Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TEMA | E SI TË MOS MARRËSH PJESË NË PROTESA?!

E SI TË MOS MARRËSH PJESË NË PROTESA?!

image Safet N. Ramolli

E SI TË MOS MARRËSH PJESË NË PROTESA?! 

Sapo (dt. 5 qershor 2019) u dha lajmi “i mirë”, i artikuluar nga kreu i opozitës me zëplot dhe krenari që nga Gjermania, ku ka shkuar të japë leksione demokracie me përdorimin çdo javë të mjeteve piroteknike, flakadanëve zjarrvënës, kapsolave luftarake dhe kapjeje për fyti të policëve të shtetit, se vendi mik nuk do të japë “viston” për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në pa u zgjidhur më parë ngërçi politik. Gjithësesi kriza politike, do të gjejë zgjidhje sipas parakushteve të opozitës: dorëheqje e kryeministrit, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky lajm ishte i shumëpritur nga opozita e bashkuar, prandaj Numri Dy i LSI-së, z. Petrit Vasili, (meqënëse zj. Kryemadhi është pa qejf pas një operacioni) në një konferencë shtypi, pa u ftohur simitja-lajm, këshilloi në formë urdhëri që kryeminsitri dhe ministrat të dorëhiqen një orë e më parë dhe të mos shihen më në zyrat dhe administratat e shtetit. Duke marë shkas nga ky lajm, askush nuk mund të mungojë në protestën e radhës të opozitës, në të cilën me siguri kreu i opozitës së bashkuar, do ta amplifikojë fuqishëm dhe në mënyrë të përsëritur, që ta marrë vesh i madh e i vogël.

   Edhe pse muaji maj (2019) ka qenë i begatë me protesta, populli (pavarësisht nga bindjet politike, grushtbashkuar rreth koalicionit “të shenjtë” PD-LSI dhe aleatëve historikë satelitë të PD-së: Partia Republikane dhe ajo Demokristiane e Fatmirit gjëmëzi të Gërdecit, e Nard Ndokës pa fe, din e iman, dhe LZHK-ja e Dash(amir) Shehit pa kollonë vertebrore dhe pa anëtarë, por edhe aleatëve të tjerë, PBDNJ, PDIU, me emra të spikatur si forca politike por pa program e veprimtari, që shkojnë e vijnë sa majtas e djathtas sa herë ndërron drejtim era politike, përsëri e përsëri populli lutet që të ketë sërish protesta. 

   Arsyeja është fare e thjeshtë: nuk mund të refuzohet oferta për një sistem politik të ri e të qëndrueshëm, të ngjashëm si dy pika uji me një shtet “që buron nga populli dhe i përket popullit”, e iniciuar dhe që domosdoshmërisht “do të bëhet realitet” nga liderët historikë tashmë prej tre dekadash të përmendur më sipër, por edhe nga ca të tjerë “ustallarë e mjeshtra” të mashtrimit dhe të keqpërdorimit të popullit fukara shqiptar, të cilit i është ofruar dhe i ofrohet vazhdimisht e vazhdimisht, me paturpësi të tejskajshme begati e qetësi, gjithsesi me lutjet e të pafeve “Zoti e faltë Shqipërinë dhe Popullin shqiptar”! Në këtë sistem politik nuk do të ketë më koncensione të tipit PPP, nuk do të ketë taksa e tatime, shërbimi shëndetsor do të jetë falas, arsimimi do të bëhet sipas modelit “pëllëmbë e universitet privat”, tekstet shkollore do të jenë alternativë të pangjashëm njëri me tjetrin, personeli mjekësor dhe ai arsimor do të jenë të mirëpaguar dhe nuk do të kenë nevojë dhe as arsye të sheshin nota, leksione, libra, diploma, tituj shkencorë etj. Pra, “lum kush të rrojë”, se pa le kur vjen kjo ditë, edhe pse “narkoshteti dhe qeverija e krimit” i ka ditët të numëruara.

   Nuk mund të mos marrësh pjesë në protesta kur të ofrohet një “Republikë e Re”, në të cilën kryeministri, nuk do të jetë bashkëpunëtor i krimit dhe i drogës, as edhe i oligarkëve, por kryeministër i gjithë popullit, prandaj edhe shërbëtor i bindur i tij; ai do të jetë kryeministër i ekonomisë, që do të administrojë me “laps të mprehtë” financat, si gjyshi i tij paraardhës, natyrisht edhe sipas modelit dhe përvojës së fituar në administrimin e fondeve për ndërtimin e Rrugës së Kombit, për hedhjen në gropën e zezë të fondeve të shpenzuara për ndërtimin e mbikalimit te “Zogu i Zi”, për lobime  të paqarta propagandistike politike deri në SHBA, Hungari e gjetiu tjetër në interes të partisë që drejton etj. etj. Ky kryeministër nuk do të jetë arrogant, me popullin po se po, (që tani në opozitë ai me ata takohet “gju më gju” si gjyshi diktator, në dyert e çdo biznesi por jo me mjelëset dhe brigadieret e dalluara se tashmë nuk ka të tilla, në sheshet ku luajnë fëmijët duke bërë fotografi me ata në gjunjë, dhe duke i ftuar të bëhen pjesë e protestës së radhës, por as edhe me kundërshtarët e drejtpërdrejtë politikë, përveç se me kundërshtarët brenda partisë së tij që “shesin shpirtin” për një vend si parlamentarë, kuptohet edhe me kundërshtarët e aleatëve të tij, të cilët “tradhëtuan” kauzën e partisë mëmë, por edhe me oligarkët që kanë fituar padrejtësisht nga tenderat e drejtpëdrejtë apo të manipuluar etj. 

   Populli opozitar nuk mund “t’u bishtnojë” protestave, se në të kundërtën humbet rastin të shikojë dhe admirojë “Plakun Dixhital” z. Berisha, (një nga baballarët e kombit të ditëve tona) i cili përshkon krenar dhe triumfator bulevardin midis turmës, me jelekun blu (jo me xhamadanin vija-vija, as me xhamadanin e Mic Sokolit) i shoqëruar nga eskorta e tij e kahershme besnike. Me “urtësinë dhe gjakftohtësinë” që e ka karakterizuar në këto tre dekada, me fjalë të ëmbla të tipit “... O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri...”, lëshon kushtrimin si kah mot, që gjithçka të kthehet “në nivelin zero”, që pastaj “mbi gërmadha të ngrihet bota e re”. Po, një “Shqipëri e Re” ku u shkatërruan gjithçka e ngritur me djersën dhe mundin e popullit për gati gjysëm shekulli, u përvetësua prona publike nga një grusht politikanësh të veshur me pushtet, u keqadministruan fondet publike duke mbushur xhepat e një elite, dhe tashmë duan që Shqipërinë e bërë copa-copa ta kthejnë në “shtëpi të shqiptarëve”, që “t’u garantohet e ardhmja fëmijëve” të xhepashpuarve varfanjakë dhe t’u shërbehet më me dinjitet shtresave në nevojë. Kësaj mënyre sjelljeje pak a shumë i thonë: të të tallin dhe fyejnë në mënyrën më të keqe të mundshme, të të nëpërkëmbin dinjitetin dhe personalitetin përmes disa foshnjarakëve që nuk kanë hequr akoma shpërgëjtë, të të rrjepin edhe lëkurën “e shtatë” (nëse ke të tillë), të ta nxjerrin shpirtin duke u ngërdheshur por jo qeshur.... 

   Ka edhe një arsye përse duhet marrë pjesë në protestë. Asnjë frymëmarrës nuk mund të ushqehet, qoftë edhe një herë të vetme në ditë, pa dëgjuar këshillat e kreut të Shtetit gjatë protestave të dhunëshme mbi forcat e rendit dhe institucionet shtetërore, për të ruajtur qetësinë dhe të mos cënohen institucionet, ndërkohë që më përpara ka shprehur fare hapur pakënaqësinë për ecurinë e reformës në drejtësi, e çmuar dhe vlerësuar si një domosdoshmëri emergjente dhe jetike jo vetëm nga ndërkombëtarët por edhe nga ata që kanë dy gram tru dhe jo tallash në kafkë, si një gur themeli për të garantuar një sistem drejtësie në shërbim të gjithë popullit pa dallime sociale, hierarkie shoqërore etj. Kreu i shtetit, me cilësinë, atributet dhe autoritetin e të qënit për të gjithë popullin dhe mbi gjithë palët politike, e ka tagrin e plotë dhe të legjitimuar, që me mençuri, urtësi, kurajo politike dhe argumente logjike, të shtrëngojë këpucët dhe të ngushtojë gabxerrin e njërës anë politike, ashtu si të frenojë arrogancën e palës tjetër. Ky shembull dhe kjo përvojë nuk ka munguar në Shqipëri, kur situatat kanë qenë të tilla të agravuara dhe palët të bërlykura brirë më brirë.

   E si mund t’u shmangesh pjesëmarrjes në protesta?! A mund të marrësh frymë, qoftë edhe për një moment të vetëm, pa dëgjuar fjalimin patetik të kreut të PD-së, të përsëritur aq e aq herë, sa që disa slogane na janë ngulur galiç në tru, për të mos thënë na janë bërë si buka me djathë apo si “burri i nënës”. Është e vërtetë që “përsëritja është mëma e dijes”, por është po aqë e vërtetë, se kur ajo teprohet me shumicë dhe në të njëjtën formë, kthehet në “babain e mërzisë”. I cilësuar dhe vlerësuar, jo dhe aq pa vend, si një “yll në ngjitje”, tashmë, pa u ngritur as në lartësinë e kënetave moçalishte, dhe jo më të tullumbaceve me mbishkrimin “Rama ik”, ka hyrë në pjesën e pikiadës së harkut. Është aq e vërtetë kjo, sa që i etur për të marrë tiparet e një oratori dhe për të “folur pa kartë”, bije shpesh herë në gabime trashanike, deri në humbamendje, duke u stërbetuar disa herë se “S’ka asnjë hap pas”, por që në politikë hapa të tillë janë të zakonshëm; më tej përbetimi nga Laçi i Kishës me emër të madh e të shenjtë të Shën Anojit, apo ai ndërprerjes së fjalës në protestën e Tiranës dt. 2 qershor, me justifikimin “Të mbajmë një minutë heshtje për besimtarët që agjerojnë”, a thua se ata kishin ikur nga kjo jetë. Zakonisht “fjalimet pa kartë” janë të vështira për t’u artikuluar, prandaj edhe të parët e mënçur kanë thënë “e folura ikën, e shkruara mbetet”, një këshillë me vlerë për çdo politikan kjo.

   Duhet marrë pjesë në protestë edhe për mjaft arsye të tjera, mes të cilave po veçojmë atë, se askush nuk mund të mos qetësojë shpirtin e trazuar për arsye të shumta, pa dëgjuar klithmat e zj. Kryemadhi, predikimet e saj të tipit “Shqipëria është shtëpia jonë”, “Të krijojmë kushte të përshtatshme për fëmijët tanë” etj. duke u betuar e stërbetuar për Zotin dhe te Zoti, se hallet e shumta të familjes së saj, mes të cilave përballimin e shkollimit të tre fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar, i përballon me “djersën e ballit”, a thua se ne shqiptarët e tjerë, nuk kemi punuar dhe as kemi djersitur si robër të bindur të pushtetarëve tanë shpirtkazëm! Por shpirti i trazuar i shqiptarëve nuk gjen qetësi, sidomos pa parë entuziasmin e saj deri në ekstazë, kur hedh shikimin e ngazëllyer nga institucioni i kryeministrisë në flakë e zjarr; kur shikon policë të shtetit shqiptar, që keqtrajtohen nën trysninë psikologjike, por edhe fizike të protestuesve të thjeshtë, e sidomos të atyre ish-pushtetarë.

   Ushtarakët dhe policët e shtetit, janë pasuri kombëtare, të cilët nën uniformë dhe urdhrat e qeverisë, përmbushin detyra ligjore kombëtare në shërbim të komunitetit, dhe jo detyra partiake, për më pak personale dhe individuale. Vendimet dhe urdhrat i marrin dhe japin qeveritë dhe personat e ngarkuar nga ligji, ushtarakët kanë detyrimin juridik dhe obligimin moral t’i zbatojnë ato me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Asnjë ushtarak nuk ndihet i qetë kur atij i cënohet dinjiteti i uniformës dhe personaliteti i tij, ashtu si ka përgjegjësi ligjore të përmbushë me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri detyrat. Prandaj, zotërinj politikanë, askush nuk ka të drejtë t’i cënojë psikologjikisht policët gjatë përmbushjes së detyrës duke u dhuruar lule, duke u bërë thirrje të heqin kapelet, duke u provokuar me slogane të tipit “Policia është me ne” apo “mos i prekni policët, pasi ata nuk mund të flasin, por nga zemra u buron klithma “Rama ik!” etj. Askush nuk ka të drejtë të cënojë dinjitetin dhe personalitetin e policëve, duke u prekur, dëmtuar dhe shkatërruar objektin që ata ruajnë, duke u dëmtuar fizikisht shokët me mjete të ndryshme dhune, duke hyrë forcërisht me mjediset e tyre të punës (komisariate, drejtori etj.), duke i fyer në media me artikulime të tipit: në spital nuk pamë policë të lënduar, por me regjim shtrati të urdhëruar nga titullarët e dikasterit dhe drejtuesit e lartë të policisë, për efekt propagandistik dhe mediatik. Publiku shqiptar ka parë pamje në median vizive, kur ish drejtues të Ministrisë Brendëshme, të Drejtësisë  apo të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, “i përkëdhelin” policët e shtetit duke i kapur për fyti, duke i keqtrajtuar fizikisht, duke i fyer me fjalë të papërshtatshme dhe veprime të pakontrolluara. Këto sjellje dhe veprime nuk i nderojnë zotërinjtë: F. Noka e G. Strazimiri, E. Alibej dhe Xh. Gjunkshi, përkundrazi gjithkujt i lind e drejta të mendojë, se kush ka drejtuar apo pretendon të drejtojë këto institucione të larta shtetërore. Në jetë vijmë të gjithë të barabartë përpara vetes dhe Zotit. Personaliteti dhe dinjiteti i policit nuk ka më pak vlera nga ai i atyre të politikanëve, për më tepër të I-shëve. Ishët i përkasin të shkuarës, historia i klasifikon ata sipas kontributit që kanë dhënë: duke i nënvizuar si vlera, apo duke i veçuar si antivlera, prandaj edhe duke i hedhur në koshin e hedhurinave.

   Së fundi, por nuk është kjo më e fundit dhe pa rëndësi, duhet marrë pjesë në protestë, edhe për një fakt, që rëndom keqpërdoret. E si mund t’i zërë gjumi i natës shqiptarët, pa dëgjuar “Hymin e Flamurit” të ekzekutuar nga një bari(ton) i kudogjendur, por as edhe pa shijuar vrapimin e ndonjë politikani nën efektin e fjalëve të Hymnit Kombëtar “Kush është burrë, nuk frigohet, …” etj. etj. Hymni i Flamurit është simbol i lartë nderi i kombit, prandaj ai nuk mund të keqpërdoret duke u ekzekutuar rëndom në mjedise jo serioze, ku ushtrohet dhunë psiqike dhe fizike. Ai është kushtrim për liri, është thirrje dhe apel, që i është drejtuar popullit shqiptar në hitorinë e tij për t’u çliruar nga pushtuesit e huaj dhe për të jetuar në liri dhe prosperitet. Hymni Kombëtar është simbol serioz dhe duhet përdorur në raste që lypsin seriozitet, apo kur kërkohet të nderohet një akt i lartë heroizmi në interes të çështjes kombëtare.

   Në përfundim, rezervoj mendimin tim personal, se me protestat po teprohet, po përsëriten të njëjtat slogane, pjesëmarrja është po ajo: një ngjyrë dhe një pamje. Në ndonjërën syresh po shfaqet shenja mëse abuzive dhe njollëlënëse në opinionin botëror: ka patur sherr midis vetë pjesëmarrësve, çka nuk le shije të mirë, sidomos, kur përgjegjësia delegohet jashtë pjesëmarrësve dhe organizatorëve. Në protestën e 2 qershorit u keqtrajtuan dy pjesëmarrës at e bir nga një protestues me rekorde kriminale, pikërisht për çështjen e një flamuri partie dhe jo të Flamurit Kombëtar.

Safet N. Ramolli

Tel. 042 434 381; Cel. 067 63 56 284

5 Qershor, 2019

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 10/06/2019 22:59:22
avatar
Me te lumte ajo mendie komanduar ate pene i nderuar Safet raolli,per sa shkruani dhe analizini e denonconi,c'ka te keqe po perjetoj vendi yne.
Nje fjale popullore thote:
"Shkofte reja ju degjofte"atdheu une te tilla ndodhi mos i degjofte!

Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1