Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | PERKTHIME | AKUARELE

AKUARELE

Font size: Decrease font Enlarge font
image JANIS RICOS

 


 

 

AKUARELE

 

Ditët e fundit me diell të vjeshtës - varka peshkimi

Të trishta që kthehen në mbrëmje,

Anës detit kinkaleritë mbyllur, përpara derës së xhamtë

të kafenesë

të ngadalta gjestet e erës,

oktapodin në sofat godet një peshkatar,

pulbardhat në shkëlqimin e ujit

varen si maska të vogla prej gipsi.

 

Ah, ajo vajzë fqinje me rrobat e ngushta,

Me duart e ashpra të punës, me barin e njomë në flokë,

Me aromën e sapunit mëngjesor në hapin e saj,

Me dy jargavanë të hershëm të lulëzuar në durimin e saj,

Ka një push nëne në prekje, thua se e morën retë prapa maleve,

Larg – larg, të ndreqë dhomat e tyre,

Të lajë ndërresat e të pikëlluarve? Mirmbrëma ylli im i mbrëmjes, tha,

Është e vetmuar shtëpia jonë.Nuk erdhi ende.

Porta ka mbetur si libër i mbyllur.

Koha veshrëndë, molën tërheq duke pirë llullën vet,

As britma, as heshtje, as kënga nuk e kthen pas.

Në grinë e dritares një degë ku vareshin katër yje,

Të ishin ato tonat të paktën, kish thënë. Nuk janë.

 

Jashtë në lagje zëra fëmijësh.Një aromë gështënjash të pjekura.

Zbatharake vjeshta me xhepat mbushur me fara luledielli të kripura.

Hija e observatorit fisarmonika e një të verbri dhe një kitarë,

Dy fëmijë të heshtur që shëtisin në stacion zënë dorë për dore.

Dhe vrenjtet. Në qoshen e rrugës shurron furrëtari.

Nuk mbeti asgjë,

Vetëm varkat në gjëmimin e furtunës

Do kërcasin tani dërrasat e tyre, do të njomen.

Nuk do durojnë deri vitin tjetër.

 

PO BIE MBRËMJA

 

U shua perëndimi në pasqyrën e dhomës së gjumit.

Prej kohësh gjimnazistët janë kthyer në shtëpi.

I thellë qielli, i trishtuar, i heshtur

Dhe nëpër xhama hija e tij qumështi.

 

Të hidhura shtëpitë e peshkatarëve,

Si athere kur ishim të vegjël dhe krejt vetëm iku nëna,

Dhe gjëmon fishkëllima e anijes mes kabinave

Aty në vëndet bosh ku ishin valixhet ngjyrë kafe.

 

Shërbëtori ndez llambën e dhomës së ngrënies

Dhe dalin nga hija fytyrat e largëta,

Ashtu , si gjahtari zbraz çantën në mbulesën blu

Dhe bien zogj të verdhë me krahë të mbyllur.

 

I NJËJTI YLL

 

Strehët e lagura shkëlqejnë nën dritën e henës.

Në boçen e tyre mbyllen gratë. Të fshihen në shtëpi nxitojnë

Edhe pak po të qëndrojnë në prag, hëna do t’i shikojë tek qajnë.

Ai dyshon mes çdo pasqyre

Një tjetër grua, të tejdukshme, të përjashtuar

Mes lakuriqësisë saj,

Sado që të duash ta zgjosh, nuk zgjohet.

Ra në gjumë duke nuhatur një yll.

Dhe ai nuhat po të njëjtin yll duke qëndruar pa gjumë.

 

VERË

 

Të katërta dritaret në dhomë varin

Katërvargësha të rimuar nga diell dhe det.

Një lulëkuqe e vetmuar është një sahat i vogël

Në dorën e verës, që të tregojë

Ora është dymbëdhjetë, mesdotë.

Dhe kështu ndjen mes gishtave të diellit

Flokët e kapur mes dritës e ajrit të të mbajnë të lirë.

 

THJESHTËSI

 

Fshihem pas gjërave të thjeshta, që të më gjeni;

Po të mos më gjeni, do gjeni gjërat,

Do prekni ato që ka prekur dora ime,

Do takoni gjurmët e duarve tona.

 

Hëna e gushtit shkëlqen në kuzhinë

Si tenxhere e kallaisur ( për çka u them kështu ndodh)

Ndriçon shtëpinë e zbrazët dhe heshtjen e gjunjëzuar

  të shtëpisë,

heshtja e gjunjëzuar mbetet gjithmonë.

 

Çdo fjalë është një portë daljeje

Për një përpjekje shpesh herë pa qëllim

Dhe atherë është një fjalë e vërtetë,

Tek ngulmon për takim.

 

KALIMI PRANVEROR I NJË GRUAJE

 

Kaloi në rrugicën e bardhë përballë,

E hijshme, mes sigurisë së pa faj të bukurisë së saj.

Dita ishte e artë dhe e dëndur. Trupi i gruas

Në çdo lëvizje, linte një zbrazëti në ajër,

Pikërisht në formën e trupit. Kështu prapa

Mbesnin një sërë statujash të tejdukshme, gjer tutje,

Deri në kthesën e rugës ku humbi. At’herë

Menjëherë u zbraz dita.U ulën grilat në dyqanin e luleve,

Ndërsa statujat e tejdukshme, të zhveshura, mermeroheshin

Deri në skaj të horizontit si një varg pemësh

Dhe një shi i hollë fillojë të bjerë mbi supet e tyre të mermerta.

NGA BRËNDA APO NGA JASHTË

 

Është një ngjyrë e kuqe e furishme, si e qeshura,

Në atë strehë, ndërmjet pemëve,

Është dhe ngjyra e shkurtët e hijes së një dege sipër ujit.

Një grua bëri një gjest ajror sikur do mbërthente fustanin

Me zërin e një zogu. Dhe ndjeva i habitur

Që hyja aq thjeshtë mes zërit tim.

Më lart

Vetëm një gjethe krejt e gjelbër sundon në peizazh

Dhe zëmra vendoset kaq mirë te bota

Si çelsi t der e shtëpisë sime. Do ta hap...

 

DRITË

 

Një degëz bajame

Përpara dritares

Një degëz vetëm

Të fsheh gjysmën e fshatit.

 

Dashuria me pëllëmbë

Të fsheh botën të tërë.

 

Mbetet vetëm drita.

 

FALËNDERIM

 

Ti nuk do të më thuash faleminderit,

Si nuk u thua faleminderit rrahjeve të zëmrës tënde

Që gdhëndin fytyrën e jetës sime.

 

Por unë do të të them faleminderit

Se e di borxhin që të kam.

 

Ky falënderim është kënga ime.

 

PO TË MOS E DIJE

 

Po të mos dije se Ai të shikon,

Po të mos ishe i sigurtë për frymëmarrjen e yjeve

Prapa reve të mëdha,

Po të mos dëgjoje buzëqeshjen e Tij pritëse

Pas telave të shiut,

Si do të ngrohje netët e tua

Si do të ecje për aq kohë

Jashtë mureve ku mbijnë

Gjëmba dhe hithra,

Rreth një kulle pafund të lartë

Që s’ka dritare,

Që s’ka as portë as shkallë?

Përktheu...Pilo Zyba

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1