Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Pse po largohet i pakënaqur Donald Lu?

Pse po largohet i pakënaqur Donald Lu?

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nuri Dragoj

Pse po largohet i pakënaqur Donald Lu?

 

Nga Nuri Dragoj

 

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, duket se po largohet i pakënaqur nga Shqipëria. Me gjithë arritjet në procesin e vetingut, penalizimin e disa të korruptuarëve të atij sektori, ambasadori Lu mbeti sërish i paplotësuar, pasi pritshmëritë e Departamentit të Shtetit Amerikan kanë qenë më të mëdha. 

Prof. Dr. Eshref Ymeri, lidhur me vetingun në drejtësinë shqiptare, kohë më parë ka publikuar një shkrim me titull: “Reforma në drejtësi: Do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”. (Bota Sot, datë 27 janar dhe “Zemra shqiptare”, më 28 janar 2016 (E Enjte, 28.01.2016, 08:13 PM).Autori shfaqet pesimist në realizimin e saj në kohë dhe me cilësinë e kërkuar, sepse sheh te politika shqiptare njerëz që u janë errur sytë për para dhe në funksion të saj dhe pushtetit, mund të bëjnë çdo gjë. Por ai shpreson në faktorin amerikan, i cili ka qenë përherë fatsjellës për çështjen shqiptare. Prof. Ymeri citon ambasadorin Donald Lu, i cili duke folur për kryerjen e kësaj reforme, ka deklaruar: “Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi të përqendruar në reformën në drejtësi për shkak të udhëzimit direkt nga zyrtarë të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit. Ata na kanë thënë qartësisht se prioriteti numër një i Qeverisë Amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat e nevojshme për pranimin e Shqipërisë në BE” (Cituar nga Prof. Dr. Eshref Ymeri: “Donald Lu: SHBA s’do gjejë qetësi për reformën në drejtësi, kemi udhëzim direkt nga Shtëpia e Bardhë”. Marrë nga faqja e internetit “syri.net”. 06 janar 2016).

Qëndrimi amerikan ka qenë në një linjë, ndonëse nuk kanë munguar politika të vendeve të tjera që kanë lenë hapësirë për çedim të kësaj çështje. Autorin e shkrimit e shqetëson fakti që institucionet shqiptare nuk po i përgjigjen kërkesës së SHBA. Uashingtoni ka kërkuar hedhjen e rrjetës për kapjen e peshqëve të mëdhenj, por peshkatarët e politikës shqiptare përdorin rrjeta të çara, me qëllim që ata t’i shmangen kurthit të saj. SHBA ka kërkuar arrestime të politikanëve të korruptuar dhe të individëve që drejtojnë tregtinë e drogës, të cilat nuk janë realizuar. Qeveritarët thonë se kanë dëshirë ta bëjnë një gjë të tillë, por e qaujnë të pamundur arrestimin e tyre, pasi banditët e drogës gjejnë mënyra të fshihen, i shmangen kërkimit policor. Mirëpo ky arsyetim nuk mund të përtypet nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Kjo u duk qartë në deklaratën më të fundit të Donald Lu, i cili fajësoi qeverinë shqiptare, policinë, prokurorinë dhe drejtësinë në tërësi, që nuk duan të nxjerrin para ligjit të korruptuarit dhe trafikantët. Në këto rrethana, porf. Ymeri bën apel për të reflektuar në qëndrim, pasi atij që të jep dorën nuk mund t’i kthesh shpinën, sepse pasojat mund të jetë negative dhe ato shkarkojnë mbi fatin e kombit. Ai nuk pajtohet me thirrjet mjegullore të politikës, se vetingun po e pengon opozita dhe as me anën tjetër që bëjnë përgjegjëse qeverinë dhe dalin vetë të virgjër nga gjithë kjo zallamahi. I dëshpëruar për situatën e krijuar, profesor Eshref Ymeri tërheq vëmendjen e politikës shqiptare për të qenë më e vemëndshme ndaj Uashingtonit, kur dihet që Departamenti i Shtetit Amerikan është shprehur hapur dhe në mbrojtje të interesave shqiptare. Ndaj ai shkruan: “Ne, qytetarët e Shqipërisë Londineze, u jemi dhe do t’u jemi mirënjohës në jetë të jetëve Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për mbijetesën tonë si shtet. Sepse në dy raste, mbijetesa jonë ka qenë në zgrip. Së pari, ujqit evropianë, në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, patën hartuar plane ogurzeza për ta zhdukur nga harta e Evropës edhe atë ngastër Shqipërie që kishte mbetur pas vendimeve kriminale të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Por ndërhyrja vendimtare e Presidentit Wilson qe shpëtimtare për vendin tone”. (Reforma në drejtësi: Do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi” në Bota Sot, datë 27 janar dhe “Zemra shqiptare”, më 28 janar 2016 | E Enjte, 28.01.2016, 08:13 PM).

 

Ç’është për ne Berlini i viti 1878?

 

Meqë profesori Ymeri përmend Kongresin e Berlinit(1878) dhe Konferencën e Londrës 1912-1913, nuk mund të rri pa hedhur dy fjalë, përse ndodh shpesh herë që tendencat për zvogëlimin e territorit shqiptar të vazhdojnë. Është e pakuptueshme dëshira e madhe që kanë disa vende europiane për ta parë me syrin e njerkës Shqipërinë dhe për ta kafshuar sa herë të mundën, sadopak, mjafton që ajo të ndjejë dhimbje dhe të uli kokën nga frika, nga tmerri që ka parë në vite, në prezencë të kësaj Europe. Gadishulli ballkanik, dikur është quajtur gadishulli Ilir. Iu ndryshua emri në mënyrë të pakuptimtë. Dhe u pajtuan me këtë emërtim si Perandoria Osmane që e emërtoi dhe Europa që s’e kundështoi. Duhej të harrohej emri Ilir. Kongresi i Berlinit është quajtur „varri i kombit shqiptar“. Aty u praktikua lufta fetare. Salla e mbledhjes dominohej nga kryqet, të cilët kryqëzuan myslimanët e Ballkanit. Sepse aty nisi prerja e trupit të këtij kombi të lashtë. Për të mëdhenjtë forca e mund drejtësinë, dhe ata që dalin fitues në luftë, mund të bëjnë ç’të duan me të mundurin. Poeti i madh shqiptar, Agim Shehu, për të treguar vërtetësinë e barbarisë së kombeve të mëdha ndaj atij shqiptar, sjell në kujtesë të publikut thëniet e personalitetit të shquar francez D’Estournelle de Costant, dijetar, Senator dhe Nobelist. Kongresi i Berlinit ngriti një komision për kufijtë. Anëtar komisioni patën dërguar edhe senatorin francez de Costant, për të prerë sa të mundej nga trupi i kufijve të trojeve shqiptare. Ai u ndodh në një mjedis të panjohur që ishte krejt ndryshe nga sa qe paraqitur, plot shpifje kundër shqiptarëve si komb. Ja çfarë shkruante ai: “Në Shqipëri arrita një ditë pas Kongresit të Berlinit. Atje gjeta një vënd që më rrëmbeu zemrën. Dallova menjëherë një bujari e ndershmëri të çuditëshme. Një popull që meriton nderimin, dashurinë e ndihmën tonë. E kemi lënë Shqipërinë të zhytet përherë e më thellë në pështjellime e anarki…Shqipëria ka të drejtë të jetojë. Populli i saj është europian…. Në Shqipëri e kam kuptuar për herë të parë se në botë ka jo vetëm qënie të gjalla, po dhe popuj që kanë nevojë për ndihmë, të cilët njeriu nuk mund t’i lëshojë dore pa i ardhur turp nga vetja. Pata fatin e mirë që, në pranverën e vitit 1879, të emërohesha sekretar i Komisionit për caktimin e kufijve mes Shqipërisë së Sipërme dhe Malit të Zi….Ne erdhëm për të cënuar e për të cunguar truallin shqiptar, në fitim të Malit të Zi…”.

 

 

A ka lidhje Versaja 1919 me vetingun 2018?

 

Profesor Ymeri ka shumë të drejtë për çka shkruan lidhur me forcimin e marrëdhënieve miqësore SHBA - Shqipëri. Mikun duhet të dish ta mbash, pasi nëse e humbet është e vështirë ta fitosh sërish. Çështja e Konferencës së Versajës 1919, duket sikur nuk ka lidhje me vetingun e ditëve të sotme, por lidhet ngushtësisht me fatet e kombit shqiptar dje dhe sot. Për këtë e vlen të dalemi disi më gjatë. Arritjet pozitive nuk mund të jenë të suksesshme, nëse mungon dëshira e shqiptarëve. Faktori i jashtëm është ndihmës, por ka nevojë për mbështetjen e politikës dhe krijimin e një mjedisi të përshtatshëm prej shoqërisë civile. Askush nuk duhet të harrojë që mbështetja nga SHBA është fat i madh për ne, por njëkohësisht duhet thënë që Shqipëria nuk bëhet pa punën e vet shqiptarëve. Madje edhe Presidenti Wilson nuk e pati të lehtë dhënien e drejtësisë për kombin e vogël në breg të Adriatikut, sepse disa fuqi të mëdha europiane kishin rënë dakord paraprakisht për atë çfarë do të bënin me Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, Presidenti Amerikan nuk ishte informuar drejt mbi zhvillimin e ngjarjeve. Në atë kohë, çështjen shqiptare Fuqitë e Mëdha e lidhën me tërheqjen e Italisë dhe Greqisë në gjirin e Antantës, aleancë e krijuar me nisjen e Luftës së Parë Botërore. Për shkak të konfliktit që kishte me Austro-Hungarinë, Italia hyri në luftë në maj të vitit 1915, duke u bërë pjesë e Bllokut të Antantës. Ajo u bashkua me atë koalicion sepse e shihte si rrugën më të mirë për të fituar territoret që kërkonte, por nuk e mendonte që Fuqitë Qendrore do të binin të gjitha njëherësh. Vittorio Orlando, kryeministër dhe Sidney Sonnino, ministër i Punëve të Jashtme të Italisë,mendonin se idea e Wilsonitpër të drejtën e vetëvendosjes së popujve ishte “ide e çmendur”, pasi sipas tyre, parime të tilla nuk mund të zbatoheshin në Ballkan. (Margaret Macmillan, Paris 1919. Six Months that changed the ëorld).

Greqia ende nuk kishte vendosur futjen e saj në luftë, ndonëse “Epirin e Veriut” e shpallte tokë greke. Madje hartoi dhe një dekret mbretëror, i cili ligjëronte bashkimin e tij me Greqinë. Në funksion të tij, zgjedhjet e dhjetorit 1915 u shtrinë edhe në tokën shqiptare. Më 11 janar 1916, përfaqësuesit e “Vorio-Epirit” zunë vend në Parlamentin Grek, por nën presionin e Aleatëve, Greqia u detyrua t’i largonte deputetët e “Epirit të Veriut”. Ndërsa në muajin shkurt u bë zëvendësimi i funksionarëve ushtarakë me civilë. Athina zyrtare po e trajtonte Jugun e Shqipërisë si territor të shtetit grek. Në muajin prill, kryeministri grek Stefanos Skuludhis, deklaroi para deputetëve në një seancë plenare, se tashmë “Epiri i Veriut” ishte bërë pjesë përbërëse e Mbretërisë së Greqisë. 

Sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës, të datës 26 prill 1915,nënshkruar nga përfaqësues të Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë nga njera anë dhe Italisë nga ana tjetër, Fuqitë e Antantës dëshironin të kënaqnin orekset e fuqive ballkanike, Serbisë dhe Malit të Zi që po luftonin krah tyre, por dhe Greqisë që shpresonin ta tërhiqnin së shpejti. Gjithë veriu, nga jugu i Drinit e deri në Shëngjin i jepej Serbisë e Malit të Zi. Italia do të kishte Vlorën, Sazanin dhe një territor të gjerë toke deri në Vjosë. Trojet nga jugu i Vjosës e Himarë t’i kalonin Greqisë, për të cilat Italia binte dakord, por më parë kërkonte të pushtonte ajo territorin e vet dhe të krijohej një shtet i vogël shqiptar në Shqipërinë e Mesme, i cili me botën e jashtme do të përfaqësohej nëpërmjet Italisë.Në bazë të nenit 7, Italia nuk do të kundërshtonte ndarjen e Shqipërisë midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Mjafton që ajo të mbante Vlorën dhe ndikimin në Shqipërinë e Mesme. Madje një gjë e tillë parashikohej qartë në nenin 7 të traktatit. Londra i kërkoi kryeministrit italian, Salandra, që të pranonte ndërhyrjen greke në jug të Shqipërisë. Roma fillimisht hezitoi sepse i trembej ndonjë vendimi për mostërheqje të trupave nga ana e Greqisë. Nga ana tjetër, i hapnin dritën jeshile Athinës që të vepronte me një regjiment policor për vendosjen e rregullit. Ndërkohë ata kërkonin nga Venizellos të jepte garanci për tërheqjen e trupave, pasi qe vendosur të ruheshin vendimet e Londrës. 

Forcat politike në Greqi ishin ndarë në mendime. Përkrahësit e mbretit nuk pranonin të futeshin në luftë përkrah Antantës, sepse qenë të bindur në fitoren e Gjermanisë. Ndërsa përkrahësit e Venizellos besonin në fitoren e Antantës dhe, të joshur me lëshimet e saj për të hyrë në Shqipëri, ishte e gatshme të vihej në krah të saj. Kryeministri grek kishte kuptuar gjithashtu që as faktori gjuhësor dhe as ai antropologjik, nuk mund të merreshin të shkëputur nga njëri-tjetri, ndaj i vuri rëndësi ndërgjegjes kombëtare. Sipas tij, të krishterët e jugut të Shqipërisë qenë të lidhur shpirtërisht me Greqinë. 

            Deri në verën e vitit 1915, Shqipëria vazhdonte të ishte e pushtuar dhe ndarë në disa zona pushtimi. Në veri Serbia e Mali i Zi, në jug Greqia, Vlora me rrethinat e saj qe nën kontrollin italian dhe vetëm territori nga Durrësi në Berat mbetej nën ndikimin e qeverisë së Esat Pashë Toptanit. Të gjitha këto fuqi qenë të kënaqura me pjesët e pushtuara dhe konfliktet midis tyre mbaheshin të fshehura. Por në janar të vitit 1916, kur forcat austro-hungareze u vunë në ndjekje të ushtrisë serbe, Shqipëria u kthye në shesh lufte. Austro-hungarezët brenda muajit janar mbërritën në Elbasan ku u bashkuan me trupat bullgarë dhe u vendosën në vijën Berat-Pogradec. Territori që shtrihej poshtë kësaj vije konsiderohej në varësi të Greqisë që ende mbante qëndrim asnjanës në raport me aleancat e krijuara që luftonin midis tyre. 

Avancimi i austro-hungarezëve shqetësoi edhe më shumë Romën. Për të shmangur mbërritjen e forcave të Vjenës deri në Durrës, politika italiane mbështeti Esat Pashën dhe vendosi forca për të vëzhguar portin. Ndërkohë Italia i trembej dhe Greqisë, pasi një aleancë me njërën nga fuqitë ndërluftuese, mund të bëhej shkak për pushtimin e Vlorës, duke u kërcënuar seriozisht ekzistenca e saj në Shqipëri. 

Zgjidhja e çështjes shqiptare u përplas midis të drejtës së vetëvendosjes dhe interesave të Fuqive të Mëdha e të vogla, pa lënë mënjanë paktet e mëparshme. Kryeministri anglez David Lloyd George dhe ai i Francës Georges Clemenceau, së bashku me italianët, i përmbaheshin paktit të Londrës. 

Në Konferencën e Paqes së Versajës 1919, nuk merrte pjesë Austria që mbronte çështjen shqiptare, por as Rusia që e kundështonte atë. Aty qe prezente vetëm Italia, si e interesuar për ta patur Shqipërinë nën protektoratin e vet. Ndërkohë SHBA, Britania, Franca e Japonia nuk shfaqnin interesa të drejtpërdrejta. Italia synonte Vlorën. Për të qenë më e sigurt, tentonte të frenonte jugosllavët, me synim që të garantonte një Shqipëri sa më të madhe. Nga ana tjetër francezët ndiqnin politikën e vitit 1913, për të penguar italianët, duke mbështetur grekët dhe serbët. 

Amerikanët mbështetnin vetëvendosjen e popujve, por mendonin se shqiptarët nuk qenë të përgatitur për pavarësi të plotë. Si pasojë edhe ata u bashkuan me nevojën e një protektorati italian, me të drejta të kufizuara. Përkundrazi, anglezët e shihnin me rrezik vetëvendosjen e popujve, pasi mund të bëhej shkak për ndonjë shpërthim të mundshëm. Ata vazhdonin të mbështetnin idenë e një Greqie të madhe, e cila u shërbente interesave të tyre në Mesdhe.Në korrik të vitit 1918, ish-presidenti amerikan Ruzvelt, në një fjalim të tij, e përfshinte Shqipërinë në listën e vendeve që do të viheshin nën garancinë e Antantës. Po atë muaj, Noli mori premtimin e presidentit Amerikan Wilson, për të mbështetur çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes.

Shpresa për shpëtimin e trojeve shqiptare shihej te SHBA. Por dukej se njohja e çështjes shqiptare prej tyre, ishte e mjegullt.U pa qartë se presidenti amerikan Wilson nuk ishte informuar drejt për situatën në Shqipëri. Ai do të reflektonte pas kërkesave të njëpasnjëshme të atdhetarëve shqiptarë. Për t’u informuar më hollësisht rreth gjendjes politike në Shqipëri, Wilson dërgoi konsullin e SHBA-së Jozef Haven, që ndodhej me shërbim në Torino. Haven erdhi në Shqipëri në shkurt të vitit 1919. Ai shoqërohej prej sekretarit të Këshillit të Ministrave të qeverisë së Turhan Pashës, Tefik Mborja. 

Komanda italiane e kuptoi që shqiptarët nuk pajtoheshin me pushtimin, ndaj për të mashtruar opinionin shpreheshin se “populli shqiptar ka të drejtë të jetojë i pavarur, por për disa kohë duhet të vihet nën mandatin e Italisë”.

Të këtij mendimi qenë dhe disa ministra të Turhan Pashës, si Sami Bej Vrioni, Mehdi Bej Frashëri etj.Shumica e qeverisë shqiptare nuk besonte në vetëqeverisje të popullit të vet. Sipas tyre, e vetmja mundësi për mbijetësë ishte protektorati italian, ndërsa miqtë e Shqipërisë këshillonin pavarësi të plotë. 

KonsulliHaven i tha Tefik Mborjes se Italia synonte ta bënte Shqipërinë territor italian. Roma zyrtare priste momentin që Shqipëria të kërkonte hua, për t’i vendosur kushte dhe kërkuar koncensione. Duke qenëse Shqipëria ishte prapa në teknikë, Italia “mund t’i jepte asaj shumë materiale, duke filluar nga lopata deri te tramvaj”. 

Haven vizitoi shumë qytete e zona të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Përmetin dhe vuri re mungesën e harmonisë midis shqiptarëve dhe pushtuesve. “Bajoneta italiane” nuk lejonte që populli shqiptar të shfaqte hapur dhe pa frikë dëshirat e tij. Para se konsulli të nisej nga Gjirokastra për në Përmet, ishin vënë në dijeni dy intelektualë të njohur, Dhimitër Kacimbra dhe Koço Tasi, të cilët organizuan pritjen. Në atë takim përmetarët kërkuan që në konferencë të mos mungonte përkrahja e Amerikës, me qëllim “që Shqipëria të fitonte vetëqeverimin e plotë”. 

Me inisiativën e Qazim Koculit në Tepelenë u mblodhën shumë njerëz nga fshatrat për të pritur konsullin. Ata qenë veshur me kostume kombëtare dhe shfaqnin simpati për SHBA-në. Edhe në Gjirokastër, nën drejtimin e kryetarit të Bashkisë Javer Hurshiti, populli i tha konsullit Haven se donin të jetonin më vete. Por diplomati amerikan u takua dhe me një grup tjetër, që kryesohej nga Lame Kareco, i cili theksoi se shumica e ortodoksëve ishin për bashkim me Greqinë, pasi nuk mund të bashkëjetonin me muhamedanët. Ndërsa në Përmet, pritja qe në nivel më të lartë dhe nuk pati përçarje midis të pranishmëve. Ata u shprehën njëzëri në favor të çështjes kombëtare. Gjatë vizitës në rrethet e jugut diplomatit amerikan i bëri përshtypje shkalla e lartë e civilizimit. Krahas burrave iu paraqitën për takim dhe një përfaqësi e grave përmetare, myslimane dhe të krishtera, të cilat i kërkuan kthimin e Shqipërisë në kufijtë etnikë. 

Takimet që pati konsulli amerikan në rrethet Korçë, Leskovik e Përmet, u bënë në praninë e shumë njerëzve, të cilët i paraqisnin vetëm një kërkesë: “Amerika të bëhej avokate e Shqipërisë; Jugu i vendit të merrej nën protektoratin e saj dhe çështja shqiptare të gjykohej me drejtësi”. Ardhja e konsullit amerikan në Përmet u prit me një interesim të veçantë. Gazeta “Albania” shkruante se gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, Përmet e Delvinë, populli i kishte thënë përfaqësuesit amerikan se e donte Shqipërinë nën mbrojtjen e Amerikës dhe pa protektoratin e Italisë, “etnografike, të lirë e vetqeverimtare”. 

Vizita e tij u shoqërua me grumbullime masive të popullit. Më 23 shkurt u zhvillua një miting në Leskovik, ku u denoncuan veprimet antinjerëzore të grekëve. Kane Popa i dhuroi diplomatit amerikan një libër që bënte fjalë për barbarizmat e kryera në jug të Shqipërisë. Konsulli ishte njohur me problematikën shqiptare dhe i siguroi të pranishmit që ato vise ishin të Shqipërisë dhe të drejtat do t’u jepeshin të plota. Pas kësaj Wilson kundërshtoi projetin e fuqive të mëdha për coptimin e Shqipërisë, duke kërkuar që ajo të përjashtohej nga çështja e Adriatikut. Të njëjtën qëndrim mbajti SHBA edhe në Konferencën e Paqes të vitit 1946 në Paris, ku sërish Greqia paraqiti pretendime për “Vorio-Epirin” e mbështetur edhe nga Anglia. 

Ky ishte shpëtimi i parë i Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të cilën bën fjalë dhe prof. Ymeri. Ngjarjet historike jo vetëm nuk duhen harruar, por është nevoja të kujtohen herë pas here, pasi duke njohur ato zhvillime dhe nëpërmjet ballafaqimit të tyre me qëndrimet e sotme, mund të hartohen politika më të qarta dhe më efektive në interes të kombit shqiptar. Të njëjtin qëndrim mbajtën SHBA edhe në Konferencen e Paqes së Parisit, të viti 1946. 

Profesor Ymeri sjell në kujtesë edhe vitin 1997, kur Shqipëria u përballë me një tjetër rrezik nga shteti fqinj i jugut. “Pikërisht në atë situatë tragjike ku e katandisën vendin “bejlerët” e politikës shqiptare, shovinizmi grekokaragjoz, përmes kryeministrit të vet, i kërkoi leje Sekretares së Shtetit, zonjës së nderuar Medlin Ollbrajt, për të futur trupat në Shqipërinë e Jugut, me arsyetimin gjoja për të mbrojtur minoritetin grek. Por zonja Ollbrajt i tha se mund t’ju dalin probleme me Turqinë. Ishte koha kur kryeministja turke Tansu Çiller paralajmëroi Athinën për të hequr dorë nga marrëzitë e saj. Dhe kryeministri grek u tërhoq me bishtin ndër shalë. Dy vjet më vonë, në pranverën e vitit 1999, ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Presidentin Klinton në krye, tëmbështetur fuqimisht nga kryeministrit britanik Toni Bler, për 78 ditë rresht, zhvilluan fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, për shpëtimin përfundimtar të popullit shqiptar të Kosovës nga tirania mbinjëshekullore e shovinizmit serbomadh”.

 

*    *

   *

Pra siç shihet, SHBA kanë qenë përherë në krah të interesave shqiptare. Edhe për çështjen e vetingut në drejtësi ata janë rreshtuar në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve, këtë radhë për t’i çliruar nga hajdutëria e njerëzve me pushtet, në të kundërt nuk mund të realizohet as integrimi europian dhe as çlirimi nga zgjedha e varfërisë që e ka raskapitur këtë komb në shekuj. Nëse nuk respektojmë kërkesat e paraqitura nga SHBA, nuk punojmë për realizimin e tyre, për çrrënjosjen e krimit dhe të korrupsionit, do të thotë që nuk e duam përparimin, të ardhmen e begatinë e fëmijëve tanë.

Tashmë nuk ka vend për të vijuar me betime të politikanëve për pastërtinë e figurës së tyre, t’u besojmë kredive fiktive të marra nga bankat dhe të heshtim para miliarda eurove që kalojnë kufirin shqiptar për t’u mbyllur në banka të ndryshme të botës, vetëm për të fshehur paudhësitë e politikës dhe për të mos u venë në shërbim të shqiptarëve. Disa vite më parë (vjeshtë e vitit 1008) në Shqipëri erdhi një ekonomist i shquar amerikan. Advin Kint quhej. Nuk e di saktësisht shkakun e vizitës së tij, por më është fiksuar në mendje deklarata që ai bëri, një deklaratë - thirrje: Bëni amnistinë fiskale dhe invesojini paratë në vendin tuaj! Kini rreth 9 miliardë euro të depozituara në bankat e huaja! Kaq deklaroi Advin Kint. Të bëhej amnistia. T’u njihej pronësia mbi paratë e grabituara të gjithëve, me kusht  që nga dita e amnistisë të ndalohej vjedhja e buxhetit të shtetit, që është pronë e taksapaguesit shqiptar. Sapo ktheu krahët ekonimisti amerikan dhe avioni me të cilin ai udhëtonte kaloi kufirin, politika filloi “luftën” për të mbrojtur paratë e grabitura dhe për të legjitimuar vazhdimin e vjedhjes. Nuk e pranuan amnistinë fiskale. Thanë se nuk mund të amnistonin paratë e krimit të Nanos. Ca të tjerë bënin fjalë për paratë e krimit të Berishës. Dhe gjithçka u shua. Mbase politikani austriak, kur deklaroi që në politikën shqiptare nuk merret vesh kush është ëngjëlli dhe kush djalli, ka patur plotësisht të drejtë. Sepse ende shqiptarët përjetojnë varfëri të thellë dhe përjetojnë mungesë lirie, ndjejnë frikë nga njerëzit me pushtet, jo nga ligji. 

Profesor Ymeri na jep deklaratën e bërë nga Presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin  Roosevelt -1882-1945), më 06 janar 1941, për katër liritë themelore: “Ne shpresojmë të shohim një botë të mbështetur mbi katër liri themelore: e para - lirinë e fjalës dhe të shprehjes, e dyta - të drejtën që kushdo mund të nderojë Zotin sipas dëshirës dhe besimit, e treta - zhdukjen e varfërisë, e katërta - çlirimin nga frika. Vetvetiu shtrohet një pyetje e thjeshtë: Ku është klasa politike shqiptare në raport me zhdukjen e varfërisë gjatë këtyre 25 vjetëve të pluralizmit politik? Përgjigjja, po ashtu, është fare e thjeshtë: Klasa politike ka bërë ç’është e mundur për t’u vetëpasuruar, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullsisë dhe  sidomos të më shumë se një gjysmë milioni pensionistësh.(Bota Sot, datë 27 janar dhe “Zemra shqiptare”, më 28 janar 2016 | E Enjte, 28.01.2016, 08:13 PM). 

Le të reflektojmë. Shoqëria civile duhet të thotë fjalën e vet. Shqiptarët janë pjesë e Europës, por duhet ta tregojnë me vepërn dhe qëndrimin e tyre që janë me të vërtetë europianë. Asgjë nuk dhurohet, gjithçka fitohet me mund.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1