Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Dy fjale, ne vend te nje meditimi

Dy fjale, ne vend te nje meditimi

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faruk Myrtaj



Faruk Myrtaj 


Dy fjale, ne vend te nje meditimi


Elsa Demo, ka kohe, por me shume kohe se ç'kam une ne mergim, qe ndjehet e shfaqet si njeri nga zerat qe, permes qendrimit ndaj kultures dhe letrave shqiptare, artikulon qytetarine dinjitare, aq te nevojshme, te domosdoshme, njeherazi historikisht te pashmangshme, ne ate tranzicion qe sigurisht, dikur, do fundoje.


Edhe më-së-fund-mi, duke çelur Arkapiat, ato dyert e vogla te pasme, te dialogut me ze te ulet por qe ndigjohet ne tere lagjen e me tej akoma, ne kete rast edhe pertej kufijve londineze te atij trualli serish te mallkuar, se fundmi edhe me tranzicion...


Lexova kete Portret Artisti nen Tranzicion, qe per dhimbje deri ne asht te vet autores, Elsa Demo, mban emrin...Bir i Humbur. 


Do doja shume qe secili prej lexuesve, sado rastesor te ketij portreti te botuar edhe te Fjala e Lire, te ndjej pikerisht kete dhimbje: Behet fjale per nje Bir te Talentuar, provat qe sjelle shkrimi per kete talent nuk jane te pakta, madje edhe trumbetohen pa medyshje, me deshire, nga Elsa demo, pervijohen si arritje aq premtuese, ngaqe deshirohej dhe qartazi shpresohej, ngjitja dhe jo ajo tjetra, jo zbritja, jo renia, as-se-si rrenimi, Humbja e Rruges...nga Biri i Humbur, ne padashje mes tjerash, edhe te autores se ketij Portret Artisti nen Tranzicion.


Por eshte Elsa e Arkapia-ve, pse jo, mund te shpresohet. Nuk ka gje qe nuk arrihet, nese çilen Arkapiat...dhe ajo jane te hapura tashme...


Pse jo, te gjithe mund ta gjejne, serish, Rrugen e kthimit ne Shtepi...


Ajme, na duhet ta perdorim shumesin, edhe kur eshte fjala per njejesin!

Nuk kane qene te pakta, as te rralla, talentet, premisat, shpresat, ngjitjet, nuk kane ndodhur aq rralle, edhe ne kohe me te veshtira nuk jane nderprere uraganet e talenteve, qe lindin si burimet, qe celin si lulet e arktikut...S'mund te mos celin...


Por ka ndodhur, jo aq rralle, ta humbin udhen, ta vene ne dyshim veten, ta zbresin tek fundi i kembeve ate qe natyra ua dhuroi si talent. Justifikimi eshte: tranzicioni, mbi karakteret nuk eshte me i bute se ajo qe u quajt diktature, por Ndjesa tashme eshte shume me e veshtire...


Megjithate, kur lexon Elsa Demon kujtohesh se Arkapiat kurre nuk jane kyçur: ato e bejne me te dritshme rrugen qe kthimi te ndodh me lehte...


----



Elsa Demo


BIRI I HUMBUR...Altin Basha


Po të bëja një listë të shkurtër gjërash nga harta kulturore e fillimviteve dymijë, nisur nga perspektiva e njeriut të medias, do piketoja si shenja të veçanta eseistikën polemike në faqet e gazetës “Shekulli” e një dore njerëzish të mendjes, vullnetin shëlbues të Maks Velos për trashëgiminë dhe, pa asnjë dyshim, teatrin e Altin Bashës.

Teatri, në ndryshim nga gjithë artet e tjera, komunikon drejtpërdrejt me një publik dëshmitarësh. Kush nuk ka qenë dikur atje përballë në një shfaqje teatri, ka humbur rastin të shohë e të ndjejë energjinë që krijonte Altin Basha herë me vetëm 2-3 aktorë të vërtetë në skenë, e herë me të rinj, sythe të aktrimit, vendosur në një spektakël vallëzues. I asaj race artisti që grindet me tradicionalen dhe e modelon atë, pa harruar të vendosë kurora mbi paraardhësit e një tradite. Kështu edhe nderimi i tij në atë epokë për Kujtim Spahivoglin me “Banjën” e Majakovskit, kërkimet mbi Shekspirin komik, mbi Beckett-in më pas, ishin premtim i madh për skenën tonë për një enfant terrible që jo pak kulturave u ka ardhur në kohë krize e konflikte brezash, si një ndërrim gjaku.

Kujtoj “Keq e më keq” të Beckett-it, interpretimin e Gazmend Gjokës në aq variante shndërrimi ku i shtyn kufijtë ky aktor sa ka prerje një diamant që emeton më fort dritë në dhomë të errët:

Pa rrugëdalje veç qëndron. Disi larg dhe qëndron. Qëndron disi. Këtë ose vajto. Vajtimi ka kohë nëpër këmbë. Jo. Mos vajto. Thjesht dhimbje. Thjesht në këmbë. Një kohë kur përpiqu si. Përpiqu shih. Përpiqu thuaj. Si së pari lëvizin. Mandej disi në gjunjë. Pjesë pjesë. Pastaj çprej andej. Pjesë pjesë. Gjersa më në fund në këmbë. Jo tash. Më mirë dështo më keq tash.

Një gjuhë e thyer, atonike që prekte atë ritëm të brendshëm jete të cilitdo që përpëlitej në një mjedis Tirane prej lluce hedonizmi primitiv material. Me instinkt që e tejkalonte fuqinë e moshës, Basha arrinte ta kapte atë ritëm të shqetësuar njerëzor që provokonte regjimi i ri në Shqipëri, në të gjitha nivelet e jetës. Të inkurajonte me zërin e Beckettit: Sa herë përpjekur. Sa herë dështuar. S’ka gjë. Provoje prapë. Dështo sërish. Dështo më bukur! Dhe shpresonte që shqiptarët të bëheshin shoqëri me njëfarë veprimtarie truri.

Kështu krijonte ky regjisor një ligjërim skenik në kontrapunkt me gjithë çfarë shpëlanin në skenë amatorë dhe artistë që kërkonin që mjegulla të zgjaste me komedi të tipit “lezeti i kolltukut dhe i krevatit”.

Të njëjtat palë që dikur i ndante shija estetike, janë bërë bashkë sot në shtriganinë e shembjes së Teatrit Kombëtar, në krah me qeverinë dhe mafien e ndërtimit.

Edhe pak tek rrugëtimi i Bashës, i cili është një personazh i fuqishëm, që siç thotë Peter Brook për krijesat e Shekspirit, po shfaq “shtresa dhe dobësi të pazgjidhshme” duke e vënë në dilemë publikun. Asnjeri nuk është i detyruar të jetë hero dhe i lirë deri në fund. Por të tjerët duan të kuptojnë kthesën e tij të papritur nga rezistent, në zbythës që godet qëndresën në teatër.

Kështu pra, në fillim të viteve dymijë kur televizioni zuri pragun me gjithë përmbysjen që solli në komunikimin tonë kulturor, edhe Altin Basha, si përballë një force të natyrës bëri zgjedhjen e të keqes më të vogël. U hodh në plëngprishjen e talentit dhe përgjegjësisë qytetare. Për më shumë se një dhjetëvjeçar ai iu kushtua, (dhe vazhdon) me të njëjtën energji kabaretit televiziv: një makinë e riprodhimit të së qeshurës në masë.

Teatri u braktis porsi një dashuri e ndërprerë në zjarrin e saj. Teatri me dritat që ndizen ngadalë, me shfaqjen e aktorëve me kostumet dhe gjestet, me gjuhën poetike, që e zhvendosin spektatorin në një prag midis jetës reale dhe asaj të shenjtë, dhe e bën të aftë atë të zhyturin në kolltuk t’i kthejë sytë nga vetja, tek dobësitë e një komuniteti, tek kërkesa për llogari ndaj përgjegjësve që qeverisin botën rreth tij.

Televizioni? Natyrë materiale, krejt e kundërta e gjithë kësaj: komunikim standard, përmbajtje mediokre dhe vulgare. Kështu edhe Bashës në kabaretin e tij nuk i duhet më të shqetësohet për magjinë e ceremonialit teatror, por të krijojë një komunikim që ka të bëjë me përditshmërinë.

Shkurt, e ndjen që spektatorin e teatrit, atë që ia vlen t’i këndohet një këngë zgjimi, Altin Basha e ka humbur.

Dëgjohet që llojit të komedisë së Bashës,– në një ekran ku nuk ekziston një emision për teatrin, kinemanë, artet,– t’i vishet një funksion shoqëror dhe etik, që personazhet dhe fenomenet që bëjnë paradë aty mund të frymëzohen nga mendimi për të mirën apo të drejtën.

Bodleri thoshte se e qeshura në thelb është perverse, madje ai përdor fjalën satanike, sepse parakupton tek e qeshura një ndjenjë superioriteti dhe mungesë bamirësie. Një shoqëri ku e gjithë bota do ta kalonte kohën duke qeshur, në llogari të fundit do të ishte një çmendinë gjigante.

Edi Rama, në sajë të sozisë së tij aktor, qarkullon me kullat në sqetull në skenën e “Portokallisë”. Por publiku nuk reflekton dot aty për t’u distancuar nga e keqja. Po të ishte e vërtetë që efekti të ishte ai i shëndetshmi, ata spektatorë do ishin sot në mbrojtje të teatrit, me gjithë aktorët, deri një javë më parë kur mentori i tyre ishte shembull i shkëlqyer gojëtarie dhe gati sfidues përballë pushtetit.

Po besonim se ky ishte Basha i viteve të para, që ka ditur të përcjellë forcë përmes dëshpërimit. Ai vetë me entusiazëm do thoshte se është koha t’i kthehet dashurisë së tij më të madhe, teatrit. Vjeshtën e kaluar ai u angazhua me një pjesë teatri politik, “Rojat e Taxhit” e autorit amerikan Rajiv Joseph që i vendos ngjarjet në shekullin XVII. Mbrëmjen përpara përurimit të Taxh Mahalit një mrekulli e botës së artit mysliman, perandori Shah Xhahan, i mrekulluar nga bukuria e saj, nxjerr dekretin që asgjë tjetër më e bukur të mos ndërtohet kurrë. Dy miq që jetojnë me tmerrin se kanë vrarë të bukurën. Njëri çmendet sepse tradhëton mikun. Miku i tradhëtuar thërret nga bota e përtejme, se e bukura, megjithatë do të fitojë. Në cilën prej dy hijeve rri Basha?

Me dhjetëra intervista të Bashës pas kësaj se ç’do të thotë të bësh art të angazhuar në Shqipëri, art kundër autoritarizmit; se ministrja e Kulturës u ka hyrë punëve delikate si elefanti në dyqanin e qelqurinave, se edhe shefi i saj si elefant ka thyer çdo gjë që ka prekur; se Teatri Kombëtar është i qytetarëve dhe asnjë dialog nuk do të ketë pa u tërhequr ligji për shembjen e tij dhe shfrytëzimin e hapësirës nga biznesi privat.

Në plehëra të gjitha! Në plehëra gjithë besimi drejtuar publikut!

Cilin Altin Basha të besojmë? Gënjen në skenë apo gënjen në jetë? Do të vazhdojë ai të jetojë publikisht i ndarë midis dëshirës për të bërë teatër me të vërteta false dhe biznesit mediatik që po i imponon të jetë ai që s’do donte të ishte?

Asnjë fjalë s’ka dalë prej tij për rrezikun në ngjitje kundër artit dhe kulturës që përfaqëson sot kryetari i bashkisë, mbështetës edhe i projektit të lartpërmendur të Ramës. Asnjëherë më parë kultura nuk është financuar sa këto 3 vjet të qeverisjes së Erion Veliajt. Dhe ku është kjo kulturë?

Veliaj i ka mbushur deri në gushë artistët me dhurata. Disa prej tyre që janë rreshtuar në krah të tij nuk po marrin dot frymë nga projektet. Ai nga një anë, Kumbaro nga tjetra, i konsiderojnë fondet publike si një e mirë që duhet kthyer mbrapsht, në formën e shërbimit më poshtërsisht të nënshtruar.

 

Në epilogun e rezistencës për Teatrin Kombëtar, secili artist po shkruan me saktësinë e paimagjinuar një autoportret të vetes dhe të racës që përfaqësoka. /shekulli/


Comments (2 posted):

Aida on 10/07/2018 19:57:41
avatar
Disa njerëz kanë më lehtë të shesin shpirtin a thua se është plaçkë që blihet a kthehet kollaj. Kur njeriu drejtohet vetëm jashtë vetes e ka kollaj të bëj allishverish sepse akoma nuk ka mësuar të njohë veten atë pjesë të vetën që nuk vihet në treg. Kjo dhe për shoqërinë shqiptare: ka humbur rrugën drejt vetes dhe kërkon me ngulm të rritet, duke u kapur pas çdo gjëje që mendon se do t’i ofrojë rritjen. Kështu, çdo gjë merr vlerën që ka sot, edhe teatri. ~a.d.
al on 11/07/2018 23:57:41
avatar
Shume bukur, Faruk, edhe per shkrimin qe percjell. Teatri, me njerez te perzgjedhur ne biografi, duke diskriminiar te tjeret. i krijuar nga diktatura per ti sherbyer asaj, me keta “artiste” vazhdon ta kete bazen edhe sot. Nese ndyshimi nuk vjen prej tyre, ndryshim nuk do te kete.
a.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1