Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | CA FJALË JOPAQËSORE MBI NJË REVOLUCION PAQËSOR

CA FJALË JOPAQËSORE MBI NJË REVOLUCION PAQËSOR

Font size: Decrease font Enlarge font
image Pellumb Kulla


Ne përditë dashurojmë dhe e shfaqim. Urrejmë, kënaqemi, mallkojmë… Dhe i shfaqim urrejtjet kënaqësitë dhe mallkimet tona.
Në gjuhën banale këto quhen votime. 
Po le ta përdorim këtë gjuhë meqënëse është gjuha e stinës…
Për afro tre muaj u dëgjua dhe ridëgjua, përshkrimi i gjendjes së vendit. Edhe mullinjtë që bluajnë politikë, - kanalet televizivë, që i bënin vend Fahri Balliut, dua të them, - bluan dhe stërbluan çfarëdo që u tha në atë strehën e mirënjohur prej mushamaje. 
Aty u tha se kjo qeveri që duhet të kryente shërbimet që i takojnë, e gjeti vendin qelibar të pastër dhe e ka mbushur atë tejembanë me një lloj bime, që më parë nuk e njihte njeri. U tha që qeveria kujdeset për shitjen e asaj droge, për pasurim, për blerje ndërkombëtarësh dhe për të gjitha punët e pista që bëhen me para. U tha se nën këtë qeveri populli vuan, se papunësia ka arritur nivele të papara, se parlamenti është i mbushur me vrasës dhe kriminelë. U tha se për katër vjet në këtë kënd të rruzullit nuk u pa asgjë e mirë, asgjë e bukur. 
Të gjitha këto, u thanë dhe u dëgjuan tre muaj rresht, por duke qenë të njëjtat deklarime, tre dit do të kishin mjaftuar të thuheshin së paku nga tri herë. Dhe duhet të jemi dakord se kjo ishte gjuha e një fushate zgjedhore e nisur me mençuri të admirueshme, shumë kohë para të tjerëve. Dhe gjuhët e tilla natyrisht shndërrohen në vota. 
Nuk dua të them se këto që u përsëritën pa fund janë që të gjitha gënjeshtra. Ka aty plot të vërteta. Dhe bile njerëzit i bënë gati votat për të dy palët. Mbeteshin vetëm për t’i hedhur në kuti. Dhe votimet natyrisht do të nxirrnin fitimtarë protestuesit. Aq më tepër që tani në krye ata kanë një kryetar të ri (që është më shumë kryetar i ri, se ministër i vjetër!). Kryetari i vjetër, ai gjëmëmadhi, tani nuk është më. Pra ishte rasti më i mirë për të fituar. 
Është pakuptim tani përgatitja e revolucionit. Sidomos fjala revolucion për natyrën antikomuniste që i shquan, tingëllon keq në këtë vitin me Shtatëmbëdhjetë në fund! E besoj që mund ta organizonin më mirë seç e pat bërë Lenini revolucionin e tij paqësor të tetorit, para 100 vjetësh, por leninistin kryesor, që nga 2013 nuk e kanë më si udhëheqës. Por, gjithsesi, revolucioni nuk u duhej fare, se kauzën e tyre ata e kishin të fituar me gjynahet që i numëruan kundërshtarëve. 
Por lanë votat dhe iu kthyen revolucionit!
Pra mendojnë se populli nuk ju besoi në ato që bluan aty gjatë tre muajve?! Apo nuk besojnë as vetë në ato që thanë?! E ndjejnë se janë bërë të pabesueshëm?! Edhe kryetari i ri, arqitekti i republikës së re, beson se fjala e tij nuk ka asnjë peshë?! 
Vështirë që dyzeteca ish ministra të pazotë, për t’i udhëhequr simpatizantët e tyre të vojtur drejt kutive të votimit, do të mund t’i tërheqin ata në revolucion, në një kaos që mund të përgjaket. 
Meqë përsëritja u bë modë, përsëris mendimin se ky do të jetë i pari revolucion në historinë e njerëzimit ku të varfërve u prijnë milionerët dhe miliarderët,. Paçka se dyzet ish ministrat nxitojnë ta quajnë revolucion paqësor!
Dhe revolucion dhe …paqësor! 
Gjithnjë të lind dëshira për zhvillimin e togfjalëshave paralelë që nuk do të jetë aspak çudi t’i shohim të përdoren nga këta njerëzit e politikës, pa iu skuqur faqja hiç. Mund të nisim të dëgjojmë që për marrjen e pushtetit, mekanizmat e votimeve këtej e tutje në Shqipëri, do të dalin nga qarkullimi. Veprimet e mëtejshme mund të quhen “terror i mirëkuptuar” ose “gjakderdhje demokratike”, ose “masakër konsensuale”, ose “kasaphanë paqësore”, apo “mitralim parlamentar” dhe bile deri “bombardim dashamirës!” Mund të dëgjojmë thirrje për një “zjarrvënie patriotike”, e pse jo edhe “krime humanitare” - ca martesa gjuhësore leninisto-kristiane, që vetëm konfliktet ballkanike mëmëdhetare, na i sjellin në prag të veshëve tanë. 
Dhe gjithmonë të shoqëuara me bishtëra të sheqerosur!

Comments (1 posted):

Kristo Zharkalliu on 16/05/2017 12:20:19
avatar
Ju lumtë zoti Pëllumb. Fjalë të mënçura,por kujt ja thoni? Mjerisht njerëzve të politikës shqiptare-sidomos ata që bëjnë sot opozitën dhe çadrën nuk kanë as sy as vesh. Urime dhe përgëzime.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1