Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | A PËRBËN VEPËR PENALE DEKLARATA RACISTE E MJEKUT E.K.?

A PËRBËN VEPËR PENALE DEKLARATA RACISTE E MJEKUT E.K.?

Font size: Decrease font Enlarge font
image Abdurahim Ashiku

A PËRBËN VEPËR PENALE DEKLARATA RACISTE E MJEKUT E.K.?

Një pyetje për prokuroren e përgjithshme dhe juristët që i dinë mirë nenet e Kodit Penal.

Sikur të mos kishte deklaruar publikisht se “e kam më të lehtë të mësoj gjermanishten se sa gegërisht”...
Sikur të mos e kishin vënë në kryeshkronjë gazetat e përditshme dhe portalet...
Sikur thjesht të kishte “folur me vete” për një zgjedhje personale punësimi...
Do të heshtja...
Është zgjedhje e tij që të mos shkojë në Peshkopi...
Ai studioi për 12 vjet me paratë e taksapaguesve shqiptarë në Petrograd e Moskë, u bë mjek, madje u specializua për kirurg...
Por kur thotë: “e kam më të lehtë të mësoj gjermanishten se sa gegërisht”, gjërat ndryshojnë.
Këtu kemi të bëjmë me racizëm, me përbuzjen e të folmes së dy të tretave të Shqipërisë nisë nga Elbasani në Tiranë, Shkodër, Dibër, Kukës e më tej në Ulqin, Tivar, Pejë, Prishtinë, Gjakovë, Prizren...Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Shkup e tej e më tej në Preshevë e Bujanofc... ku bukës i thonë bukë e ujit ujë.
Dy të tretat e Shqipërisë, shqiptarëve etnikë në trojet e tyre sa askush nuk e mban mend dhe askush nuk ia ka gjetur rrënjët e trojeve dhe jetesës, flasin gegërisht ashtu siç ka folur Ndre Mjeda, Fishta, Bajram Curri, Vaso Pasha, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka, Haki Stërmilli, Josif Bagëri ...
E dini se si i këndon gjuhës shqipe Fishta në gegërisht?
Lexojeni doktor se aq bukur tingëllon sa i dreth deri në këputje telat e lahutës...

Porsi kanga e zogut t'verës, 
qi vallzon n'blerim të prillit; 
porsi i ambli flladi i erës, 
qi lmon gjit e drandofillit; 
porsi vala e bregut t'detit, 
porsi gjâma e rrfès zhgjetare, 
porsi ushtima e nji tërmetit, 
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare. 
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë, 
porsi gjumi m'nji kërthi, 
porsi drita plot uzdajë, 
porsi gazi i pamashtri; 
Pra, mallkue njai bir Shqyptari, 
qi këtë gjuhë të Perëndis', 
trashigim, që na la i Pari, 
trashigim s'ia len ai fmis; 
edhe atij iu thaftë, po, goja, 
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; 
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja, 
flet e t'veten e lèn mbas dore. 
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini, 
gegë e toskë, malci e qyteta, 
gjuhën t'uej kurr mos ta lini, 
mos ta lini sa t'jetë jeta, 
por për tê gjithmonë punoni; 
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej, 
fisi juej, vendi e zakoni 
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej, 
Nper gjuhë shqype bota mbarë 
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini, 
ka me ju njohtë për shqyptarë; 
trimi n'za, sikurse jini. 
Prandaj, pra, n'e doni fisin, 
mali, bregu edhe Malcija 
prej njaj goje sod t'brohrisim: 
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!

Po Naim Frashëri e din si shkruante?

Pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’ edh’ e lirë,
Si gjuhë perëndie...

Po Ndre Mjeda ?

Përmbi za që lshon bylyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
për mbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemrën ma ngushëllon.
...................................
Geg’ e tosk’ malsi jallia,
jan’ nji komb, m’u nda s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon

Po Hil Mosi?

Gjuh’ e ambël, gjuh’ amtare,
je e ambla gjuh’ shiqptare!
Gjuh’ e nalt’ për Perëndi,
Gjuh’ e ambël, plot dashtni!

Gjuh’ e shenjt’ e kaq e moçme,
Gjuh’ sokole der n’dit t’soçme
Shoqen tande kund s’e gjen
Kshtu gjithmon’ ti ke me qen

Po...?

Doktor E...!
Po ta përsëris të “përkthyer për ty”

Gegë e toskë malësi jallia,
janë një komb, mu nda s’duron;
fund e maj’ një është Shqipëria
e një gjuhë’ të gjithë na bashkon.

Ti nuk e kuptove doktor se “Gegë e toskë janë NJË”, nuk e kuptove se “Një gjuhë të gjithë na bashkon”.
E si ta kuptoje?
Ti, siç thotë Mjeda u rrite “ Ndër kombe tjera, ndër dhera tjera”, ku mësove “gjuhë të bukura me themel”, por nuk kuptove se gjuha e nënës tënde “t’tanave iu del”


Ke bërë faj doktor kur the
“e kam më të lehtë të mësoj gjermanishten se sa gegërisht”.
Kjo përbën krim doktor, urrejtje dhe racizëm.
Për këtë duhet të ndëshkohesh.
Nuk do të kërkoj privim lirie. Nuk jemi vend aq komod sa një njeri që ka studiuar dhe është specializuar për kirurg në një shkollë të madhe botërore, t’i hiqej e drejta e profesionit.
Ti, me vendim gjykate duhet të shkosh mjek në Dibër.
Kur të të mbarojë dënimi me siguri do të thuash me fjalë tuajat atë që kanë thënë dy njerëz të mëdhenj të historisë që për pak kohë jetuan “Universitetin e Dibrës”.
...“Unë kam mbaruar Universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës“ shkruan Reginald Hibbert...

... “Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe të ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford“ – shkruan Julian Emery.

Se kush janë Reginald Hibbert dhe Julian Emery librat e tyre i gjeni edhe në shqip.
Dhe në mbyllje një deklaratë nga
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e Shenjta Nënë Terezë, Nderi i Kombit,  në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979... “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”
Në Oslo ajo do të shkruante në dialektin e saj të lindjes “Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar...”

 

Abdurahim Ashiku

Athinë, 13 janar 2018

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1