Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | TEMA | NJË REPUBLIKAN MODEL SI FAN NOLI 06.01.1882-13.03.1965

NJË REPUBLIKAN MODEL SI FAN NOLI 06.01.1882-13.03.1965

Font size: Decrease font Enlarge font
image Safet . N. Ramolli

 

 

Mbetet shëmbëlltyrë e një republikani model; pati për idhuj dhe bashkëpunëtorë republikanë demokratë si vetë Ai; deluzionizmi tek Noli ishte çështje momentale.

 Studjuesit dhe kritikët e Nolit pohojnë njëzëri se ai mbetet një figurë mjaft komplekse, e pasur dhe e pastër me të gjithë komponentët: publicist i spikatur, diplomat mbresëlënës, shqipëronjës i rrallë, orator i zhdërvjellët, poet i elegjisë, historian kontemporan, burrë shteti i kompletuar, poliglot potent, shërbëtor besnik e i dijshëm i fesë, atdhetar i ndjerë, bashkëshok e bashkëluftëtar shëmbullor etj. etj.

  Disa personalitete të kohës, por edhe më vonë e epitetuan “Peshkop i Kuq”, sidomos pas një vizite që realizoi në Rusinë Sovjetike të pasvitit 1917, edhe pse kjo me indicie në kuadrin e përpjekjeve diplomatike për të garantuar njohjen e shtetit shqiptar sidomos nga Fuqitë e Mëdha. Por edhe qëndrimi dashamirës i tij ndaj regjimit shtetëror në Shqipëri në vitet 1945-1950, duket se ka shërbyer si “argument” për epitetimin e mësipërm. Posë gjithë këtyre, ai mbetet shembulli i njeriut demokrat në mendime, në qëndrime dhe veprime praktike. Edhe pse ky është një problem mjaft delikat, analiza në thellësi e veprimtarisë së gjithanëshme të tij si shkrimtar e poet, si burrë shteti, si publicist elokuent, si personalitet i aftë i ortodoksisë shqiptare, si humanist, e të tjera si këto, natyrëshëm të çon në shtratin e tij natyror të demokracisë

Fan S. Noli është një  republikan i mirëfilltë.

  Çështjen kombëtare e ka patur jo vetëm në boshtin dhe thelbin e publicistikës, por edhe të krijimtarisë letrare, të veprimtarisë fetare, të studimeve historike etj. Ai e ka ndjerë vehten gjithmonë shqiptar të denjë e të dobishëm për kombin e vet edhe kur u bë kryetar qeverie, edhe kur u rrëzua nga kjo lartësi e merituar, edhe kur punoi si punëtor krahu, edhe kur shkëlqeu si intelektual poliglot, edhe... Në gjithë fushën e veprimtarisë, të cilën e pati mjaft të gjerë, të mbingarkuar dhe intensive, ai spikati si demokrat konseguent, si republikan i mirëfilltë. Më se një herë e pohon drejtpërdrejt dhe pa asnjë ekuivok se, ishte për një qeverisje të vendit në formën e Republikës Demokratike, e cila do të qe njëherësh e vetmja formë efektive, më e mira, më e pranueshmja nga vetë populli shqiptar për shkak të formimit të tij psikologjik, por edhe nga mendësia e Fuqive të Mëdha me tradita të pasura në lëmin e qeverisjes dhe administrimit të vendit dhe popullit në demokraci. E analizon problemin në kushtet konkrete të Shqipërisë, ku mbisundon varfëria ekonomike dhe prapambetja kulturore, ku nuk njihet aspak kultura demokratike dhe s’ ka asnjë përvojë për pluralizmin politik, ku më së shumti ka munguar administrimi i mirëfilltë shtetëtor edhe për shkak të pushtimeve të huaja, të cilat për fat të keq kanë rezultuar të shumta dhe me kohëzgjatje, ku nuk njihet veprimtaria parlamentare sepse më së shumti vendi është ndodhur pa qeveri dhe pa qeverisje, kur ka etje të theksuar për kuadro e intelektualë të mirëfilltë e patriotë dhe, sidomos kur, midis mjaft personaliteteve nuk ka ndershmëri atdhetare, e mjaft të tjera si këto, Noli shprehet prerazi e qartë për nevojën e një qeverisjeje me një republikë të popullit si “... republika e Kongresit të Lushnjës, me një komision prej disa vetësh, në vend të një presidenti të njëshmë...”. Ai e kishte të konsoliduar fare qartë mendimin se, koha e monarkisë në të cilën sundon me pushtet të gjithëfuqishëm një njeri, që thirret mbret, ka perënduar një herë e përgjithmonë, përfundim logjik që e formulon pas një analize të gjërë e të thellë që i bën këtij fenomeni shoqëror, në truallin shqiptar dhe më gjërë. Ruan mendimin se akti i shpalljes së Shqipërisë në vitin 1928 monarki dhe i A. Zogut mbret, është një akt i shkuar kohe, duke i dhënë kështu material të gatëshëm borgjezisë evropiane, që të tallet me mbretërinë e fundit të shpallur në jugëperëndim të saj. Këtë formë qeverimi mjaft vende që e kanë patur edhe traditë, e hoqën ose me dhunë apo pas një farë konsensusi mbarëkombëtar, ndërkohë që atje ku ruhet ende, pothuajse kemi të bëjmë me një ritual formal. Kjo sepse veprimtarinë ligjvënëse dhe ekzekutive e zhvillojnë parlamentet pluraliste, ndërsa mbreti dhe oborri i tij, më së shumti për forcën e traditës e të zakonit se sa si domosdoshmëri, kanë pushtet tepër të kufizuar dhe veprimtaria e tyre është plotësisht e kontrolluar nga organet parlamentare, nga aparatet qeverisëse, nga individët e veshur me pushtet, por që të gjitha së toku ndodhen nën pushtetin e votës së drejtpërdrejtë dhe të lirë të komunitetit.

 Noli i kompletuar me kulturë të gjërë e të thellë të së kaluarës dhe atë bashkëkohore demokratike, njohës kompetent i situatave dhe zhvillimeve në botë, zotërues i mirë i historisë së kombeve dhe i evolucionit të shtetit, pohon në mënyrë kategorike se monarkitë “... e kanë damkën e vdekjes në ballë dhe shpejt a vonë do të shporren pa lënë gjyrmë...”. Jo thjesht për të patur si pikë referimi, as edhe jo për të treguar se është erudit me përmasa madhore, deklaron me përgjegjësi intelektuali të formuar dhe politikani të zgjuar, por edhe atdhetari të përkushtuar se, figura të tilla si Willsoni në SHBA, Mustafa Qemali (Ataturku) në Turqi, dhe disa të tjerë, kanë qënë kundër sistemit monarkik si formë qeverisjeje, prandaj edhe luftuan e i dhanë jetë republikës, si një formë qeverimi me frymëmarrje të gjërë e me mundësi të shumta për të shprehur dhe përmbushur dëshirat dhe interesat e shtetasve.

 Pozicionimin në lëmin e demokracisë konseguente, Noli e shpalos kudo e kurdoherë, por më dukëshëm dhe qartë kjo ndodh në veprimtarinë publicistike. Në mënyrë tepër konçize e shpreh këtë mendësi kur ai bëhet njohës dhe interpret i republikanëve demokratë, mes të cilëve ai rradhit edhe veten me krenari. Pregatitjen sistematike dhe graduale të pushtimit ushtarak të Shqipërisë në të “Premten e Zezë” më 7 prill 1939, Ai e gjykon si një veprimtari për t’i rrëmbyer popullit “... kafshatën,... kasollen dhe tokën...”, pra as më shumë e as më pak, t’i gërryejë dhe ndërpresë atij jetën. Me këtë ngarkesë emocionale shtron pyetjen retorike: “Po ne ç’ qëndrim do të mbajmë?”, së cilës i përgjigjet po vetë fare qartë, se në këtë çështje nuk mund të ketë qëndrim të dyzuar, nuk mund të bëhet fjalë për qëndrim të paanëshëm, nuk mund të veprohet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arësye apo edhe shkak “... edhe ashtu, edhe kështu, ... edhe me atë, edhe me këtë, ... edhe me popullin, edhe me pushtuesit..., nga ana e jonë, kemi zgjedhur prej kohe anën e popullit. Nga ajo anë kemi për të qëndruar deri në fund...”, artikulon F. Noli. Duke qënë kundër monarkisë në përgjithësi, ai është në veçanti prerazi kundër monarkisë zogolliane, e cila, gjithnjë sipas tij, mund të jetë një ndër shembujt e rrallë të një monarkie të prapambetur si nga ana e kulturës së përgjithëshme, e asaj politike, administrative, pluripartiake, ekonomike etj., duke krijuar imazhin e një monarkie të vendeve aziatike apo afrikane, e cila e ka të vështirë, për mos thënë të pamundur, të integrohet në Evropë. Në vitin 1931, por edhe më parë, meqënëse A. Zogu ishte i sëmurë dhe pa trashëgimtar, në qarqet politike brenda vendit dhe në kulisat diplomatike të Fuqive të Mëdha të Evropës thureshin intriga si dhe pregatiteshin kurthe kundër vendit tonë. U kristalizua edhe një mendim për rikthimin e Princ Viddit. Por F. Noli si analist i mprehtë politik konkludoi se, në këtë mënyrë vendin e një katili me tipare ballkanase do ta zerë një njeri i butë me tipare evropiane, i cili nuk vret prapa shpine kundërshtarët; vendin e një autokrati shqiptar me tipare të karakterit afrikan do ta zerë një mbret evropian, i cili do t’i japë popullit sado pak liri konstitucionale, por që gjithësesi përfundimi do të jetë fatal, do të vazhdojë rrokullisja abdullahore e vendit deri sa të vijë momenti kur “fundi i tmerrëshëm” aktual do të zëvëndësohet nga një “tmerr i pafund”.

Në vijim dhe prerazi Noli ruan mendimin se, Shqipërisë nuk i duhet një formë qeverisje oligarkike mbretërore me një mbret në krye, me një princ apo prijës në krye, por një republikë me grup intelektualësh patriotë në krye, ashtu sikurse edhe Sami Frashëri pyetjes “Ç’duhet bërë?!”, i është përgjigjur prej kohësh i bindur se, forma e qeverimit demokratik ku “...më i saktë se të gjithë grupet e veçanta është populli i tërë...”, është më e përshtatëshmja dhe më e pranueshmja.

Deziluzioni i Nolit mbetet një çështje momentale.

  Ky personalitet i spikatur, përgjatë udhëkryqeve ku u ndodh vendi dhe populli i tij, pati edhe momente dëshpërimi, deri në një farë gjendjeje deziluzioniste. Në dhjetor 1925, në vitin e parë të rrëzimit përdhunëshëm të kabinetit qeveritar që Ai pati nderin, obligimin dhe përgjegjësinë ta kryesojë, në analizë të ndarjes në grupime të intelektualëve shqiptarë në nacionalistë dhe antinacionalistë, i dëshpëruar shprehet: “Posa Shqipëria nuk shpëtuaka veç dyke e copëtuar e dyke vdekur...”, intelektualët shqiptarë të deklarojnë të harruar ëndërrën e forcimit të Shqipërisë dhe sejcili të shikojë punën e tij. Pas një viti, i indinjuar nga mënyra e qeverimit të kohës, duke stigmatizuar përkrahësit e regjimit, deklarohet afërsisht se është punë më e lehtë të prishësh se sa të ndreqësh, është më lehtë të vjedhësh se sa të krijosh pasuri, po ashtu më lehtë është të copëtosh se sa të rritësh një atdhe të vogël e të pafuqishëm, është “... më lehtë të robërosh një popull të mjerë e të skllavëruar, se sa ta ngresh, ta çlirosh...”, konkludon me keqardhje e dhembje njëkohësisht. Por ai njëherazi nënvizon se, sistemit feudal i intereson padija, injoranca, varfëria, fanatizmi, spiunllëku etj., të cilat e ndihmojnë që t’i zgjatet jeta. I indinjuar prej gjendjes mjerane të popullit të vet, u bën thirrje me dhembje intelektualëve, atyre që u dhembset atdheu, që ta shohin realitetin në sy dhe realisht, dhe, si atdhetarë të bëjnë përpjekje për të gjetur “ilaçin” që gjendja të shëndoshet. Njëherësh i bën thirrje popullit që të kërkojë shkaqet e gjendjes së mjeruar, të japë kundërpërgjigje të vendosur, e cila t’i japë fund bisedimit me fjalë, dhe të veprohet “... edhe me grusht, me grusht mbi kokën e kusarëve, që të vjedhin kur e ke, e të tallin kur zgjat dorën...”.

 Nga sa më sipër dhe të tjera si këto, të arrijmë në përfundimin logjik se, Fan Noli në thelb ishte demokrat, se të ardhmen e Shqipërisë e gjykonte dhe e gjente në shtratin e demokracisë, sidomos të demokracisë perëndimore, në atë mot mjaft e konsoliduar, dhe aspak në autokraci. Pozicionimin prej demokrati konseguent e shikon dhe e deklaron me kurajo, por edhe me krenari. Më se një herë pohon se, nuk do të heqë dorë nga idealet kombëtare dhe se do të mbështesë po ata, që kanë këtë parim.

Idhujt dhe bashkëpunëtorët e F. Nolit qenë republikanë demokratë si ai.

  Kishte si idhuj figura madhore dhe të nderuara të popullit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Bajram Currri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina, Zija Dibra, Hoxhë Kadri Prishtina, Faik Konica, e të tjerë patriotë të ndershëm, të cilët i pati bashkëpunëtorë besnikë, por edhe të tjerë atdhetarë shqiptarë, me të cilët nuk pati rast të punojë drejtpërsëdrejti. Gjithashtu mbante mbi krye personalitete spikatëse të kohës si Willsoni në SHBA, Mustafa Qemali (Ataturku) në Turqi, por edhe të tjerë më të herëshëm në kohë si Abraham Linkolni në SHBA, e të tjerë, të cilëve u referohet në veprimtarinë e tij të gjerë. Perifrazon Linkolnin, i cili nga ana e vet pati vlerësuar mençurinë e popullit dhe forcën e tij realizuese kur shprehet: “Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë. Mund ta gënjesh edhe tërë popullin për ca kohë. Po kurrë nuk mund të gënjesh tërë popullin për tërë kohën”.

Duke qënë demokrat në gen Noli pohon me krenari se e ka ndjerë vehten shqiptar edhe përpara se të bëhej personi numur Një i Qeverisë, që kryesoi në gjysmën e dytë të vitit 1924, por edhe kur u rrëzua përdhunisht nga kjo lartësi e merituar, për të cilën spjegohet se (ofiqin si kryetar qeverie S.R) nuk e zgjodhi dhe as nuk e lakmoi kurrë, por ja ngarkuan bashkëshokët dhe bashkëluftëtarët, pasi i kishin vlerësuar e çmuar atributet që ngërthente, si dhe kishin besim të patundur se ai do ta avanconte popullin shqiptar një shkallë më lart drejt Evropës Perëndimore të cilës i përkiste edhe gjeografikisht.

  Ishin këto koncepte të tij për qeverisjen demokratike dhe për vlerësimin e rolit pozitiv të intelektualëve, që e imponuan në vitin 1956, dhe në të pastajmen, që të refuzonte me vendosmëri dhe palëkundje ftesën e qeverisë së Tiranës, atdheut të tij, të cilin e deshi aqë shumë, për të vizituar Shqipërinë. Me intelektin e veçantë që ngërthente, me autoritetin që gëzonte, sidomos ndër shqiptarët jashtë atdheut, me kohë Fan Noli e pati kuptuar shumë mirë politikën antidemokratike, që ndiqte dhe zbatonte qeveria e Tiranës, por edhe përmbajtjen djallëzore të ftesës, që i bëhej për të rritur kredibilitetin politik në qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare, përmes një vizite në Shqipëri të një personaliteti madhor me përmasa më shumë se sa rajonale sikurse ishte Noli, prandaj e refuzoi atë përtej kufijve të neveritjes. Kështu, njërës prej ftesave, sikurse mësojmë nga dokumentet e pabotuara, në thelb i jep këtë përgjigje: “Njerëz si unë keni në Shqipëri, ke Sejfulla Malëshovën (i njohur me pseudonimin Lame Kodra S.R) të cilin e ke braktisur ferrave të Myzeqesë...”. Më saktësisht në vitin 1956, Mehmet Shehu shkoi në mbledhjen e radhës të OKB-së. Në këtë rast, kuptohet qartazi me porosi të Enver Hoxhës, ai shkoi te Noli, ku dhe e ftoi që të planifikonte një vizitë në Shqipëri. Por Noli u përgjigj prerazi: “Mua më keni atje në fushat e Myzeqesë, ku është Lame Kodra. Lironi Lamen dhe tek ai jam unë”. Ky qëndrim buron nga fakti që Sejfulla Malëshova, i njohur me pseudonimin Lame Kodra, ka një histori sa të dhembshme, po aqë edhe krenare. Ai kontribuoi meritueshëm në çlirimin e vendit dhe mëkëmbjen e tij, ashtu sikurse u trajtua përdhunshëm nga regjimi që u vendos pas çlirimit të vendit. Për më se një çerek shekulli u internua në Fier, duke u detyruar, ky intelektual potencial, të punojë si shitës samarëh, kapistallësh, qenglash, palldëmë, bishtëza, dhe pajisje të tjera të kafshëve ngarkuese njëthundrake. Pati një fund të hidhur, por fatkeqësisht edhe të shëmtuar, duke vdekur në vetmi më 10 qershor 1971, pa asnjë ndihmë mjekësore, të privuar nga polici që i rrinte te dera. U varros të nesërmen me një arkivol të vendosur mbi një karro të ndërmarrjes komunale, i shoqëruar vetëm nga nëna, motrat dhe dy nipat e vegjël, të cilët çapiteshin të përkulur mes vapës dhe pluhurit, jo vetëm nga dhembja, por edhe nga ndjenja e nëpërkëmbjes dhe poshtërimit. Në këtë atmosferë mbytëse dhe rrënqethëse skajshmërisht, ishte fare e natyrëshme, që Fan Noli nuk mund të vinte në vendin e tij, të cilin e pati ëndërruar dhe dëshiruar në liri dhe demokraci reale.

  Zhvillimet politike, që e mbërthyen popullin shqiptar për dekada të tëra, e lanë atdhetarin Fan S. Noli dhe shokët e tij larg atdheut, në pamundësi që t’i ndodheshin atij pranë në hallet e shumta që ka patur, të shkaktuara sa nga fqinjët e pabesë aqë edhe nga fati i keq që pati qeverisje, që e mbajtën të izoluar, të ndrydhur, në varfëri të tejskajëshme ekonomike. Thelbin e shpirtit të tij demokrat dhe të atdhetarit të spikatur e konseguent e shpreh më mirë se kushdo tjetër vetë Noli, kur në mënyrë konçize artikulon edhe sa vijon: “Jam në këmbë e me ballin lart, në krye të Kryqëzatës për idealet kombëtare demokratike...”. Kjo ka qënë motua e tij, ky ka qënë qëllimi i një jete të madhe, i një zemre atdhetare, që punoi veç për atdhe e popull.

Comments (1 posted):

Guri Naimit D.(Dh.Xhoga) on 06/01/2018 01:09:28
avatar
Fan Stilian NOLI-NJE IDHULL i PERJETSHEM
SHQIPTAR !

Faleminderi i nderuari Safet M Ramolli, per prokupim Tuaj,per te na sjelle kete shkrim te shkelqyer dhene drite figures se Te Madhit F.S.Noli,nje nga idhujt e kombit tone, ne kohet me te vashtira sa herroike te historise tij.
NJE F A N O L I ka shqiperia.
Me lejo tiu sjell nje krijim ne Vargje,kesaj figur e te shquar:

Eh,Noli i madh!
"Armet dhe fisheket mblidhni,
Qesen edhe shpirtin hidhni
Per lirine e vendit tone"
Per NENEn tone Shqiperi,
Eh,Noli i madh ,bucisie ti,
Ah, Stilian te ishe sot,
Rrezik do te qaje me lot,
Te shikoje c'fare ka ngjere,
Ka,apo s'ka me shqipetare...?!

Ne 55 vjetorin e ndaries nga jeta.
Nga libri"Ne rruget e JETES".Dh,Xhoga.

I perjetshem KUJTIKMI dhe VEPRA
lene trashegim brezave-IDHULLI YNE;
Fan Stilian NOLI..

Toronto 05-01-2018 Guri Naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1