Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Pse është e rëndësishme që studentët të protestojnë

Pse është e rëndësishme që studentët të protestojnë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pse është e rëndësishme që studentët të protestojnë

 

Pse është e rëndësishme që studentët të protestojnë

Dr Fatmir Terziu

 

Ne kemi qenë një shoqëri e ekstremeve “Hosana!” Ndaj, me lehtësi hedhim fort mendimet, si me dashuri dhe urrejtje, kështu që nëse jam i befasuar nga reagimi i ndonjërit “jashtë tempullit të shkencës dhe arsimit”, aspak nuk jam në mesin e tyre. Unë i mbështes studentët si në shpirt ashtu edhe në trup. Natyrisht i mbështes në protestën e tyre legjitime. I mbështes, sepse përjetoj gjendjen e tyre, sepse nuk mbahet jeta studentore, e ardhmja e Kombit me premtime vulgare dhe të sheshta, sepse nuk jam dakord me shpjegimet e politikanëve të paqëndrueshëm e të palexueshëm, që kanë mbetur vetëm tek pjesa e politikës. Jam me studentët, sepse ata mendojnë veten e tyre përtej pikës politike dhe socio-bitit të realitetit, sepse ata sillen si nxënës realë: Duke kërkuar, të shqetësuar, të pakënaqur, kureshtarë, trima, duke zbuluar thelbin e një shoqërie demokratike.

Lajmi se “Studentët nuk tërhiqen nga protesta e tyre pavarësisht shfuqizimit të VKM për taksën e provimeve të mbartura” u pasua me qindra komente të ndryshme në rrjetet sociale. Ndërsa studentët thonë se kërkojnë edhe plotësimin e tre pikave të tjera të kërkesës së tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Me thirrjet “arsim publik falas”, “Ne nuk dorëzohemi”, përsëri vazhdojnë të protestojnë para godinës së Ministrisë së Arsimit, pavarësisht lajmit të ministres Lindita Nikolla se është shfuqizuar pika 4 e VKM për pagesë ekstra për provimet e mbartura. Me thirrjet “E duam Shqipërinë si Europa”, “ne nuk jemi bankomat”, “S’ka më heshtje, s’ka më pritje” studentët e bashkuar kërkojnë përgjysmim të tarifave dhe heqjen e tarifave. Atëherë pse duhen komente negative ndaj tyre?

Unë nuk i kuptoj ata që fajësojnë studentët se protesta e tyre është politike, “kështu që nuk ka vend në universitet, ku shumica e kolegëve të tyre duan të studiojnë”, nuk duan të kenë mendjen për politikën “e mbështetjes”. E kuptoj se nga rrjedhi këto komente. E kuptoj! Por para se të shkojnë të gjithë studentë, është meraku dhe porosia e prindërve, e atyre që masin kursimet e ditës për të këshilluar dhe kërkuar: “Të mësosh”!, atëherë çfarë ka të bëjë me “mbështetjen politike”? “Për të mësuar” se çfarë, ku qëndron aspekti i “mbështetjes politike”? “Për të mësuar nga kush”, a hyn gjëkundi ndonjë zyrë e “mbështetjes politike”? Shihni listën e autoriteteve të shquara universitare që bashkojnë mbështejen me studentët. Pastaj shihni edhe zyrën e Kryeministrit, Ministres së Arsimit, shihni instancën me Sigurinë e Shtetit. Tani shikoni përsëri në pikëndodhjen reale të Gjykatës Kushtetuese. Ndaloni pak tek bosët e medias dhe specialistët e reklamave dhe konsulentët e tyre. Gjeni ngjashmëri?!? Ende e njëjta e keqe në tërësi. Dhe është mjaft normale që studentët të duan që ky zemërim të vijë në një fund. Sepse ata guxojnë. Sepse ata e duan lirinë e mendimit. E njëjta liri mendimi që shikonin studentët e 1990-tës, dhe nëse ne argumentojmë se ata u ngritën në protestë për të zhdukur komunizmin dhe nëse e pranojmë zhdukjen e tij, edhe pse jemi në vitin 2018-të, atëherë ne duhet të vetëquhemi budallenj.

Është e mrekullueshme që studentët parashikojnë përtej formës së tanishme groteske të realitetit. Dhe, duke parë dhe kërkuar të renë, progresiven, sundimin e ligjit, moralit privat dhe publik, transparencën dhe rregullat e qarta për veten tonë, duke kërkuar të drejtat e tyre sublime, a duhen paragjykuar me “mbështetje politike” vetëm për t’ua mbyllur gojën?! Për imagjinatën e pluhurosur dhe abuzive ndodh të jetë ndoshta ky mendim. Për mendimin e prindërve që kursejnë të edukojnë fëmijët, për shumicën e pedagogëve, për vetë studentët dhe pjesën dërmuese të intelektualëve, për shumicën e shqiptarëve, kjo tingëllon utopike dhe idilike. Kjo tingëllon si diçka mbytëse e përpjeksjes më të vrullshme demokratike. Atëherë kush mund t’i ndalë studentët? Askush nuk mund t’i ndalë ata, sepse ata kanë mençurinë e jetës, kanë hapat e duhur prej përvojës demokratike studentore. Përvoja, e cila u formua nën presionin e shëmtuar totalitar të 90-tës, dhe që u mundua të manipulohej me rryshfete, pranimin e frikës, sidomos frikën e shtetit dhe të së keqes së fshehtë. Ky shtet i njëjtë, i cili është në gjendje të bëjë përsëritësin, duket qartë se nuk është krijuar për të na shërbyer dhe për të na dëgjuar, sidomos zërrat e së ardhmes. Studentët, jo ata prapa skenave!

Prandaj është e rëndësishme që studentët të protestojnë. Në këtë protestë duhet parë pikërisht edhe një përpjekje për të ndërtuar një realitet të ri, atë që nënat dhe etërit e tyre e dështuan për të krijuar. Po, kjo mund të tingëllojë naive dhe vetëm pjesë e gjeneratave, por sot debati, pra, nëse është sot apo nesër, jo nëse për të hequr këtë apo atë, normalisht është vetëm sot. Studentët ndihen mirë kur përkrahen në të drejtat e tyre dhe mendoj se dorëheqja e një kabineti nuk do të ndryshojë asgjë të substancës, pa ikjen përfundimtare të këtij realiteti që ngriti zemërimin e pjesës më të ndjeshme Kombëtare. Rregullat e lojës do të mbeten të njëjta dhe të njëjtat poshtërsi do të vazhdojnë të marsuvatin mbi kurrizet studentore. Prandaj është e rëndësishme nga pikëpamja e shpirtit për të demonstruar që të gjithë të kuptojnë mirë intolerancën ndaj status-quosë dhe sistemit. Shqipëria nuk ka nevojë për qindra e mijëra të diplomuar të papunë, por ka nevojë për qytetarë të ndërgjegjshëm me pozicionet e tyre në jetë e shoqëri. Pra, ju lutem, juve të pakënaqurve të dështuar me ligjëratat dhe komentet tuaja, mos i pezmatoni ata që bëjnë përpjekje, nëse ndodh që nuk jeni për t’i mbështetur, të paktën mundohuni për të gjetur një arsye tek fjala e protestës së ligjshme demokratike studentore! Fundja kërkojnë arsim publik falas. 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1