Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Unë jam armiku, zoti kryeministër!

Unë jam armiku, zoti kryeministër!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Leon Lekaj

Unë jam armiku, zoti kryeministër!

 

Po! Tashmë unë jam armiku! 

Prej  asaj mbrëmjeje, ku besnikët e tu, miqtë e Tahirit e të Xhafës, dhe shërbëtorët e leshit të “të palarë” gjeneral Lleshit, iu kundërvunë popullit “me zjarr e me hekur” për mua nuk mbeti gjë tjetër veç se të pohoj me zë të lartë: 

Unë jam armiku zoti kryeministër!

Dhe natyrisht mbas kësaj deklarate, prej logjikës së ngjarjeve vjen rrjedhimisht mendimi tjetër: Që prej asaj mbrëmjeje, ju pushoni së qeni kryeministri im. 

Dy kampe tashmë, zoti kryeministër, juaji, ai i lakmuari, i njeriut të aftë për të bërë e zotëruar gjithçka, i liderit orator e gëjëmbël (oligarkët, kriminelët, vjedhësit e votave, vrasësit profesionistë, janë aset e padukshme nën mëngë), dhe kampi im, ai i njerëzve që provuan burgun në kohën kur ati yt varte në mes të sheshit Havzi Nelën, ai i njerëzve që provuan burgun për 30 mijë lekë, apo i atyre, që e provuan atë për një faturë qesharake tatimore. 

Unë jam armiku, zoti kryeministër, sepse duke parë gjithë makinën ushtarake të shtetit, tek derdhej mbi popullin tim me shkopinj gome dhe me gaz lotsjellës, kërkova një vend ku të fshihesha. E kërkova atë vend, sepse këtu, jashtë atdheut, ku ne bëjmë çmos që të ngrejmë sa më lart figurën e emgrantit shqiptar, (detyrë jo fort e lehtë kjo, qysh prej kohës që ju e bëtë krejt të blertë hartën e vendit tim prej kanabisit) pamjet filmike, të cilat shumë shpejt u bënë virale në rrjetet sociale, më bënin të ndihesha me turp. Dhe mu kujtua në çast viti kur ti triumfator (nuk do flas për mënyrën se si  fitove karrigen e kryeministrit), hoqe gardhet e kryeministrisë, për ti shpjeguar popullit tim, se standarti yt prej lideri modern dhe të afërt me popullin, nuk i pranonte ato. I vure përsëri. Dhe këtë radhë nuk ishte urdhëri yt ai që i hoqi. JO! Ishte populli opozitar, i cili në mënyrën më të mundëshme të qetë i hoqi ato, për të dhënë mesazhin se turmat e irrituara, nuk kishin asgjë me policët e thjeshtë, por me kupolën e krimit, që prej kaq kohësh varfëron çdo ditë e më shumë popullin e saj.

Unë jam armiku, zoti kryeministër, sepse duke parë një skenë rreqethëse, të denjë për vendet e botës së tretë, apo për ato vende, ku ende sundojnë etërit e tu shpirtëror, ku një funksionar i opozitës vetëm me një telefon në dorë, trajtohet në mënyrë çnjerëzore. prej njerëzve të gjeneral Lleshit, (apo prej një urdhëri tuaj) nuk kam se si të mos deklarohem. Le të shkojnë në çdo vend tjetër europian, ku ne pretendojmë të hyjmë, e ta provojnë “trimat” e tu të rrahin një qen rrugësh, ashtu siç trajtuan një të pambrojtur e do të shofim se çfarë mund të ndodhë.

Nëse ajo skenë do të ishte për një prej atyre, që me lekët e pista të drogës, krimit, apo të korrupsionit blenë votat, sigurisht që sërish nuk do të ndihesha mirë, pasi çdo kush prej njerëzve që jetojnë në një shtet demokratik, ka të drejtat e tij të mbrojtjes. Por tek ne ndodh e kundërta. Ata hyjnë dhe dalin me kokën lart, sepse pas çdo veprimi të tyre fshihet një prej sejmenëve të tu. Edhe ministri duhet të matet mirë para se të flasë me ta.

Dhe me që ra fjala për gjeneral Lleshin, largojeni atë!(e mira është të largohesh ti vetë) E di që odiseja juaj me ministrat e brendshëm, është ajo e turpit, por zgjedhja e tij në krye të dikasterit të “diktaturës së proletariatit” është e gabura. Mjaftoj të të kujtoj, zoti kryeministër, se profili i tij të kujton tenenten Giovanni Groto, tek “Shkretëtira e Tartarëve” të Buzzati-t, i cili e shkoi një jetë duke pritur armiqtë (tartarët). E me që gjeneral Lleshi, në gjithë karrierën e tij ushtarake i ëndërroi armiqtë, por (nga frika!!!) ata kurrë nuk iu shfaqën, atij nuk i mbeti tjetër veç se ti shpikë ata. Pak rëndësi ka për të, se armiqtë janë nga populli i tij, përballë faktit që ai ka zbuluar armiq. Për një ushtarak, që gjithë jetën është ndeshur me armiq imagjinarë, ky fakt e çon atë në ekstazë.

Edhe unë jam një prej tyre, zoti kryeministër! Sepse mendoj krejt ndryshe nga ti dhe nga ministri yt i zellshëm, i cili pa as më të voglin dyshim një ditë do të përgjigjet për ato çka po bën. Jam me ata që po vidhen, me ata që po braktisin vendin, me ata që po mashtrohen, jam me ata që mbajnë frymën gjallë vetëm me tre euro në ditë, jam me ata, të cilëve, prej shtypjes, vjedhjes, blerjes së zgjedhjeve nga sejmenët e tu, iu është çveftësuar vota. Jam armik i batutave të tua të paskrupullta, armik i mënyrës se si ti trajton mediat që janë kundra teje, armik i shprehjes së paktuptimtë, të cilën ti e përdor kaq shpesh se me gjasë ty nuk të mund dot kush me votë, prandaj bëjnë kështu.

Një arsye më shumë, që ju të “shpartalloni” armiqtë si unë. Krejt thjesht, ashtu siç është në praktikën e liderve perëndimorë, ju mund të provokoni zgjedhje të parakohëshme dhe t’i fitoni ato.

Por ju e dini tashmë fare mirë, se ajo karrige nuk iu përket më.

Tashti ju e mësuat se çfarë armiku i rrezikshëm jam unë. E mësuat se sa herë jam armik unë. Ah, kam edhe një “arsye” tjetër që të jem i tillë. Jam nga veriu, të cilin ju aq shpesh e anatemoni. Kurse ju, ju lideri global, jeni vetëm një herë armik. 

Armik i lirisë.

 

Leon Lekaj athinë 13-5-2019

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1