Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Disa komente dhe vlerësime për shkrimin e Zotit Miron Çako

Disa komente dhe vlerësime për shkrimin e Zotit Miron Çako

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fahri Dahri

 

Nga: Profesor Doktor Agim Binaj

Ekspert ekonomie Fahri Dahri

 

Disa komente dhe vlerësime për shkrimin e Zotit Miron Çako

“A ekziston lumturia dhe ku mund ta gjejmë atë? botuar në Gazetën Shqiptare të datës 24/06/2018.

 

Ç’ËSHTË LUMTURIA?

Nëpërmjet Gazetës Shqiptare të dt.24.06.18 të , u njohëm me shkrimin e z. Miron Çako, Përgjegjës i zyrës së Kataklizmit të Krye peshkopatës së Koshit: “A ekziston lumturia dhe ku mund ta gjejmë atë?”, shkrim me rastin e ditës së lumturisë.                                    

        E lexuam shkrimin dhe filluam të reflektojmë mbi ‘të, për të përfituar sado pak nga trajtimi kësaj teme dhe të lidhur me jetën tonë të përditshme duke menduar që çdo shkrim ka për qëllim në një mënyrë ose në një tjetër të arrijë të japë tek lexuesi diçka prej formimit të tij intelektual.

Fillimisht shkrimi na njeh me disa  mendime të personaliteteve të larta  filozofike, të cilat trajtojnë “Lumturinë”. Duke qenë kështu, të ngacmuar nga këto thënie, u futëm në botën e kërkimeve të mendimeve dhe përkufizimeve të autorëve të ndryshëm, të cilët kanë ofruar konceptet e tyre.

        Në një kërkim të tillë u njohëm me informimin se: ”Lumturia është një ndjenjë ose gjendje kënaqësie, gëzimi i madh, që përjetohet nga njeriu”. Me thënë drejtën, nuk ishte e pavërtetë, por përsëri në konceptin tonë na mungonte diçka, prandaj vazhduam kërkimet dhe gjetëm diçka ku thuhej se: ”Lumturia është ajo tërësi ndjenjash e emocionesh të trupit dhe mendjes që krijojnë mirëqenie dhe gëzim në një çast pak a shumë të gjatë në jetën tonë”. (Ludovico Antonio Muratori, thënë më 1749).

        Nga këto, kuptohet që lumturia në çdo rast na rezulton si tërësi ndjenjash, apo emocionesh që ndodhen brenda trupit dhe qenies tonë. Mendja shkoi edhe tek thëniet e popullit (po e quajmë kështu) që njeriu nuk ngopet kurrë as me pasuri dhe as me kënaqësi. Ne, në jetën tonë shpesh, ndofta ngandonjëherë edhe pavend themi: “Ah sikur të isha i tillë” ose “Ah sikur të kisha këtë apo atë plotësim dëshire, sa i lumtur do të isha». Edhe kur ndonjë dëshirë që ne e lakmonim, na realizohet, përsëri kalojmë në shprehje dëshire të diçkaje tjetër dhe kështu ne kuptojmë se nuk kanë fund kërkesat njerëzore për të qenë të lumtur.

Personalisht mendojmë se lumturia është dëshirë me kahje pozitive dhe njerëzit kanë të drejtë të vazhdojnë të shprehin dhe të realizojnë dëshirat.

Çdo njeri në jetë dëshiron që gjithçka që bën, mban anën e një qëllimi për të arritur atë që e quajmë lumturi, këtu përfshihen dëshirat, kënaqësitë, mirësitë për të dhënë dhe marrë plotësimin e nevojave apo kërkesave të ndryshme. Kush është ai që nuk kërkon për vete dhe për të afërmit e tij, familjarë ose jo, që të gëzojnë shëndet të mirë, të rrethohen nga miq të mirë e të sinqertë, të jetojnë në familje të plotësuara, si i thonë fjalës me gjithë mirat, të dashurojnë dhe të dashurohen jashtë interesave lakmitare, apo që të sigurojë një punë që i pëlqen dhe e ka për zemër, të gjithë njerëzit parapëlqejnë, përpiqen për të qenë të sigurtë jo vetëm për vete, por dhe për familjen, miqtë dhe shokët e tij.

       Të gjitha këto përparësi që shfaqen në formë materiale, shoqërore dhe shpirtërore, pa diskutim kanë rolin e tyre të rëndësishëm dhe që duam apo nuk duam, këto hyjnë në atë që quhet “ndërtimi i lumturisë”.

       Siç shihet, lumturia është dëshirë bashkëshoqëruese e çdo njeriu, e cila mplekset me materialen kryesisht dhe me dëshirat shprehëse, por sidoqoftë plotësimi dhe arritjet e dëshirave janë rrjedhojë e padiskutueshme e realitetit, dhe realiteti është i pranishëm vetëm tek qenia, ndërgjegja dhe veprimtaria e realizuar nëpërmjet punës mendore apo fizike e çdo njeriu dhe bashkarisht me të tjerët.

         Praktikuesit e zellshëm dhe të plotvetëdijshëm të besimeve fetare  (pavarësisht se cilës feje i përkasin) në kohën e kryerjes së riteve fetare, i përkushtohen Zotit me gjithë qenien dhe ndërgjegjen e tyre, nëpërmjet lutjeve të tyre, në vendet e posaçme të faltoreve. Janë këto momente që njeriu arrin të shkëputet nga realiteti, përfytyron gjithçka të këndshme, të mirë, dhe në imagjinatë ndjen lumturinë e kërkuar. Ky është dhe momenti më i rëndësishëm i lidhjeve me Zotin dhe i shkëputjeve me realitetet e botës që jetojmë.

        Në fillim të shkrimit të Zotit Çako, kemi referime të filozofëve të lashtë grekë të shekullit të 4-rt p.e.r, si Aristoteli e të tjerë, duke ju referuar dhe mësimeve të tyre: “Lumturia varet nga vetja jonë” është gjetja dhe e drejta juaj, por problemi që trajton teksti, ishte e përshtatshme të fillohej me lexime nga librat e “shenjta”, sepse Aristoteli apo të tjerë u flisnin njerëzve në këtë periudhë historike për jetën natyrore dhe jo për jetën Hyjnore.

        Në rolin e lexuesve të këtij shkrimi, filluam të zbërthejmë fjalitë dhe paragrafet, jo për oponencën e shkrimit, por për të gjetur ndër ‘to, se çfarë duhet të përfitohet nga lexuesit dhe në këtë këndvështrim u ndeshëm që në paragrafin e parë të tij, se lumturia nuk është gjë tjetër veçse “të jetuarit disa çaste të jetës së secilit”, dhe që sipas shembullit të dhënë, lexohen tek: ”Në një varrezë të lashtë (ndofta mund të ishte greke?)....në pllakat e varrimit ishin shkruar.... Duket se ata njerëz të mençur e matnin kohën e jetës së tyre duke u bazuar te lumturia, d.m th. sa kohë që ata ishin ndier të lumtur, aq kohë kishin jetuar vërtet”. Ky paragraf, sipas interpretimeve si lexues, na informon për dy gjëra, për të vërtetën e parë, që lumturia tek ne është tepër e kufizuar dhe për një të dyshimtë, që ata që e paskan matur ishin të mençur, gjë e cila është e vështirë që lumturia në jetë të arrihet të bëhet e matshme.

        Këtu ndeshemi edhe me konceptin jo real ku thuhet: ”sa kohë që ata ishin ndier të lumtur, aq kohë kishin jetuar vërtet”. Pak i ndërlikuar ky perifrazim, jo se është i vështirë për tu zbërthyer, por brenda saj, kërkohet që njeriu të quajë të jetuarit e kësaj jete, vetëm ato pak sekonda, minuta, orë, qoftë edhe ditë; që ishte ndjerë i lumtur, ndërsa gjithë vitet e tjera të jetës, megjithëse janë jetuar realisht, na dalin të pajetuara. Këto pikpamje apo koncepte mbi jetën, duken si të dala jashtë realitetit, nuk kanë ndikime pozitive, dhe si të tilla, të krahasuara me vetë ekzistencën e jetëgjatësisë mesatare të njeriut, fjala vjen 70 apo 80 vjet, lënë për të dëshiruar. Sot njerëzimi në përgjithësi ka evoluar në drejtim të dijeve, të njohjes, di të konceptoje fenomenet shoqërore dhe natyrore me një shkallë më të lartë inteligjence se në kohën e mbishkrimeve në varre, “epitafeve”.

Autori përpiqet të na njohë me përkufizimin e lumturisë nga pikpamja filozofike, ku “lumturia është përkthyer nga koncepti grek i eudaimonisë, dhe i referohet jetës së mirë, në krahasim me një emocion të çastit”. Dhe është e qartë, që gjithkush synon për të siguruar një jetë të mirë, të sigurojë mirëqenie, të mos ketë shqetësime, bezdisje, të jetë i lumtur. Sikundër, siç shkruhet, se Aristoteli 400-300 vjet pr.K. besonte se lumturia ishte qëllimi përfundimtar i ekzistencës njerëzore.  

Sa bukur, qartë dhe drejtë shprehet tek Artistoteli: “ virtyti  dhe ushtrimi i tij është përbërësi më i rëndësishëm në fitimin eudaimoninë (lumturisë), por pranon, gjithashtu, rëndësinë e elementeve të jashtme si shëndeti, pasuria dhe bukuria, prandaj mësonte se: “Lumturia varet nga vetja jonë. ”Në të kundërt, stoikët e konsiderojnë virtytin të nevojshëm dhe të mjaftueshëm për eudaimoninë dhe kështu e mohojnë domosdoshmërinë e elementeve të jashtëm.  

Zoti Çako vazhdon të na njohë edhe me mendimet e disa filozofëve të tjerë, lidhur me konceptet filozofike të lumturisë, të cilat nuk do ti përsërisim, sepse janë konceptuar në të njëjtat përkufizime. Por është me vend të citojmë edhe nja dy prej tyre, sepse, në gjykimin tonë, shërbejnë për të dalë më qartë pjesa tjetër e shkrimit në vijim. ”Kanti thoshte: “Lumturia është përmbushja e të gjitha prirjeve tona” dhe Friedrich Nietzsche që jetoi në shekullin e XIX-të: thoshte: “Ç’është lumturia? Ndjenja që fuqia rritet dhe pengesa po kapërcehet”.

        Gjendja e lumturisë mendore mund të pasqyrohet nga mirëqenia e përgjithshme e një personi. Njeriu dëshiron në çdo kohë lumturinë, e cila përfshin plotësimin e të gjitha të mirave, kur i plotësohet një dëshirë e madhe, apo i realizohet një qëllim i lartë, kur siguron një jetë të përmbushur me shëndet, suksese, gëzim, paqe dhe dashuri. Nëse njeriu gjatë jetës i plotëson këto, atëhere, siç shkruhet dhe nga autori, ai person quhet një i lumtur dhe, ai që nuk i ka, quhet i palumtur ose fatkeq.

Lidhur me lumturinë, autori na kujton edhe rezolutën e O.K.B-së, “Dita Ndërkombëtare e Lumturisë” si një aspiratë se lumturia është dhe duhet të jetë qëllimi themelor i njeriut edhe kombeve.... u bëhet thirrje qeverive të ndryshme të botës që të përpiqen t’i përshtatin politikat publike, në mënyrë që të përmirësojnë mirëqenien e vendeve të tyre edhe të gjithë popujve të botës, sepse çdo qenie njerëzore në çdo status shoqëror ka të drejtë të jetë i lumtur.

       Deri këtu, ku lumturia konceptohet sipas filozofëve, dijetarëve dhe Institucioneve ligjvënëse, dhe që na informohen edhe nga Zoti Çako, rezulton se ajo gjendet mes nesh, jetës sonë të përditshme, mjedisit që na rrethon dhe arritja ose jo është në vartësi të përpjekjeve të çdo njeriu dhe shoqërisë njerëzore. Gjithçka që veprohet ose mendohet, të jetë e kushtëzuar në përshtatje të plotësimit të punëve që nevoiten për përmirësimin gjithnjë në rritje të kërkesave të mirëqenies të çdo vendi dhe populli kudo ndodhet. 

                                                   •••

       Në gjysmën tjetër të shkrimit të autorit, krejt pa pritur befasohemi me interpretimin e koncepteve filozofike, në përpjekje për ti përshtatur me shkrimet e shenjta, duke na i paraqitur ato sikur plotësojnë njëra-tjetrën, kur parashtrimet e qendrimeve mes tyre janë me këndvështrime të ndryshme. Është ky fakt që na shtyn për të ndihmuar sadopak lexuesin që të mundësohet në arritjen e dallimeve mes dy koncepteve, atij filozofik ose empirik dhe shkrimeve të shenjta ose mistike, kishtare apo islame, doktrinore apo hyjnore.

       Që në fillim, vërehet një kapërcim i menjëhershëm, në të kundërtën e koncepteve të filozofëve, jo vetëm të tyre, por dhe realitetit të përditshëm që ne jetojmë. Si mund të arrihet në konkluzione krejtësisht të pavërteta, jashtë realitetit dhe të shprehemi se: “Në Shkrimin e Shenjtë shkruhet shpesh: “Lum të varfrit dhe mjerë të pasurit”. Jo se varfëria është lumturi dhe pasuria është mallkim, përpiqet të na qetësojë autori, por, vazhdon ai, urtësia biblike kërkon që ta nxisë njeriun të kuptojë që lumturia nuk është te pasuria, por te diçka tjetër, që të varfrit të mund ta gjejnë më lehtë.

        Nuk do ndalemi në citimet e shkrimit të Zotit Çako, ku flitet për “Zotat” që jetonin në qiell ose në majë të Olimpit, por na duhet të lexojmë  se: “Perëndia Trashedent”, që sipas jush, është e vetme qenie e lumtur dhe e lavdishme, sepse është i vetëmjaftueshëm përplot mirësi, përulet në tokë deri te njerëzit dhe kërkon t’u japë nga lumturia dhe lavdia e tij atyre që besojnë edhe shpresojnë tek Ai, prandaj thuhet tek Isaia: “Lum ata që shpresojnë tek ai”, ose “Lum njeriu që beson tek ai”. Sigurisht për besimtarët është e nevojshme për të bërë shërbesa dhe predikime fetare nga më cilësoret, por shkrimi juaj: “A ekziston lumturia dhe ku mund ta gjejmë atë?”, kërkon të përqëndrohemi tek gjetja e lumturisë!                                      

Për të shuar ndonjë keqkuptim, nuk kemi qellim kundërvënie ndaj shkrimeve të shenjta, të cilat kërkojnë tek njerëzit ti përngjasin “Perëndisë”, përkundrazi, dëshirojmë të arrijmë të plotësojmë me korrektësi dhe të sigurojmë shembëlltirën e saj tek ne. Atëhere me të drejtë lind pyetja: Ku qendron diferenca mes shkrimit të autorit dhe këtij shkrimi?. Nuk ka asnjë vështirësi përgjigja: Tek interpretimi tepër i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm që duhet të kemi në të lexuarit dhe të kuptuarit e librave të shenjta. Ndryshe krijojmë dëme të mëdha në ndjenjat, ndërgjegjen dhe qenien e çdo njeriu besimtar.

Mendojmë se duhet kujdes i madh, i matur dhe i përgjegjshëm nga kushdo që merr përsipër kryerjen e shërbesave fetare, predikimeve, shkrimeve apo fjalimeve, të cilat kërkojnë cilësi dhe përshtatje sipas vendeve dhe kuvendeve. Në vijimësi, mendimtari popull na ka lënë një mësim të madh: “ Fjala është si puna e pushkës, edhe kur mendon se nuk të vret, ajo të ka vrarë”. Është shumë domethënëse kur shprehet: “Perëndia është i lumtur, sepse është dashuri dhe drejtësi”....”mos blasfemo (mos shaj, mos ofendo); ndero prindin; mos vrit; mos prish kurorën; mos vidh; mos gënje; mos lakmo”.

Por të shprehurit se: “vetëm me bindje dhe drejtësi, lumturia do të vijë si shpërblim dhe do t’i jepet njeriut me bekime tokësore, pasuri, familje, shëndet e të tjera kënaqësi”, nuk është e përshtatshme për ta vendosur këtu. Interpretimi dhe vendosja pavend, të largon nga realiteti dhe të çvendos në mosbesim.

       Nuk do të citojmë këtu pjesët e shkrimit që autori i sjell për të predikuar në zbatimin e mësimeve të Perëndisë, sepse ato janë në librat e shenjta, por mendojmë se trajtimi i tyre në artikullin e mësipërm është i pagjetur, sepse jemi duke folur për “lumturinë”, e cila, siç u tha, nuk është e arritshme duke e dëshiruar dhe as duke mbajtur sytë përpjetë nga qielli, apo të ëndërrojmë se dikujt do ti lindë në zemër që pa prit e pakujtuar të na sjellë lumturinë, ose lum skamsit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve, lum ata që vajtojnë sepse ata do të ngushëllohen...etj. Jo, zoti Çako. Lumturia është synimi ynë, e çdo qënie njerëzore në tokë dhe që të sigurohet duhet shumë vullnet, dituri dhe punë.

       Të citohen fjali të drejtëpërdrejta nga librat e shenjta, nuk ka vështirësi, por për ti vendosur ato në mjedise të caktuara dhe të dish ti interpretosh, nuk është diçka e lehtë, siç është vepruar në rastin konkret: “Biri im, mos i harro mësimet e mia dhe zemra jote le t’i ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.....Nderoje Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht”.

Në këto urtësi biblike, dallohen qartë diferencat mes këshillave dhe realitetit që kërkon arritja e lumturisë, gjithashtu dallohet fakti tjetër që lumturia duhet të mos mbetet vetëm tek disa, por të pasurit të përpiqen për ti ndihmuar të varfërit. Kuptohet, gjithçka e mundshme për të siguruar lumturinë bazohet këtu, në Tokë dhe me përpjekjet e njëri-tjetrt. U tha, asgjë nuk vjen nga qielli, pa dashur të nënkuptohen ndryshe predikimet me bazë të drejtë interpretimesh. Jo gjithçka duhet të kapërdihet pa u përtypur si duhet. 

        Interpretim jo i drejtë na rezulton edhe në paragrafin ku flitet se: “Para Krishtit pak ishin ata që e përfitonin këtë lumturi si shpërblim të drejtësisë, madje edhe ata që e përfitonin e humbisnin prapë, sepse mëkati, shkelja e ligjit, hynte në mes si muri ndarës edhe shkëpuste lidhjen me Perëndinë e lumtur dhe ditët plot diell të bekimit ua linin vendin reve të zeza të hidhërimit, me fatkeqësi, varfëri, sëmundje si ndëshkim për mëkatin, ashtu si thuhet: “Me të hapur ti dorën, të gjitha mbushen me të mira; me të kthyer fytyrën në anën tjetër, ato tronditen”.

Duke qenë se flitet për gjetjen e lumturisë, nuk na jepet e drejta të përshtatim vargjet e shenjta, me interpretimet e gabuara. Përfshirja këtu, na jep përshtypjen e pranimit të frikës për ti shpëtuar “mëkatit, shkeljes së ligjit, që hynë në mes si muri ndarës edhe shkëpusin lidhjen me Perëndinë e lumtur...”, kur dihet fare mirë se lidhja e njeriut me Perëndinë bëhet me pranim të ndërgjegjshëm, bindje, dëshirë, dhe aspak e detyruar, me dhunë  e as me frikë.

Me këto që thoni ju Zoti Çako, mendoni të “qetësoni” njerëzit dhe u bëni thirrje: “Vdisni o të varfër që të jeni të lumtur”! Si ta kuptojmë këtë? Ja çfarë të pavërtetash shkruani ju, të cilat edhe vetë në brendësi të shpirtit tuaj, jeni të bindur që s’i besoni, se ato nuk përputhen me realitetin dhe më poshtë: “Mos e mbaj vehten të ditur në sytë e tij, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja. Kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua”

Po ju pyesim Zoti Çako? Nga kush duhet të ketë frikë njeriu, nga e padukshmja- nga Zoti? Po kush dhe ku është e “padukshmja”? A mund të na thuash vend ndodhjen dhe kur ka ndërmend të zbresë në tokë dhe të na sjelli lumturinë? Mendoj se për një njeri apo shoqëri njerëzore sadopak të kulturuar dhe të ushqyer me dije, këto janë të tejkaluara. Kush është ky Zoti- në pikëpamje filozofike apo fetare, që njeriu duhet të ketë frikë? Pse fusni frikën tek njerëzit me predikime të gabuara duke perdorur institucionin tuaj të qëmotshëm (primitiv), si në Mesjetën e errët, që njerëzit digjeshin në turrën e druve se dilnin në kundërshtim me dogmat fetare?. Nuk e kuptojmë qëllimin dhe profecinë tuaj. Në vend që tu thoni njerëzve: “Nuk u lumturon moskamja, por puna, punoni në jetën tokësore që të bëheni të lumtur, zgjidhni qeveri të mira që me politikën e tyre të krijojnë mirëqënie më të mirë, e më tej, njerëzit të ndihen më të lumtur”.

         “Sipas dialektikës së jetës tokësore në shkrimin tuaj ka një paradoks (anomali), sepse njeriu mund ta fitojë edhe ta ruajë lumturinë, por përsëri e humbet, sepse ai vdes”; na shkëput nga realiteti. Kjo nënkupton se në jetën tokësore lumturia edhe nëse fitohet, përsëri humbet. Indirekt në parashtesën tuaj kuptohet se lumturi ka vetëm në jetën e përtejme, ose pas vdekjes. Realisht në se ka anomali, ajo qendron pikërisht në këtë interpretim, nga i cili propagandohet frenimi i përpjekjeve për lumturi në jetën tokësore, dhe se lumturia duhet kërkuar për tu gjetur dhe siguruar vetëm për jetën pas vdekjes.

        Kjo mënyrë të konceptuari nga ju del qartë kur deklaroni me triumfalitet: “Prandaj, në këtë perspektivë kalimtare, lumturia është sikur të mos ekzistojë”. Pastaj na citon veprimin që kryhet në shërbesën e varrimit në Kishën Ortodokse, ku psalët para të vdekurit: “Cili gëzim i jetës mbetet i papërzier me hidhërimin? Cila lavdi qëndron mbi dhe e pandryshuar? Të gjitha janë më të dobëta se hija, të gjitha janë më të rreme se ëndrrat; një çast dhe të gjitha këto i zëvendëson vdekja”. Një ligjërim i pranueshëm, i vërtetë, por që nuk kushtëzohet me “gjetjen e lumturisë”, të cilën ju Zoti Çako, sado që përpiqeni nuk na e thoni dot!.  

Megjithatë, pavarësisht nga shpjegimet kontradiktore, në fund njeriun e çoni në pesimizëm duke i thënë: “....që njeriu ta fitojë lumturinë e Perëndisë, është e nevojshme që në këtë jetë të kalojë nga zhgënjimi që të kuptojë se ai nga vetvetja nuk mund ta fitojë lumturinë, por edhe ku mund ta kërkojë dhe si ta gjejë atë”. Kështu, Ju na këshillon që ti drejtohemi Perëndisë me lutjen: “Çohu të na ndihmosh dhe të na shpëtosh për hir të mirësisë sate”.  

    Mendojmë se zbulimet dhe urtësitë e Jesusit, janë të rendësishme, të vlefshme dhe të nevojshme, brenda ndërgjegjes dhe ndjenjave njerëzore, por ato nuk duhen të shpërdorohen nga njerëzit që njësojnë realitetin tokësor me jetën pas vdekjes, sipas predikimeve hyjnore.

Njerëzit, nëse do të pranojnë ekzistencën e dy botëve, janë të detyruar të jenë të drejtë dhe realistë, me qendrimet ndaj tyre, sepse pa ngrënë, pa pirë, padashuri, dhe pa respekte të ndërsjellta, nuk mundet të jetosh, dhe po nuk ekzistove, nuk të jepet mundësia për të siguruar lumturinë e pasvdekjes.

       Në përfundim, Zoti Çako, po ju drejtohemi me një pyetje të thjeshtë për shkrimin tuaj “ A ekziston lumturia dhe ku mund ta gjejmë?” se çfarë përcjell tek njerëzit e thjeshtë apo dhe të tjerë edhe intelektual, ky shkrimi juaj, të mirën apo të keqën, optimizëm apo pesimizëm, dritën apo errësirën, frikën, shpresën apo guximin për të ecur dhe për të siguruar lumturinë me punën dhe virtytin njerëzor që përmbledh: mençurinë, drejtësinë, të përmbajturit dhe guximin.

        Ideja e shpresës është ide fisnike që ka njeriu dhe që e shtynë përpara nëpërmjet punës së tij të përditshme për të gjetur lumturinë. Duke i bërë thirrje ndërgjegjes suaj, po ju kujtojmë një thënie të Ajnshtajnit: “ E keqja e shoqërisë nuk vjenë nga injorantët që flasin, por nga të diturit që heshtin.”

Tiranë, më 10 korrik 2018.-

 

2

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1