Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TEMA | Kompromisi? Ne e kemi humbur artin e tij

Kompromisi? Ne e kemi humbur artin e tij

image Fatmir Terziu

Kompromisi? Ne e kemi humbur artin e tij

 

 

Kanë kaluar shumë hëna në qiell, që nga ajo kohë, kur krahas punës sime, shkruaja edhe fjalime dhe tekste të ndryshme për dy kryetarë bashkish në Elbasan, po aq dhe për një deputet të Parlamentit shqiptar. Ishte si të thuash një punë me marëveshje të fshehtë. Me njërin prej tyre ishte pak më ndryshe. Më e vështirë për ta kuptuar se ishte ndonjë marëveshje.  Ishte e tillë edhe pse unë isha dhe duke u përpjekur (dhe më së shumti duke dështuar) për të marrë atë që dëshiroja nga ajo që kisha për të thënë me mendimet e mia, shpesh herë të debatueshme e shpesh herë mjaft të diskutueshme. Një ditë kisha shkruar një fjalim të kërkuar për Ditën e Verës, festë që festohet sikurse dihet prej vitesh në Elbasan. Ndërsa ishte ditë Vere ishte harruar Zaranika, përroi “dëmsjellës” i Elbasanit dhe unë natyrisht si për ta prurë fjalimin në zbutës dhe pikëtakues me festiven kisha sjellë në vëmendje një proverb indian. Në thelb ishte kështu: “Kur thahet lumi, kur ngordhin peshqit, atëherë ne e kuptojmë se nuk i blejmë dot me para…”. Mirëpo ky proverb kërkonte disi kompromis. Imagjinoni mikun tim kryetar Bashkie! Sigurisht që Kryetari vuri veton ndaj proverbit, por unë e desha, sepse kishte një të vërtetë të ndjeshme politike dhe Kryetari gjithmonë përpiqej të kërkonte kompromis, diçka që është bërë një fjalë e ndyrë në politikën moderne.

Mësova se kompromisi ishte normal dhe i mirë. Ju shpesh nuk mund të dëshironi atë që detyroheni të dëshironi, prandaj pranoni diçka më pak, por shihni fitimin dhe merrni atë. Deri tani. Kudo që shoh, shoh një ngurtësim të pikëpamjeve. Gjithkush është polarizuar dhe dyfishuar poshtë e më poshtë mirëkuptimit. Kjo ndodh në majat e Shtetit. Kjo ndodh në Qeveri, në parlament… kjo ndodh në politikë…, ndodh edhe në të gjitha instancat dhe këtë e them pa frikë. Kjo ndodh kudo në mesin e shqiptarëve. Pra ne si shoqëri shqiptare, kemi humbur artin e kompromisit.

Meqë rezultati i 30 Qershorit erdhi në natën që pasoi 1 Korrikun dhe peni ra në gongun e politikës, kompromisi u duk akoma më i largët, unë isha ende duke menduar se mund të gjendet gjuha, qoftë dhe një gjuhë për një kompromis të butë. Kushtet dhe arsyet do të kishin vendosur ndoshta për një të tillë. Pak si kohërat e vështira të pas nëntëdhjetës, ne menduam se do të kalonte nga duart e të Huajve, të cilëve në jo pak raste i quajmë aleatë dhe jo në pak të tjera i shajmë si të paaftë. Pak ditë më vonë, gjërat nuk kanë qenë mjaft të qarta, aspak të pastra dhe thuajse u trashën dhe diku-diku mbetën në atë mënyrë që njihet e dihet, larg kompromisit. Dhe kjo i ka lejuar të gjithë të joshen në margjina, të ngurtësojnë pikëpamjen e tyre dhe të rrihen në një valë të turbullt. Dhe kjo ishte dhe mbeti vetëm një lidhje e hershme dhe e përkohshme me proverbin indian, kur dihet se humbja është e madhe dhe ajo vështirë se do të blihet më me para.

Këtë javë kam debatuar me shumë miq, me demokratë e socialistë, madje dhe me një Ambasador, të cilët unë i admiroj shumë dhe i konsideroj si miq, por ne po qajmë me njëri-tjetrin përballë filxhanëve të kafesë, pasi kemi pikëpamje të ndryshme mbi kompromisin. Në ndryshim me ta unë mendoj se do të ketë një kompromis. Kam frikë vetëm se kjo pikë ka kaluar dhe ne jemi tani në zonën e rrezikut të mosmirëkuptimit, ku të gjithë e dimë dhe mbesim në një dilemë.

Dhe aksionet janë të larta, veçanërisht sa shumë anëtarë të Partisë Demokratike, do të preferonin një kompromis, ndoshta dhe të vështirë, sa shumë socialistë dhe anëtarë të Qeverisë do të preferonin të ulnin kryet e Kryeministrit, edhe nëse kjo do të çonte në përmirësim në ekonomi dhe do të thyente mitin e keq të mosmarëveshjeve. Të dy palët do të mendojnë edhe më tej, do të zgjedhin njeriun që ata besojnë se do të mbajë kompromisin gjallë. 

Por kjo është larg. Larg edhe për këtë fakt. Publiku është fajtor, thuhet në rrjetet akademike, ne jemi fajtorë thuhet nën dhëmbë, se ne festojmë dhomat e ekosistemit të mediave sociale ku politikanët hedhin mish të gjallë në bazën e tyre. Edhe kur baza është vegjetariane! 

Nuk ka dëshirë për kompromis, sepse ka pak shpërblim intelektual për këto ditë. Njëra palë u dënua për kohën e tyre në mosqeverisje të mirë, por kanë dalë më mirë në një linjë të qartë tashmë duke marë me vete zemërimin e masës. Sistemi po tankon me pozicionin e tij social të fryrë në gjysmë të rrugës për në Evropë, por është shumë më i fortë dështimi i këtij tankimi, sa që ka mbetur në një mesazh që e bën akoma më të polarizuar të shumicës kundrejt të paktëve. Po ku dihet tashmë kush është shumica, e kush mbetet pakica? 

Ne, publiku, jemi gjithashtu fajtorë që mbetëm duke i pëlqyer këto linja të ndezura tani, dhe dua të them fjalë për fjalë gajasemi dhe heshtim me gajasjen tonë në këtë teatër të madh e të rrezikshëm të pa-kompromisit të sotëm.

Mishi vazhdon të hidhet në rrjetet sociale, edhe për vegjetarianët. Nuancat janë të fshehta. Të strukura… dhe nuk u dihen shijet. Mjerisht, nuancat nuk shijojnë aq mirë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1