Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | NGJASHMËRI NË DRAMAT TONA

NGJASHMËRI NË DRAMAT TONA

Font size: Decrease font Enlarge font
image Agim Shehu

Agim Shehu

NGJASHMËRI NË DRAMAT TONA

 

Takoj poetin Drago Siliqi, një shkrimtar fisnik, i çiltër e i përzemërt si rrallëkush në elitën e krijuesve. Fjala e parë ishte, se i thanë diku lart, që bashkë me një krijues tjetër, shok të tij, do shkoja për studime letërsie në Moskë! Më ra e papritur, dhe sigurisht u gëzova shumë. Desha të dija dhe bamirësin tim diku lart, por e quajta të tepërt. Lajmi aq sa u tha, qe i mjaftueshëm që të ndjehesha më i lumtur i botës. Dragua më shihte harenë time në fytyrën mbuluar dritë, dhe buzëqeshte si për lumtërinë e tij. Nuk e spjegoja pse më donte përtej vlerës që kisha si një vjershëtor i sapo dalë në sheshe arti (mendoj se vdekja e tij, aksident në avion, qe një humbje e madhe për tërë letërsinë. Me të në krye, Lidhja e Shkrimtareve nuk do kish aq ligësira e intriga të çdo ngjyre e të çdo interesi meskin siç ndodhën). Më përqafoi e u ndamë.

    Befas më takon një oficer i lartë Sigurimi, bashkëfshatar. H. D. Kish nderim për tim atë dhe qe i çiltër, shpesh si babaxhan pa dredha fjalësh. M'u drejtua përzemërsisht e më tha se u kish vajtur emri im për studime të larta letërsie në Moskë. E kishin studjuar si Ministri e Brendëshme biografinë time dhe kishin ngecur tek e fejuara ime (bashkëshortja sot), si një familje nacionaliste e reaksionare me të burgosur antipushtet e të rrezikshëm! Në fund dha shkurt mendimin e prerë - zgjidh e merr, ose Moskën, ose vajzën reaksionare!...U hutova e s'po gjeja fjalë t'i përgjigjesha! Nisja një sqarim, e gjysma e fjalës më mbetej në grykë, dhe kerkoja fjalë tjetër për përgjigje. Arrita t'i thoshja, se ne jemi dy studentë të sapombaruar Universitetin,  e nuk kemi bërë as fejesë...Nga e keni ju këtë lajm, nga e dini! Ma ktheu me pak të qeshur: Sigurimi, mor djalë di dhe ç'fëmijë do të bëni!...Të flas si djalë të atij babai...Ta përsërit, zgjidh e merr...Pres përgjigje. Të mendohem, fola në fund, dhe u ndamë. 

U largova, po s'dija nga të veja. Po më ngatërroheshin rrugët para syve. Asnjëra prej tyre nuk më jepte një përgjigje. Kalonte ndonjë veturë e mirë, e më dukej se vinte nga Moska, të më mirrte me vete, mes beriozave e rjabinave, thua do bisedoja me Pushkinin dhe Eseninin. Në parqet e bukura lodronin vajzat e qeshura moskovite që të huajt, sidomos studentët poetë  i ftonin në mbrëmje vallzimi të lira...Një rrugë të çonte te Kinemaja me të dashurën e çiltër e të gëzueshme vlonjate, pas akulloreve e kafesë shkonim të shihnim filmin e pëlqyer...U nisa drejt saj, i sigurt se në këtë udhë diku në trotuar pranë një gëmushe të gjelbër më priste vajza ime e dashur...

   U takova me të. E qeshur e me një çiltëri të pafaj si gjithmonë. Më hodhi krahun për t'u nisur diku, Më pa të heshtur si asnjëherë dhe fytyrën e hijëshme ia mbuloi menjëherë habia. Priste të flisja vetë,pa më pyetur Gëzimi i atyre ditëve, sesi letrat tona do kishin dhe vulat e Moskës, i qe shuar menjëherë. Nisa t'ia thoshja vendimin e Sigurimit. Ia thashë butë në fillim, sikur nuk qe ndonjë gjë. Do kalonte.       Ajo e kuptoi rrënjën e saj. Qe një temë që në shtëpinë e tyre  Sigurimi kish çvendosur kuçedrën e prrallave që fshatit i zë burimin...Kuçedër e gjallë qe ai vetë, që kish zënë për gryke gëzimin dhe fatin e njerëzve...Mërmëriti një fjalë që i ngeli te buzët "Po Hitua..." por e ndërpreu ( e kish fjalën për gjeneral Hito çakon. Kur mori vesh se unë isha lidhur me një vajzë, nga ato që përfundojnë në martesë, na shtroi një darkë të hapur në lulishten e Oficerëve. I tha Zanës me një lloj humori të gëzueshëm, se vëllai dhe të afërmit e saj po bëjnë jetë burgu, por ajo do ndiqte gjurmët e vëllait të vogël, që si gueril antifashist në Vlorë e zunë italianët dhe e pushkatuan...Ti je këndej - i përsëriti duke qeshur çiltër...dhe ngriti gotën për dashurinë tonë) Por ajo ngjarje tani, përballë paralajmërimit qe zvogluar e gati po shuhej në përfytyrimin e saj...) Keqkuptim...do kalojë - përsërita unë kur e pashë se zuri të fshinte lotët me shaminë e hollë të saj..."Unë i kuptoj të gjitha, foli hapur ajo...Shko ku të thonë...Një herë vjen ky rast...Ky qe dhe fati im...Unë në shpinë kam fatin e familjes. Nga ata nuk ndahem dot. Do bëj si do bëj. Me mua, do kesh luftra të çdo lloji. Të dua shumë, e s'dua të të sjell fatkeqësi. Mos më bën qejfin si me ngushëllime. Ik në Moskë me shokun..." E mbyti të qarët. Mbuloi sytë me shami dhe u largua. Nuk kam parë në jetë qarje të tillë, aq më tepër nga një njeri aq i dashur e i çiltër. Tek më fliste nëpër lot, me zërin që herë herë i dridhej prej ngashërimit, më dukej si një ëngjëll që kish zbritur nga qielli, dhe qante se bota e njerëzve poshtë s'po e kuptonte. Aq më keq, po e fyente...E ndoqa me sy gjersa mori udhën kthesë drejt bregdetit. Më dukej se dhimbjen e kish aq të madhe, sa atë mund ta bisedonte vetëm me detin përballë shtëpisë së saj.

     Takova punonjësin e Sigurimit. E falënderova si bashkëfshatar për kujdesin e tij të përzemërt me mua, e në fund i thashë: "Nuk e lë. Do bëj krim...është dhe kundër zakoneve tona në fshat e në tërë Labërinë." "Domethënë...le Moskën? E mendove mirë?" "Po". "Vajza ka gjithandej sa kur të kthehesh, do të të furrosen. Po ti qofsh". 

Nuk iu përgjegja...doja të ikja sa më shpejt, të kërkoja atë që m'u nda, e që isha dhe unë fajtor...

  ... Po kaloja vitin e katërt në Metalurgji. Më dërguan për dy vjet "riedukim" e më mbajtën 10 vjet. Ime shoqe priste me ankth rikthimin, po ai s'dukej. Ajo mbante e rregullonte si heroinë shtëpie në skaj të varfërisë tre fëmijët. Ata që më dënuan prisnin që natyra ime do shpërthente e do flisja keq diku, për dënim të mëtejmë. Unë zgjodha durimin pa gojë, si Sokrati para helmit, duke përballuar në heshtje çdo të keqe dënimi. Ma dha Zoti, të tregohesha sadopak i zoti, sa i durueshëm dhe i mënçur karshi kurtheve. Kryesia e Lidhjes me ndihmë funksionarësh lart, menduan tjetër mënyrë.

   Burrit të një kushërire i kisha thënë si i afërt, se Qemal Stafën e vranë shokët e tij...Se po të jenë akuzat ndaj Hito çakos, Todi Lubonjës etj si të miat, ata do quhen viktima e meritojnë buste nderimi...etj.

   Sigurimi në Tepelenë e kap burrin e kushërirës kur ata u ndanë, dhe e kërcënon me burg të rëndë dhe si familje e dënuar më parë. I vunë kusht shpëtimi, nëse do t'u tregonte të fshehta nga bisedat e mia! I zënë ngushtë, ai ua tha ato që kish dëgjuar nga unë. Ato erdhën me firmë Komiteti të Tepelenës në organet e Metalurgjisë. Mbledhje urgjente dhe e egër. Pas diskutimesh histerike, u vendos që gjykimi t'i jepej prokurorisë...Miq të mi të fshehur, venë i thonë time shoqeje, se kësaj here unë isha te dera e burgut. Ime shoqe, si fisnike e derës së fisme nuk e humbi toruan. U mblodh më shumë rreth tre fëmijëve dhe vazhdonte jetën aq sa u qe lënë për ta jetuar. 

   Befas, e takon gruaja e një shkrimtari kryesor prej elite. Si "i qan hallin" e këshillon që, për hir të fëmijëve të më linte mua, të ndahej me një herë. Ndryshe, ajo e dinte, që do t'u vinte kamioni natën, për t'i internuar diku si familje "armiku". Time shoqeje iu rrotullua bota. I vinin pamjet pa fund të jetës së përbashkët. Në krye, i ndënji, e palëvizëshme disi, ngjarja me studimet në Moskë. E pa në sy shoqen që priste përgjigjen, e ia ktheu mendimin me butësi: "Janë punë të mia. Me tim shoq bashkë, do ta gjejmë zgjidhjen". (Kurthit të asaj letre të zezë prej gjarpëri i shpëtova falë veprimit të zgjuar e të vendosur, të pashoq, të punonjësit të Degës në Elbasan,  të paharruarit Sofokli Duka, si dhe antares së Gjykatës së Lartë, zonjës fisnike e humane Liri Gjoliku. Po kjo është temë tjetër. ) Ngjarja ime nga Moska ushqeu sadopak ngjarjen e saj nga Metalurgjia. 

Këto ngjarje të paharrueshme të lidhura bashkë si dy histori të paharrueshme të një rrënje thellësisht njerëzore, rodhën në udhën e vet, përcaktuar nga karakteri i njeriut si dhe humanizmit të dashamirësve.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1