Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | Makthi...

Makthi...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Tahsin Xh. Demiraj

Tahsin Xh. Demiraj

Makthi...

Ne sistemin qe kish marre denimin me vdekje!

                            

Ishim te mberthyer nga makthi. Jetonim me makthin, hanim, pinim, flinim me te. Ishim te mberthyer, nuk na leshonte makthi!...

Pasi bisedoi me mua ai, Koço Pano (Ai, se nuk isha unë qe e kërkova, ai erdhi e me gjeti se ai me gjurmonte mua), Durrësi me dukej si” Rio De zhaniero”(Qyteti i skëterrës), një film Latinoamerikan qe e kisha pare dikur dhe me kishte lënë nje shije te hidhur- farmak, nje përshtypje teje mase-te keqe. Tere ato imazhe te Rio-s i shihja neper Durres.  Durresi i bukur i këtij bregu te Adriatikut, me dukej si qytet i skëterrës. Une jetoja ne makth!.. Deti i bukur, ku shuanim etjen gjate stinëve te nxehta dhe kur bridhja dimrave dhe humbisja ne trazimin e tije te bukur deri ne madhështi, tani me dukej si lubi, i fantaksur, i huaj, i frikshëm, tamam një det i zi, Adriatikun e kalter e shihja vetëm te zi dhe nuk i dalloja tere ngjyrat e bukura qe i kisha pare një jete te tere.  .  . 

Ecja si i zbathur mbi gjemba, mbi xhama te thyer, mbi grimca xhamash apo mbi qymyr guri te ndezur; me çponin këmbët, me digjnin deri ne thellësi te shpirtit, me thernin deri ne kocke- kështu me dukej-.  Një mjegull e dendur makthi me kishte përfshire ne thellësi, si ne një grope te zeze kozmike kisha përfunduar ne atë ankth.  Kështu i kaloja ditët dhe netët, kudo qe te isha, ne shtëpi, ne rruge, ne radhën e qumështit;me dukej se po vinin dy a tre persona enigmatike dhe ja…do te dëgjoja nga prapa: Qytetari Tahsin Demiraj, ne emër te popullit je i arrestuar” dhe pa arritur ta dëgjoja mire këtë fraze standarte, te tmerrshme, e shihja veten te mbërthyer rrufeshëm me pranga dhe te përplasur ne sedilet e prapme te ”Gazit-ogurzi”, ne mes dy personash qe njeri ne nje ane tjetri ne anen tjeter, me  mbërthenin krahët si me mors, që mbyllnin derën me te shpejte dhe shoferi ia shkelte me 80 km.  E pas jo me shume se dhjete minutash isha atje,  ne një qeli te izoluar, ne labirintin  e nëndheshëm te D.  P.  M.  ku do te harrohesha- ne kisha qene ndonjëherë- deri sa te vinte radha për te me pyetur…

Rrugës, me dukej se shkelja mbi mina, i ngarkuar me një mori mendimesh, duke analizuar ne njëmijë mënyra një fraze apo një fjale qe me kishte shpëtuar me dikën, për shembull -dhelpër-…

..........................................................................................

Ne hetuesi ora 1 pas mesnate!

...Ke deshe te quash “dhelpër”Pse e le pa bisht, nuk ka dhelpër pa bisht, nuk ka njeri pa emër; partia na mëson ti themi troç gjerat- te ëmbla apo te hidhura qofshin- por asnjë here, ti hedhim mendimet ne ere dhe ti leme si bomba qe te na plasin pa pritur dhe te na bëjnë hatanë…Po po te dëgjoi njeriu ynë kur po bisedoje nen zë me atë ujkun- Ylli Leka qe na hiqet si dirigjent i madh por ne te vërtete ne e njohim qe është një armik i betuar…Ti i the: ”ai është dhelpër” dhe ai qeshi, e aprovoi dhe te tha- te lumtë se i re ne te-…Pse nuk e ngrinit zërin po flisnit me peshë peshe dhe qeshnit, kishit frike se mos ju dëgjonin?…Nga kush ruheshit. Neve jemi vend demokratik, Demokracia proletare është demokraci e kulluar dhe nuk afrohet fare me atë te perëndimit…Pra, nuk keni pse te flisni me zë te ulet dhe te keni frike…Hajde, thuaj, ke deshët te quani dhelpër, shoqen Nexhmie, Ramiz Aline, Rita Markon? Shokun Rita ju deshet ta quani dhelper? Kadri Hazbiun apo shoqen Tefta Çami- drejtoreshën e shkollës se Partisë,  shokun Reiz Malile qe na përfaqëson aq denjësisht ne O.  K.  B. apo shokun Pilo Peristeri- veteranin kandidat te Byros Polityike?…U bere ti more spurdhjak te diskutosh kuadrot, nomenklaturën me te larte te Partisë?…Hajde pra, fol…Po te japim mundësinë te rrëfehesh, ti thuash te gjitha.  Ne i dimë por duam ti dëgjojmë nga ty ne qofte se te dhimbset vetja, thuaji te gjitha, te gjitha ato qe di ti na i thuaj edhe emrat e atyre me te cilёt i bisedoni e me ty nuk kemi me pune,  vetëm kaq dhe mund  të shkosh të flesh i qetë në shtëpi.  .  

Një fjalë që do të të kishte shpëtuar, do te qarkullonte neper te gjithalabirinthet e Ministrisë se Punëve te brendshme dhe neper laboratorët shkencore, analizohej, i vihej emri dhe kthehej me Fax apo me korrier ne Degën përkatëse dhe i lihej hetuesve ne dore qe te përpilonin poçes-verbalet për punën armiqësore te te arrestuarit Nr.  394.  982 apo 2.  799.  897 e te tjerë e tjerë…

Ecje rrugës dhe shikoje dikë me syza qe te ndiqte dhe bënte sikur shikonte anash, vitrinave, luleve ne një ballkon, retë nëper qiell apo shikonte orën se gjoja po priste dikë qe kish lënë takim me te…

Gjurmimi, ndjekja, frika e kishin degraduar deri ne atë shkalle burrërinë sa qe edhe kur hanin atë cope buke te zeze me një pjate fasule apo me spinaq e me pak oriz (burani ia kishin vene emrin) apo me dy “koqe veze” te fërguara ne vaj kikiriku, ti dridhej dora  e ti binte luga nga dora njeriut. Ne te gjithe jetonim ne ankth...

Edhe po te kishe pare ndonjë film te Kinostudios”Shqipëria e re” apo te miqve kineze, vetëm duhej te thonj “Sa i bukur!”, ”Mjaft i bukur”, ”I mrekullueshëm”; dhe do te qe i mbërthyer prej ngërçit e ankthit deri sa te vjetrohej biseda qe kishe bere me Dr. Iljaz Gogaj qe i mberthyer nga ankthi si Krishti ne kryq, merrej me pune kerkimore shkencore, qe revoltohej per kinezerite e perditeshme, per rradhet e pafundme ne dyqanet e ushqimeve dhe zarzavateve apo me Hytbiun- Tarelli X, Y. Z. ne se nuk do te ishe mbërthyer e përfunduar atje, ne labirintet e nënedhedhme te D.  P.  M….  Lere, lere po te kishe pare kolektivisht me Ademin, Hysenin e Bujar Karagjozin apo Kujtim Vllamasin, një koncert te rëndomte ne RAI-t apo Meshën e Papës, ditën e diel, gjithë atë jave, pas asaje “te diele te mallkuar”do te rrije ne pritje ne ankth për ato qe kishim shkëmbyer, pëlqime e konsiderata dhe sido qe te trajtohej, do te quheshe bashkëfajtor, ne shikime te organizuara klandestine, te cilat hyjnë ne ”Agjitacion e propagande” dhe kështu qe futur si pa dashur ne atë te tmerrshmin nen "55” qe qarkullonte i harlisur neper  zyra e qendra pune, shkolla, teatro e spitale, neper shtëpiza e kooperativa e kasolle e stane e stalla e shtëpi lindjeje…

”Pesëdhjete e pesa” hante koka ku ti gjente shtëpive e rrugëve, qyteteve e fshatrave, shkollave e ndërmarrjeve, sallave neper mbledhje, bile neper mbledhje ishin me te shijshme se haheshin me buje e bëheshin mësim për te tjerët…Pooo…edhe burgjeve…Po, po burgjeve! Dënim mbi dënim, për te dytën here e për te treten here…Mire, ishe dënuar si armik dhe po vuaje dënimin por ama krahas vuajtjes se dënimit duhej te bëheshe edhe një propagandues i flakte i politikes se partisë, duhej te harroje një here e mire se kush kishe qene, ndryshe ne se do te vazhdoje te thelloheshe, do te shkoje thelle e me thelle, humbëtirave pa name e nishan…

Hektor Bregasin e pushuan nga puna si arsimtar-me tha motra ime, qe punonin se bashku ne shkollën 8 vjeçare te Dushkut.  Ishta arsimtar i mire por qe i biri i Zotit Neki Starova, i cili kur kish qene prefekt ne Dibër, kishte aprovuar te varej i ati i Haxhi Lleshit si agjent ne shërbim te Serbeve…Për këtë i dërguari i babe Haxhiut-Kajo Karafili- shkoi dhe e vrau.  E…Safet Kurti ne një libër  e quan akt heroik te Heroit te Popullit, këtë vrasje.  Kur Hektori kish guxuar te thoshte te vërtetën, nuk u desh me tepër për ta hequr nga puna dhe për ta degdisur punonjës llogarie ne Fermën e derrave ne Sulzotaj…

Edhe motrën time, nuk e shihte me sy te mire drejtori i shkollës Bani Mita dhe mësuesi Vangjel Sylari, i turfullonin për biografinë dhe për pushimin tim, donin te pushohej ose te paktën te spostohej me tutje, por nuk kishin ç’të bënin se nuk ju shkonte tek Dhosi Jani, shefi i arsimit ne Lushnje.  Po kështu  bënin edhe me Hytbi Torellin, pasi i vëllai i tije Sefer Torelli u arrestua se paskësh dashur te helmoje pularinë e Kooperativës se Gramshit, ne te cilën ishte agronom.  U pushua ne Lushnjë edhe Romeo Qamo ndërsa ne Berat paskëshin pushuar regjisorin Vangjush Popli, me tha profesor Filipeu qe e njihte nga i ati…Pushoheshin nga Shkodra ne Kukës e Peshkopi, nga Lushnja ne Tepelene e Fier, Skrapar,  Korçë,  Vlorë,  Durrës e Gjirokastër…Shqetësimet, ankthi, frika, pagjumёsia na shoqëronin, banesave tona tё ftohta.  E tёrё jeta i ngjante një drame qё nuk dihej kur kishte filluar e nuk dihej se kur do tё binte sipari, një drama e pambarim e neve aktoret e mjerë- protagonistë dhe interpretё…

Drame mbi drame provoi Zonja Sulltane Dinja, nena e Dine Dines, Adriana- nusja e tije dhe djali i vogël Elvisi kur një dite ja kёnduan edhe Dinës, e arrestuan dhe ia gjeten dëshmitarin e rreme, një bastard- edhe ai ish i interrnuar.  E dënuan jo pak te mirin, te urtin Dine Dine dhe e nisen tutje nga Qafe Bari.  Zi e me zi…Nuk u mjaftuan me dishendentet e Dinajve, nga interrnimi ne interrnim, e kane filluar ne kampin e zi te Tepelenes dhe tani ne balterat e Ngurrezes... brez pas brezi…I interrnuan te njome Dinën, Tomorin, Sazanin, u rriten dhe u burrëruan interrnimve dhe ja tani, ne burg edhe Dinja.  Gjithё djemtë dhe nipërit, i tёrё fisi i atdhetarit- flamurtarit tё Nacionalizmit Fiqri Dine…Nuk ia ndanë ndjekjet dhe burgjet as brezit tjetër…

Sa takohesha me çdo njërin nga shokët apo miqtë e mi, këto te reja shkëmbenim…Izet Shehut gati ia kane akuzën- nipi i Shehut te Karbunares-.  Kishte kohe qe i vinin rrotull po Izeti qe i pjekur dhe nuk shkelte ne “dërrasë te kalbur”, megjithëse e gërricnin here pas here.  Kish hequr dore edhe nga shoqërimi me shoke e miq për te qene larg nga gurguletë…Akoma nuk u mjaftuan me Shehajt e Karbunares se Lushnjes, pasi i shuan njërin pas tjetrit ata qe e deshën Shqipërinë deri ne adhurim, tashti i janë qepur Izetit…Pas Shehut legjendar të Karbunarë i sharruan njërin pas tjetrit të gjithë lisat e Shehajve, deshën ta shkretojnë tërë lisnajën e tyre pra iu turrën edhe brezit më të ri me këmbëngulje makabre, të pafeshme që nuk e rrok dot mëndja njerëzore…Ka, ka edhe me, nuk mbaron lista e te ndjekurve…Halil Jaçellarin, nuk e lënë te qete te shkruaj, pasi “është kokëkrisur”, i thotë te bardhës e bardhe dhe te zezës-te zeze, e akuzojnë se ka qene i dënuar, kur ai ka bere vetëm 2-3 muaj, ne s’gaboj,  për çështje ordinere qe edhe ai dënim i ka kaluar ne amnisti. Po, pooo…po hajde dhe mbushu mendjen keqdashësve,  shpifsave,  shpirtkatraneve qe me te tilla jetojnë, majmen, bëjnë karriere…Bilbil Camin dhe Seit Prishtёn, ne vend qe ti bëjnë”Mesues te Popullit”-se tё  tille janё, jo vetëm qe i kane lënë një jetë fshatrave por i shikojnë sikur ata te jene e keqja e kësaj shoqërie te sëmurë nga veset…

...Ne dyqanet e bukes, rradha legjendare per te marre buken e vetme 40 lekshe, nga dita ne dite po shikiohen fshatare qe luten t'ju marrin nje buke gruri... Fshateret ka kohe qe hane vetem buke misri, misri hibrid, nuk shtyhet, buka e qytetit eshte nje buke e rralle per ta...Buke, buke kerkojne ata qe e bejne buken. Edhe buke nuk ka...

Arrestuan Doktorin kardiollog Ben Çetën ne Durrës dhe shume nga punonjësit e shëndetësisë ne Durrës, nuk gjenin vrime  ku te futeshin ato dite, im vella Bardhyli dhe miku i tije Dr.Stefan Vokopola jetuan ne makth tere ato dite e jave... prisnin te thirreshin edhe ata për ndonjë fjale qe mund te kishin këmbyer me Dr. Benin. Për të qeshur dhe për të qarë…

Doktorin e nderuar Ihsan Çabej, mikun tim, mikun e te gjitheve, e kishin thirrur ne një mbledhje qe kishin organizua r”shokët e Frontit”, pasi” kishte probleme brenda ne familje”, për ta diskredituar-, se ndryshe nuk kishte ç’ju duhej “Shokëve te frontit ”familja e tije; edhe po te donin te nderhynin as nuk rregullonin dot pune ne familjen e tjetrit...dhe nuk ishte ky problemi kryesor i kohës për Frontin Demokratik…

…U lirua nga interrnimi Regjisori brillant Kujtim Spahivogli dhe kërkoi te punonte ne Teatrin e Durresit.   Do te kish Durrësi, me  ne fund,  një Regjisor, por jo, nuk ish e thëne, nuk e aprovoi Partia. Shkoi Regjisori i talentuar,  ne një vatër kulture, ne Petrele...Per nje plesht, digjej jorgani nga partiaket

Krejt rastësisht u takova me Ibrahim Allen, përpara restorant”Durrësit”, nuk priti te përshëndeteshim por me tha se Hasan Çobani u shua tragjikisht. Ngriva ne vend. E kisha mik...

...e paskësh thirr ne zyre Sekretari i K.P. Rudi Monari dhe i paskësh thëne qe te dorëzonte Tersen e Partisë, pasi kohe me pare, i shoqi i te motrës se Hasanit, ishte arrestuar dhe dënuar për pune armiqësore…

E vranë edhe Hasanin,  e vranë- vrasësit.  I dhanë armën në dorë dhe e detyruan ta shkrepi për t’i dhёnё fund jetёs.  Kisha miqёsi me Hasan Çobanin, e donim njëri tjetrin, mё erdhi shumë keq por…Shkova me vonesё pёr ngushёllim, jo sepse  ruajnë  kush hyn e kush del por ma thanë me vonesë, takova Hënën,  tё shoqen e Hasanit dhe nusen e Arturit.   Arturi dhe Genci nuk ishin aty…

Dhe ne banesën  e fundit e kishin shoqëruar vetëm dy djemtë, Lushnjarët i paskan kërcënuar shokët e Partisë,  janë fshehur…A ka me keq?…Oh të mirët djem sa janë vrarë…Hasani kish një rreth te madh shokësh dhe miqsh dhe nuk ju gjet asnjeri për ditën e zeze?…Ku është njerzilleku, si u katandisen te tille Shqiptaret e zakoneve dhe dokeve qe na i kish zili bota?…Ja keshtu i dha fund ankthit miku im.

Ja këtu kane arritur njerëzit,  te sakrifikojnë njëri tjetrin për ti bërë qejfin atij që fle prapa shtatë rrethimeve për prapësitë e paudhësitë e tij,  për gjëra që ia thotë mëndja e tij e atrofizuar dhe mund të mos jenë hiç të vërteta...- dhe përhapin poshtë e përpjetë “Deshën të eliminojnë Sekretarin e Parë të Partisë”,“Ish agjent e poliagjent”,“Armik i kamufluar në gjirin e Partisë”, ”U vetëvra se i paskan kërkuar teserën e partisë”!...Strategji e njohur e partisë, a ka ne bote mendje me te djallezuar?... kështu i udhëzon Kaini... “Hidh gurin e fshih dorën”. Pas “vetëvrasjes”fshihen gjakësorët që i ndoqën këmba këmbës fëmijët e Hasanit e i përzunë nga Tirana gjithë Cobanajt... 

…Kështu janë katandisur njerëzit, shoqëria jonë socialiste qe për Partine te marrin jetën, Partia është edhe mbi nënën dhe babën, atdheu i shkrete nuk përmendet fare se po te qe për atdheun- po- duhet sakrifikuar…E ç’është Partia?…Një grumbullim njerëzish qe bien ne ujdi te mendojnë një lloje, te punojnë një lloje, te flasin një lloje me gjuhen standarde te diktuar nga lart dhe ti vene prapa me hossana, atij qe kane ne krye qe ne fund te fundit edhe ai njeri është, i vdekshem si te gjithë te tjerët, me i mire apo me i keq, me shkolle me shume apo me pak, me i sinqerte apo me intrigant, me karakter apo pa karakter, i moralshëm ose pa te…

Ne portin e Durrësit kishte ardhë një anije mësimore Kubane!…U lajmëruan menjëherë organet e Ministrise se Brendshme dhe me urgjence arriti Ministri i Brendshëm se ne ekuipazhin e asaj anije qenkëshin edhe rus.  Kur rusёt shtypёn Revolucionin Hungarez mё 1956, neve ishim miq me ta dhe e quajtёm kundёr revolucion dhe terror i bardhё i bandave tё Horthit.  Ndёrsa tani qe nga pushtimi i Çekosllovakisë, ruset na dukeshin te tmerrshëm dhe qarkulluan fjale se”Erdhën IVANET ne Durrës”, si tё vinin bajlozët nga deti,  dhe u rrethua porti edhe me te tjerë breza, me arme te renda, mitraloza e topa e tanke, te gatshëm për te hapur zjarr…Marinarët jo vetëm qe nuk zbriten ne toke por u dha urdhër qe te largoheshin menjëherë si te padëshirueshëm, ne te kundërt do te hapej zjarr…U largua ne çast ajo anije- mësimore, pa u furnizuar edhe me ujë për te pire.

Ne bote te boteve, nje gje e tille nuk ndodh.

 Ne aeroportin e Rinasit u hap një repart shërbimi-berberësh dhe u vendos një parulle”Lufte kundër qafëlesheve”Te gjithë turistët qe do te vinin do te kalonin ne berberhane, për te qethur flokët qe i mbanin te gjata ose do te hiqnin mjekrat se me to binin mbeturina te huaja ne këtë vend besnik te Marksizëm Leninizmit.  Ato ishin te huaja për moralin komunist megjithëse edhe Marksi edhe Lenini ishin qafëleshe dhe mjekroshë me shume se këta turistë. Ka kohe qe vete diktatori po i mba floket te gjate, po atije si i lejohet te beje ate qe ai vete e ka ndaluar si te qe nje herezi...

Thagma te tilla nuk ishin te pakta ne vendin tim ku turfullonte arbitrariteti dhe arroganca shtetërore partiake si ne asnjë vend tjetër te Evropës. Neve jetonim ne ankth!... 

Atmosfere frike, ndjekje, ankthi, bridhte neper rruge e rrugica, kudo, kudo e kudo…Kjo ishte e zakonshmja, e pakta…le te rronin ne fund te fundit ne këtë atmosfere, me frikë e me ankth por ama shkonin dhe mblidheshin shtëpive me gratë e fëmijët e njerëzit po ai, ai neni 55 te merrte përpara, te trulloste e te fundoste, te humbiste pa name e nishan tutje nga Bulqiza, ”Shtat male kaptuar”…E keqja nuk ka fund…

Ne vendin tim jetonim ne ankth.

Ishte sistemi qe kish marre denimin me vdekje.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1