Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | Si u dogj "Koha Jonë" në mesnatën e 2 Marsit.

Si u dogj "Koha Jonë" në mesnatën e 2 Marsit.

Font size: Decrease font Enlarge font
image Aleko Likaj

Si u dogj "Koha Jonë" në mesnatën e 2 Marsit.

Mars 97


Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend, se pikërisht, në atë mbasdite të 2 Marsit, do ta shihja për të fundit herë redaksinë tonë, në rrugën "Qemal Stafa"

Kisha udhëtuar nga Elbasani që në mesditë me makinën e një mikut tim fotograf, Spiro Zhupës, i cili i lante dhe i përgatiste fotot tek dyqani i Lulit. Aty, pranë ish "Florës" së vjetër, në qendër të Tiranës. Me vete kisha sjellë edhe një foto të rrallë, të bërë poshtë kodrës së "Tepës", pranë Urës së Zaranikës. Ishte një " shtëpi " prej plasmasi, ku jetonin që nga muaji Nëntor, një familje me një fëmijë. Kishin shitur shtëpinë, aty në lagjen " Haxhias ", dhe paratë i kishin futur në një prej firmave piramidale.

Priste që të merrte gati tre fishin e depozitës. Aq ishte " kandari " i piramidave në atë periudhë. Natyrisht, që kishte bërë edhe sakrificë duke jetuar që nga fillimi i dimrit, nën cipën e holle të një plasmasi, që përdorej zakonisht për sera ngrohje. Afati kishte kaluar, pasi hallexhiu, duhej që ti merrte paratë që në muajin Shkurt. Fillimi i protestave, e deklarimi zyrtar i rrëzimit të tyre, e kishte bërë ish puntorin e metalurgjikut të ardhur nga Fieri, që ta vuante kësisoj dramën, në një mënyre tepër tragjike.

Natyrisht, që së bashku me foton e rrallë, unë kisha realizuar, edhe një interviste, e shkrimi mendoja se, mund që të zinte një faqe të tërë. Ai realisht, kishte mbetur e jetonte buzë Zaranikës, nën qiellin gri të atij dimri të ftohtë. Pa asnjë shpresë. Si një asket i përvuajtur. Gjithëçkah që kishte pasur, i kishte depozituar. Ndjehej i mashtruar. Me lot ndër sy më kishte treguar në detaje historinë e tij, të gruas, dhe djalit 5 vjeçar. Shpresonte tashmë tek një emigracion, në Greqi, që " nuk dihej se ku, do ta kishte tymin "

Zamir Alushi, që bënte në atë kohë shefin e kronikës, më përcolli deri në fund të koridorit të katit të dytë. Poshtë. Po më priste Spiro fotografi me volksvagenin e tij përtej kangjellave. U përshëndeta edhe me rojen që bënte vazhdimisht shaka me ne të posaardhurit nga rrethet, duke na kujtuar batuta nga shkrimet tona. Dola në rrugë.

Kthimi për në Elbasan ishte i shpejtë. Nxituam, pasi vendi ishte në shtetrrethim, në   Gjëndje të Jashtëzakonshme. Madje, ajo sapo ishte shpallë në Parlamentin shqiptar. Kjo, për ne gazetarët e "Koha Jonë", ishte diçka më shumë. Një kolegu im në jug pak ditë më parë, kishte qenë për disa orë nën shoqërinë e policëve. Ata donin të nxirrnin ndonjë kunj nga porositësi, që mund të ishte edhe jashtë rradhëve të tyre…

Mbrëmja na zuri buzë kalasë së qytetit. Nën reflekset e natës, ngjante me një dinoseaur gjigand e memec, që kishte ngulur kthetrat aty. I heshtur e mistik, sikur vinte nga një kohe përtej mjegullës të pesë shekujve që lamë pas, si një kujtim, e një vegim që nuk duhej haruar. Si zakonisht piva një kafe në qëndër, tek " Bar Artisti ", selia jonë e vjetër. Së bashku, me Tomor Jolldashin u nisëm për në shtëpi. Ishim komshij, në dy lagje përballe.

Në mëngjez nuk i besoja më veshëve, ndërsa dëgjoja nga nje radio e huaj për djegien e "Koha Jonë" 

-Nuk është mirë që të shkosh atje - më tha një kolegu im në qytet. - Me siguri kaos, dhe nuk ke për të gjetur njeri, a kolegët e tu. A e kupton që ka dorë shteti, tek ju? Njerëzit në këto momente, nuk dinë ku kanë as edhe kokën...

Qafa e Krrabës ishte bërë, e pakalueshme. Shoferët që vinin nga Tirana tregonin se, në shumicën e rasteve, ishin bërë preh e grupeve që vendosnin gjoba atë mbrëmje. Një grua ishte përdhunuar, aty afër kilometrit 29-të, ku ndahet Elbasani me kryeqytetin. E kishin sjellë në qytetin tonë. Thuhej se ishte nga Korça. Pasagjerët e një furgoni të Elbasanit, tek vëndi i quajtur " pishat ", kishin ngritur duart përpjetë, për të zbrazur xhepat në llogari të dy maskave të zeza, që i kishin ngritur pusinë.

Frika tashmë kishte zënë gjithë shoferët e furgonave taksi. Ata që kishin qenë një natë më parë viktima, në atë segment rrugor, ishin tej të tronditur. Nuk guxonte njeri. Pasagjerët vinin aty, e kur merrnin vesh ndodhitë me grabitje, ktheheshin. Ata, që u duhej të ishin në kryeqytet, i u drejtuan trenit. Ky i fundit e bënte atë distancë, rreth 5 orë, por kjo për të vendosurit, ishte gjysma e së keqes.

Telefonat që deomos nuk punonin tek "Koha Jonë". Bisedova me dy kolegë tek "Albania" dhe "Gazeta Shqiptare". Të nesërmen në mëngjez, mora rrugën, për në Tiranë. Udhëtova nga Durrësi.

Pamja ishte pikëlluese. Shkrumbuar gjithëçkah. Vizitova katin e dytë. Hyra në sallën e gazetarëve .Mure të sterosura, dhe kompjutera të djegur e të shkrumbuar. Edhe dyert gjithashtu. Në gjysmën e një tavoline, në sirtarin e vetëm që kishte shpëtuar, gjeta dhjetë a dymbëdhjetë disketa, që në fakt ishin të paprishura, dhe që i kishin shpëtuar rrëmbetit, i cili kishte kaluar dy net më parë, në të gjithë godinën tonë. Me siguri, materiale që kanë qenë të disponuara për kompjuter, e ndoshta për numrin e ri që nuk mundi të dalë në 3 Mars. Ato, ende i ruaj, edhe sot e kësaj dite. Aty ishte edhe plani i disa faqeve të politikës, e të kronikës, si dhe atë të kulturës e sportit.

Ndjehej një erë e athët që të kujton acidin. Në se do të mund të qëndroje gjatë në dhomë, edhe pse ajri frynte në dritaret e djegura, të shkatëruara krejt, ishte e pamundur të duroje atë aromë athtësie.

Ndërsa zbrita poshtë, ku ishin zakonisht zyrat si dhe redaksia e gazetës " Sport Ekspres ", gjeta Nikollën dhe Esat u Çuçllarin. Ky i fundit, filmonte me kamer, duke fiksuar gjithçkah kishte mbetur aty. Sapo kishin ardhur. Në një moment, botuesi mbështeti ballin mbi dorën e vendosur në murin që e kishin lëpirë flakët, aty ku kishte qenë zyra e financës.

- Po si mund që ta bënin këtë krim ?- tha ai, e në çast ngashëreu. Sytë e vegjël të Nikollës, si të bajames, ishin të lagur. Pastaj, u kaloi dorën flokëve, dhe një cullufe që ishte rrëzuar mbi ball.

Esati doli nga dhoma me aparatin në krah, dhe ngjiti shkallët për në katin e dytë. Nuk donte që të rrinte aty. Mbase, nuk donte që ta shihte Nikollën, në një moment dobësie. Vërtetë që më erdhi keq...

Ndërkaq, mbriti aty një prej shoferave të tij, së bashku me Ben Blushin, që kërkonte ti transmetonte diçka. Nuk ishte Anesti. Ai ishte keqtrajtuar, dy netë më parë në këtë godinë, ndërsa kishte ardhur pak kohë përpara, se të përfundonin flakët. Kishte gjetur zjarrvënësit. Pastaj policia. I rrahur dhe i keqtrajtuar ç'njerëzisht. A thua, që shteti kishte nxjerrë kunjin, me të pafajshmin Nesti? Roja kishte patur një fat më të hidhur. I lidhur, pasi ishte rrahur si një kafshë e vërtete, sipas që të gjitha rregullave inatçore, ishte gjetur diku nga Dajti, vetëm pak orë më parë. Flitej edhe për gazetarin Zamir Dule, i cili ishte ndodhur atë natë makthi në redaksi

Beni dukej i shqetësuar. Godina ishte e heshtur, dhe në dhoma përveç erës së përzhitjes, së aparateve e moblave, që paisnin dikur ambjentet të djegura e të shkrumbuara, ndjeje një zymtësi të frikshme. Një fllad Marsi së bashku me të ftohtin e Dajtit, hynte e dilte në hapsirat bosh të godinës

Blushi arriti ta nxjerrë Nikollën në sheshin e boshatisur, përpara godinës, e diçka filloi të tregonte. Mbase, kishte të bënte me vetë ngjarjen e kobshme, të dy netëve më parë

-Të zbresim - më tha Esati

Morëm në heshtje shkallët, që të nxirrnin tek dera e hyrjes poshtë në katin e parë. Në një moment, Esati, desh humbi ekujlibrin, duke shkelur në një perçiklas gjysëm te djegur. Pastaj së bashku i zbritëm një nga një. Natyrisht me kujdes. Gjurmët e flakëve ishin edhe aty

-Kam më shumë se tridhjetë minuta rregjistrim - i tha kameramani Nikollës. - Kasetën mund që ta mbash e ta ruash mirë. Në fakt, vënde të sigurta nuk gjen sot, jo. - dhe qeshi.

Unë e njihja prej vitesh Esatin, kur punonte për TVSH, në rrethin e Librazhdit. Tani i papunë, e që shpresonte, vetëm tek ndonjë dasmë. Por edhe ato mungonin tashmë. Nuk i a kishte ngenë njeri më atyre. Njeri gazmor dhe i shakasë. Gjithmonë në ambjetet tona bënte humor, në dialektin e Korçës. Ishte si të thuash, jo vetëm i pëlqyeshëm, por edhe një shok i mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kështu e kam përcaktuar gjithmon në shoqërinë tonë

- Kaq telashe sa u ke hapur ti, zor se shpëton, pa ndonjë gjëmë të dytë.

Nikolla e shikoi drejt e në fytyrë, si për ta "blerë".

- Mos e kthe në humor, Esat, të lutem. Nuk është koha sot.

Ben Blushi ishte larguar me makinën që e solli. Nikolla Lesi kishte mbetur i vetëm përsëri në obor. Asnjë nga listorganika e "Koha Jonë", nuk ishte më aty. Për një pjesë të tyre, thuhej se ishin ndaluar, në polici. Roja ende nuk ishte aty. Atë detyrë, e kishte marrë përsipër një tjetër, që nuk dihet se kush i a kishte rekomanduar Nikollës. Ai i vërteti, dihej se ku kishte përfunduar. Esati më tha me zë të ulët, se mbase ai, mund që ti kishte njohur njerëzit e natës, që erdhën e i vunë flakën gazetës. Flitej se ishin derdhur disa bidona me benzinë, që i kishte sjellë në terrin e natës, për njerëzit që kishin marrë përsipër misionin e djegies së gazetës, një furgon i cili kishte qëndruar disa metro, më poshtë në rrugë.

Në katin nëndhe, kishte edhe disa dhoma, ku flinin një grup gazetarësh. Atë natë të zjarrvënies, kishin shpëtuar, edhe tre prej tyre. Gazetari Zamir Dule ishte zhdukur. Për të thuhej, se ishte lançuar nga zjarrvënësit, dhe që identifikoheshin, me segmente të caktuara të SHIK ut. Për të tjerët nuk dihej ndonjë gjë e saktë Policia, ende nuk i kishte thërritur, për të dëgjuar dëshminë e tyre. Mbase nuk i interesonte, sepse mund që edhe ti dinte emrat e atyre, që vendosën flakët.

Sidoqoftë, afër mesditës, Nikollën erdhën dhe e moren me një makinë policie. Nje burrë i trashë me tipare të zeza, qëndroi tek dera e jashtme e godinës. Me sa duket, i dha të njohur botuesit.

Me Esatin, kishim qëndruar brenda në koridorin e zbrazur, ku era vazhdonte të na sillte arome thartire. Në një moment, Nikolla qëndroi në mes të oborit, dhe u kthye nga ne.

- Ju faleminderit - na u drejtua.- Do të shihemi së shpejti Aleko. Lajmëro edhe kolegët e tu të rretheve. Do ta nxjerrim sërish gazetën. Dhe, do të bëjmë më të mirën, më profesionalen. Do të luftojmë, dhe do të fitojmë, mbi dhunën...

U duk që u emocionua shpejt. Fjalët e fundit, tingëlluan me një ngarkesë, që e ulën tonin e krejt frazës.

Më mbeti në mëndje ai moment, dhe në ngjarjet e mëvonëshme. E kam konsideruar gjithmonë, si një premtim që po mbahej, edhe pse tashmë gjithë stafi e botuesi i "Koha Jonë", e kishte paguar tepër shtrejtë në anën morale, por edhe në atë materiale. Nikolla ishte njeriu, që ëndëroi të " krijojë " shkollën e vërtetë të gazetarisë, në periudhën post-komuniste. Për të bërë të ndryshmen, nga ajo që ishim mësuar, për afro një gjysëm shekulli, ku jeta jonë paraqitej në të kundërtën e saj, sikur rridhte mjaltë.

Nikolla Lesi e gjeti sërrish kurajon. Tridhjetegjashtë ditë më vonë, me të njëjtin staf, në 11 Prill, gazeta "Koha Jonë" është " rrinxjerrë nga shkrumbi e nga flakët, ku e kallën forcat e errësirës, për të shkuar përsëri tek lexuesi, që e konsideronte në atë periudhë, pa asnjë mëdyshje, si " kryegazetën e ditës ". Këtë herë, botuesi në faqen e fundit, nuk kishte nguruar për të shënuar gjithë stafin, dhe emrat e gazetarëve në rrethe. Mbase për sfide.

Mbase ...

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1