Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | THETHI BËHET GATI PËR PAPËN

THETHI BËHET GATI PËR PAPËN

Font size: Decrease font Enlarge font
image Xhevair Lleshi

THETHI BËHET GATI PËR PAPËN

 

Ese nga Xhevair Lleshi

 

Lajmi mori dheun. Të gjitha malet, ahet, lisat, pishat, rrjetet e internetit dhe portalet gjithashtu njoftuan se një malësor nga Thethi i kishte dërguar Papës së Romës një lutje që të bujtte në shtëpinë e tij në Theth e të kalonte pushimet midis nëntë maleve të famshëm, të merrte pjesë në meshën për të rënët në luftën kundër komunizmit dhe pastaj të ishte i pranishëm në Logun e Shpirtrave, në 2000 m lartësi. Mos! E vërtetë të jetë? S’ma merr mendja që Papa i Romës dhe i krejt katolikëve të marrë helikopterin personal dhe të vijë drejt në Theth! Po halli nuk është se si do vejë Papa në Theth, po hajt përmbaj gjithë botën pastaj! Thethi me siguri do shenjtërohet, vendet ku do të shkelë Papa do kthehen në vende pelegrinazhi, çezmat ku do pijë ujë, dëbora ende e pashkrirë e prekur prej tij, s’dihet si do përfundojnë burimet e Okolit, ç’do bëhet me kullën 350 vjeçare të bacës Sadri, ku do venë studentët, si do grumbullohen çekët, gjermanët, polakët, zviceranët e ku e di nga ç’tjetër komb. Por nuk do kenë fund të mirat dhe të këqijat!  Mbase të njëqind shtëpitë e Thethit do kthehen në bujtina 4-5katëshe, mbase rruga do të bëhet nga më të bukurat, ndoshta kalon edhe hekurudha dhe Autostrada e Evropës Qendrore drejt Shëngjinit! 

Nuk donte të luante më me fjalën askush. E takova Zef Barin thethianin e tërbuar që u shkruan të gjitha agjencive turistike të botës, njeriu që njeh fill e për pe historinë dhe terrenin e vendit. Po në «Maçu Piçu», i them, do ta çoni Papën? Ku? - më drejtohet dhe më sheh me vëmendje në bebe të syrit. Po, kur vjen nga Qafë Tërthorja nuk e paske parë? Ai u mendua pak. Maçu Piçu është në Ande, në Peru, kurse këtu jemi në Alpe. Mos je gjë i lajthitur, apo i lodhur? Apo ndoshta i sëmurë? Natyrisht, i kisha të gjitha ç’thoshte, se e vërteta më kishte bërë kështu Thethi i tij dhe imi. Ç’paradoks, e ha njeri këtë? – i them. Ndoshta nuk sheh mirë, Zef miku, apo edhe je konsumuar nga shpjegimet e shumta që jep e merr, apo edhe fryma e gabuar të ka futur në të thella. Ja tek është, por ai më spërkati me ujë lajthie dhe u largua. Nesër, pasi njerëzit dhe miqtë e panumërt të Papës kur të vijnë në Theth e Ndërlysë do të shohin se sa ngjan mali përballë Tërthores, Guri i Lohes, me Maçu Piçun e Amerikës Latine...

Të gjithë u binin lodrave e tupaneve, por më tepër polakët, të rinj e të moshuar. Më tej sllovakët bënin si skocezët, u binin gajdeve duke imituar melodi nga Voskopoja e Pogradeci. Mirë që s’kanë ardhur fyejtë e Gramshit! Mos! Do ngjallen këngëtarët e lashtë, të vjetrit e rinj dhe antikët e vjetër! Me siguri. Vjen Papa i Romës! S’është shaka kjo. Unë, shtonte Pjetër Luca me një fije buzëqeshjeje nën sy, po të isha si Edi Rama vija në Romë dhe nuk ikja nga Selia e Shenjtë derisa Papa të mbathte opingat dhe t’u hipte këmbëve për në Theth. Qejf o qejf! Ia preu mendja atij malësorit pa emër që i shkroi Papës. 

Pastaj vajti ç’vajti kur ua lexoi letrën shqip polakëve, çekëve, serbëve, gjermanëve dhe ca anglezëve të krisur që nuk shembeshin me birra, për ftesën që i bënte Papës. Aq duhej! U ndez imagjinata dhe ec t’i përmbaje. Filloi rrëmuja e bukur. Qindra vetë u nisën drejt Qafës së Rragamit për të vajtur në Valbonë. Të tjerë ia mbytën për në Qafë Pejë të binin më shpejt në Lëpushë, apo në Vuthaj. E, po të vini në Vuthaj, u thanë, mos harroni të nënshkruani peticionin e vuthjanëve për t’i ngritur monument akademikut Rexhep Qosja. Trembesha mos harronin dhe na pinte e zeza! Se ata kishin mbërritur në atë gjendjen ekzaltuese kur njeriu heq dorë përfundimisht prej asaj që i jepte kënaqësi më tepër. Por as kjo nuk ishte aq e bukur, sepse duhej thënë në pikën më të ulët të dëshirës, domethënë në gjendje dëshpëruese. I thonë shtatë-tetë orë rrugë më këmbë... 

Ç’po ndodhte me këtë pritje të famshme? M’u bë se e zbulova sekretin krejt rastësisht dhe i dhashë të drejtë malësorit pa emër, sepse në të vërtetë letrën do ta përcillte drejt Selisë së Shenjtë vetëm Zef Bari, ambasadori i vetëm i Thethit nëpër botë, me seli në Tiranë. Por stoicizmi i Zefit për të rezistuar ishte gati i paimagjinueshëm. Mos të harrojmë se Thethi është në kulmin e forcave të tij krijuese! Po për ç’krijimtari bëhet fjalë? Është koha kur të gjithë regjisorët dhe punonjësit e Ministrisë së Kulturës do të vihen në garë me në krye ministren për të realizuar albume, filma dhe paratë lumë. Si mund të ndodhë kjo? Dhe të mos bëhet rruga deri në fund? Kuje e zezë! Nuk bënte të prishej për kaq pak gjë kjo festë që mbi të gjitha tingëllonte si imagjinare. Po a do të vinte princi dhe princesha e tij aktore? A do të vinin qytetarët me emër të Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit? Se Baba Mondi dihet që vjen, e ka mirë me katolikët dhe me katedralen në Tiranë. Po Anastasi, kryeprifti grek i Kishës Ortodokse Shqiptare? Me siguri edhe ai, por i pari do jetë kryeministri, presidenti, ish presidentët, ishkryeministrat e kush nuk do të vijë. Do të lozë qeni i kallajxhiut në Theth! Mund të prisheshe prej këtyre vogëlsive të çuditshme ku edhe bëhej edhe zhbëhej personaliteti, thonë. Por veç kaq, thonë!....

Në Theth as që mendojnë për pasojat, për grindjet dhe merren me përgatitjet. Kanë vërshuar bojaxhinjtë nga Prishtina, Tirana, Shkodra, Podgorica dhe Shkupi. Madje kanë ardhur edhe nga Beogradi. Kurse mua do t’më pëlqente të vinte Dr. Ridvan Pllana, prishtinasi që jeton në Adelajde të Australisë së largët, se ai di t’i qajë me lot ato të shkreta rrugëtime. Pa le të ngjallet ai, i largëti Evlia Çelebiu, që të çon në gjuhën e vjetër osmane me tepsi e kusi, me tenxhere dhe me derexhe! Gjuhë kjo edhe në këto ditët e sotme që po mjaullin në ekranet e televizionet tona. Se nuk është pak që osmanishten ta flasë edhe kryeministri, sidomos kur drekon me të parin e sotëm të Perandorisë Osmane. Allah! Por të mos e largojmë fillin nga Papa i Romës, të mos ngatërrojmë punën dhe detyrat e secilit në pritje e përcjellje e të mos e larushitim me politikë dhe me gjuhën e epërme të lartësive. Gjuhën e lartë le ta lëmë për Logun e Shpirtrave, atje ku është e përnatshme festa e amshimit të madh dhe veç këtyre ku sundon vetëm bukuria përrallore. Që andej secili le të shohë rolin që do ketë, le të ndërtojë me përimtësi edhe të ardhmen e tij po të dojë. Ndoshta do ketë lindur ato ditë ndonjë vogëlush thethjan që ta bekojë Papa, apo t’i bëhet nun Papa, siç bëri kryeministri ynë me Zahon e vogël, i cili u pagëzua në aeroportin «Nënë Tereza». Emri i saj vlen më shumë se një kishë. Dhe ati, prifti i Thethit, rri e buzëqesh me një fije ironi. Sikur dëgjova vargjet e Lahutës, po i mësonte duket. Bukur. Askush s’lëshonte pe, as në çështjet fetare as në përgatitjet e festës...

Dikush po numëronte kecat dhe po i vinte të hanin gjeth te Shtegu i Dhenve, ose le të ngatërroheshin me qengjat në Maçu Piçu (Lohe). S’ka festë pa kurbanë. Gjaku rrëke do jetë në Theth, veç në  i ndaloftë Papa, se Baba Mondi i Kryegjyshatës Botërore nuk i ndaloi dot asnjëherë shqiptarët që therin e bëjnë kërdinë në mal të Tomorit e në Qafë të Kulmakut (aq sa ndryshon edhe ngjyra e barit që edhe sot e kësaj dite është i kuq!). Po kush të dëgjon? Duhej arlekini gazmor i Thethit, jo gjykatësi i ftohtë që s’jepet! Tërheqja prej bujës që enkas krijohet prej artistëve që do vijnë patjetër në Theth (e ku do vejë Papa për pushime nëse atje nuk do jenë artistët, që ka mundësi të vijnë si turistë nga të gjitha vendet, se Papa nuk shkon gjëkund pa rrahur rrugët e internetit e të televizionit; se bota fundja sa një grusht është!), moda që ata e duan vërtet çmendurisht, do t’i përkasë fama që nuk e fshehin, ku, edhe lavdia pse jo, madje do ta gëzojë për çudi Papën dhe ata më të dobëtit, që sigurisht do jetë si kudo në të kremte të tilla. More do vijë për festë apo për të pushuar Papa? Ndoshta do t’i pëlqejë ky ajër i kondicionuar i nëntë maleve dhe i Luginës më të famshme në botë. Edhe Papën kishte mangët Thethi! Dhe kush, Thethi, që s’di ku të fusë veten e tij, s’di as ku të fshihet, pa le!. Po mirë që janë këta malet e mëdhenj, mirë që është Maçu Piçu, Valbona dhe Lëpusha aq afër (ndonëse shtatë a tetë orë më këmbë! Po kush, cili është ai burrë që në Theth e mat punën me orë?) Atmosfera e komunitetit thethjan të Thethit qysh sot kur po flasim ka ndryshuar, sepse kush nuk po vrapon drejt Thethit dhe maleve të tij. Mos o Zot ndonjë zjarr thuaj, se po të qenë lebërit këtej do t’ua ndiznin çibukët nën mustak maleve dhe pyjeve e kur të shihje pastaj lodrën gazmore të zjarrit!...

As pashë e as dëgjova qoftë edhe një tekë apo shenjë mendjemadhësie, vuajtje a mundim, sepse ata s’kishin kohën e duhur as për t’u gëzuar, pa le për t’u shkëputur prej dualizmit të tyre ekstrem. Dikush mund të kundërshtonte duke thënë se Papa s’ia kishte ngenë Thethit, se nuk kishte kohë ku e kur t’i fliste tërë hallet që i zienin mbi kokë, por ama kushdo mund të kënaqej më shumë me të ngrëna e të pira, me interpretime, që përkundër mund edhe t’i harronte, se s’të linin rehat grerat anembanë botës, po edhe një barrë me vështirësi që doemos e sfilitnin. Papa, jo, donte të vinte në Theth dhe s’përmbahej nga gëzimi, pa asgjësuar njerëzit e kotë, ata të thyeshmit e gjorë, që jepeshin politikisht dhe praktikisht, prej trysnisë së përditshmes të madhe që të bënin gjëmën. Kjo dihet mirë.

Unë ende nuk jam në gjendje ta përfytyroj ditën e Vizitës së Madhe, apo të Pushimeve të Mëdha, që do tronditnin botën! Si ato dhjetë ditët që tronditën...! Mos! Dhjetë Ditët Që Tronditën Thethin! Do dalin libra, drama do bëhen, filma mbase, pa dokumentarët s’do kenë fund. Do bëhen e ç’nuk do bëhen. Kërkoj ndërkohë Zef Barin për të folur me të rreth vizitës, programit. More, u kujtua, po sikur t’i shkrepet të vijë Ai, Donalt Trampi? Mos e thuaj dy herë. Fjala merr dheun dhe ku të fshihesh pastaj! Vijnë batalione me marinsa, vijnë ata të CIAs dhe ata të FBIsë, bashkë me Lunë tonë (ai i uruari nuk harxhon shumë se është i pakët!). E lëmë me kaq, i thashë Zefit, se hidh ujë e shto miell kush e di ç’gatuajmë pastaj! Qeshi, ogur i mirë, dhe asaj kohe iu krijua njëfarë komoditeti për të qëndruar mënjanë. Dukej sikur çdo thethjan do hiqej mënjanë, se burra të hollë e me një barrë mend, e kuptuan se zullumi mund të zonë, dhe u përpoqën të gjenin shkakun për të mos marrë pjesë nëpër filma dhe në ansamble artistike. S’dihej ç’ndodhte dhe hajt të gjeje vrimë ku të futeshe. Papa ishte aktori i madh dhe njeriu i madh, shpeshherë, siç na ndodhte rëndom të gjithëve kur frymëzoheshim dhe gjenim arsyen e thjeshtë për të bërë më të mirën. T’i ktheje shpinën tani, në këtë pikë ku kishin arritur gjërat, as që bëhej fjalë ta mbuloje me harrim, këtë fakt kaq interesant të ditëve të pushimit të Papës në Theth (more mos ka marrë vesh se këtu dikur mes maleve ka qenë një kamp pushimi punëtorësh, ku asnjë katolik nuk erdhi për të kaluar pushimet, përveç myslimanëve!) u bë ngasje e papërballueshme për të gjithë, sidomos për Saimir Kumbaron që e ndiqte pas festën, po edhe regjisorë të tjerë, që i kishin bërë gati listat e të ftuarve të tyre, madje edhe çfarë do hanin dhe pinin... Dhe lajmi vërtet kishte marrë dheun! Papa i Romës do të linte Selinë e Shenjtë për të ardhur në Theth...

 

Tiranë, më 13.07.2017

 

 


Comments (1 posted):

faruk myrtaj on 14/07/2017 22:53:21
avatar
Hajde mos e beso,
pasi sapo e ke lexuar kesisoj!!!

Dikush do duhej ta shpallte ne tweeter, ne mos Trump, Edi Rama...

Mbase vertet mjafton Zefi i Xhevos...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1