Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | GJERMANËT

GJERMANËT

Font size: Decrease font Enlarge font
image THANAS JORGJI

GJERMANËT

 

 

Shpesh miqtë e shokët në Shqipëri më pyesin: Si e kalojnë kohën e lirë gjermanët?

 

U përgjigjem se gjermanët janë njerëz shumë aktivë. Janë Kampionë Bote në ushtrimin e sporteve, të udhëtimeve nëpër botë, të vrapimeve në natyrë, notit të shëtitjeve me biçikletë. Të vizitimit të muzeumeve dhe vendeve historike etj. Se dinë ta mbushin kohën e lirë pas pune dhe ta kalojnë në mënyrë aktive me lloj-lloj veprimtarish, vetëm në mënyrë pasive të shtrirë para televizorit apo në kafene, jo.

Me këtë rast po ju tregoj si e kalon kohën e lirë Frici, një miku im, edhe pse kemi dy dekada vitesh në mes. Ai tashi është 83 vjeç.

Frici ka studjuar fizikë në të ri të tij dhe gjithë jetën aktive ka punuar si fizikan. Pasi doli në pension, ai “i gjeti punë” të re vetes, për të mos u plogështuar.

Çdo ditë bën dhjetë kilometra ecje nëpër rrugët e parqet e qytetit.

Në njërën prej dhomave të katit të nëndheshëm të shtëpisë ai ka ndërtuar një... si mund ta quaj në shqip? – rrjet trenash në miniaturë.

Ka ndërtuar një krahinë të tërë me fusha, lumenj, kodra, male, tunele, ura, linja hekurudhash të zakonshme dhe me shina të dhëmbëzuara si ajo e Semeringut të cilën e ka projektuar Karl Gega i famshëm. Trenat kryqëzohen dhe mbivendosen në relievin e krijuar plot fantazi: trena pasagjerësh, mallrash, zhavorri etj. Linjat hekurudhore zgjaten midis lëndinash ku kullosin lopët, midis kantieresh ndërtimi me vinça, pranë minierash, pranë stacionesh hekurudhore, përmes lëndinash ku kullosin lopët e delet. Diku duket një uzinë brenda së cilës saldon dikush. Diku tjetër ka ndaluar një makinë zjarrfikëse, më tej një autoambulancë, diku ngrihet një kishë, më tej shtrihet një fushë tenisi etj. etj. etj.

Ka gjithçka që mund të na i shohë syri në të vërtetë.

Dhe të gjitha këto nuk janë pamje e heshtur e cila vetëm lëviz. Jo! Me anë të pultit të komandimit, gjithë asaj pamjeje dhe lëvizjeje mund t’u japësh edhe zërat siç ndodh në praktikë dhe në jetë. Dëgjohen sirenat e trenave që nisen, të atyre që mbërrijnë në stacion, dëgjohen komunikimet e përgjegjësve të stacioneve për mbërritjen e këtij apo atij treni dhe për nisjen e një treni tjetër. Madje nuk mungon as tymi i lokomotivave, me anë të avullit të ujit që imiton tymin.

Frici kalon çdo ditë disa orë tek dhoma me kryeveprën e tij. Ndjehet shumë i nderuar kur dikush i shkon ta vizitojë dhe t’ia shikojë atë. Dhe ndjehet i lumtur kur vizitorit i bën përshtypje puna e tij dhe sidomos kur dëgjon fjalë lavdëruese për punën që ka bërë ndër vite. Sytë e kaltër i ndrisin nga lumturia dhe të fton edhe ty të ulesh përkrah tij në pultin e komandimit dhe të nisësh edhe ti trenat siç i nis ai.

Ulem pranë Fricit dhe ai më fton të nis njërin prej trenave, cilin të dua. Nga të gjithë trenat, më pëlqen të nis njërin: një tren të ngarkuar me bute vere!

·     Ky është i ngarkuar me verë “Bordo”! – i them Fricit.

Frici është njeri që e ka ndjenjën e humorit dhe buzëqesh.

·     Mund të jetë edhe me “Merlot”! – ma pret me të njëjtin humor.

Buzëqesh kur i them se ky tren sapo u nis për në Verona, apo se ai tjetri që po del nga tuneli dhe po mbërrin në stacion po vjen nga Amsterdami. I ulur para pultit të komandimit veten e ndjen Zot të vërtetë. Aq sa po të duash, me një prekje në screen-in e komandimit ditën mund ta kthesh në natë dhe gjithë “krahina” zhytet në errësirën e mbrëmjes, e ndriçuar nga sistemi i ndriçimit dhe natën mund ta kthesh në ditë përsëri vetëm me një prekje të screen-it.

Brenda një çasti as vetë Zoti, nuk është në gjendje ta bëjë këtë! 

Frici megjithëse në moshë të shtyrë, tashmë 83 vjeçare, në shpirt ka mbetur djalë i vogël i cili më kujton veten në fëmijërinë time. Por unë në ata vite të largët nuk i kisha “salltanetet” e Fricit! 

Unë dhe shokët e mi ndjeheshim të lumtur kur gjenim ndonjë kup zhavorri apo rëre dhe me nga një tullë të kthyera në makina “ngjiteshim” apo “zbrisnim” në rrugët zig-zage tepër malore të krijuara me zvarritjen e tullave mbi kupin e zhavorrit apo të rërës. 

Ndahem me Fricin duke i premtuar se do shkoj përsëri tek ai.

Ky premtim atë e lumturon dhe sytë e kaltër i ndrisin nga gëzimi si një fëmije duke pritur takimin tonë të afërm.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1