Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | JETA SI KRENARI E FITUAR …

JETA SI KRENARI E FITUAR …

Font size: Decrease font Enlarge font
image LULZIM LOGU

LULZIM LOGU

JETA SI KRENARI E FITUAR …

Në 70 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e krijimtarisë së krijuesit TAHIR BEZHANI -

 

E kam njohur dhjetë vjet më parë, një paradite të zakonshme të diele, kur u shfaq në hollin e hotel turizmit të vjetër të qytetit, bashkë me një mik të babait tim, i cili ma prezantoi fillimisht jo si poet, por thjesht si të afërm nga Gjakova.I cili kërkonte të rivendoste lidhjet kulturore mes dy vendeve, Tropojës dhe Gjakovës, lidhje e mbështetur te poetët dhe nga poezia e mrekullueshme e Malsisë së Gjakovës , siç u shpreh ai me një krenari të dukshme, që i dha një dritë të veçantë fytyrës së tij.

Kishim kohë ,që bashkë me miqtë e mi, të bashkuar në “ Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve” Tropojë, dëshironim të ndërtonim një marëdhënie të veçantë dhe të vertetë me Gjakovën dhe kulturën e saj komplekse, mbështetur mbi traditat dhe trashëgiminë etnokulturore të kësaj treve.

Tentativat tona të shpeshta ende nuk ishin konkretizuar, sidomos për pjesmarrjen dhe kontributin e posaçëm në Mitingun e Poezisë, një aktivitet me renome kombëtare dhe ndërkombëtare, ideuar dhe organizuar nga poeti Din Mehmeti.

Tahir Bezhani që nga dita jonë e njohjes, me modesti dhe këmbëngulje, me dashuri të mëkuar nga nëna, bijë e Tropojës, e ndarë nga trualli dhe të afërmit e vet për më shumë se gjysmëshekulli, hap pas hapi me poetët gjakovarë dhe tropojanë , më pas edhe me të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria, u shndrrua në kalorësin e paepur dhe të pandalshëm drejt ardhmërisë së përbashkët kulturore dhe jo vetëm.Me shpërndarje dhe diskutime librash, me vizita të ndërsjellta dhe projekte ambicioze, me evokime patriotike dhe atdhetare dhe mbi gjithçka me dinjitet njerëzor, që buronte natyrshëm në krejt qënien e tij, në karakterin e një malësori i cili fluturonte metaforikisht me krahët e entuziazmit të lirisë dhe të shpresës.

Tek i cili vizatohet në mënyrë perfekte harta dhe historia e kësaj treve, me dritëhijet e saj dramatike.I lidhur pazgjidhshmërisht me tokën dhe historinë, i burgosur në qelitë e tmerrshme të regjimit serb, me mall të zjarrtë të fshehur në vajet dhe vargjet e shpirtit të vet, në përpjekje të mundimshme të mbijetesës ekonomike dhe të afirmimit të vet kulturor dhe intelektual, nën ndikimin e ngrohtë dhe domonues të plejadës së pavdekshme të poetëve gjakovarë që kanë bërë emër të merituar në letërsinë shqiptare, ai arrin të sendërtojë të ardhmen e vet letrare.Që përkon në shpërthimin e vet poetik, me ardhjen e lirisë së shumëpritur në zemrat e zhuritura prej mallit të ndarjes së kombit dhe familjes dhe me hapjen e shtigjeve për nga njeri tjetri në një dialog dhe komunikim të ri universal, për një marshim të ri me prespektiva evropiane, ku padyshim arti dhe kultura janë si krahët e zogut gjigand të shpresës.

“Tahir Bezhani është vazhdues i modernitetit poetik dardan!”

Kështu ka shkruar kohë më parë një krijues i njohur, i cili kishte lexuar korpusin e librave me poezi të poetit gjakovar. “Bezhani, gjatë jetës dhe punës, ka parë, por edhe ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i ndrydhjes dhe i vuajtjeve të njeriut të kësaj toke, dëshmitar i maltretimeve dhe i shtypjeve nga më të ndryshmet dhe më çnjerëzoret!” ka shkruar poeti Sejdi Berisha .

“Për këtë, edhe krijimtaria e tij sikur i ngjan rrugëtimit të trenit nëpër binarët e dhembjes, të vuajtjeve historike, të cilat, jo rrallë i ka bartur  përmes rrëfimeve poetike që gjithnjë djegin e përcëllojnë brenda qënies së tyre”.

E krejt hapësira poetike e Bezhanit është një fushëbetejë e dashurisë njerëzore përballë territ dhe ofshamës së fatit të mbrapshtë historik, një soditje dhe adhurim i pafre’ i atdheut legjitim dhe të bashkuar, një log’ dëshirash dhe ëndrrash sublime rreth vetes dhe të tjerëve, ai mund të përshkruhet pafundësisht si një ikonë dhembshurie dhe shprese, të cilës mund ti falesh pa frikë orë e çast si një shenjti…

Një orakull i të ardhmes, që ndërtohet edhe në çastin kur të vjen goditja e të venitet shpresa, edhe atherë kur ndoshta për të fundit herë sheh diellin të puthë malin, kur vuajtjet e qelisë së armikut ta afrojnë vdekjen e sigurtë, kur shëndeti i thyer qelive është gati të të shkëpusë nga përditshmëria e ëndërruar, kur humbet padashur dashurinë e rigjetur, kur rigjen armiqtë e fshehur pas kurrizit të lirisë, kur ja mësyjnë dhe të përmbysin don kishotët e pafund të historisë…

Tahir Bezhani tashmë është një krijues i pjekur,autor tashmë I 18 librave, një personalitet i padiskutueshëm i poezisë, vazhdues i denjë i Gjergjekut, Podrimjes dhe Mehmetit, pjesë e rëndësishme integrale e arealit poetik të Malsisë së Gjakovës, një Qytetar Nderi iTropojës, por mbi gjithçka tjetër një qytetar i nderuar i krejt vendeve ku shkel, thotë fjalën e ngrohtë dhe modeste, intepreton poezinë e tij të thekshme dhe përplot mesazh, shqip një shqiptar i mirë që i jep pamje më të mirë çdo dite për ata që e njohin…

Libri është sinonim i udhëpërshkrimit të tij jetësor, me stacione interesante, ku loja e hijeve përbën tharmin dhe të vertetën dhe kësisoj poezia merr trajtën moderne të komunikimit me lexuesin e vet të vëmëndshëm. Ai e kërkon vërtet lexuesin cilësor, ngulfatësin, të dashuruarin, të dhembshurin dhe shpirtmadhin, tej formalizmit dhe skemave false. Një krijimtari solide, mbresëlënëse, e shtrirë në krejt rrafshin shpirtëror shqiptar, civilizuese dhe depërtuese, vargje të forta si segmente e jetës së autorit, me nota të forta të realitetit, realiste dhe adekuate.

Njeriu që ndan jetën dhe poezinë me miqtë e merituar, njeriu i angazhuar në fatin historik të kombit të vet, në thjeshtësinë e qëllimit dhe të mjeteve të veta, që në fakt janë vargjet e kësaj kronike jetësore, Tahir Bezhani ja ka dalë të jetë kryeëndrrës së vet më të madhe, të udhëtojë me poezinë e tij të bukur krah bashkëkombasve të tij, në të gjitha viset e atdheut të tij të paçmuar!

70 vjet duken shumë, sikurse 50 vjet krijimtari letrare, por sa pak duken në optikën e shpejtë të jetës përplot objektiva dhe qëllime, të cilat ngrejnë krye si filizat e rinj të bimës së re, ushqyer mbi plagë dhe vuajtje, por me krenari, shpresë dhe besim paskaj!

Që padyshim lëshon sythe dhe lule të reja, hap shtigje të tjera jetësore, ku mbi gjithçka prin dashuria dhe përkushtimi për njeriun dhe atdheun.Qofsh gjithmonë i lumtur krijuesi ynë i mirë Tahir Bezhani!

 

TROPOJE, MAJ 2017

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1