Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | VETTING krimit dhe tribalizmit politik

VETTING krimit dhe tribalizmit politik

Font size: Decrease font Enlarge font
image Skënder S.KAPITI

VETTING krimit dhe tribalizmit politik  

Nga Skënder S.KAPITI

VETTING-u do ta pastrojë politikën shqiptare nga krimi dhe nga të kriminalizuarit si dhe duhet ta çmontojë edhe injorancën, nepotizmin dhe tribalizmin të cilat i kanë marrë frymën shoqërisë dhe demokracisë si dhe kanë paralizuar politikën, pushtetin, partitë, mediat, drejtësinë dhe institucionet e administratën e shtetit.

Shqipëria është si gjithnjë, edhe tani, sot, në fokusin dhe në vëmëndjen e ndërkombëtare me atë se çfarë po ndodh këtu, ku po rrezikohet të dështojë edhe dekriminalizimi i politikës ,edhe VETTING-u.

Rasti është çështja e ishministrit të brëndshëm Tahiri, të cilin  njëra palë politike, opozita PD, e sulmon ashpër dhe pala tjetër PS në pushtet e mbron, pra të dyja politikat e njëjta gjë,PD e PS kanë marrë rolin edhe të gjyqtarit, prokurorit dhe të avokatit , duke e nxjerrë jasht loje drejtësinë, por që edhe te kjo farë Drejtësie e cila është akoma pronë  e PD-së, dhe tani  kerkon  ta pronësojë PS dhe Rama, te këta prokurorë jo se ka ndokush besim te ata, pasi  pothuajse të gjithë gjyqtaret dhe prokurorët shqiptarë janë ata të cilët i kanë ato poste krejtësisht si meritë dhe si shërbëtorë e avokatë të politikës, të bandave politike, dhe të korrupsionit ashtu sikurse eështë edhe drejtësia në Kosovë.

Këtë sistem drejtësie me këta gjyqtarë dhe prokurorë e ngriti regjimi i PD me Sali Berishën për ta përdorur politikisht drejtësinë në shërbim të pushtetit të tij.

Shumica e shqiptarëve janë mosbesues ndaj kësaj drejtësie, pasi shumë e shumë,  dhe për të most  thënë se të gjitha dosjet e politikanëve dhe e peshkaqenve të mëdhenj të krimit janë mbyllur, si ajo e abuzimit me paranë publike, rreth 250 milion euro për “Rrugën së Kombit”, ajo e Marreveshjes me Greqinë per ujrat territoriale ku ishQeveria shqiptare i dhuroi Greqisë 350 km2 dhe autoret kane  marrë pafajësinë.

Pra këto dhe shumë e shumë shembuj si këto kanë krijuar një opinion tejet negativ, dhe janë bërë tashmë të pabesueshëm gjyqtarët dhe prokurorët aktualë aq sa me të drejtë kreu i EURALIUS-it në Tiranë pati deklaruar se zgjidhja me e mire do të ishte sikur të largoheshin nga drejtësia të 400 prokurorët dhe të 400 gjyqtarët aktualë të Shqipërisë.

Këtu vlen të theksohet fakti shembullor i politiko-krimo-tribalizmit edhe në drejtësi i Kryeprokurorit Llalla i cili ka mbyllur mbi 20 dosjet më skandaloze të ministrave te sotëm por edhe të dhe ishministrave  politikë të djeshëm, dosje administratorësh dhe drejtorësh drejtorish të rëndësishme, të Avokaturës së Shtetit, të Guvernatorit të Bankës etj. Ky fakt e venit dhe e skarcitetizon seriozitetin dhe besueshmërinë e Prokurorisë së tij ndaj ishministrit Tahiri, por që në asnjë mënyrë nuk duhet që të mos hetohet ai dhe askush tjetër më dhe të mos  jenë të paprekshëm nga ligji, por ketë rast si dhe të gjithë të tjerat duhet t’i bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët e tjerë të cilët do të vijnë pasi t’i kalojë në sitë dhe t’i seleksionojë VETTING-u.

Duhet të sjellim në kujtesë edhe atë se çfarë deklaroi para ca kohesh në Shkurt 2017, promotori i  Reformës në Drejtësi, ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu për Kryeprokurorin aktual Adriatik Llalla se: Për më shumë se 18 muaj ai ka folur me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi… dhe se Prokurori i Përgjithshëm dhunoi Kushtetutën.

Realisht ky sistem drejtesie i tille është produkt dhe ka për autor Sali Berishën dhe ishregjimin e tij, i cili që kur ishte President i Shqipërisë e organizoi drejtësinë në mënyrë të tillë që ta kontrollonte ai, ashtu sikurse edhe ndermori një nismë personale me referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, referendum të cilin e humbi, dhe kjo humbje i tha Jo, autokratit dhe diktatorit të ri Berisha. Drejtësia që ngriti Berisha rezultoi gjatë gjith tranzicionit si një drejtësi e cila i mbrojti politikanëët shqiptarë të cilët kanë kryer krime të tmerrshme . Ja se çfarë deklaron edhe ambasadori amerikan Donald Lu tani në Tetor 2017:

“Në këto 27 vitet e fundit ky vënd është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e Majta dhe e Djathta, të cilët kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë”.

Z. Amasador pse nuk e thoni hapur emrat se cilët janë këta politikanë të fuqishëm që kanë i kanë kryer  këto “krime të tmerrshme”. Kur  opinioni dëgjon këtë fakt nga Ju i Nderuari Ambassador, logjika dhe arësyeja pyet se:a janë apo nuk janë ata edhe Berisha, Meksi e Basha nga e Djathta, dhe Nano, Meta e Rama nga e Majta. Por këta më kryesorët e politikës shqiptare, nëse nuk janë të tillë atëhere do të jenë politikanët dhe qeveritarët, gjyqtarët dhe prokurorët, bashkëpunëtorët e tyre, apo jo, të  zgjedhurit, të preferuarit  dhe të mbrojturit prej tyre, gjë për të cilën logjika  përsëri konkludon se këta kryesorët nuk mund të jenë të përjashtuar nga përgjegjsia kryesore për këtë gjëndje të rëndë gjatë këtij tranzicioni. Dhe po në Kosovë a janë apo nuk janë të kriminalizuar ata më kryesorët, kryetarët e kryetëparët e politikës dhe të pushtetit dhe atje të cilët e kanë dominuar politikisht Kosovën e pas Luftës.

Prandaj, pra edhe miratimi i VETTING-u në Shqipëri u pengua, dhe prandaj ai edhe vazhdon të pengohet, dhe po prandaj edhe në Kosovë nuk ka vullnet politik për Lustracion dhe as për një VETTING.

 

 

Në Shqipëri, autori kryesor mbetet Berisha, i cili  e kreu Reformën e famshme në Drejtësi me prokurorët dhe gjyqtarët e kurseve 6 mujore, me qëllim të kapjes prej tij të Drejtësisë.

Keshtu që tashmë dihet  pra se edhe ky Kryeprokurori aktual dhe prokurorët e tij, KLD-ja dhe tërë sistemi i drejtësisë në Shqipëri janë, jo vetëm publikisht nga opinioni i brendshëm por  edhe ndërkombëtarisht janë të pabesueshëm.

Nuk ka  besim te prokuroret, sepse ata me të vërtetë nuk janë të motivuar për këtë çështjen e Tahirit ligjerisht por më shumë politikisht, ndoshta se mund të jenë edhe përkohësisht  aty ku nuk duhet të ishin, përderisa kërkohet urgjentisht nga SHBA dhe nga BE fillimi  punës së organeve të VETTING-ut , pra të pastrimit të drejtësisë prej tribalizmit politiko-kriminal.

Kjo perplasje e zhurmë hipokrizie, publike dhe mediatike, politike dhe gjyqësore tregon se politika shqiptare, e gjitha, duke perfshire edhe pozitën e  “rilindjes” së E.Ramës i cili edhe ai synon ta kapë ai tashmë Drejtesinë nen maskën kinse sikur ai  është për VETTING-un, por  realisht   është kundër tij. Pra nuk  janë të  besueshme as Prokuroria, as opozita dhe as qeveria se me të vërtetë e duan VETTING-un.

Bandat dhe grupet kriminale ekzistojnë dhe prova ka, por ato nuk i di publiku shqiptar. Publiku ato i mëson nga media, opinionistët dhe gazetarët e guximshëm, profesionistë dhe të aftë logjikisht dhe me intuitë.

Bandat, grupet kriminale dhe provat i njohin dhe i dinë pushteti, politika, drejtësia dhe policia shqiptare . I dinë, por heshtin, i fshehin dhe i asgjesojnë ato, sepse ata janë vetë krimi dhe korrupsioni. Tipike kjo si sjellje e politikës dhe e drejtëssë është edhe në Kosovë.

Publiku shqiptar më së shumti i mëson kur informacionet vijnë nga policia, prokuroria dhe madje edhe nga diplomatët dhe ambasadorët e huaj. Kështu sot është edhe rasti “famoz” sipas Prokurorisë i implikimit në trafikun e drogës  të ishministrit të brëndshëm të Shqipërisë S. Tahiri.

Mafia krimo-korruptive kurrë nuk guxon të ngrihet dhe të sfidojë shtetin, ligjin dhe drejtësinë po qe se ajo nuk ka mbështetjen dhe mbrojtjen e politikës dhe të drejtësisë, të bashkëpunojë me to, ose mafia të jenë vetë ata.

Edhe nëse ka individë me personalitet dhe integritet moral, patriotik dhe profesional në nivelet e larta shtetërore, politike, pushteti, drejtësie dhe në institucionet e tjera administrative të cilët në Shqipëri dhe Kosovë  , ata janë të paktë, dhe tjetra është se ata janë edhe “frikacakë” pasi nuk guxojnë të përballen me krimin dhe me kriminelët e fuqishëm të pushtetit, sepse mund ta pësojnë shumë keq prej tyre, dhe as që mendohet se mund ta mbajnë vëndin e punës po dolën kundër rrymës.

Një tjetër aspekt i cili ndikon shumë në mosefikasitetin e konsolidimit të demokracisë dhe të shtetit ligjor  në Shqipëri dhe në Kosovë është edhe mentaliteti politiko-tribal i shoqërisë shqiptare.

Shqiptarët akoma nuk janë shkëputur dhe as nuk janë integruar demokratikisht, civilizisht dhe juridikisht me kulturën demokratike dhe as me njohjen me ligjet e botës moderne.

Ka 100 vjet shtet Shqipëria e cila  sundohet dhe keqqeveriset nga injorantët dhe nga provincializmat e preferencat krahinore, miqësore dhe me lidhje krushqie.

Kështu ka qenë gjithnjë politika dhe pushteti në Shqipëri si një sundim tribalizmi krahinor, kështu  ka vepruar A.Zogu, E. Hoxha, S.Berisha, Ilir Meta dhe E.Rama. Pra, nuk jemi shkëputur akoma nga mentaliteti kanunor, fisnor, patriarkal, nepotik dhe krahinor.  

Pra duhet ndëshkuar përfundimisht kjo trashëgimi e vijimësi e dëmshme politike me pasoja të rënda kombëtare. Shqiptarëve u duhen reforma që të zgjidhin pothuajse gjithçka, pasi ka vetëm probleme shteti dhe shoqeria  dhe i gjithë kombi shqiptar, ku më kryesori është problemi kombëtar shqiptar. Armiku më i madh i kombëtarizmit shqiptar sot janë politika dhe drejtësia, të dyja këto janë realisht krim, korrupsion, padrejiësi dhe tradhëti.

Lufta për pushtet dhe për politikë bëhet vetëm për të kapur poste, detyra dhe për të siguruar pushtet, privilegje, para e pasuri qoftë ai president, kryeministër, deputet, kryetar e sekretar komune, bashkie dhe administrator, gjyqtar, prokuror dhe avokat.

Por jo vetëm kjo, por të gjithë ata të cilët i marrin këto poste të larta, ata punësojnë në shtet, në institucionet e tij vetëm fisin , tribunë,të afërmit e vet: vëllezër, motra, dajë, teze, nipa, mbesa, halla, axhallarë, kushërinj, pra klanin farefisnor të tij si dhe sejmenet dhe servilët, paranë, mercenarët dhe të korrupuarit. Kështu ka ndodhur gjithnjë në Shqipëri,dhe kështu vazhdon edhe sot,tani. Dhe po kjo ndodh edhe në Kosovë.

Dhe vazhdon që po këta pastaj kapin: edhe bizneset, ekonominë dhe çdo burim tjetër pasuror prej të cilëve burojnë para dhe pasuri; kapin kontrabandën, tenderat, investimet, trafikimin e drogave dhe gjithçka fitimprurëse të ligjshme dhe të paligjshme.

Për këtë tip sistemi katrahurë për politikën shqiptare dhe për këtë KRIMOKRACI nuk ka asnjë dallim mes privates me publiken, mes të ligjshmes dhe të paligjshmes, pasi të gjitha ato konsiderohen  si të drejta private të tyre.Dhe kjo bën të mundur instalimin dhe ngritjet e grupeve dhe bandave të krimit, ashtu sikurse e ka konstatuar edhe vetë ambasadori amerikan se: Shqipërinë e kanë marrë peng 4 klane dhe 20 familje mafioze. Ky realitet i cili vjen  nga ky lloj sistemi  e regjimi kriminal e korruptiv nuk është i interesuar as për zhvillimin dhe as për mirëqënien e përgjithshme, dhe aspak për çështjen kombetare, por perkundrazi e ka dëmtuar rëndë atë.

Kjo është e vërteta se përse shqiptarët nuk e bëjnë vetë as demokracinë dhe as shtetin ligjor, sepse nuk i kanë as trashëgimi dhe as si kulturë ato. Prandaj SHBA dhe BE këmbëngulën për Dekriminalizimin e politikës shqiptare të kriminalizuar dhe për VETTING-un e Sistemit të Drejtësisë së kriminalizuar dhe të korruptuar.  Virtytet më të larta për një shoqëri politike dhe për një shtet modern janë: drejtësia, e  vërteta, morali dhe patriotizmi. Këto janë deficitet dhe mungesat më të mëdha që i kanë politika, pushteti dhe drejtësia  në Shqipëri por edhe në Kosovë sot.

 

 

*Autori është diplomuar për Agronomi, Jurisprudencë dhe nga Akademia Diplomatike “ Për Marëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci”. Është  studiues i politikës, i filozofisë platonike dhe kantiane, i fesë, i historisë dhe të drejtës romake, bizantine, osmane, britanike, amerikane dhe franceze. Autor i disa librave ku më kryesorët janë: “TRIUMFI I KOMBIT”, “MORALOKRACIA”, “NJERIU FILOZOF, ETIK DHE POLITIK”, “SHQIPTARËT, GREKËT, SLLAVËT,TURQIT DHE BALLKANI”.Ka në përfundim një libër voluminoz “ MBI TRANZICIONIN NË SHQIPËRI”. Ka shkruar dhe botuar  dhjetra esse politike, filozofike dhe historike. Ai dhe familja e tij shquhen  për tradita të mëdha fisnike dhe kombëtare, të cilët kanë dhënë   kontribut të jashtëzakonshëm për Çështjen Kombëtare sidomos për Çlirimin e Kosovës. Është pasardhës i Invalidit të Luftës, Sadri Kapitit, si dhe Veteran i UÇK-së.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1