Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | MENDIMI LETRAR - I KOMPROMENTUAR

MENDIMI LETRAR - I KOMPROMENTUAR

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Saro

 

Disa argumente, por sidomos fryma e kësaj trajtese, janë përcjellë në publik edhe përmes shënimeve të mëparshme; (“Kaos në letrat shqip” dhe “Kritika e kritikës letrare”). Por mendoj se ka ende për të thënë në këtë temë. Duke shkruar “mendoj”, them se është e qartë për lexuesit e nderuar dhe kolegët që këto radhë janë shprehje e një përvoje dhe opinioni vetiak. 

Pse i kompromentuar mendimi letrar? Disa nga zgëqet e kësaj pamjeje të shfytyruar, po përpiqem t’i shpalos më poshtë. 

 

Kriza (letrare) e madhështisë

 

Në një nga filmat e tij, aktori dhe këngëtari i njohur francez Sharl Aznavur, sjell figurën e një muzikanti modest, që luante në tupan, daulle (në orkestrën e qytetit). Filmi fillon atje ku personazhi, që sapo ishte mobilizuar, e braktis luftën dhe bashkë me një mik, jetojnë për disa kohë te një vejushë. Fshati ishte i qetë, madje, kur e donte dita e çasti, bënin edhe ndonjë festë, ku luante një bandë amatore. Muzikanti ynë, ndoshta ngase instrumenti i tij i dukej gjë e vogël dhe pa vlerë, ndoshta për ndonjë motiv tjetër, bie fjala për t’u dukur, apo e kishte ëndërr, iu thoshte të gjithëve se ishte dirigjent. Dhe u bë, për ca kohë, “dirigjenti” i orkestrës së fshatit. 

Një ditë, vjen në këtë strehë një tjetër i arratisur, por që ishte vërtet dirigjent i njohur. Duke mos e ditur këtë gjë, tamburisti i shkretë vazhdonte me rrëfime e mburrje, madje duke i treguar edhe “babait arat” në muzikë. Kohë më pas, kur lufta kishte mbaruar, në qytetin dhe në orkestrën ku punonte tamburisti, vjen për vizitë dhe për të drejtuar disa koncerte, dirigjenti i vërtetë. Ndërsa ai dëgjonte orkestrën dhe shikonte muzikantët, tamburisti, i tronditur, i menderosur, luante gjithë frikë dhe përpiqej të fshihej e të mos binte në sy. Nuk i ra në sy as dirigjenti. Ngase ishte një njeri me shpirt e talent të madh; apo ngase iu dhimbs tjetri. Por pas provave, dirigjenti u interesua ku banonte orkestranti dhe i bëri një vizitë në shtëpi. E kaluan mirë miqtë e vjetër. Dirigjenti u tregua i sjellshëm dhe nuk ia kujtoi kohët kur tamburisti shiste mend; gjithçka shkoi në njëlloj paqeje, si ata e donin… 

Pak a shumë kjo ndodh me një pjesë të madhe të letrarëve dhe artistëve të sotëm. Ata të gjithë e duan veten në vendin dhe në rolin më të parë e më të rëndësishëm. Unë nuk dekurajoj askënd, por mendoj, gjithnjë mendoj, që në çdo punë ka disa parime, ka një rend, njëlloj rendi, që gjithashtu ndërtohet apo vetëndërtohet me punë. Nuk duhet lejuar që këtë pamje ta ndotin klanet, disa shtëpi botuese që zhvillojnë politika poshtëruese, apo vetë shkruesit e zellshëm e (mbi)romantikë, që s’kanë të numëruar. 


Për disa dukuri e cilësime të keqinterpretuara, 

përfshi termin mediokër

 

Duke e vijuar këtë argument, le të kujtojmë se shpesh herë shkruhet dhe flitet kundër… mediokritetit; kohët e fundit, gjithnjë e më dendur. Shumëkujt, kjo i duket si një fjalë e keqe, diçka e rëndë, ekstremi i vozitjes së dobët letrare. Dhe kështu, të gjithë turren të “distancohen” nga kjo murtajë, ndërkohë që ajo tashmë i ka kafshuar krejt; së paku shumicën…

Fjalët janë pak të rënda, por besoj, të drejta dhe drejt duhen kuptuar. Mediokre quhet diçka e rëndomtë, e vakët, dosido, diçka që nuk sjell më të mirën në art. Por s’mund të thuash se është shkruar keq. Absolutisht jo. Në pamje të parë, një krijim mediokër është qëndisur mirë, ka njëlloj paqeje me artin, në vijat kryesore. Por prapë mbetet një prurje, le të themi, mesatare ose më pak se kaq, pa ndonjë gjetje të veçantë, që mezi lexohet, më në fund nuk shkëlqen, apo më mirë, nuk do të shkëlqejë… Po përmend romane: “Nën hijen e blireve” dhe “Xha Gorio”. Romani i parë është një vepër sentimentale, rrëfim i rëndomtë; i dyti është një gjetje e madhe, anipse pak e “frymëzuar” nga “Mbreti Lir”, (i cili gjithashtu arratiset nga bota dhe të bijat). Xha Gorio i Balzakut jeton në një pension (motel) të mjerë, i vetëm, pothuaj i fshehur, larg vajzave të tij, të cilave nuk do t’ua prishë “reputacionin”; por ndërkohë, ai i ndihmon dhe vuan për ato në një fshehtëzi e ndrydhje, që është sa për të qeshur, aq edhe mjeruese; plaku është pjellë dhe interpret i një drame që vetëm ai di ta ndjejë siç duhet, deri në qelizën e fundit të gjakut. Libri pasqyron një epokë të caktuar, prirje dhe dukuri që prekin shtresa të gjera, vizaton mjedise dhe karaktere që përcjellin përvoja të rëndësishme dhe kështu, falë edhe gjetjes së rrallë, ka kapërcyer shekuj. 

Më më fund, që të ftillojmë edhe më termin mediokër, që përdoret gabim, duhet të themi se është krejt tjetër gjë një e shkruar dobët, e vendosur në skema të stërnjohura, e lënë pasdore në trajtesë dhe gjuhësisht, me përsëritje a kopjime, me dufe dhe psherëtima të tepruara, e fërguar në lloj-lloj epitetesh, që në fakt janë arma stilistike më e preferuar në kësi raste. Kjo gjë s’mund të quhet mediokër; është thjesht tentativë, përpjekje, për hir të pasionit, të dëshirës për të shkruar, njëlloj zbrazjeje, rrëfim si të vijë, i disa ngjarjeve, ideve a kujtimeve, pa marrë përsipër shumë përgjegjësi artistike.(Këndon fjalët që s’duhen...Xh. Xhojs)

 

Recensione me porosi apo me… shkëmbim në natyrë

 

Çdo ditë shohim recensione që ngrenë lart, shumë lart, autorë pa asnjë vlerë; (çudi si nuk iu merren mendtë). Ka asish që e thonë hapur në rrjete, në autoreklamat që i bëjnë vetes, e thonë, pra, që bëjnë redaktime, recensione… me pagesë. Merret me mend çfarë (s’) mund të shkruajë dikush që e kanë paguar. Ndonjëherë pagesa bëhet si një shkëmbim në natyrë. (Gjendet mundësia për ta kthyer “nderin” me një recension ku sërish lëvdatat nuk reshtin.) 

Së pari, nuk do të merresha me këtë argument nëse nuk do të shikonim që këto recensione përdorin një gjuhë që të habit: Meteor në letërsi, prozator brilant, poet i qiellit dhe i tokës; madje edhe më shumë se kaq: mbret, princeshë, i shquar, gjeni, etj. Së dyti, mund të lexosh qoftë edhe pak radhë apo disa poezi nga libri i lëvduar dhe mund të konstatosh që fjala është për një tentativë letrare, e shpjeguar tashmë më lart, pra për një të shkruar të dobët, pa gjetje, pa frymëmarrje, me gjuhë të thatë, me gabime (sintaksë, drejtshkrim, pikësim) madje edhe me shumë gabime teknike. Pra, krijimi, tentativa, bashkë me të edhe i zoti i saj, por edhe lëvdonjësi i tij, gjithashtu, nuk kanë asgjë të përbashkët me fjalët e mëdha; përkundrazi, janë shumë larg një… standardi të pranueshëm letrar dhe gjuhësor.

Nëse duhet të jetë një profesion i tillë, i dikujt që shkruan recensione apo prezanton autorë, lipset që kjo të vendoset mbi një truall rregullash. Në botën e përparuar, janë agjentët letrarë që lidhin krijuesit me shtëpitë botuese. (Pak a shumë si në sport, kinema, etj.) Por këta, janë njerëz me një formim të caktuar, që e njohin mirë letërsinë, disa nivele të saj, kërkesat e lexuesve, të enteve botuese, tregun. Dhe kur marrin përsipër të përcjellin një autor, medohen mirë, sepse kjo ka të bëjë me reputacionin e tyre. Kurse në “botën” tonë të vogël - pa ia mohuar edhe asaj vlerat, përparimet, emrat e spikatur - ata që duan të merren me këtë punë, janë shndërruar në zanatçinj. Për më tepër, ka prej tyre që shkruajnë edhe vetë me gabime, me gjithfarë gabimesh, pa marrë në sy termat e “rënda” si ato që u zunë goje më lart.

Është e turpshme të shkruash këso apo të bësh lista me autorë të paafirmuar e shpesh grafomanë; më e pakta, vetëm e vetëm pse je paguar, a të kanë dhënë ty qofte apo një pjatë gjellë; më e shumta, vetëm e vetëm pse të bëjnë qejfin. (“Mendimet e tij zor se ngriheshin më lart se laureshat.” Ç. Dikens) Dhe që t’i vëmë një pikë, nuk bëhet kështu letërsia.

 

Vlerësimet vanitoze dhe çmimet e shumëllojshme apo speciale

 

Në këtë vijë, shkojnë pak a shumë edhe punët e vlerësimit të intelektualëve e krijuesve, dekorimet e tyre, dhënia e çmimeve, etj. Për fat të keq, “biografia”, animi i dukshëm, orientimi politik, madje edhe ai ideologjik, si edhe dikur, po krijojnë një precedent përkohësie. Presidentët e Shqipërisë, veçmas ai që e ka lënë detyrën disa muaj më parë, kanë qenë mjaft dorëlëshuar me dekorimet, por duke anuar së pari nga biografia e krijuesve. Mjeshtër i Madh! Për një të tillë kam shkruar tani afër, duke treguar se si zotëria e tij derdhte lotë dhe bënte të dëshpëruarin (për një figurë të respektuar të historisë dhe letërsisë) më shumë se vetë të afërmit e saj (!) Uriah-Ip!… 

Mjeshtre e Madhe! Lexoje dhe do të shikosh që shkruan në mënyrën më të rëmtomtë, madje me gabime gjuhësore; dhe kupto çfarë i sjell letërsisë: vlera apo bërsi? E përsëris: Është fjala për biografinë? E vlerësoj, por gjeni një tjetër motivacion për t’i nderuar. Letërsi që nuk e lexon askush, letërsi pa lexues, letërsi mediokre, në mos e dobët, tentativë, siç u tha më lart; këto nuk ka pse të prodhojnë tituj e ndere së koti. Pasioni le të jetë pjesë e jetës së protagonistit a protagonistes; nuk ka pse të imponohen institucionet për subjekte që rrinë te mesatarja ose edhe më poshtë. 

E njëjta histori pak a shumë me çmimet letrare, ato të rastësishmet dhe ato “zyrtare”. Sa i takon të parëve, mund të themi se në të gjitha hapësirat ku shkruhet, jashtë dhe brenda vendit, botohen “ant(i)logji”, bëhen festivale pa fund dhe jepen çmime me gjithfarë motivacionesh - ndonjëherë prapë duke paguar, aq sa të vjen vështirë që edhe ti shkruan - nga lloj-lloj gjysmashoqatash, nga emërtime e blogje fantazmë, nga klube amorfe tallava e deri nga individë që mëtojnë të jenë institucion… Një kakofoni e pashoqe. 

 Nuk është më serioze dhe më zyrtare as pamja e çmimeve“zyrtare”. Me ndonjë përjashtim, ato janë klienteliste, të orientuara klanesh, miqësish, fiksimesh, sikundër ndodhi së fundi në Panairin e Librit me një (të ashtuquajtur) novelë për fëmijë: as gjetje, as krijim, as letërsi, por vetëm njëlloj monografie e letrarizuar (për një emër të nderuar, por duke u shtrirë në politikë për fat të keq). Vlerësime dhe çmime dhe të tilla, përfshi edhe përmbledhje të palota dhe pa përzgjedhje serioze të ndonjë shtëpie botuese që gjithnjë ka ditur të gjejë fonde (ku të mundet) për t’u pasuruar, asfiksojnë letërsinë e vërtetë, trillin, dhe na kthejnë prapa, në kohët kur në të përgjithshmen, çdo vlerë buronte nga miqësia, klani, biografia apo pozita shoqërore…

Kështu, edhe duke zbritur nga lartësitë e ulëta të institucioneve të shtetit, te enteve botuese gjithashtu, koteceve private po se po, tashmë i kompromentuar edhe në këto aspekte,mendimi letrar, si ndonjë shtegtar që nuk gjen dot folenë, vuan në një ajër që po i mbyt letrat shqip.

 

“Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.” (Pushkin)

 

Jemi pak a shumë po në këtë precedent a prirje. Ka një numër krijuesish që nuk kanë botuar apo s’janë bërë të njohur sadopak përpara viteve ‘90; shumë prej tyre sot gjenden në eufori; mendojnë se Bota u ngjiz atëherë kur nisën të shkruajnë a të belbëzojnë ata… Këtu, sipas mendimit tim, kemi dy pamje. E para, ngritja në kult e disa shkrimtarëve a poetëve që patën raporte problematike me pushtetin e vjetër. (Miti i biografisë sërish.) Krahas të drejtës së Zotit për të gjetur të vërtetën, ç’është më e keqja, ata dhe dishepujt e tyre përpiqen të shtyjnë tutje të tjerët; dhe kjo bie erë të keqe. Mund të thuash çdo gjë, por duhet të dish se ndoshta asgjë nuk ke thënë. Thjesht ke zbrazur një duf. Kur lexuesi rri ftohtë, kur entet botuese në rajon a në botë nuk qasen, kur kineastëve s’iu ngjall as emocion, as frymëzim, etj., domethënë që vepra është e rëndomtë.

Pamja e dytë ka të bëjë me më të shumtët e atyre që, pa të keq, u quajtën “të vonuar” dhe që shkruajnë e publikojnë pareshtur. Mbaj mend, një prej këtyre autorëve, vinte gjithnjë me skicat e tij në një gazetë ku kam punuar në mesin e viteve ‘90. Dikur, lexova se ai kishte botuar përmbi 40 libra (?!) Nuk më takon mua të paragjykoj numrin e botimeve dhe vërshimet vetiake, të kujtdo, sadoqë nga letërsia e mirë na vijnë shembuj vetëpërmbajtjeje shembullore; (për të mos shkruar e publikuar vend e pa vend). Por personalisht, edhe atëherë, edhe sot, ky autor nuk më ka tërhequr aspak. Nuk kam të drejtë t’ia ndal zellin për të shkruar; por them se ai dhe shumë të tjerë si ai, duhet të zbresin nga tempulli imagjinar. 

Mendoj se duke përjashtuar disa autorë seriozë, që kanë folur e shkruar me dinjitet, në përgjithësi taboret e shkruesve diletantë të “vonuar” - megjithë pretendimet për “pengesat” e kohës e të rendit - edhe tani, pak ose aspak na kanë treguar. Si përherë, aradha krijuese e botuese, dje dhe sot, vetëm sa bën tym e mjegull dhe shkatërron shijet, tregun dhe durimin e lexuesve. Atë që nuk ua bie dot talenti, përpiqen ta përcjellin në publik e ndër institucione me sulme, mburrje e vetëmburrje, por sidomos duke bërë rolin e snobit që… s’i hyn në sy asgjë, sepse, e thamë: tani vonë është ngjizur Bota…

 

Qasje për zgjidhje e zgjedhje

 

Shkoi shumë kohë duke botuar e duke u shfaqur për të nxjerrë merakun… Pothuaj tri dekada. Mendoj se është momenti për të reflektuar dhe për të kërkuar ndonjë alternativë më të mirë se sa amullia dhe ndotja letrare. (“Mësojmë duke u zbrapsur...” E. Dikinson) Ligji, Shteti dhe Të Drejtat e Autorit duhet të detyrojnë shtëpitë botuese dhe entet e tjera, të paguajnë autorët. Artistët në tërësi. Nëse një punë shfaqet, ekspozohet apo publikohet, duhet të paguhet, pavarësisht diskutimeve për çmimin. Paralelisht me këtë rregullim ligjor, shtëpitë botuese dhe entet e tjera duhet të rekrutojnë ekspertë, agjentë letrarë të licensuar; kështu vepron bota, pjesa tjetër e botës e kisha fjalën. Ekspertët letrarë mbrojnë veprat që meritojnë vëmendjen e lexuesit dhe që janë në një nivel të pranueshëm, konkurues: si gjetje, si stil, si gjuhë e drejtshkrim. Nëse iu duhet të paguajnë autorët, entet botuese nuk do të jenë të interesuar të botojnë çdolloj grafomanie; përkundrazi, me shumë gjasa, ato do të pranojnë vetëm atë krijimtari që i përgjigjet nivelit real bashkëkohor dhe kërkesave të tregut. 

Botimet e lira dhe sporadike, dobësitë vetiake, etj., janë një fushë në të cilën gjithashtu mund të ketë rregullime ligjore. Nuk mund të them se kaq dhe shkon mbarë puna. Por mund të përmbysen shumë praktika qesharake, ndoshta edhe revista, gazeta e shtëpiza botuese që mbahen me paratë e mjera të shkruesve. Pompozitetit dhe grafomanisë, i duhet një leksion, që mandej të ketë njëlloj drejtësie a qartësie për të pasur në fokus emra dhe vepra më të spikatura dhe për të shkuar më bindshëm deri te kritika letrare apo vlerësimet dhe çmimet letrare. 

Përveç rregullimeve ligjore, mund të vlerësohen edhe alternativa të tjera. Teknologjia e sotme, programet kompjuterike, ashtu siç kanë bërë të mundur lulëzimin e gjithfarë “gjenive”, por edhe marifete botuese e përfituese, po ashtu ofrojnë mundësi për të kuptuar çfarë lexohet, çfarë është e pëlqyer dhe vlerësohet nga lexuesit. Për shembull, mund t’iu besohet më shumë studentëve të fakulteteve ku zhvillohet gjerësisht letërsia… së paku për të përzgjedhur veprat letrare të botuara, përpara vlerësimeve a dhënies së çmimeve më serioze. Po ashtu, përzgjedhja e librave më të mirë për fëmijë e të rinj, mund të bëhet nga mësuesit dhe nxënësit e shkollave, duke na treguar çfarë lexohet dhe pëlqehet realisht, ndryshe nga sa mund të mendojnë e vendojnë dy-tre snobë të përzgjedhur me qasje spontane e klanesh në Tiranë.Shpesh, ata, së bashku me zyrtarë dhe botues që kanë bërë paktin me Djallin, duke e nuhatur paranë po si ai, sajojnë botime të padrejta dhe shkëmbejnë çmime e ndere në një mënyrë tejet fyese për pjesën tjetër të krijuesve, (që nuk kanë mundësi, informacion apo thjesht nuk duan të ngatërrohen me ta). 

Më e pakta, një parashtrim i tillë, ndoshta do të bartte disa rezultate më bindëse. Mbi këtë support, mund të mbështeten pastaj edhe vetë institucionet, juritë, pse jo edhe kritika letrare. Dhe publikut mund t’i përcillet krijimtari me vlera të qenësishme. Më në fund, tregu dhe mediet, pse jo edhe shumë rrjete ku sot bëjnë “ligjin” bashibozukët e letërsisë, mund të pastrohen disi; dhe kështu, disi mund të shkojë drejt zbutjes kriza e të shkruarit, e të lexuarit dhe e të vlerësuarit. 

Comments (2 posted):

Petrit Malushi on 08/05/2018 19:50:11
avatar
Pershendetje Vangjush !
Shkrimi eshte real dhe gjithcka qendron.
Me "bisturi" ke hapur "vatrat e infektuara", por druaj se "talenetet" dhe "gjenite" nuk terhiqen nga planet e tyre. Me shume respekt Petrit Malushi
Vangjush Saro on 08/05/2018 23:46:24
avatar
I nderuar Petrit, te falenderoj; per vemendjen dhe per cdo fjale te mire. Sigurisht, pak argumente kam per te "kundershtuar" vazhdimin e ketij shkrimi ne ato pak fjali te tuat, shkruar me pergjegjesi, edhe pse me pak pesimizem. Nje shoqeri e hapur veshtire te pranoje rregulla strikte, por e ka per detyre te inspiroje publikimin e vlerave, pra duam s'duam, duhen vene e respektuar disa rregulla... Uroj mbaresi per ty.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.20
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1