Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TEMA | Rama me llafe drejt Perëndimit, me vepra drejt Putinit

Rama me llafe drejt Perëndimit, me vepra drejt Putinit

image Prof.dr. Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri

 

Rama me llafe drejt Perëndimit,

me vepra drejt Putinit

 

Siç është bërë e ditur nga media, më 03 korrik 2019, Kryeministri Rama paska formuluar një paketë ligjore kundër mjeteve të informimit masiv që quhet “Paketa antishpifje”.

Një projekt i “Paketës antishpifje”qe prezantuar për herë të parë me dy projektligje në dhjetorin që kaloi. Por ai qe shndërruar në objekt kritikash dhe qe vlerësuar si antikushtetues, meqenëse dhunonte lirinë e shprehjes. 

Ndërkohë, shtatë organizata ndërkombëtare të lirisë së medias i patën kundërshtuar dy projektligjet dhe i patën kërkuan qeverisë t’i tërhiqte, duke i vlerësuar si të paprecedentë në kontinentin evropian. Në reagimin e tyre kundër atyre dy projektligjeve, thuhej:

“Organizatat besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Evropiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet” (Citohet sipas:“Qeveria rikthen projektligjet drakoniake kundër medias”. Faqja e internetit“Reporter.al”. 04 korrik 2019).

Me “Paketën antishpifje”, Kryeministri Rama dëshmon hapur fare se me llafe ai po mundohet me të gjitha energjitë e veta të pakursyera që Shqipërinë ta bëjë pjesë të Perëndimit evropian, përmes hapjes fillimisht të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, çuditërisht, me vepra ai po bën të kundërtën, duke e shtyrë vendin tonë drejt Rusisë së Putinit. 

Përgatitja me një ngut të jashtëzakonshëm e “Paketës antishpifje”, fill pas “fitorjes enveriane” në votimet e 30 qershorit, e vërteton në praktikë pikësynimin e Ramës për të ecur drejt përqafimit të psikologjisë diktatoriale të Putinit në qeverisjen e vendit. 

Rama e ka ditur me kohë e me vakt që “Paketën antishpifje” Putinie pati përgatitur dhe aprovuar shtatë vjet më parë. Nga mjetet ruse të informimit masiv, është bërë e ditur se parlamenti rus (Duma Shtetërore), më 13 korrik të vitit 2012, pati rikthyer në Kodin Penal nenin për shpifje. Këshilli i Federatës e pati aprovuar më 18 korrik, Presidenti Putin e pati firmosur menjëherë dhe më 10 gusht ai pati hyrë në fuqi, duke u botuar në Fletoren zyrtare. 

Personalitete shoqërore dhe gazetarë të ndryshëm rusë, rikthimin në Kodin Penal të nenit për shpifje e patën vlerësuar si një kërcënim për lirinë e shprehjes. Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për qytetin e Moskës, Ludmilla Aleksejeva, nenin kundër shpifjes e pati karakterizuar si “një ligj të poshtër, i cili mbron burokratët nga kritikat e qytetarëve” (Citohet sipas: “Shtypi: Dhelpra dinake Putin po shndërrohet në një diktator të zakonshëm”. Faqja e internetit “DW Made for minds”. 30 korrik 2012).

Lind pyetja: po si shpjegohet që Rama “Paketën antishpifje” e formuloi shtatë vjet pas firmosjes nga ana e Putinit të nenit kundër shpifjes? Përgjigjja është e thjeshtë. Ramës i duhej të konsolidonte pozitat e veta qeverisëse, nëpërrmjet shtirjes në dorë të të gjitha pushteteve. Prandaj në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai e hoqi qafe bashkëqeverisjen me LSI-në e Metës dhe, përmes shitblerjes proverbiale të votave, e shndërroi Kuvendin në një “ngrehinë” njëpartiake, me një opozitë sa për sy e faqe, me të vetmin qëllim që ta këqyrte veten nga froni i një autokrati absolut.

Tani, kur tashmë ai i ka shtirë në dorë të gjitha pushtetet, kur partinë socialiste e ka shndërrur përfundimisht në një kone të bindur, kur deledeputetët e tij, në përputhje me Kodin Zgjedhor të vitit 2008, e kanë përvetësuar përsosmërisht artin e servilizmit politik para agait të tyre autokrat, kishte ardhur koha që të rikthehej në Kodin Penal neni kundër shpifjes, në mënyrë që paskëtaj askush të mos guxojë të prekë tufën e hierarkëve politikë, më në krye Ramën e plotpushtetshëm.

Me rastin e formulimit të së lartpërmendurës “Paketë antishpifje”, intelektuali i njohur Sulejman Mato ka reaguar si më poshtë:

“Mirëpo, unë mendojj se paralel me të, do të ishte mirë që në atë Këshillë Ministrash, të udhhequr nga vetë Kryeministri, të miratohej një paketë ligjore dhe për mashtrimin e zyrtarëve dhe qeveritarëve, përfshirë këtu dhe vetë Ministrat dhe Kryeministrin”(Citohet sipas: Sulejman Mato.“Paketë për shpifjen, po për mashtrimin me shifra të rreme?”. Faqja e internetit e gazetës “Koha Jonë”. 04 korrik 2019).

Ka shumë të drejtë intelektuali i nderuar Sulejman Mato. Si është e mundur që Ramës as që i ka shkuar ndër mend absolutisht se krahas “Paketës antishpifje”, duhej formuluar edhe një paketë ligjore për mashtrimin? Nuk i ka shkuar dhe as që mund t’i shkonte, sepse, sipas mendësisë së tij autokrate, dajaku i “Paketës antishpifje” duhet të bjerë vetëm mbi shpatullat e njerëzisë që kritikon kryeministrin dhe hierarkinë rreth tij, kurse një paketë ligjore për mashtrimin prek pikërisht atë vetë, taborrin e ministrave dhë tufën e servilëve në krye të pushtetit lokal. Sepse të gjithë këta, me Ramën në krye, mashtrimin e përdorin si mjet propagande gjatë fushatave zgjedhore. Dhe vazhdojnë të mbeten të pandëshkuar, ashtu si vetë Rama, të cilit nuk i hyri as edhe një gjemb në këmbë për mashtrimin që bëri gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kur premtoi se po të vinte në pushtet, tarifën e vlerës së shtuar (tvsh-në) të energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Ai premtim paskej qenë një mashtrim i pastër, sepse tvsh-në e energjisë elektrike jo vetëm që nuk e uli në 06%, por edhe çmimin e energjisë elektrike për çdo kilovat (kw), duke filluar nga 01 shurti i vitit 2015, e shtrënjtoi në masën 20%.

Po mbushen gjashtë vjet që kur Rama mori postin e kryeministrit. Pikërisht gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare të qeverisjes së tij, sipas mjeteve të informimit masiv, vendin e kanë braktisur 500 mijë qytetarë, një shifër kjo e frikshme për popullsinë e një vendi të vogël, siç është Shqipëria. Por analistët “e gjithdijshëm” të kanaleve televizive dhe moderatorët e tyre, Kryeministrit Rama, në studiot televizive, nuk i janë drejtuar as edhe një herë të vetme me pyetjen se cila është arsyeja e largimit të kaq shumë njerëzve drejt vendeve perëndimore. 

Braktisja e vëndit nga një shumicë kaqë e madhe njerëzish është pasojë e një politike antikombëtare që ka ndjekur Kryeministri Rama në këta gjashtë vjet. Sepse varfëria që ka pllakosur shumicën dërrmuese të popullit tonë gjatë qeverisjes së Ramës, çmimet e larta dhe pagat e ulëta nuk mund të vlerësohen ndryshe, përveçse se si politikë antikombëtare.

Ja një fakt tronditës që dëshmon për arsyen e largimit të njerëzve dhe sidomos të specialistëve drejt Perëndimit evropian:

“Një i ri që ka mbaruar studimet e larta për infermieri tregon se nuk mund të qëndrojë në Shqipëri me një rrogë prej treqind mijë lekësh të vjetra. I riu thotë se nuk mund të qëndrojë as edhe një sekondë më shumë në Shqipëri dhe se i bëhet mishi kokërr, kur mendon se si mund të qëndrojë në Shqipëri kur e pret një e ardhme e ndritur në Gjermani. Ai thotë se i kanë ofruar një kontratë pune me 2800 mijë euro në muaj dhe se muajin e ardhshëm do largohet. I riu thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipërisë dhe se e gjitha është kundër sistemit, i cili po i largon të rinjtë nga Shqipëria”(Citohet sipas: ““Patriot jam në gjak edhe në zemër!”. Infermieri i ri që do të largohet nga Shqipëria jep mesazhin e madh”. Faqja e internetit “lajme”. 26 qershor 2019).

Pra, Ramës nuk i mjaftuaka vetëm varfëria ku e ka katandisur shumicën e njerëzve, por kërkon që edhe atyre që kanë mbetur këtu, t’u hakërrohet me “Paketën antishpifje”, për t’i shndërruar në “dele të Krishtit”, siç e ka shndërruar krejt anëtarësinë e partisë socialiste dhe deledeputetët socialistë, me qëllim përjetësimin e pushtetit personal.

Mirë do të ishte që Kryeministri Rama ta kishte parasysh një proverb të anglishtes me përmbajtje tepër domethënëse:

Higher the ape goes, the more he shows his tail- sa më shumë t’i ngjitesh pemës, aq më të holla bëhen degët; sa më përpjetë të kesh shkuar, aq më shumë mbetesh i zbuluar.

Santa Barbara, Kaliforni

07 korrik 2019 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1