Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | A JAM UNË NDONJËFARË PATRIOTI, APO JAM PATRIOT KOTI ?!

A JAM UNË NDONJËFARË PATRIOTI, APO JAM PATRIOT KOTI ?!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Mark Simoni

A JAM UNË NDONJËFARË PATRIOTI, APO JAM PATRIOT KOTI ?! 

Gjithë ditën më cingëroi telefoni, që më sillte mesazhin e një flamuri qe valvitej. (Flamurin tonë që e kemi vërtetë të bukur, dhe të gjithë që ma dërguan i falenderoj). O sa shumë flamurë më kanë ardhur, o sa shumë!!! 

Dhe në një çast e pyeta veten:

 -More, a jam ndonjëfarë patrioti unë që i meritoj këto flamuj, apo jam patriot koti? (Megjithëse nuk kam qenë në asnjë luftë, nuk kam asgjëkundi ndonjë plagë, s’kam shkruar asnjë vjershë për flamurin, s’kam dërguar asnjë lek kund për të lartësuar emrin e atdheut tim, unë përsëri mendoj se jam gjithesesi njëfarë patrioti).

Si fillim desha të bëj një poezi për flamurin, por në çast mu kujtua Robert Berns. Ai kishte shkruar tre libra, dhe me honoraret që pati marrë nga këto libra, bleu gjashtë topa lufte për ushtrinë e atdheut të tij Skocisë, që ishte në luftë me anglezët. Gjashtë topa lufte për atdheun, megjithëse asnjë poezi për flamurin. Aty mu kujtua se patriotizmi nuk është as fjalë dhe muhabete, dhe as vjersha, por është veprim dhe gjest. Robert Bernsi ishte patrioti i vërtetë i Skocisë, dhe jo vjershëtarët që s’kontribuan asgjë për Skocinë, përveç vjershave të tyre retorike e patetike, të dobëta fare.

Desha t’ua postoj së pari flamurin komshinjve. Po kujt t’ia dërgoja? Atij të katit të nëntë që tërë familja ka ndërruar emrat në Greqi, apo atij të një kati më poshtë që sot është në Sofje për të marrë letrat bullgare? Thashë se po ia dergoj vetes. Po ç’ne vetes? Të dy fëmijët e mi tërë shkollat i bënë jashtë, dhe lekët shkuan atje ku ata jetojnë. Njerëzit e mi dhe të nuses sime janë jashtë dhe taksat i paguajnë për vende të tjera, kontributet i derdhin për shtete të tjera. Zbrita me mend katet e pallatit për të gjetur se kujt mund t’ia postoja flamurin. Te gjithe jashte, ne Perendimin qe e kemi share ne emer te patriotizmit, dhe tani jemi e jetojme atje, (dhe prap vazhdojme te jemi patriote!!!)

Mendova se në çfarë mërzie pati qenë Fishta kur shkroi se “Ta marrë vesh gjithë bota mbarë / Se padër Gjergj Fishta, s’asht’ ma shqiptar”. I mërzitur nga dallkaukët e pushtetit të kohës, që këndej hiqeshin si patriotë (duke rrahur gjoksin), e mandej luanin me fatet e atdheut dhe kombit. E kush nuk deshi “Të mos ishte më shqiptar”? Fishta që ishte më shqiptari se të gjithë. Me veprën e tij “Lahuta e Malsisë” që është quajtur dhe “Iliada" shqiptare! Më patrioti se kushdo, që e shkoi jetën e vet nëpër famullitë e Zadrimës dhe te kisha e fretënve në Shkodër, pa e lënë asnjëherë atdheun.

S’di se si më erdhën ndër mend disa vende të vogla që kanë 4 a 5 heronj, 3 a 4 luftra, 5 a 6 këngë trimërie dhe jo më shumë shtrirje gjeografike se ne . Dhe megjithatë i kanë tërë tokat dhe territoret brenda shtetit të vet, dhe s’ka arritur askush as t’ua pushtojë, as t’ua grabisë e as t’ua marrë. Më trishtoi e trembi fati ynë. Me 2 mijë heronj, 3 mijë luftra, 4 mijë këngë trimash e luftëtarësh, dhe megjithatë tokat i kemi të shpërndarë në 5 shtete, kombi i hapërdarë në 200 vende. 

Madje edhe në dasma, kur fërfërin fustani i nusërisë dhe kuqëlojnë gotat me verë, ne e presim nusen e bukur në oborr me këngën “Koka në Stamboll e trupi në Janinë / Të grinë Ali Pasha, o Pasha të grinë”, e gjithëfarë lloji këngësh për trima e jeniçerë. 

Edhe sot më vjen ndër mend tregimi i famshëm i Ernest Koliqit “Tregtar flamujsh”. Tregëtari i vogël e gobsek, koprrac, cingun e kurnac, (që bënte si patriot i flaktë), shtynte me tërë egërsinë e tij studentin e ri, për të ngritur në revoltë turmën. Vetëm në fund të tregimit kuptohet se, tregtari e donte turmën e revoltuar vetëm e vetëm për t’ia blerë flamujt, që tregtari kishte në dyqan dhe po i mbeteshin stok. Çfarë patrioti!!! 

Migjeni, gjithe pikellim, dhe i mjeruar nga pamja urbane e festes se flamurit, shkruan: “Ne pragun e cdo banese, / Ku ka ndonje shenj jetese, / Valon nga nje flamur, / Melankolie te trishtueshme..” 

Dhe tashti, në fund të kësaj eseje, po më sillet përsëri nëpër mend pyetja:

-More, a jam unë ndonjë farë patrioti apo patriot koti? Asnjë provë nuk e kam dhënë akoma, përveç se kam blerë nja tre flamurë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, (që megjithëse e kemi të hijshem me shkabën dykrenare, taman flamur principatash, ata kinezët që e patën stampuar atëherë atë shqiponjën, na e patën shëmtuar dhe flamurin).

Comments (1 posted):

Guri Naimit D on 29/11/2017 21:07:47
avatar
Pershendetie KRYEPATRIOTI-Mark Simoni!

ESETE,me pelqejne,jane"sumum"mendimi,
Po kjo e Mark Simonit,e vecante,
Gjithka ai e lidhte me flamurin
Blere per 100vjetorin tre te tille.
*
Une pejetuar keto dite feste,
Me emigranteve mbareshqiptare,
Tej oqeanit,mes Torontos mbledhur,
Flamure ne duar,Kapelet me Shqiponje.

Kendoi"Hymnin eFalamurit Merita Halili
Si kengatere,pasojne Manifestuesit,
Mestyre njevogellushe,kembet perplaste
Falamur,si dy shoqet e donte ne qafe.

Une gjyshi,shallin flamur ne qafe
Ne dore,flamurin Kombetar mbaje,
Me aparatin per ti bere nje forografi
I lidha rreth gjoksit Famuri kuq e zi.
Shoqeruar me fjalet;
-Nga une gjysh-"Pasues Veterani.
Bera keshtu nje Mbese te "dyte"
Vogelushe Kosovare me emrin MERITE,
Mbesa ime,jo me kot,bashkeshortin;
andej zgjedhe...(1)

Gezuar festat vellezer kudo ndodhi.

1.Mbesa,me nipi 20 vjec,nga Peja ne Eskishehir,per festat e Nendorit me pershendet,edhe pseune tej oqeanit. .Faleminderit.

Toronto29=Nendor2017 Guri Naimit D

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1