Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | “Paskam 40 vjet që flas prozë dhe nuk e paskam ditur?!”

“Paskam 40 vjet që flas prozë dhe nuk e paskam ditur?!”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pëllumb Kulla

Paskam 40 vjet që flas prozë dhe nuk e paskam ditur?!”

 

Letër e hapur nga shkrimtari Pëllumb Kulla

 

 

I dashur Fatmir

 

Para disa ditësh u ndjeva i përkëdhelur nga vlerësimi i një kritiku e kuratori letrar, si zotëria jote e të falenderoj thellësisht nga zemra, për fjalët e ngrohta dhe perqasjet që zbuloje në narrativën time, falë kryesisht dashamirësisë tënde e pastaj pajës tënde teorike, për të cilën të përgëzoj. Emrat e teoricienëve të shquar, përdorur nga ty ishin ca sugjestionues e siç të kam thënë dhe më parë dhe kësisoj, njerëzve të pamësuar me lartësira, u merret mendja. Tani, duke mos i kundërshtuar shumë, me riskun se  shkel në domenet e tua, lemë të perdor me kënaqësi thënien e Borgjezit Fisnik të MolieritPaskam 40 vjet që flas prozë dhe nuk e paskam ditur?!”

Po, përtej shakave, unë po zgjedh një vlerësim më popullor dhe për ata tregimet e mi të shkurtër, që citoje, po zgjedh etiketën (e thjeshtë por gjithashtu të lartë) “të bukur”.

More, i dashur Fatmir, po a e di ti se me këtë etiketë ti shfaq pikpamje antiqeveritare? Nuk e di ti se po u del kundër komisioneve të MKRTS, që para ca kohësh deklaruan se “gjinia e tregimit të shkurtër këto kohë në Shqipëri shfaq prapambetje”! Siç e di, e siç ta ka nenëvizuar Roland Gjozaata dolën me këtë përfundim, e hoqën çmimin vjetor për ta dhe për ca gjini të tjera dhe, që paratë të mos shkonin kot, ia bashkuan ato çmimit të romanit! 

Me atë deklaratë Zija ÇelaMark Markudhe të tjerë që me llupë në dorë, natë e ditë, vigjëlojnë mbi krijimtarinë tërthorazi na thanë që vetëm tregimi i shkurtër e bën Shqipërinë të skuqet, teksa poezia, romani, essetë dhe gjinitë e tjera janë në binarë te shkëlqyer.

E ti, haptazi, lavdëron prozën e shkurtër! Edhe nuk e bën këtë për herë të parë. Po ashtu, në faqet e “Fjala e Lirë” ke vlerësuar tregimet vërtet të mrekullueshëm (e në ato vlerësime unë bashkohem tërësisht me ty, por shpëtoj nga ndëshkimet, ngaqë nuk i kam përgëzuar autorët publikisht, si Zotëria jote!) të Faruk Myrtajt, të Roland Gjozës, të Ramiz Gjinitdhe ndonjë tjetri. 

Kjo, sinqerisht është t’i kundërvihesh shtetit shqiptar! T’i kundervihesh Kuvendit të tij, qeverisë dhe, më specifikisht, të jesh majë më majë me ministrin e asaj qeverie! Mua më pëlqeu reagimi i Gjozës dhe e sponsorizova financiarisht menjëherë  librin e tij me tregime të shkurtër prej 400 faqesh, që është i tëri, me të 400 faqet të bardha boshe dhe që deri tani 14 shtëpi botuese, nga 347 që ka Tirana, po zihen për të marrë përsipër botimin. Libri është në proces përfundimi. Kopertinën, totalisht të bardhë, ia ka marrë përsipër një japonez dhe redaktimin po e bën shkrimtari amerikan Philip Roth, i cili shqip nuk di as edhe të teshtijë, por në këtë rast  injoranca e tij është e mjaftueshme.

Promovimi i librit do të bëhet në tetor të këtij viti ne shkollën e shurdhmemecve në Rrugën e Dibrës, pranë Medresesë, Tiranë.

Por, ky nuk është i vetmi lajm që desha të të jepja. 

Mëso se para dy ditësh, të enjten pas dite, Këshilli i Ministrave, nën kryesinë e të parit, u mblodh në një séancë të veçantë katër orëshe dhe diskutoi krizën e tregimit të shkurtër në Shqipëri, krizë që përshkallezon më tej problemet pas atyre të papunësisë, të skafeve dhe eksporteve. Vendet e tjera të Europës Lindore janë në një fazë më të përparuar, kurse Shqipëria, e këtu citojmë zotin Pango: “ndodhet në një situatë të mjeruar në fushën e tregimit të shkurtër e kjo rrezikon pranimin e vendit në Bashkimin Europian. Për në NATO nuk përbën asnjë problem, se kryesisë së aleancës ushtarake i është paraqitur gjendja e tregimit për vitin që shkoi”  

Mua më takon të të ve në dijeni e kaq! 

Dhe natyrisht të të falenderoj nga zemra për vëmendjen ndaj krijimtarisë sime, pavarësisht nga herezia në vlerësime.

Përqafime

Pëllumb Kulla

(Kohe që enden në pakohë... Letra është dërguar kohë më parë..., por tani ribëhet publike... jo fare kot)

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1