Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT

E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Xhevair Lleshi

 

 

Nga Xhevair Lleshi

 

E para është Fjala. Shkruhet në Bibël. Po edhe ka qenë e para, sigurisht. Do të jetë patjetër edhe e fundit. E kur themi Fjala (e folur apo e shkruar, s’ka rëndësi) nënkuptojmë Biblioteka. Mund t’i duket dikujt edhe një çmenduri, por ama të mos harrojmë se gjërat mund të fillojnë kështu: me një çmenduri. Se dihet që brenda është pasioni dhe ky i uruar është vetëm i çmendur. Bibliotekat! Kudo. Në çdo qelizë. Kushdo që ka dëshirë ta bëjë për së mbari këtë vend, duhet ta fillojë e ta mbyll me bibliotekat. Si, si e harruam , ta themi troç dhe qartë, si harruam kohën kur çdo qelizë e jetës shoqërore, e botës së punës dhe e kohës së lirë kishte një bibliotekë. Aty edhe një postë kufitare dhe një anije peshkimi! Nuk ju vjen në mendje, po ja që po jua sjell unë. Mendoni paksa se të kujtuarit e gjërave kurrë nuk ju bën keq. E pra bibliotekat ndokush i ka lënë në prehër të harresës sepse brenda ishte ideologjia marksiste-leniniste, veprat e E. Hoxhës dhe të PPSH, por ama çdo fshat kishte vatër kulture, dhe ato në qendër kishin biblioteka. Po ashtu çdo ndërmarrje shtetërore (edhe në fund të botës të qe) kishte bibliotekë, po ashtu çdo repart ushtarak, çdo institucion, shkollë, burg, spital, anije, pika stërvitore, repart, qendër e rëndësishme (madje edhe e parëndësishme) etj., etj.,... pra edhe një qelizë Shqipërie kishte një bibliotekë dhe ne ishim një nga popujt që lexonim. Po, po, lexonim dhe ushqyem ëndrra të mëdha. Herë tjetër jo në tym e kam thënë numrin e saktë të bibliotekave. Sot jini apo s’jini në gjendje për të ditur numrin e saktë mjafton të kini para syve panoramën e gjerë të shtrirjes së tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për nostalgji po thjesht për ta prurë atë realitet në kohën tonë.

Sidoqoftë, si nuk zuri mend kjo Koha e Re, me pretendime aq të mëdha e, njëkohësisht me aq dëngla e premtime të bujshme, si? Kjo kohë do të kishte e ç’nuk do të kishte, aty edhe çeqe të bardhë dhe... me siguri do të na përmbytnin bibliotekat. Mirëpo ja, kaluan si pa u parë, gjithnjë nëpër këmbët tona, tridhjetë vjet (dhe nuk janë pak për këtë jetën tonë jo kozmike!) dhe Shqipëria e gjorë nuk ka biblioteka! As me ligj, as pa ligj. Dhe mos i vini re karagjozllëqet e filmuara për biblioteka nëpër lagjet e Tiranës! Ato janë vetë sarkazëm dhe aq, që t’i mbledh buzët dhe ti i përvesh nga zori. Dhe, ta mendosh: është tejet e vështirë ta mendosh Tiranën pa biblioteka! Se vetëm ajo ka 36 qytete shqiptare! Domethënë vetëm Tirana duhet të kishte 36 biblioteka, pa përfshirë bibliotekat e mëdha; kombëtare, shkencore, universitare, akademike, korpuset etj., se në të vërtetë as këto nuk ekzistojnë, duke lënë paksa mënjanë Bibliotekën Kombëtare, e cila nuk ble libra, por ama qahet e lënduar se s’ka ku të çojë librat e shkarrashkruesve shqiptarë.

Pa fjalë të tepërta miq! Është e tmerrshme t’u lësh brezave që vijnë këtë vend kaq të mjerë! Ne kemi gati 2000 shkolla të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe universitetet, kemi mbi 20 mijë biznese të mëdha, pastaj kemi plot institucione, ushtri, spitale, azile, polici, burgje e çfarëdo tjetër dhe kudo nuk kemi biblioteka! Dhe ndërkohë ishte dhe është kaq e thjeshtë sa të humb menjëherë edhe oreksi! Pa pikën e andrallave po me një optimizëm të paparë. Maksimumi Shqipëria jonë nuk do më shumë se tremijë biblioteka. Dhe të mendosh që ato janë të ndërtuara kryesisht në shkolla, për të funksionuar si biblioteka të shkollës dhe të komunitetit. Mbetet vetëm të pajisen me libra. Po ne çfarë, vetëm libra nuk paskemi? Jo, mo libra dhe shumë të mirë ka, por askush nuk i do bibliotekat, sepse pranohet që 40 milionë euro t’i hedhim për 2 km rrugë që sigurisht ekziston, është e ndërtuar (pra, për t’i ndarë me barkun e Shën Mërisë ato para!) dhe ja gjysma e këtyre parave do ta kishte mbushur Shqipërinë që nuk lexon më, përplot biblioteka dhe të ishin çelur kudo nëpër institucione bibliotekat e shkreta! O Zot! Një gjë e mundshme bëhet krejt e pamundur. Dhe mos pasja e tyre vjen nga kryeministra që shkruajnë vet libra, nga politikanë që i kanë mbushur raftet me libra tirazhi dhe jo libra që s’ka ku të shiten, sepse është e pamundur të shiten, në një vend që s’ka librari dhe në pastë ndonjë tek tuk ajo e mjerë nuk nxë dot as gazetat. Me ato pará që hidhen kot (Kot jo, xhanëm, se ato pará duket se janë mirë në xhepa se sa të bëhen libra!) mund t’i ndërrohej faqja vendit duke ngritur 36 biblioteka publike në Tiranë, duke i lejuar urat e Lanës të kthehen në librari të vërteta e të fuqishme që Tirana të mund të cilësohet kudo si kryeqyteti me librari të mëdha prej xhami në urat e një lumi të vogël. Të paktën tani që afron 100 vjetori duhet të arrihet ky projekt i bukur, i pakushtueshëm dhe mjaft qytetar. Po pse, pse, pse, pse, pse, pse nuk i japin, teksa nuk harxhojnë asnjë kacidhe?!

E di që mund të vërsulen dhe të nxjerrin nga goja lloj-lloj palavish, por unë kam këmbëngulur dhe këmbëngul: kthejeni sa më parë urën e madhe midis Taivanit dhe Sky-Tower në qendrën më të madhe të librit. Fillojeni prej këtej! Aty në një ditë venë e vijnë mbi njëqind e pesëdhjetë mijë kalimtarë dhe me probabilitet aty do të marrin kontakt me librin 10 për qind e tyre. Projektin e kam gati. Ejani o zotërinj ta bëjmë. Pse jo! S’ka kurrfarë shkaku për t’u penguar, përveç meskiniteteve. Ia vini emrin si të doni. Dhe ashtu, jo me budallallëk e me mendje për të zhvatur. Kini një mundësi të artë në duar. Tirana, (për shembull Tirana, pra!) nuk do të ketë 36 biblioteka publike që zumë ngoje, por aq biblioteka komuniteti sa shkolla të mesme e shkolla 9 vjeçare ka dhe ky është një numër i konsiderueshëm! Po kështu edhe në të gjithë vendin. Me të njëjtën logjikë. Biblioteka mbi det. Biblioteka mbi lumë. Biblioteka urë. Biblioteka anije. Biblioteka shkollë. Biblioteka repart ushtarak. Biblioteka institucion. Si biblioteka shëtitëse e Lezhës. Bëjeni këtë vend të vogël dhe pa shpenzime! Sepse 20 mijë kompanive të mëdha e të fuqishme, po t’u njihen shpenzimet e bëra për bibliotekat edhe pagesa për tatimet (jo thjesht shpenzime për t’i zbritur nga bilanci) do të fitonit një kredibilitet kulturor të paparë. Dhe sipërmarrja është një çast larg punës nga urdhri juaj i nderuar. Ju lutem mos i quani ëndrra këto! Mos i quani budallallëqe vetëm pse nuk ngrohen xhepat e iksit e të ipsilonit. Jo. Bëjeni Shqipërinë me kulturë të lartë, sepse thjesht do jetë në nderin tuaj!

Nesër do të thonë: vajtëm në Shqipëri dhe nuk gjetëm drogë dhe kriminelë, nuk gjetëm fabrika e kombinate të mëdhenj... por ama gjetëm biblioteka e librari, gjetëm shumë libra! Ejani po të doni, shkojmë bashkë dhe e shohim! Një vend ideal. Dhe një vend që lexon do bëhet se s’bën. Dija të bën. Dhe bibliotekat sigurisht do të mbeten një pasuri kombëtare, sepse të gjitha janë biblioteka të komunitetit... Atëherë do të themi: Po e meritonte kjo e mjerë të ngrihej lart vetëm nëpërmjet LIBRIT. Fjalës. E cila nuk është vetëm e para, po edhe e fundit. Dhe Fjala është Bibliotekë...

Tiranë, më 11. 02, 2019

 

Comments (1 posted):

Resmi Osmani on 13/02/2019 09:10:46
avatar
Z.Xhevahir Lleshi, e keni vene gishtin ne plage.Mungesa e bibliotekave eshte mjerimi i kultures sone dhe i librit. Nuke di ne gaboj, por ne Tirane e gjetk kemi afro njeqwind shtepi botuese. Per ironi te gjendjes se gjerave, shperndarjes dhe tregtimit te librit, autoret i botojne librat me tirazh 100 kopje dhe ua shperndajne shokeve e miqve.Librat e reja nuk shkojne as ne bibliotekat e rretheve.S'kane fonde per blerje.Shtimi i fondit te tyre behet vetem nga dhurimet e autoreve.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1