej, ndërsa vajza e vogël vazhdonte të merrte frymë me fërshëllimë,si një gjarpër që rrëshqet. Ndihmës- mjeku foli:”Doktor, kështu janë të gjithë këta njerëz!” dhe drodhi mustaqen.

--”A do të thotë kjo se vajza do të vdesë,?”  pyeti nëna, duke shikuar tek unë si një e xhindosur.

--“Po ajo do të vdesë,” thashë qetësisht dhe i vendosur. Gjyshja ngriti cepin e fundit dhe fshiu sytë. Nëna me një zë të thyer tha: “Jepi asaj diçka ! Ndihmoje! Jepi ndonjë ilaç!”. Kërkova në dollap. 

--“Çfarë ilaç t’i jap? Largohuni. Vajza po mbytet, fyty i saj është thuajse i bllokuar. Pesë ditë e mbajtët pa ma sjellë, duke qenë vetëm dhjetë milje larg. Tani çfarë dëshironi që të bëj unë?”

--“Ju, jeni i vetmi  që duhet ta dini,” foli  mbi supin tim  të majtë gruaja e moshuar. Kjo më bëri që, menjëherë, ta neveris.

--“Mbylle!”, i thashë. U ktheva nga ndihmës-mjeku dhe urdhërova ta marrin vajzën e vogël. Nëna ia dha vajzën mamisë dhe fëmija filloi të luftojë. Ishte e qartë, ajo donte të qante, por zëri i saj nuk dëgjohej. Nëna bëri një lëvizje mbrojtëse në drejtim të vajzës, por ne e ndaluam. Me dritën e llampës provova të shikoj fytin e vajzës së vogël. Nuk kisha parë difteri më parë, veç, ndonjë rasti të lehtë që kalon pa lënë gjurmë.  Fyti i saj ishte plot me një masë të bardhë, zhele, që pulsonin. Vajza e vogël, papritur, u kollit dhe më pështyu në fytyrë, por nga që isha shumë i përqendruar, nuk u sprapsa.

---“Mirë,” thashë, i çuditur me qetësinë time. “Situata është kjo”, pëshpërita:  “Është rast i vonuar dhe vajza e vogël do të vdesë. Asgjë, nuk e ndihmon atë, me përjashtim të një  operacioni.” U tmerrova, shtanga që i thashë këto fjalë që nuk më ndihmonin. Mendimet m’u qartësuan : ”Po sikur ato të jenë dakord me operacionin? ”

--“ Ç’mendoni”, pyeti nëna.

--“Do t’i hap fytin deri afër mjekrës dhe do të fut një tub argjëndi që ajo të marrë frymë, pas kësaj, ndoshta, do ta shpëtojmë vajzën,” shpjegova unë. Nëna më shikonte sikur të isha i çmendur dhe me duart e saj u përpoq ta mbrojë vajzën nga unë; ndërkohë, gruaja e moshuar filloi të mërmëriste përsëri.

--“ Nuk të lejojmë ta presësh në fyt! Pse t’i prisni fytin,?” bërtiste ajo.

--“Largohu, plakë,” i thashë asaj me urrejtje.

--‘Injekto një kamfor!”, urdhërova ndihmës-mjekun. Nëna refuzoi ta japë fëmijën dhe kur pa shiringën u hodh mbi vajzën. I shpjegova se nuk vjen gjë e keqe nga injekcioni.  

--“A e shëron kjo vajzën,? “ pyeti ajo.

--“Jo, kjo nuk e shëron fëmijën”. Pas këtyre fjalëve, nëna shpërtheu në lot.

--“Ndaloni”, thashë. Pashë orën dhe shtova: “U jap vetëm pesë minuta të mendoni. Në qoftë se nuk jeni dakord në pesë minuta, nuk do ta bëj këtë operacion”

--“Nuk jam dakord!,” tha nëna prerazi.

--“Jo, nuk jemi dakord,” tha edhe gjyshja.

--“Varet nga ju,” thashë me zë të mbytur dhe mendova: “ Në rregull. Kjo është më e lehtë për mua. Unë e bëra punën time dhe u a dhashë një shans. Edhe mamitë i shoh që janë shumë hezituese për operacionin. Nëna dhe gjyshja refuzojnë, unë heq përgjegjësinë dhe shpëtoj.”  Jo,… mendova. Dikush tjetër foli, por jo me zërin tim: “Çfarë bëni, a mos vallë jeni çmendur? A e dini ç’do të thotë nuk jemi dakord? Ju po e dënoni beben me vdekje. Ju duhet të bini dakord!  A nuk keni mëshirë?”

--“Jo,“ tha nëna përsëri.  Në atë çast qortova veten:  “Ç’ jam duke bërë? Dëshiroj të vras fëmijën”. …..U drejtova nga dy gratë dhe u thashë:

-- “Hajde, hajde, duhet të bini dakord! Duhet! Shikoni thonjtë e bebes, ato janë bërë blu. Në rregull, çojeni beben në pavion. Lerini këto gra këtu.” 

Ato na ndoqën deri në mes të rrugës. Unë dëgjova qarjet e grave dhe fërshëllimën e vajzës së vogël. Ndihmës-mjeku u kthye menjeherë dhe tha: “Ajo është dakord!”.  Ndjeva gjakun të më rridhte i ftohtë. “Atëherë, sterilizo shpejt një scalpel(1), gërshërët, çengelin dhe një kanjulë trakeale,” i  thashë me zë të qartë ndihmës-mjekut. Një minutë më vonë, vrapoja në kopësht, nëpër një stuhi bore që të verbonte. Nxitova për në dhomën time dhe numëroja minutat.  Rrëmbeva një libër, hapa fletët e tij dhe gjeta një ilustrimin të trakeotomisë. Çdo gjë ishte e qartë dhe e thjeshtë: Zbulohet fyti dhe thika futet në tubin e frymëmarrjes. Fillova të lexoja tekstin, por fjalët më flutturonin para syve. Nuk kisha pare, kurrë, si bëhej një trakeotomi. “Mirë, është vonë tani,” i thashë vetes, Ndjeva se befas, isha ngarkuar me detyrën më të frikshme dhe më të vështirë. Shkova përsëri në spital, pa pyetur për stuhinë e borës. Në koridorin e kirurgjisë, një figurë e errët oshëtiu nga fundi: “Jo, zotëri, si mund t’i presësh fytin vajzës së vogël? Si mund ta bësh këtë? Nëna është dakord sepse është budallaqe. Por ju nuk keni marrë lejen time, jo nuk e keni marrë!. Jam dakord t’i jepni vajzës barna, por nuk lejoj t’i prisni fytin!”.

”Nxirreni këtë grua jashtë!,” bërtita dhe shtova gjithë passion: “Ti je budallaqe! Po..po, ti je. Ajo është e mençur.” Pastaj,  u ktheva nga ajo:  “Askush nuk të pyeti ti! Nxirreni jashtë prej këtej! “ Një mami e kapi fort gruan e moshuar dhe e nxorri jashtë nga dhoma. Gati, tha ndihmës-mjeku. Shkuam në theatrin e vogël operativ; instrumentat e shkëlqyera, drita verbuese e llampës dhe çarçafët e hapura, dukeshin sikur i përkisnin një bote tjetër….Për herë të fundit dola jashtë tek nëna. Vajza e e vogël me zor shkulej  nga duart e nënës, ndërkohë, gruaja  tha me zë të ngjirur: “Burri im është larg nga qyteti.  Kur ai të kthehet dhe të kuptojë çfarë kam bërë, do të më vrasë.”

“Po, burri do ta vrasë ,” përsëriti plaka, duke më parë mua e tmerruar.

 -“Mos i lejoni në theatrin operativ”, urdhërova. Në sallë, hynë asistentët, unë dhe Lidka, vajza e vogë. Ajo ishte lakuriq, e katandisur keq dhe qante pa zë. Lidjen e shtrinë në tavolinë, e lidhën, i pastruan fytin dhe e lyen me jod. Mora skalpelin, ndonse, isha i habitur nga çfarë po bëja.  Heshtje. Me scalpel bëra një incision vertikal mbi fytin e bardhë e të enjtur. Nuk doli asnjë pikë gjak.  Për së dyti,  e kalova thikën nëpër brezin e ngushtë e të bardhë që u shfaq  midis anëve të plagës operatore. Përsëri, asnjë gjurmë gjaku. Ngadalë, duke u përpjekur të kujtoj ilustrimet në libër, fillova të ndaj indet delikate me një shpatull  jo të mprehtë.  Menjëherë një shtëllungë gjaku doli nga pjesa e poshtme e plagës. Gjaku mbushi plagën dhe u derdh në qafë. Ndihmës-mjeku filloi ta thithë gjakun me garza, por nuk e ndalonte dot rrjedhën. Duke kujtuar gjithëçka kisha parë në Universitet, i kapa buzët e plagës me pinca, por, ato nuk i vendosa mirë. U ftoha dhe balli m’u mbush me djersë. U pendova shumë  që studjova mjekësi dhe e futa veten në këtë botë të egër. Në dëshpërim të thellë, i vendosja pincat, kuturu, nëpër plagë; në një moment, i mbylla ato dhe rrjedha e gjakut, menjëherë, ndaloi. E mbushëm plagën me copa gazërash; tani plaga më dukej e pastër, por, absolutisht, e pakuptueshme. Nuk shihja askund tubin e frymëmarrjes.  Prerja ime nuk i ngjante asnjë ilustracioni të librit. Harxhova dy tre minuta duke kërkuar nëpër plagë pa asnjë qëllim, në fillim me skalpelin dhe pastaj me një sondë kërkoja të gjeja tubin e frymëmarrjes. Pas dy minutave në këtë mënyrë, e humba shpresën se do ta gjeja tubin e frymëmarrjes.  “Ky është fundi”, mendova. “Pse duhet ta bëja këtë? Unë nuk kisha nevojë të ofroja operacionin dhe Lidka mund të vdiste qetësisht në pavion. Tani ajo do të vdesë me fytin e hapur dhe unë, kurrë, nuk do të jem në gjendje të provoj, se ajo do te vdiste edhe pa e operuar dhe se gjëndjen e vajzës nuk e bëra unë më keq…”   Mamia, qetësisht, fshiu djersën nga vetullat  e mia. Ula poshtë skalpelin dhe pëshpërita : “Nuk di ç’farë të bëj tjetër.”.  Duke menduar kështu, përfytyrova sytë e nënës. Mora përsëri thikën dhe bëra një prerje të thellë në qafën e Lidkës. Indet u ndanë dhe për çudinë time trakea u shfaq para meje. “Çengelin!”, thashë me zë të ngjirur. Ndihmës-mjeku ma dha atë. Shpova dy anët me dy çengelë dhe njërin ia dhashë ndihmës-mjekut ta mbajë.  Tani, munda të shikoj unazat gri të trakesë. Futa thikën e prehtë në trake dhe ngriva nga tmerri. Trakea u zhduk nga plaga operatore sepse ndihmës mjekut iu morrën mendtë.  Ai e grisi trakenë . Prapa meje të dyja mamitë gulçonin. Ngrita sytë dhe pashë si ishte puna: Ndihmës mjekut i kishte rënë të fikët nga nxehtësia tiranike e sallës dhe duke vazhduar ta  mbajë çengelin në dorë, e tërhoqi trakenë dhe ajo u gris. “Është fati i keq,” mendova, “gjithçka është kundër meje. Tani, me siguri, ne e vdiqëm Lidkën .” . Në këtë moment, pa patur mëshirë për veten, mendova: “Të shkoj sa më shpejt në dhomën time dhe të vras veten”.  Befas, në atë moment, mamia më e vjetër që ishte, dukshëm, me shumë eksperiencë, kërceu si  një ketër mbi ndihmës-mjekun dhe i hoqi atij çengelin nga dora dhe me dhëmbë të shtrënguara tha:  “vazhdoni doktor….”  Ndihmës mjeku u përplas për tokë, por ne nuk ia vumë veshin atij. Preva trakenë me skalpel dhe  në vrimë futa një tub argjëndi. Tubi u fut lehtësisht, por Lidka, akoma, nuk lëvizte. Ajri nuk kaloi nëpër trake, siç pritja të ndodhte. Ndalova dhe mendova : “Bëra gjithçka munda.”  Ndjeva sikur i kërkoja dikujt falje, që isha treguar kaq pa mend dhe studiova mjekësi.

Heshtja mbretëronte. E pashë Lidkën që u bë blu. Ndjeva se u dorëzova, djersët më mbuluan. Pa pritur fëmija bëri disa kollitje të forta të njëpasnjëshme.. Nxorri nëpër tub një shatërvan me material të mpiksur, të pistë, ndërsa ajri fërshëlleu në trake. Vajza e vogël filloi të marrë frymë me ngulç. Tani, ndihmës-mjeku ishte ngritur në këmbë dhe i zbehtë e i djersitur shikonte fytin e vajzës.  Ashtu, i trullosur nga tmerri, ai më ndihmoi ta qep plagën operatore.  Pamja më ishte turbulluar nga pikat e djersës në kapakët e syve, por, arrita t’i shoh fytyrat e lumtura të mamive. Njëra prej tyre më tha: “Ju e bëtë operacionin në mënyrë të shkëlqyer, doktor.” Mendova se ajo bënte shaka dhe ndjeva të skuqem në fytyrë. Pas kësaj, dyert u hapën  dhe një dum ajri i freskët fryu në dhomë. Lidkën e nxorrën jashtë të mbështjellë me një çarçaf dhe nëna ia brofi tek dera. Sytë e saj dukeshin si të një bishe. Ajo pyeti “A është mirë?”.  Kur dëgjova zërin e saj, ndjeva të më rrjedhin djerësë të ftohta poshtë shpinës, “Çfarë do kishte ndodhur sikur Lidka të kishte vdekur në tavolinë?”. Kjo ishte pyetja që më erdhi në mendje atë moment. Ju përgjigja nënës  me zë shumë të qetë: “Mos u shqetëso , vajza është e gjallë dhe shpresoj se do bëhet mirë.  Deri sa t’i heqim kanjulën nuk do të flasij dot, ndaj, mos e shqetësoni”

Gjyshja, nga vendi ku ishte strukur, u bë e gjallë dhe u bë tjetër njeri. Ajo përkulej deri tek doreza e derës dhe ngrihej përsëri drejt tavanit, për të më falënderuar. E ruajta qetësinë me të. U ktheva nga stafi dhe urdhërova: “Bëni kujdes për vajzën dhe injektoni një kamfora. “

Përmes kopshtit shkova në apartamentin tim. Llampa jeshile vazhdonte të ndriçonte në studio, Doderlein dhe librat e tjera ishin të përhapura nga të gjitha anët. U shtriva në kolltuk i veshur,  ashtu siç isha dhe humba në një gjumë pa ëndëra.

 Kaloi një muaj, pastaj edhe një tjetër.  Unë fitova experience. Rastet që shikoja ishin edhe më të frikshëm se fyti i Lidkës, të cilën e kisha harruar. Dimensionet e praktikës time rriteshin çdo ditë. Nga fillimi i vitit tjetër, në kirurgji erdhi një grua me një vajzë në krahë, që e kishte mbështjellë me shumë shtresa dhe dukej si një bucelë. Sytë e gruas shkëlqenin. E pashë mirë dhe e njoha.

“Ah, Lidka!,”  thashë, “si duket?” .

 “Çdo gjë është për bukuri,” tha nëna  dhe filloi të zgjidhë shallin nga qafa e Lidkës.  Edhe pse vajza ishte e turpshme dhe kundërshtoi, unë ia ngrita mjekrën. Në qafën e saj rozë kishte një vragë kafe vertikale, që kryqëzohej nga dy shënja qepjesh.

--“Gjithçka është mirë, “ i thashë dhe vazhdova, “Nuk ka nevojë të vini më”

--“Faleminderit doktor, faleminderit shumë,” tha nëna dhe u drejtua nga e bija, “Thuaj faleminderit zotërisë!”. Lidka nuk dëshironte të fliste me mua. Nuk e pashë më kurrë. Koha kalonte dhe unë e harrova Lidkën.  Praktika ime po rritej. Erdhi dita që unë kisha njëqind e dhjetë pacientë. E fillonim punën në orën nëntë në mëngjes dhe e mbaronim në tetë në mbrëmje. I këputur nga lodhja, isha ulur në një karrige për t’u relaksuar për pak çaste, kur mamia e moshuar më tha:

--“Është tracheotomia, që ka sjellë gjithë këta pacientë tek ju.  Ju nuk e dini  se çfarë flitet në fshat.  Kur Lidka ishte e sëmurë dhe ju vendosët tubin prej çeliku në trake, njerëzit vinin në fshat, nergut, për të parë vajzën. U bëtë i famshëm doktor. Urime,” dhe ajo vazhdoi, “ata mendojnë se vajza jeton me tubin  prej çeliku që ja vendosët ju.  Kjo ëshë e vërtetë, ju jeni doktor i mrekullueshëm. Ju e operuat vajzën me shumë gjakftohtësi. Ishte një mrekulli kur të shikonim tek punoje.”

-- “Hëm, mirë!. Ti e di, që unë, kurrë, nuk e kam treguar shqetësimin para të sëmurëve,”  thashë, pa ditur se pse.  Isha shumë i lodhur për t’u ndjerë i turpëruar, Holla shikimin larg. U ngrita, thashë natën e mirë dhe shkova në shtëpi. Bora binte me flokë të mëdhenj dhe  mbulonte çdo gjë. Llampa ndriçonte dhe shtëpija ime dukej e heshtur, e vetmuar dhe imponuese. Duke ecur drejt saj, kisha vetëm një dëshirë – të flija.

Përktheu  nga anglishtja Dr. Adem Harxhi,

Gusht, 2016

Scalpel, thikë që përdoret ne kirurgji

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1