Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | QË TË MOS “E FILLOJMË NGA E PARA”

QË TË MOS “E FILLOJMË NGA E PARA”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Safet Ramolli

QË TË MOS “E FILLOJMË NGA E PARA”

 

   Në fundshkurti 2019 (dt. 27-28 S.R) një delegacion i Parlamentit të Evropës (PE) realizoi një vizitë pune në Shqipëri dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore. Objekti i vizitës ishte i paralajmëruar, sipas një plani të BE-së, për të parë në vend dhe për të konkluduar se deri ku këto dy vende ndodhen sa i përket realizimit “të detyrave të shtëpisë” të vëna nga PE-ja. Delegacioni në fjalë përbëhej nga shtatë komisionerë përfaqësues të po shtatë kombeve. Ky numër tek dhe prej kombësish të ndryshme, duhet të tërheqë vëmendjen e studjuesve, analistëve, drejtuesve të forcave politike por edhe të çdo qytetari të aftë për “të lexuar” kuptimin e drejtpërdrejtë të gjithçkaje që ata artikuluan. Ata folën shqip për mendimin dhe qëndrimin e PE-së lidhur me qëndrimet dhe me veprimet konkrete konkrete politike të grupimeve politike allashqiptare. Njëzëri dhe fare shkoqur ata pohuan se zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 konsiderohen në formë të prerë legjitime, për rrjedhojë edhe qeverija e dalë prej tyre është po e tillë; se pretendimi për vota “të blera” është pa efekt në numrin e parlamentarëve; se palët politike duhet të zhvillojnë veprimtarinë në institucionin e parlamentit; se nuk do të ketë zgjedhje të parakohëshme; se reformat po ecin në drejtimin e duhur; se e drejta për të protestuar është legjitime, por që duhet të kryhet pa dhunë ndaj policisë dhe pa rrënime materiale etj. etj. Ndonjëri, më shumë se sa shqip, u shpreh se ndihej “i zhgënjuer dhe i çuditur” nga qëndrimi i drejtueses së LSI-së.

   Është për të ardhur keq, që ndërkombëtarët “të qajnë hallet e shqiptarëve” ndërkohë që në Shqipëri janë me dhjetra forca politike, me emërtime nga më demokratiket e mundëshme, të cilat mbijetojnë (për të mos thënë pasurohen) nga taksat e shqiptarëve, qytetarëve ndër më të varfërit jo vetëm në Evropë po se po, por edhe në rajon. 

   Duhet ta pranojmë se jemi një vend me mjaft probleme të mprehta që kërkojnë zgjidhje emeregjente. Po si? Cilat janë disa shqetësime dhe kush janë shkaktarët?

   E keqja më e madhe është politika, dhe në thelbin e saj domosdoshmërisht Parlamenti. Ç’është parlamenti shqiptar? Me keqardhje e pohoj se, ai më së shumti ka qenë dhe i ka gjasuar një SHPK-je sesa një institucioni bazë legjislativ. Përbërja e tij është një amalgamë e vërtetë: në të militojnë bashkëshortë e bashkëjetuesë; vjehërr e dhëndurrë; kunetër e kunata; krushqi e miqësi; kushërinj e kushërira; bashkëpronarë e matrapazë; shurdhë e memecë; profesorë e të pashkollë; nipër e mbesa, sherrxhinj e grindavecë, të rinj e të reja pa u dirsur mustaqja apo pa hequr “shpërgënjtë” etj. prandaj edhe produkti ka qenë në mjaft raste neveritës dhe i pështirë: “gojëkyçur” deri në shëmti, cicërima e blegërima që nuk depërtojnë në asnjë vesh, recitime të pështira me blankete të gatshme, ulurima, britma, fyerje, dhunë, thirrje për dhunë deri me shprehjet “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri!”, një thirrje kjo kur populli shqiptar ka qenë i pushtuar dhe nën dhunën e të huajve. Parlamentarët e kanë ligjëruar që të mos mbajnë përgjegjësi për çka thonë (rrjedhimisht edhe për çka bëjnë). Prandaj nga ky parlament shqiptarët fatkëqinj kanë dëgjuar vetëm thirrje të ashpra për protesta, mosbindje civile, revolucion portokalli; për imitim të veprimeve të kryera në Ukrahinë, Venezuelë, të “portokallinjve” në Francë etj. pra që në thelb u ngjasojnë veprimeve çartiste të shekujve të shkuar. Parlamenti për disa ka shërbyer si garanci për imunitet për veprimet e mbrapshta, si mjet pë t’u pasuruar jashtë çdo rregulli, si vend ku mund të paguhesh pa vajtur në punë ndërkohë që një nënë shqiptare nuk përfiton një raport mjekësor për t’i ardhur në ndihmë fëmijë që digjet ethesh. Çuditërisht ata parlamentarë që kanë refuzuar veprimtarinë në parlament, në asnjë rast, qofsha i gabuar, nuk kanë refuzuar pjesëmarrjen në veprimtaritë jashtë vendit për të përfituar ato që garantohen me ligj. Kjo është shumë më shumë sesa pafytyrësi politikanësh.

   Fenomeni më shqetësues është se sistemi politik ka pjellë deri edhe konflikt interesash midis institucioneve. Po sjell në vëmendje vetëm dy shembuj. Institucioni i Presidencës është në konflikt të hapur interesi me partinë politike L.S.I. Mund të jetë një konstatim apo gjykim imi i gabuar (dhe lus që të jetë kështu), por unë personalisht nuk e di nëse ka në ndonjë vend të botës që bashkëshortët të jenë njeri president i vendit e tjetri kryetar i një force politike parlamentare?A mund të pajtohet kjo, qoftë edhe formalisht, ndërkohë që funksioni i presidentit është ai i përfaqësimit të unitetit dhe interesit kombëtar, ndërsa funksioni i një partie politike është të përfaqësojë interesat e elektoratit të vet, pra të një grupi apo grupimi të caktuar të shoqërisë? Natyrisht që jo, sepse interesi i një grupi apo grupimi është më i ngushtë dhe jo plotësisht i përputhshëm me interesin e gjithë shoqërisë. Rasti i dytë është ai i mospërputhjes midis të drejtave të veçanta dhe specifike, që dikujt i garantohen me ligj për shkak të një funksioni apo misioni të përgjithshëm të ngarkuar apo të kryer, me gjendjen aktuale pas largimit nga ky funksion apo mision. Kështu ish-presidenti i republikës me ligj përfiton disa të drejta specifike: pagë, ruajtje e shoqërim të afërt fizik, zyrë pune etj., ndërkohë që konkretisht Ai është vënë në shërbim të një funksioni politik (kryetar i Asamblesë Kombëtare të PD-së) të cilit nuk i garantohen ligjërisht këto të drejta. Unë gjykoj se ky veprim përbën një rast të pastër dhe të qartë të konfliktit të interesit. Si këto ka edhe raste të tjera, kur ish drejtues përfitojnë shërbime specifike jashtë afatit kohor të përcaktuar qartësisht me ligj.

   Një e keqe, jo më pak e vogël sa më lart, është edhe imoraliteti i politikës dhe sidomos i politikanëve shqiptarë. Unë pajtohem me atë përcaktim filozofik që i ka bërë populli politikës duke e epitetuar “k....”, por gjithësesi jo në formën e saj por në përmbajtje. Politikë do të thotë veprim dhe ndërveprim diplomatik më shumë se sa veprim dhe ndërveprim diletantesk, pa bosht e ide, pa përmbajtje dhe perspektivë etj. Politikanët e vërtetë, zakonisht premtojnë për të përfituar sa më shumë elektorat, por po kaq e vërtetë është që ata punojnë për të realizuar çka premtojnë dhe, për më tepër, të kenë burrërinë të dorëhiqen nga politika kur nuk i shërbejnë këtij profesioni me dije dhe vullnet. Politikanët duhet të jenë në mos tërësisht “Burra Shteti”, pra që të mendojnë e punojnë në interes të së ardhmes dhe jo të zgjedhjeve të radhës, le të jenë “Bura...” që të realizojnë premtimet e radhës, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, të largohen nga kjo ndarje shoqërore e punës, e cila kërkon “kokën plot” dhe vullnet shumë.

   Fatkeqësisht, në këto tridhjetë vjet të pluralizmit shqiptar, politika nuk ka pjellë asnjë “Burrë”, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, dhe shumë rrallë ka lindur ndonjë “Burë”, por edhe ky është tërhequr nga politika vetëm kur “është kapur me presh në dorë”. Si mendojnë dhe si sillen politikanët tanë? Që të gjithë në çështjet e politikës kanë mendësi komuniste: më të vjetrit, e të dy krahëve, janë vijues të drejtpërdrejtë të partisë nga vijnë, ndërsa më të rinjtë janë keqpërdorur prej tyre duke i gatuar në formatin “të rinj me mentalitet të vjetër”. Fatkeqësisht mendimet dhe sjelljet praktike të tanishme janë një fotokopje e keqe e sjelljeve të paraardhësve: i shikojmë rëndom “gju më gju me popullin”, (deri takime dhe dalje në fotografi me fëmijë 6-12 vjeç siç ishte rasti në Paskuqan dt, 10.03,2019) duke bërë kështu një krim të paprecedent; dikush publikon çfarë i vjen nga fundi i kurrizit dhe një armatë e tërë e amlifikon nga kreu i trupit; premtime për ato që i kanë premtuar por nuk i kanë realizuar për mëse një çerek shekulli, ftesë për të mbushur mjediset e protestës etj. të këtij kallëpi. Kryhen veprime irrituese ndaj forcave të rendit (policisë). Në fillimet e pluralizmit lëshohej thirrja: “Polocia është me ne”, ndërkohë ajo fyhet tashmë me sjellje dhe veprime të padenja të tipit: i serviren lule kur ajo është në detyrë, i bëhen thirrje të heqë kapelet (pra të braktisë detyrën ligjore) e të bashkohet me protestuesit, ndaj saj ushtrohet dhunë verbale por edhe fizike, epitetohet padrejtësisht “narkopolici” apo drejtuesit e saj “X droga”. Mendoj se punonjësit e policisë nuk e meritojnë këtë trajtim dashakeq, sepse janë instrument në shërbim të qetësisë dhe rendit publik të të gjithë popullit, dhe aspak kobure në duart e këtij apo atij. Disa politikanë janë reminishentë të rëndomtë: disa ditë para protestës së mesmuajit shkurt drejtuesja e LSI-së dhe ai i LZHK-së pohuan se këtë ditë ose ikën Rama ose ikën Basha, se nuk luajmë nga sheshi pa ikur Rama. Zonja Monika Meta (Kryemadhi) bashkëshortja e presidentit të republikës, flet si “e ëma në majë të thanës”, pohon se z. Fatos Nano dikur ka thënë se duhet të lëshojmë pushtet për të bërë shtet. Kështu ka thënë, por ka pohuar me zë e figurë edhe disa të tjera të tipit: “LSI-ja është Lëvizje e Skrapallinjve të Inatosur” (shëmbujt argumentues janë të mëparshëm por edhe fare të freskët: sulmi ndaj podiumit të Kuvendit me vazo lulesh apo ai me çizme). Ditët e fundit, disa shtetas në listat e partive si kandidatë për deputetë, pas krijimit të vendeve vakant, kanë dhënë pëlqimin për t’u bërë të tillë. Por menjëherë shpërthyen rrufetë partiake: kryetari i PD-së u shfaq më i moderur dhe i cilësoi si “shitës të shpirtit”, ndërsa kryetarja e LSI-së, si zakonisht u tregua më gjaknxehtë duke i shpallur “armiq” (ishalla qofshin vetëm armiq të partisë dhe jo të popullit) etj. etj. Por që të dypalët e politikës janë të palujtshëm edhe pse presidenti i republikës ka këshilliuar që njëra palë të bëjë dy hapa pas dhe tjetra një hap. 

   Këtë gjëndje mjerane të popullit dhe kaos në politikë pikërisht këta politikanë e kanë gatuar, por asnjëri nuk pranon fajësinë dhe as merr përgjegjësinë. Disa nga politikanët tanë janë shndërruar në gjellë bajate, për të mos thënë helmuese. Pohimet e tyre nga koha në kohë janë pa asnjë moral, thjesht “k...... politike”. Atëmot, që zoti Pollo krijoi një parti të re, u akuzua nga drejtuesit e partisë “mëmë” deri për shpërdorim apo korrupsion deri sa ju përgojuan edhe të hollat me të cilat bëri dasmën. Disa herë ka patur akuza të drejtpërdrejta nga udhëheqësi i PD-së ndaj atij të LSI-së duke e epitetuar “I... Floriri” apo duke botuar në faqen e parë të RD-së vilat në Gjiun e Lalëzit etj., ndërkohë që më vonë këto akuza janë sfumuar. Slloganet në rrugë por edhe në sallën e parlamentit kanë qënë drejtpërdrejt nxitëse të dhunës, të cilat janë pasuar me veprime dhunuese. Mëse një herë është bërë thirrje për “mosbindje civile”, “për djem rrëmbeni armët...”, “për fuqinë nukleare të popullit” etj. Personalisht jam i bindur për fuqinë e popullit, dhe besoj se ajo duhet të ushtrohet duke filluar nga shpronësimi i të pronësuarve sipas parimit “tokë e xanme”, apo me vendime kanibaleske gjyqësore p.sh. në gjiun e Lalsit, në bregun e Jonit e të Adriatikut, në qendër të Tiranës e në rrethinat e saj, dhe kudo gjetiu, të cilat populli i di shumë mirë të kujt janë dhe si janë fituar.

   Herë pas here është folur që të bëhemi si gjithë Evropa. Por kjo aspiratë është minuar sistematikisht, vetëm e vetëm se tranzicioni allashqiptar i stërzgjatur, i intereson klasës politike që të jetë i tillë, pra t’i ngjasojë një mjegullnaje në të cilën ujku mos ketë nevojë për trimëri, por veç për dinakëri. Kështu, në këtë kënetë të qelbur politike, hera-herës janë formuluar dhe zbatuar marrëveshje të mbrapshta, prandaj edhe kanë vegjetuar dhjetra-qindra të korruptuar, dhe asnjëri nuk është ndëshkuar. Mesa duket kjo po kërkohet edhe tashmë: të falen fajtorët dhe përgjegjësit e kësaj gjendjeje të pakuptimtë dhe të vijnë në pushtet disa të tjerë, të cilët duhet të falen më vonë me të njëjtën zgjidhje, pra me marrëveshje allashqiptarçe, gjithësesi në kurriz të shqiptarëve dhe në interes të xhepave të pushtetarëve. 

   Por për këtë sjellje të turpshme, mesa duket, populli ka formuluar një anektodë. Kohë përpara një shqiptar kishte shkuar në Stamboll për të siguruar pak të holla. Ditën që do kthehej u takua me një lavire. Bënë një marrëveshje që të bënin X herë aktin e turpshëm, në të kundërt duhej paguar kusuri. Shqiptari i pamësuar dhe i padjallëzuar doli i humbur. I mërzitur rastisi në një klerik, dhe “i qau hallin”. Takuan sërish laviren. Kleriku, me qafë të trashë, i kërkoi të njëjtën marrëveshje. Lavirja, kur gjykoi se forcat e tij nuk shterronin, po numëronte mbrapsht. “E fillojmë nga e para”? i tha kleriku. E tmerruar pranoi humbjen dhe shqiptari mjeran rifitoi të hollat”. (Kërkoj falje pë shembullin e sjellë, por gjykoj se ka ardhur koha që politika shqiptare t’i japë fund “kurvërimit politik”). Jam i sigurt që komuniteti ndërkombëtar do të imponojë një marrëveshje më të ndershme se herët e kaluara, që të mos “e fillojmë nga e para”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1