Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TEMA | KOLONEL SAMI KOKA DHE MBRETI ZOG

KOLONEL SAMI KOKA DHE MBRETI ZOG

image SAMI KOKA

Dikush mund të protestonte për këtë titull, ku Sami Koka shkruhet dhe lexohet, para Ahmet Zogut. Gjithkush e njeh deri në pozicion mbretëror Ahmet Zogun dhe ka dëgjuar pak, ose nuk e njeh fare, Sami Kokën. Po, këta të dy, sipas meje, fare mirë mund të vihen në një rrafsh, po të kemi parasysh që Sami Koka është pinjoll i familjes Delvinjote KOKA, që ka disponuar dikur 18.000 hektar tokë, duke u renditur e para, midis 10 familjeve feudale më të pasura të Shqipërisë. (Më shumë se Toptanët e Tiranës dhe sa dyfishi i Bushatlijve të Shkodrës).

Në shkrimin tim do përshkruaj, kryesisht jetën e Sami Kokës, sipas të dhënave të grumbulluara nga interneti, me pretendimin se janë deklarata autentike të nxjerra së shumti nga shënimet në copa letrash të vet personazhit, si dhe nga  deklarime të djali të tij Genc Koka, i datëlindjes Maj 1933, që është diplomuar dhe ka punuar kimist teknolog, në Fabrikn e Tullave Tiranë dhe tani banues dhe shtetas Amerikan.

Pas përmbysjes së diktaturës 46 vjeçare komuniste, Parlamenti Demokratik i Shteti Shqiptar, Sami Kokën e nxori të pafajshëm pas vdekjes, duke i njohur të gjitha të drejtat  e humbura. Kjo e bën edhe më të natyrshëm dhe krejt të pranueshëm jetëshkrimin e tij.

Sami Koka ka lindur në Delvinë, në vitin 1898, në gjirin e një familjeje shqiptare pashallarësh, po me ndjenja e veprimtari kombëtare antiturke. Duhet thënë gjithashtu, se familja Koka, kishte lidhje vëllazërie e krushqie me disa familje të tjera feudale Shqiptare të fuqishme të kohës, si me Sulejman Delvinën (djalë daje), Frashërlinjtë (nip), Faik Konicën (kushëri i parë), Fejzi Bej Alizoti (burri i motrës), etj.

Pas përfundimit të shkollës fillore turke në Delvinë, Samiu, ndoqi Gjimnazin Grek të Janinës. Në vitin 1913 shkoi në Vjenë në Kolegjin Ushtarak të Austrisë. Më 1916, në moshën 18 vjeçare, është oficer i Ushtrisë Perandorake të Austro - Hungarisë. Për trimëri dhe aftësi, gjatë Luftës së Parë Botërore, në Austri, është dekoruar dy herë me Kryqin e Nderit të Perandorisë.

Mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Sami Koka, kthehet në Shqipëri (1920), ku bashkë me shokë të tij oficerë madhor, merret me organizimin e Ushtrisë Shqiptare të porsa formuar.

Në miqësi me Ahmet bej Matin, (në atë kohë Ministër i Brendshëm), Samiu kryesoi ekspeditat për çarmatimin total të zonave të Dibrës dhe Kavajës dhe drejtoi operacionet për shtypjen e kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe Mirditës, që nxitej nga Italia, Serbia, dhe disa bajraktarë vendas, kundër përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të centralizuar Shqiptar.

Në 1924, në kohën e gjendjes kaotike të Shqipërisë, kur Ahmet Zogu ndodhej në Beograd, një grup ushtarakësh, ku u përfshi dhe  Kapiten Sami Koka (si sekretar grupazhi), organizuan një grusht shteti ushtarak, që të përmbysnin Qeverinë e Nolit, të ndalonin ardhjen e Ahmet Zogut (dyshohej se qe me Jugosllavët), të shpërndanin parlamentin dhe pushtetin administrativ. Fuqinë ta merrte në dorë Ushtria, si shpëtimtare e Atdheut dhe e Kombit. Në krye të këtij grushti ushtarak ishte Kolonel Kasëm bej Radovicka. Komploti u zbulua dhe Koloneli Kasëm bej Radovicka dhe Sami Koka, u dënuan me varje në litar. Por para se të mbërrinte mëngjesi, kur kish për t’u bërë ekzekutimi i vendimit për t’i varur te Xhamia pranë Sahatit në Tiranë, Kolonel Kasëm bej Qafzezi, (i ati i Poetit Luan Qafzezi) ish Ministër i Luftës në Qeverinë Noli, për t’i ndihmuar, ndërroi rojet e burgut, por takoi që po atë natë në Tiranë, hynë trupat e Ahmet Zogut dhe burgu u hap. 

Zogu e mori vesh që komplotistët ishin edhe kundër ardhjes së tij pse dyshonin që ai anonte për Serbinë, por çështjet u kthjelluan dhe të gjithë oficerët kaluan në shërbim të Republikës, më vonë të Monarkisë të Shtetit Shqiptar.

Sami Koka u emërua Adjutant i Presidencës, detyrë që nuk e pëlqeu dhe protestoi e u largua shpejt kur vuri re pa perspektivë përmirësimi, gabime dhe padrejtësi të shumta.

Pas largimit nga Presidenca Sami Koka, shkon komandant ushtrie në Delvinë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe gjetkë, ku përfiton përvojë dhe njohuri.

Në vitin 1928, në kohën që komandonte ushtrinë Baonin Buna, Sami Koka, dërgohet për studime në Institutin e Lartë të Luftës në Torino të Italisë dhe përfundon studimet me rezultatin "Exelente", duke u dekoruar me dy  tituj të lartë.

Pas kryerjes të studimeve, Sami Koka, kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Shtatmadhorinë Mbretërore, (Kryetar ish Gjeneral Gustav Mirdasch, me origjine Austriake, një nga vlerësuesit dhe miqtë më të vyer të Samiut).

Që në ditët e para të kthimit nga studimet, Sami Koka i përvishet punës, për të organizuar një ushtri të rregullt dhe të aftë, sipas modelit zviceran, ngaqë edhe territori shqiptar pak a shumë, sipas tij, është i ngjashëm me atë të Zvicrës. Mirëpo, këshilltarët ushtarakë Italianë, e hodhën poshtë atë propozim, duke nxjerr si pretekst, që Shqipërisë nuk ka ç’i duhet një ushtri e fortë, pse për ç'do kërcënim, kish mbrojtëse Italinë... Ndërkohë, ata injektuan mendimin, që qeveria duhej të hapte sytë, se Sami Koka mund të përpiqej për ndonjë puç për të përmbysur regjimin...Kjo tezë, u përkrah edhe nga oficerë të tjerë madhorë Shqiptarë, për xhelozi ndaj Sami Kokës.

Në kohën e kryengritjes së Etem Totos, Ministër i Brendshëm, që me 300 xhandarë dhe të burgosur desh të përmbyste monarkinë i përkrahur nga Italia, Sami Kokën e pezullojnë nga të gjitha detyrat, dhe e vunë nën vëzhgim. Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Musa Juka, ngarkon njeri të posaçëm, që e ndiqte për ç'do hap dhe raportonte për Samiun. Shkak ish miqësia që Sami Koka kishte pasur me Etem Toton.

Pas gjashtë muajve të shtypjes së kryengritje, Mbreti Zog, e thërret në audiencë Samiun dhe pyetjes direkte të bërë në se Samiu kishte dijeni ose jo për lëvizjen e Etem Totos, ai  i përgjigjet:

"Etemin e kisha mik, por nuk më kish thënë gjë, pse ai e dinte mirë që unë nuk do ta linja në asnjë mënyrë. Jo, nuk mund të përmbyset një qeveri, një monarki, një sistem i tërë shtetëror me treqind xhandarë dhe të burgosur ordinerë".

Mbreti nuk e pyeti më, e përshëndeti dhe e ringarkoi me detyra të rëndësishme, që Samiu i mbajti deri në 7 Prill 1939.

Sipas dorëshkrimeve të lëna nga Kolonel Sami Koka, për 7 Prillin 1939, ka të vërteta, që deri tani  ishin të pa zbardhura:

Në 7 prill 1939, Koloneli Sami Koka, u ngarkua nga Mbreti Zog, me funksionin e të plotfuqishmit të Mbretërisë për të biseduar me Kryekomandantin e Ushtrisë Italiane, Gjeneral Guzzonin, të futur pabesisht në ujërat territoriale të Shqipërisë. Për të ardhur deri këtu, sipas deklarimit  shkruar nga vet Samiu, mësojmë:

“Nga mbarimi i shkurtit të 1939, isha Komandant i Përgjithshëm i Rojës Mbretërore të Kufirit, duke u çliruar nga ajo e shefit të stërvitjes në komandën e mbrojtjes. Detyra në Shtatmadhori, në atë kohë, ishte suplementare. Rojës së Kufirit i u shtua edhe Roja e Financës, si formacion ushtarak, për të parën herë në Shqipëri. Për këtë mu desh të kërkoja shtimin e personelit, nga 1500 trupa në 2500.

Po kështu, fill pas marrjes në dorëzim të detyrave të reja, vendosa të inspektoja në fillim të marsit 1939-tës, të gjitha repartet kufitare, tokësore dhe detare (përfshirë edhe atë pakë marinë që varej nga unë), duke filluar në zonat më delikate Korçë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë dhe Durrës, duke lenë për më vonë pjesën tjetër të kufirit Verior, mbasi pritja edhe Qendrën e Instruksionit, që përgatiste ushtarë rekrutë edhe për shërbimin e kufirit.

Nga viti 1932 dhe 1933, roja e kufirit përbehej prej pakë nënoficerësh graduat dhe ushtarë të karrierës, pjesa tjetër plotësohej nga rezervistët.

Nga mesi i marsit, kthehem në Tiranë, aty mora vesh për komplotin e Xhiros (Giovani Giro), ku ishin implikuar edhe disa oficere Shqiptarë në Shkodër, me anën e konsullit Italian Mellonit, po ashtu mora vesh edhe për kërkesat e italianëve,

që i kishin bërë Mbretit Zog, si dhe bisedimet që kish bërë në Romë gjeneral Zef Sereqi (adjutant i parë i Mbretit). Si i gjithë populli, ashtu edhe unë, dyshova për momentin e qëndrimit të mbretit, se mos ky i kishte biseda për të justifikuar koncesione të reja eventuale, që mund ti bënte Italisë.

Ditët e fundit të marsit iu përvesha punës, si komandant i ri i kufirit duke bërë planet dhe detyrat imediate që i dilnin rojës së kufirit, si në çastet e para, ashtu edhe më pas, në qoftë se do të hapej lufta me Italinë. Gjë që këtyre reparteve nuk u qe bërë, gjer ato ditë asnjë instruksion, qoftë edhe më i thjeshtë, faj i komandës së mëparshme dhe i komandës së përgjithshme, që nuk i kish kontrolluar.

Po ato ditë mora vesh që bisedimet e Romës kishin dështuar, gjeneral Zef Sereqi, ndenji në Itali dhe nuk u kthye, erdhi vetëm më vonë bashkë me Guzzonin. Italianët kishin vendosur okupimin e Shqipërisë. Megjithatë thashethemet në Tiranë nuk mungonin. Unë duke përfituar nga një shkëputje e shkurtër, shkova në shtëpinë e Nën Kryetarit të Parlamentit, Hiqmet Delvinës (kunatit tim). Aty gjeta edhe deputetë të tjerë që po bisedonin për gjendjen. Po aty mora vesh se Mbreti Zog kishte vendosur që të luftohej dhe mos ti lëshohej Italisë edhe pse qe fuqi e madhe, as edhe një pëllëmbë toke, pa luftë dhe gjak.

I bindur në vendimin e mbretit, shkova menjëherë në komandën time dhe dhashë urdhrat e duhura urgjente, për përgatitjen për luftë, duke përfshirë repartet e bregdetit dhe ato taksoret kufitare ekzistuese, mbasi Gjeneral Xhemal Araniti, Ministër i Luftës, nuk më lejoi që të mobilizoja ushtarë, qoftë edhe provizorë për Rojën e Kufirit.

Ne 4 prill, pasi kisha plotësuar të gjitha ç'ka duhej për luftim për Repartet e Rojës së Kufirit, pas shumë netësh pa gjumë, shkova të shihja se ç'po bëhej në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare dhe për të raportuar se çfarë kisha bërë unë dhe ku isha me repartet e mija për gatishmërinë e luftës...

...Një natë më parë të gjithë organizatorët ushtarake italianë, kishin ikur dhe qenë  rimbarkuar në Durrës për në Itali...Disa ditë më parë Ndihmës Atasheu Ushtarak Italian Nën Kolonel Maderni dhe organizatori këshilltar i Rojës së Kufirit, na kishin grishur për darkë në shtëpinë e tij, Kolonel Aqif Përmetin (më vonë Gjeneral ) dhe mua. Unë nuk vajta. Iu  shmanga bisedimeve pse e merrja me mënd që ato do të rrotulloheshin rreth ngjarjeve të ditëve dhe kjo nuk më pëlqente ...

Në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, gjeta një konfuzion të pashembullt. Përveç Ministrit Gjeneral Xhemal Aranitit, adjutantit të tij, Spiro Zheit dhe Gjeneral Mirdaschit, gjithë të tjerët mungonin. I nervozuar nga kjo gjendje  që nuk e prisja i hyra në zyrë Xhemalit, ku gjeta Nën Kolonel Bilal Nivicën (Pas pushtimit të Italisë Bilali shiste cigare te një dyqan i vogël, ndërmjet xhamisë së Etem beut dhe Sahatit në Tiranë. Në tabelë kishte shkruar me gërma shumë të mëdha : "N/Koloneli i Shqipërisë, shet cigaret e Italisë. Bilal Nivica") dhe Aliriza Topallin, që i kish thirrur Xhemali dhe u jepte urdhëratë që të shkonin në Vlorë, si komandantë të atjeshëm. Pasi u larguan ata, i thashë i papërmbajtur Xhemalit: "Ç'është gjithë ky konfuzion? A do të luftojmë me një ushtri të rregullt dhe të organizuar, për të plotësuar detyrën ndaj Atdheut, apo po talleni? ... Sido që të paraqitet situata duhet punuar dhe vepruar si një komandë unike dhe e rregullt, për të drejtuar operacionet dhe jo kështu si lodra fëmijësh. A jeni në dijeni ju, që komanda funksionon vetëm si emër dhe jo si komandë? Ikën organizatoret Italianë dhe shumë zyra mbetën të mbyllura, ku i keni drejtuesit e tyre? "

Në përgjigje, Ministri më pyeti se ç'mendoja unë. Dhe unë aty për aty iu përgjigja që në radhë të parë duhet thirrur personeli i komandës urgjentisht për në detyrë, kudo që të jenë, për të qenë në krye të situatës dhe për të kryer të gjitha detyrat rregullisht, e dyta i thashë, duhet të krijojmë zyrën e operacioneve, që nuk ekzistonte gjer atëherë, kjo të merrej me nevojat e luftës. Xhemali me njëherë pranoi dhe më ngarkoi mua që të bëja ç'do gjë që e shihja te arsyeshme dhe të nevojshme. Pasi dola nga gjenerali, fillova punën urgjent për organizimin, Hapa zyrën e Nën Kryetarit këshilltar të Shtatmadhorisë që qe Italian dhe kish ikur bashkë me të tjerët. Kish mbyllur derën dhe çelësat e rafteve i kish marrë me vete, i sigurt që do të kthehej prapë.

Thirra oficerin e rojës dhe e urdhërova që të thërriste të gjithë personelin e komandës me urgjencë, pastaj hartova dhe propozova listën e re të personelit që do të drejtonte operacionet e luftimit, duke caktuar sipas mendimit tim të gjithë ata oficerë që ishin të aftë për të kryer detyrat e luftës të devotshëm ndaj Atdheut, energjikë dhe me akademi ushtarake të kryera, disa prej tyre ishin të pakënaqur nga regjimi dhe nga shumë njerëz që rrethonin Mbretin. Unë i njihja edhe Xhemali i dinte, por listën e propozuar nga unë e pranoi me njëherë dhe pa asnjë hezitim. Kur i mbarova të gjitha kërkova të bisedoja me Mbretin gojarisht pa praninë e tjetër kujt.

Kur u ktheva pasdite në komandë, për të kontrolluar se gjer ku ishin zbatuar urdhëratë që kisha dhënë, Xhemali (ministri ) më thotë që isha caktuar, bashkë me Rok Geren (Ministër i Ekonomisë në atë kohë, në 1944 ambasador i Mbretërisë Shqiptare në Berlin ), që të takoheshim me Gjeneral Guzzonin dhe të shihnim se gjer çfarë kish ndërmend të kërkonte dhe të bënte Italia, se mos e gjithë kjo zhurmë ishte vetëm presion si ajo e 1936, për ndonjë koncesion më të madh apo tjetër.

Takimi i parë që patëm me Guzzonin kur isha bashkë me Rok Geren qe i pafrut, aty u binda që Italia kishte vendosur në njërën apo tjetrën mënyrë, të pushtonte Shqipërinë. Pra edhe lufta me të si fuqi e madhe, ishte e paevitueshme. Kërkesat e Guzzonit ja raportuam Mbretit.

Unë në komandë prisja urdhrin për fillimin e operacionit të luftës në mbrojtje për të mos i lëshuar as edhe një pëllëmbë tokë trupave italiane pa gjak, të rezistonim me aqesa do të mundnim  (pas një kohe prej disa muajsh konstatova nga afër që vetëm me një divizion të rregullt, ne do të kishim mundur t’i hidhnim në det italianet, mbasi morali i ushtarëve të tyre për luftën që po bënin ishte pothuajse për toke).

Pas tre orësh më njoftojnë që më kërkonte Mbreti urgjent për një detyrë të re. Vajta në pallat, e kërkova, por aty nuk ish, më treguan që kishte shkuar te shtëpia e Koço Kotes, Kryeministrit, në Rrugën e Durrësit. Edhe prej andej kishte ikur dhe nuk kish lënë adresë të saktë se ku mund të qe. E justifikoja, për situatën pse opozitarët kishin ngritur krye gjithandej duke pranuar në sofër gjithkënd, Mbretin jo! Në veçanti, Koçoja, Kryeministri më tregoi që Mbreti kish shkuar në shtëpinë e vëllait, Xhelalit (princ). U ndava nga Kryeministri dhe shkova atje ku qe Mbreti. Rojet dhe adjutantët më futën brenda, në dhomën e ndenjes poshtë. Civil dhe në këmbë Mbreti më priste, dukej shumë i shqetësuar. Pasi iu paraqita ushtarakisht, nuk më la të vazhdoja por më thotë:

"Sami ulu! Kam një detyrë shumë të rëndësishme për ty. Do të vinte edhe Eqrem beu (Eqrem Libohova, Ministër i Jashtëm) dhe Kolonel Gabrielli, që kish për t’u shoqëruar, por mora vesh se Kolonel Gabrieli (Atashe Ushtarak), ka ikur për në Itali, kurse Eqremi (Ministri i Jashtëm) është strehuar në Legatën Italiane, bashkë me shumë të tjerë. Kështu që, ke për të qenë i vetëm te Gjeneral Guzzoni. Shiko se ç'farë mund të bëhet që të evitojmë luftën. Është detyrë e rendë dhe me shumë përgjegjësi, prandaj të zgjodha ty, besnik i Atdheut dhe Mbretërisë. Urdhrin e kapërcimit të vijave të luftimit e ka firmosur Xhemali dhe është  këtu! "

Atëherë i thashë Mbretit: "Madhëri, po ketë paske ruajtur për mua? Kjo është një detyrë shumë, shumë e rendë për të qenë vetëm, në mes të italianëve. Nuk kursej jetën, por i  druhem ndonjë kurthi të italianëve, që mund të më bëjnë.".

"Sami, duhet ta besh"! Me tha Mbreti, më jep dorën”.

Përshëndetemi, duke më uruar rruge të mbarë dhe ndahem prej tij. Në të dalë nga dera dëgjova që Mbreti dikujt i tha: "Tani po e shof që disave, për vite të tana u kam hy në hak, nuk ka qenë faji i jem, por i atyne që shpifnin për ta". 

Dola nga shtëpia e Xhelalit (princ) me urdhrin dhe lejen e kapërcimit të vijave të luftimit në dorë. I hipa makinës (një nga ato te paktat Amerikane që kishim në atë kohë) dhe vajta në Komandën e Mbrojtjes, ku kishin ardhur disa oficerët që i pata thirrur unë, për të qenë në krye të situatës. Gjithmonë i bindur që do të luftonim, caktova përforcimet që duhet të bënin në çast, sipas planeve që pata përpiluar më parë, për në Qafen e Krabës, Mamurras, dhe me telefon në pika të tjera strategjike të vendit, në të njëjtën kohë, nisa një bateri artilerie për në Shijak nën kryesinë e një togeri të devotshëm akademist, në mos gaboj, ka qenë Gaqo Mosko-ja.

Lëvizet e trupave i kryeja ngaqë Mbreti dhe Xhemali (Ministri i Mbrojtjes) më kishin dhënë fuqi të plotë për këto veprime. Pas Komandës shkova në shtëpi, u ndava me gruan dhe fëmijët, mora një revolver të dytë që e fsheha nën kilotat të lidhur pas kofshës dhe u nisa për në Durrës në takim me Guzzonin.

Nga porti i jonë dukeshin në det luftanijet italiane dhe benzinatat e tyre që lëviznin sa në njërën anë në tjetrën. Kërkova komandantin e njësitit të portit, por më thanë që kish shkuar te Shkëmbi i Kavajës për të parë baterinë e atjeshme. Atëherë, ngarkova me detyrën e rruajtjes së portit nënoficerin Mujo Ulqinaku, të Marinës, që varej direkt nga komanda e ime (pas kapitullimit të Italisë familjes të tij, si dëshmor i Atdheut, me propozimin tim i u lidh pension, në vijim ia dhanë edhe komunistet, pse s'kishin si ta mohonin).

Në tentativat e para të italianëve për të shkelur në tokë, pati të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Italianët me anën e Kryqit të Kuq tërhiqnin të vrarët dhe të plagosurit e tyre për në luftanijet, kurse ne tonët i dërgonim për në Spitalin e Durrësit, me mjete më primitive, por me zemër e guxim më të madh.

Me radio, njoftova Shtabin Italian, personalisht Gjeneral Guzzonin në kryqëzor, për mbërritjen time në breg, sipas njoftimit që kish marrë nga Tirana, për mua, si të dërguar të plotfuqishëm i Mbretit dhe Mbretërisë Shqiptare. Pas nja gjysmë ore, erdhi në breg një benzinate luftarake me flamur të bardhë me tre oficerë të Marinës Mbretërore Italiane. Pas paraqitjes dhe shikimit të dokumentit nga ata, i shoqëruar prej tyre dhe i vetëm, u nisa për në kryqëzorin ku ishte Gjeneral Guzzoni dhe shtabi i tij. U ngjita në kuvertë nga shkallët anësore. Në krye u ngjit një oficer madhor që më shoqëronte dhe mbrapa ngjiteshin me mua, dy oficerët e tjerë të marinës.

Guzzoni, më priste në këmbë. Prapa tij rinin të gjithë këshilltarët ushtarakë që kishin qenë tek ne, unë i njihja, flisnin ndërmjet tyre dhe duke më parë, buzëqeshin sikur donin të më thoshin: "Povero colonello"!

Më ngushtë nuk e kam ndjerë veten time, vetëm më vonë, kur partizanët komuniste shqiptarë më çarmatosën me kurth në pabesi, në Shën Pal, prapa Dajtit.

Guzzoni pa filluar mirë bisedimet se për ç'farë vija unë, i dërguar edhe një herë i Mbretit, me nervozizëm më thotë: "Këta duan sodisfaksion, Zoti Kolonel "! Dhe më tregon me gisht ushtarët e vrarë dhe të plagosur që i ngjisnin me vig në kryqëzor, siç i sillnin nga bregu i detit.

Unë e përmbajta veten dhe i them: "Zoti Gjeneral, ju e dini mirë që në një përleshje me armë, sodisfaksioni për të vrarët dhe të plagosurit është reciprok, për palët luftuese, të paktën kështu e thoshin gjithmonë Gjeneralët tuaj që ishin profesorë në Institutin e Lartë të Luftës"..

Oficerët, që rinin prapa tij qeshën duke bërë që Guzzoni të humbte durimin dhe gati të më përpinte, por pastaj e mblodhi veten dhe hyri në temën e bisedimeve, pa më lënë shumë që të flisja më thotë që Italianët kërkonin që Administrata Shtetërore Shqiptare të drejtohej nga Italia, ekonomia e vendit, krejtësisht të drejtohej po nga Italia. Ushtria dhe Gjindarmëria, të drejtohej po nga Italia etj. etj dhe së fundi Mbreti i Shqipërisë të shndërrohej në një Mëkëmbës i kurorës të Italisë, duke paraqitur botërisht kërkesën e tij për aneksimin e Shqipërisë nga Italia në një Shtet". Që në pikat e para që shtroi Guzzoni, e pashë që Italia kish vendosur pushtimin tonë dhe nuk tërhiqej mbrapsht, ata kërkonin të zinin rob Zogun dhe në mos me hir, me pahir, ta detyronin që të pranonte kushtet e tyre.

I zënë shumë ngushtë, i them Guzzonit : "Zoti Gjeneral, ju kuptova shumë mirë, por kjo është një gjë shumë e gjerë dhe jashtë kompetencave të mija edhe pse jam i dërguar i plotfuqishëm i Mbretit dhe i Mbretërisë. Unë këto kushte duhet që t'ia raportoj Mbretit dhe kam bindjen që brenda dy orëve ju do të keni përgjigjen".

Nuk dija si të ikja prej tyre, ata edhe mund të më mbanin dhe mos të më linin që të kthehesha në Tiranë për të raportuar, kështu Mbretin do ta zinin në befasi dhe do ta detyronin që të bënte atë që nuk bëhej.

Guzzoni pasi u mendua pakë më propozon hapur shpërblim 50.000 napolona ar dhe gradën e gjeneralit të brigadës, duke banuar dhe jetuar përherë në Itali, siç bëri Adjutanti i parë i Mbretit Gjeneral Brigade Zef Sereqi (më pastaj Gjeneral Divizioni në Itali). U turbullova shumë, pse kish arritur pika kulmore, italianët mund të më mbanin me pahir.

E mblodha veten dhe i them Gjeneralit : "Zoti Gjeneral, unë pranoj propozimin tuaj, por duhet që të kthehem në Tiranë incognito, të fsheh fëmijët dhe gruan, pse njerëzit e egërsuar të Mbretit mund t’u bëjnë ç'do gjë. Unë u jap fjalën që do të kthehem me njëherë para tre orësh."

"Dakord", më thotë Guzzoni, merr atëherë me vete dy oficerët tonë dhe radistin, për të më njoftuar se ç'mendim ka Mbreti Zog".

-"Oficerët, le të vinë, por për radistin nuk është shumë e nevojshme, pse unë kam radio transmetusen e komandës, Mbreti po ashtu".

Guzzoni, duke i besuar fjalës time që do të kthehesha përsëri tek ai, nuk e pati edhe shumë të nevojshme në se nuk merrte firmën e Mbretit, pse edhe e imja si i plotfuqishëm i Mbretit dhe i Mbretërisë, do të kënaqte kërkesat e tyre zyrtarisht, të paktën në opinion. Për lënien time të lirë, dhe se si u gënjye prej meje, Guzzoni pas disa ditëve mori vërejtje nga Mussolini.

Ndahem me Guzzonin dhe bashkë me dy oficerët Italianë, nuk u kujtoj emrat tani, njeri kish qenë tek ne major, me benzinatë përsëri dalim në breg. Aty me një makinë nisemi për Tiranë. Ndërkaq në port, thirra Kapter Mujo Ulqinakun, pse oficeri i grupit nuk qe kthyer akoma nga Shkëmbi i Kavajës që kish baterinë, dhe e porosita që mos të hapej asnjë zjarr ndaj italianëve nëse ata do të ishin ende në ujë, po të shkelnin tokë, të hapej zjarr. Këtë e bëra që italianët mos përfitonin dhe ta quanin provokacion për të zbarkuar para orës së armëpushimit që kisha lënë me Guzzonin. Po aty mora vesh se Majori i Gjindarmërisë së Krujës, Abas Kupi, me nja 15 xhandarë dhe disa fshatarë, kish ardhur dhe priste t’u binte Italianëve. Edhe atij i dërgova një korrier dhe e porosita, që mos të kryente asnjë veprim luftimi të pa koordinuar me komandën qendrore. (Abazin e pata njohur kur Zogu e bëri Nëntoger të gjindarmërisë në Krujë, pas prishjes me Mustafa Krujën, Abazi kujtonte përherë kur më shihte se si në 1921 kish shpëtuar kur e pata ndjekur që ta zinim të gjallë në kohën e operacioneve të Shqipërisë së Mesme, nga që ai punonte për Mustafanë dhe qeverinë e Durrësit, por pas letrës që i tregoi Zogu se si Mustafa Kruja i shkruante qeveritarëve të Durrësit që “pasi të mbaronin punë me Abazin, ta eliminonin fizikisht”, ai u lidh me mbretin për jetë e për vdekje, duke i qëndruar besnik gjer në fund. Edhe pse qe i pashkolluar, Abazi qe shumë trim, shumë inteligjent, shumë i shkathët dhe burrë i fjalës).

Pasi lashë këto porosi, u nisa me të dy Italianët drejt kodrave të Shkozetit për në Tiranë. Guzzoni në vend të radistit, që nuk ja mora unë, më dha një kod të shifruar për t’u lidhur me të për përgjigjen që duhej të jepnim. Pasi kaluam edhe pakë me makinë, në drejtimin tonë vinin tre zbulues Italianë të alarmuar dhe kur panë oficerët e tyre që qenë me mua, u thonë, se Shqiptarët po sulmojnë në befasi edhe pse janë në orët e armëpushimit. Nuk dita si të thosha, nga dolën këto trupa, të kujt janë dhe kush i dërgoi?! Oficerët që më shoqëronin më thonë: "Ja pabesia e juaj, Kolonel".

Mora dylbinë dhe ngjitem në një bregore për të parë, ç'të shoh? "Barinj me tufa dhensh, futeshin për t’u fshehur nëpër pyllishtat aty afër". Qesha dhe hipi në makinë duke i thënë majorit Italian: "Major, vëzhgojini vetë se cilët reparte po u sulmojnë"...Majori mori dylbinë dhe i shoqëruar nga zbulueset, shikon...pa barinjtë me dhen...u kthehet zbuluesve duke i sharë dhe njërit i jep një shkelmë. Vjen në makinë dhe më kërkon falje, por unë i thashë: "Më dëgjoni zotërinj, unë nuk u siguroj dot më jetën për sa po ndodhin, ju kthehuni, Gjeneral Guzzonit do ti dërgoj përgjigjen dhe vetë do të kthehem, prandaj është e mira të ktheheni prapa". Desha ti hiqja qafe, dhe shyqyr ata u bindën dhe unë, vetëm me shoferin, vazhdova rrugën për në Tiranë...

Në Urrën e Shijakut gjeta oficerin e baterisë që pata dërguar, në krye të detyrës i cili më raportoi për gatishmërinë e plotë të luftimit. I lashë një urdhër me shkrim që pasi të kalonim ne, urra të hidhej në erë. Këtë letër oficeri e pat harruar në vend qëndrimin e tij. E gjetën Italianët dhe ja patën dhënë Guzzonit. Të tjerat, merren me mend, po të më zinte, se ç'mund të më bënte Guzzoni, që më priste të kthehesha. 

Në Tiranë gjeta trazira, revolta të nxënësve të shkollave që kërkonin armë për të luftuar Italinë, të tjerë që me zi ç'prisnin që t’u brohoritnin trupave të pushtimit dhe të thërrisnin Viva Duce!...

Pa u kthyer në shtëpi kërkova Mbretin, ishte akoma te shtëpia e vëllait. I raportova gjithçka që fola me Guzzonin dhe propozimet e tij absurde për Mbretin dhe ne. Isha i bindur që do të më jepej urdhri për luftimin kur Italianët të tentonin që të zbrisnin në tokë, por Mbreti Zog kish ndërruar mendimin. Parlamentarët kishin kërkuar që ay të largohej, kjo për sigurimin e tij që mos të binte rob në duar të Italianeve. Kundërshtarët kishin ngritur krye gjithandej, njerëzit e Mustafait i qenë afruar Tiranës nga Kruja, në Malësi të Madhe dhe Mirditë, bajraktarët me fshatarët e tyre qenë ngritur kundër vendit dhe Mbretit. Lidhja e Kombeve kish mbyllur sytë, Anglia, Franca, qenë pro aneksimit të Shqipërisë nga Musolini. Gjermania nuk kundërshtoi, si kompensim që Italia të mos kundërshtonte aneksimet që bënte ajo në Evropën Qendrore.

Serbia kish dërguar telegram, që po të luftohej kundër Italisë, edhe ajo do të na binte në kufirin Verior. Vetëm Turqia kundërshtoi në Lidhjen e Kombeve dhe, Greqia hapi kufirin për të kaluar  Mbreti dhe gjithë ne të tjerët”.

Në 7 Prill 1939, pas dështimit të dytë të bisedimeve të fshehta me Gjeneral Guzzonin,  Samiu arratiset në Greqi, bashkë me Mbretin. Në kohën kur Samiu ishte larguar nga Shqipëria, në qytetin Larisa të Greqisë, atasheu ushtarak i Turqisë në Mbretërinë Greke, i propozoi që të shkonte në Ankara dhe të jepte mësim në Akademinë Ushtarake Turke,  por Samiu refuzoi, se ishte lidhur me kushëririn e parë të tij, djalin e tezes, Faik Konicën, që qe në Amerikë, duke pritur që ai ta tërhiqte nga Greqia... punët dhe jeta rrodhi ndryshe. Sami Koka, pasi u nda me Mbretin dhe miq të tjerë të tij, morri rrugën për në Shqipëri.

Sami Koka, kthehet në Shqipëri nga fundi i 39-tës, pasi i ishte falur jeta nga Mussolini, për dredhinë që i kish bërë Guzzonit në bisedime, dhe kjo u bë me ndërhyrjen e miqve të tij: Kryeministrit Shefqet bej Vërlacit, Ministrit Fejzi bej Alizotit, Gjeneral Aqif  Permetit dhe  Ministrit Ernest Koliqi.

Në kohën e Luftës Italo Greke, që në momentet e para të saj, Samiu dëbohet nga Shqipëria dhe dërgohet në Sasari të Sardenjës, pran një regjimenti Kalabrez, gjithmonë nën mbikëqyrje. Me mbarimin e luftës, kthehet në Shqipëri i lirë dhe i papunë. Kunati i tij Fejzi Alizoti, që ish graduar Guvernator i Përgjithshëm i Kosovës, propozon dhe e emëron Samiun, prefekt në Prizren, Dibër dhe Strugë. Në kohën si prefekt në Kosovë, dha një kontribut për hapjen e shkollave shqipe duke sjellë shumë mësues dhe mësuese nga Shqipëria mëmë. Ai u përpoq me të gjitha rrugët, për të shkëputur Kosovën totalisht edhe si bindje, prej Serbisë.

Një gjest bujarie dhe atdhetarizmi i Sami Kokës është ai që nëpërmjet sekretarit të vet, Mehmet Hoxhës, (kushëririn e parë të Gjeneral Fadil Hoxhës), krijoi mundësitë, duke ndërruar rojet e burgut, për arratisjen e Emin Durakut. Po kështu, në Dibër të Madhe, Sami Koka prefekt, vajti në burgun politik dhe hapi dyert për të gjithë të dënuarit politik nga administrata Italiane. Ajo ditë u shndërrua në një manifestim të madh që Dibranet nuk e harrojnë. Sami Kokën e morën në krahë dhe nga burgu gjer në Prefekturë, e mbajtën në sup, duke brohoritur për Shqipërinë. Pas këtij evenimenti, ngriti në sheshin kryesor të qytetit karshi bashkisë, bustin e Skënderbeut etj. Po atje në Dibër, Samiu, pengoi me të gjitha mundësitë e tij, mobilizimin e fshatrave të Dibrës dhe Lumës për në Milicinë Italiane, që dërgoheshin mish për top në Jug të vendit.

Të gjitha këto veprime ranë ne sy për keq në administratën Italiane deri në Tiranë dhe me anën e një telefonate private, Francesko Jocomoni, mëkëmbës i mbretit për Shqipërinë, i kërkoi Sami Kokës që në moshën 44 vjeç, të dilte në pension, si ushtarak që kish plotësuar kohën e shërbimit (1916 - 1939). 

Pas Kosove, Samiu kthehet në Tiranë në pension, gjithmonë nën syrvejimin e SIMI-t (Shërbimi Informativ Ushtarak Italian).

Me kapitullimin e Italisë në shtator të 1943, emërohet nga Këshilli i Larte i Shtetit Nacionalist Shqiptar, Kryetar i Departamentit të Gjindarmërisë, bërthamë ushtarake për mbajtjen e rregullit dhe qetësisë në vend. Me vonë, me emërim nga Regjenca, kaloi në detyrat që pati para 1939- tës: N/Kryetar i Shtatmadhorisë, Komandant i Përgjithshëm i Rojës të Kufirit dhe Financës, detyra qe i mbajti gjer në tetor të 1944.

Mustafa Gjinishi, Myslim Peza, Haxhi Halit beg Lleshi,  ishin miq të Sami Kokës, po kështu Abas Kupi dhe të tjerë patriotë të kohës...

Në Janar të 1944 Sami Koka emërohet Komandant i "Operacionit të Dimrit" për eliminimin e përhapjes së bolshevizmit, por këtë detyrë ai nuk e pranoi, duke nxjerr arsye shëndetësore.

Një meritë e njohur, që kurseu qindra viktima, është se Sami Koka personalisht, zbulon një urdhër zyrtar të firmosur nga Hitleri, që Shqipëria, për të justifikuar intervenimin Gjerman, konsiderohej shtet "Neutral, mik, pa detyrime në luftën që bëhej, e të njëjtës kategori, siç qenë Danimarka dhe Turqia". 

Ndërkaq, kur ata e ndien veten keq në Frontin Rus para Stalingradit, Gjermanët i kërkuan Qeverisë Shqiptare që të dërgonte në front, Ushtrinë Shqiptare, për ti u bashkuar forcave të wermachtit. Për këtë u bë një mbledhje me Shtabin e Ushtrisë Gjermane dhe përfaqësues të Regjencës Shqiptare. Mbledhjen e drejtoi Gjenerali gjerman von Bessel, duke paraqitur kërkesën për mobilizimin drejt frontit të tre divizioneve me ushtarë nga Shqipëria. Të gjithë heshtën, vetëm Koloneli Sami Koka, me një gjermanishte të kulluar dhe konciz, i kujton gjeneralit gjerman urdhrin e dërguar nga Hitleri, që Shqipëria të konsiderohej shtet neutral, kështu që si një vend i tillë nuk detyrohej të jepte ushtarë. (Po të ndodhte kjo, siç tregonte Samiu pas daljes nga burgu, duhet të dërgoheshin në vdekje të sigurt në frontin rus, 11.000 djem të rinj Shqiptarë). Pas Samiut e mori fjalën Koloneli, Baroni von Kirshner, që Gjermanët e patën sjell qëllimisht, si mik, nga Wiena për t’u mbushur mendjen për ndihmë Shqiptarëve. Ai, përkrahu Samiun. Kërkesa Gjermane, u hodh poshtë. Asnjë tjetër nuk guxoi të fliste. Pas kthimit për në Austri, Baroni von Kirshner për përkrahjen e dështimit të mbledhjes dhe kërkesës së komandës Gjermane, u ndoq nga Gestapoja.

Edhe pse gjermanëve nuk iu dhanë ushtarë për në Frontin Rus, prapë shpresa ishte e madhe që edhe Fiztung-i do të aprovonte furnizimin me mjete luftarake të ushtrisë së riorganizuar Shqiptare, ku komandant u caktua Koloneli Sami Koka dhe nënkomandant, Majori i Artilerisë kundër ajrore, Rauf  Fratari .

Po shpejt nga ana e Komandës Gjermane dhe konkretisht nga gjenerali komandues Fiztung, Sami Kokën e akuzuan si njeri pro aleatëve, fillo anglo-amerikan, përkrahës i Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe me nofka të tjera...Si pasojë, të gjitha formacionet ushtarake që Sami Koka komandonte, Roja e Kufirit dhe e Financës, u çarmatosen, duke u lëne vetëm 3 pushkë për shërbim të trupës të komandës së përgjithshme, dhe revolverët e oficerëve të kësaj komande...

Ndërkohë Fati i Luftës së dytë Botërore ishte përcaktuar: Gjermanët po zmbrapseshin gjithandej nga aleatët Rus dhe Anglo Amerikanë drejt Berlinit dhe Lufta Nacional Çlirimtare Shqiptare dha kontributin e vet fitimtar, si pak shtete Evropiane, për ti shtyrë nazistët gjermanë, me forcat e veta,  tej kufirit shtetëror.

Sami Koka, u kap nga forcat partizane në periferi të Tiranës, u çarmatos, u burgos dhe u dënua, si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe si kolaboracionist, dhe bëri 20 vjet burg.

Pas daljes nga burgu i Burrelit, Sami Koka, jetoi edhe gati 10 vjet në Tiranë, me gruan e tij besnike, mund të themi të jashtëzakonshme, Asijen, të bijën e Sulejman bej Frashërit, me djalin e tij, nusen, nipat dhe mbesën, gjer ditën që ndërroi jetë në dëshpërim, i sëmurë dhe i paralizuar...

Vdiq në 22 Tetor të vitit1972. U varros në Tiranë.

E quaj me vend të tërheq disa përfundime, krejt personale: Jeta e Kolonel Sami Kokës edhe pse përfshin fajin e pjesëmarrjes për disa muaj në shërbim të një Qeverie Kuislinge, (për çka Samiu u dënua, jo si kriminel, ndryshe do pushkatohej nga Komunistët), është e mbushur me veprime pozitive në shërbim të Atdheut, nisur që nga dekorimi i tij në Luftën e Parë Botërore; në përpjekjet e tij për të konsoliduar e forcuar Ushtrinë dhe Shtetin Shqiptar; në qëndrimin korrekt e pa u kompromentuar, si përfaqësues i Mbretit Zog në bisedimet para intervencionit Italian dhe këmbënguljen për ta pritur me luftë okupatorin; si prefekt në Kosovë; si veprues aktiv për  të mos dërguar 3 divizione me ushtarë Shqiptar si mish për top në Stalingrad dhe përfundimisht, duke refuzuar drejtimin e luftës kundër partizanëve në Operacionin e Dimrit, etj. Nga ana tjetër bashkëpunimi me Gjermanët i “Nacionalistëve”, që padyshim ishte faj, justifikohej me mentalitetin se ata ishin forcë e madhe dhe e papërballueshme, po dhe që proklamuan me demagogji “prejardhjen e përbashkët Arjane” dhe shpresën e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe Çamërinë në një shtet brenda rajonit shqipfolës.

 

Tiranë, më 25.01.2016

Comments (4 posted):

genc on 06/02/2016 08:24:00
avatar
Nje tregim historik i veçantë as edhe nje fjale nuk eshtë shkruar dhe thene jashte te vertetes per kete ti mbetemi thellesisht mirnjohes Zotit Çipi.
Do te shtoj ende duke thene që fotografija e vene ne kete shkrim nuk eshte Sami Kokës, eshte mire te behet korigjimi.
Falnderime e mirnjohje. Shqiptaret te mesojne te verteten e 7 Prillit 1939.
artur on 01/01/2018 22:57:02
avatar
Nuk mendoj se eshte nje biografi e plote.Jane lene jashte lidhjet e Sami Kokes me mbreterine Jugosllave dhe ngjarjet e Vlores 1932.Gjysma e se vertetes eshte genjeshtra me e madhe!
Sami Osmani on 19/05/2018 17:50:56
avatar
Vlerat dhe meritat e ktij Burri per Kombin nuk mund te tregohen ktu dhe kshtu
Bendis Genc Koka on 30/07/2019 17:48:10
avatar
Fotoja nuk eshte e Sami Kokes, prandaj ju lutem ta zevendesoni me foton e Sami Kokes.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1