Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | TEMA | Kur Kadare quhej Smile Kadare

Kur Kadare quhej Smile Kadare

Font size: Decrease font Enlarge font
image Naum Prifti

Intervistë me shkrimtarin shqiptar, Naum Prifti

 

Kur Kadare quhej Smile Kadare

Helsinki: “Parti-Enver-Jemi gati kurdoherë!” Ismail Kadareja tok me Drago Siliqin e transformuan në thirrje proteste duke bërtitur: “Parti-Enver/Kemi frikë se na ther!”

 

 

Nuk është aspak e rastësishme që shkrimtari Ismail Kadare ka terhequr vëmendjen e të huajve me temat e tij rreth botës shqiptare. Prej kohësh mjaft nga lexuesit e huaj kanë pohuar se e kanë njohur Shqipërinë, ose u është rritur interesi për ta vizituar dhe për ta parë së afërmi, pasi kanë lexuar një a disa vepra të shkrimtarit shqiptar. Vlerësimet ndaj krijimtarisë së tij letrare kanë arritur maja, dhe ndërkohë debatet rreth figurës më komplekse të letrave shqipe vijnë dhe sillen gjithnjë mes këndeve të ndryshme. Bashkëkohësit e tij që nisën rrugën e letrave në vitet pesëdhjetë herë pas here kanë shfaqur mendime të ndryshme. Unë ia kam marë këtë intervistë njërit prej emrave të njohura të letrave shqipe, që krijoi në të njëjtën kohë me Kadarenë, shkrimtarit Naum Prifti, në kohën që kërkoja për doktoraturën time në Universitetin e Londrës South Bank. Intervista vazhdon të mbetet e qartë, dhe mjaft aktuale në një kohë që ajo vjen nga një emër mjaft didakt në fushën e letrave shqipe.

Fatmir Terziu: Si e keni njohur shkrimtarin Ismail Kadare?

Naum Prifti: E kam njohur Ismail Kadarenë qysh në fillimet e krijimtarisë së tij, dhe shoqëria jonë ka vazhduar gjatë, aq sa u ka rezistuar viteve, sa edhe sot nuk është vyshkur. Ngjau që ne e filluam krijimtarinë letrare në të njëjtën dekadë, në fillim të viteve ’50. Rastësisht, apo për coincidence, kontigjenti që hyri në letërsi në këto vite pati ndikim e la gjurmë të forta në letërsinë e re shqiptare. Debutuan në fushën e poezisë Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu, dhe në prozë Jakov Xoxa, Naum Prifti, Dhimitër Xhuvani, Sotir Andoni. Krijimtaria e tyre pati ndikim të gjerë tek lexuesit, u pëlqye sidomos për pasqyrimin e realitetit nga kendvështrime të reja, duke e pasuruar traditën e duke e ngritur në nivel më të lartë krijimtarinë artistike.

Fatmir Terziu: Çfarë kujtoni nga ajo kohë në lidhje me përkthimin e disa fjalëve nga përdorimi i huazuar në shqip, pasi dihet se Kadare është një mjeshtër i përdorimit të gjuhës?

Naum Prifti: Më kujtohet se në ato vite shpesh Ismail Kadareja na pyeste shoqërisht se si mund të përktheheshin në gjuhë të huaj, (frëngjisht, anglisht, rusisht,) disa fjalë të huajtura nga turqishtja e arabishtja që inshin ngulur në gjuhën tonë dhe shprehnin kuptime të mirëfillta të sferave emocionale sikurse hallall, harram, terjaqi, jaran, ashari, sherret, ibret, mysybet, etj. Këto fjalë ishin krejt popullore e të kuptueshme për shqiptarët e të gjithave moshave, ndërsa të vështira për t’u përkthyer në gjuhë të huaj, mbasi shpesh i largoheshin kuptimit të mirëfilltë. Harram, nuk është thjesht forbidden, (jo e lejuar, e ndaluar), por ngërthen kuptim më specific në normat e jetesës, sipas botëkuptimit fetar. Fjala turqisht taze, ka kuptimin e mirëfilltë “e freskët” kryesisht për perimet, por ajo njëkohësisht përdoret edhe për nocionin “e ngrohtë,” e sapo dalë nga furra, si për shembull bukë e ngrohtë, simite, qahije. Këto diskutime nisën si lojë midis nesh dhe na shërbenin kryesisht për humor.

Fatmir Terziu: Pos trajtesës gjuhësore, cila ishte dukuria dalluese e prozës së Kadaresë?

Naum Prifti: Duhet thënë se Ismail Kadareja në prozë, ndryshe nga gjithë shkrimtarët e tjerë, të moshuar e të rinj, u përqendrua ta shihte e ta vizatonte Shqipërinë me tiparet e saj më të qenësishme, me ngjarje mbresëlënëse e tronditëse nga e kaluara e largët dhe e afërt. Këto tipare origjinale u dukën qysh në vëllimin e tij të parë me tregime “Qyteti i Gurtë” kushtuar vendlindjes, Gjirokastrës. Atje ai pikturoi  jetën e qytetit provincial, me tipare psiko-fizike origjinale, më saktë, ashtu siç e kishte njohur. Qyteti është sa iluziv, aq dhe i vërtetë. Nuk ka qytet tjetër në Ballkan aq të pjerrët sa Gjirokastra.

Ismaili në kujtimet e tij Institutin Gorki i Moskës pohon se kur u tregonte shokëve të vet letrarë se qyteti i vendlindjes ishte aq i  pjerrët, sa po të qëllonte  “të shkisje nga rruga aksidentalisht, kishte të ngjarë të  bije mbi çatinë e ndonjë shtëpie,” ata nuk e besonin. Thënia u dukej figurative, e ekzagjeruar, jo e besueshme, po për Gjirokastrën qe reale dhe jetësore. Gjirokastra është një perlë për piktorët e të gjitha drejtimeve, e njëkohësisht qytet torturues për vendesit me rrugët e pjerrta, rrëpira me kaldrëm, ngjitje e zbritje të pasosura që të këputin gjunjët e këmbët. Asnjë fotograf s’ka arritur të japë panoramën tërësore të Gjirokastrës, sepse nga çdo pikë shikimi, një pjesë e qytetit fshihet në faqet e përrenjve. Shtëpitë janë  tre katshe, ndërsa në të vërtetë vetëm kati i sipërm shërben për banesë, dy të tjerat janë bodrume, ose hajate. Tjetër veçanti. Qyteti s’kishte rrjet ujësjellësi, as puse me kovë a pompa me dorëz, por përdorte sistemin origjinal të “sterave,” depo të posaçme përfund shtëpisë që mblidhnin ujët e shiut. Kalaja e Gjirokastrës disa shekullore, e vendosur në krye të kodrës ngjet me një vapor madhështor që ka ngelur ne cektinë. Ajo i jep qytetit një pamje sa madhështore, aq dhe hijerëndë.

Fatmir Terziu: Ku dhe kur u ndje më shumë emri i Ismail Kadaresë?

Naum Prifti: Për poemën “Përse mendohen këto male” (1964) Kadareja fitoi çmimin e parë në konkursin kombëtar e po ashtu u nderua edhe me Çmimin e Republikës, nderi më i madh për veprat artistike letrare, pikturat e skulpturat dhe studimet shkencore. Ngjarja më e bujshme qe se e mori në telefon dhe e uroi vetë Zeusi shqiptar, Enver Hoxha. Kjo ishte e vetmja herë që ai uronte një autor personalisht.

Një vit më parë ai kishte kritikuar ashpër dramën time “Rrethimi i Bardhë,” të cilin e kishte parë në Teatrin “A.Z. Çajupi” në Korçë. Ai e damkosi veprën me gabime, sepse e interpretoi sikur ajo përmbante sulme ndaj politikës së partisë kundrejt klasës punëtore, sikur ata nuk çanin kokë për fatin e tyre të bllokuar mes dëborës në veri të vendit. Drama u ndalua dhe autori u vu në shenjester të kritikave për disa vjet.

Njëherë gjatë shëtitjeve tona shoqërore të mbrëmjes në rrugët e Tiranës, ndersa ishim në Sheshin Skenderbej, Ismaili tha: “Sikur Naumi dhe unë të vdisnim sot, unë do të vdisja në kulmin e lavdisë, ndërsa Naumi në kulmin e shpërfilljes dhe kritikave.” I mbaj keto fjalë, sepse shprehnin pikëpamjen e sinqertë për kohën, edhe pse në fushën e tregimit isha bërë i njohur, pas botimit të vëllimit “Çezma e Floririt.” (1960).

Fatmir Terziu: Kritikat?! Po “Dasma” i Kadaresë pse mori pikërisht kritika?

Naum Prifti: Romani i parë i Kadaresë “Dasma” ngjalli polemika të forta, për shkak të largimit nga rruga e njohur descriptive e ngjarjeve. Ai u përpoq ta trajtonte realitetin në mënyrë krejt të re, me personazhe  emblematikë, si “njeriu me lungë,” madje edhe Katrina, protagonistja pikturohet pa botë të brendshme. Gjithsesi romani dëshmonte përpjekjet e autorit,  serioze për të thyer kornizat konvencionale e tradicionale të prozës shqipe. Kujtoj nervozimin e autorit A.A. tregimtar dhe romancier, i cilësuar nga Kadareja si shkrimtari më skematik, që kërkonte me zë të lartë nga ne shkrimtarët, hartimin e një relacioni ku të protestonim kundër veprës, duke e anatemuar si rrugë e gabuar. Për fat të mirë asnjë autor nuk e pasoi, sepse s’kishte kuptim t’i diktoje autorit si duhej shkruar.

Fatmir Terziu: A e ka pasur jetën të lehtë Kadareja? Mendimet këtu vijnë nga kënde të ndryshme, ju si mendoni?

Naum Prifti: Kadareja nuk e ka patur jetën të lehtë dhe do të ishte gabim sikur rruga e tij letrare të paraqitej e shtruar me dafina. Kohë pas kohe kundër tij kanë shpërthyer kritika të forta si nga dogmaticët, ashtu dhe nga ambiciozët, sidomos të atyre që u dukej sikur ai i kishte eklipsuar e pa atë do të shkëlqenin.

Fatmir Terziu: Atëherë si mbijetoi Kadareja?

Naum Prifti: Ndërkohë Kadareja kishte nisur të shfaqte interes për shkrimtarët botërore të anatemuar nga realizmi socialist, duke filluar që nga F.Kafka, Kamusi, Ionescu, Celini, etj. Ai e ndjeu shpejt se rusishtja ia kufizonte njohjen, prandaj iu fut mësimit të anglishtes në mënyrë autodidakte. Si rezultat qe përkthimi i novelës “Plaku dhe deti” të E. Hemingëay, e cila u prit mirë nga lexuesit. Besoj se pasi lexoi Kafkën ai botoi tregimin “Përbindëshi” që ngjalli aq diskutime e kritika nga rrethet letrare dhe nga zyrtarët.

Fatmir Terziu: Dhe prapë ai mbeti i pasulmuar?

Naum Prifti: Mbaj mend një mbledhje në sallën e madhe  të klubit të shkrimtarëve gjatë viteve ’70. Atje iu turrën me ashpërsi, “shkrimtarët” e veshur me uniformë, të cilët si ushtarakë besonin se ishin kompetentë për mjetet luftarake, si mina e gjendur në det. Ismaili u fye nga kritikat e tyre, që kalonin caqet letrare. Me buzët që i dridheshin nga inati, kërkoi menjëherë nga kryetari (D. Agolli) që kritikuesit e tij t’i kërkonin falje për sulmet e tyre politike, që kërkonin ndalimin e veprës dhe kryqëzimin e autorit. Kryetari gjeti një farë kompromisi, duke i cilësuar kritikat interpretime të egzagjeruara, por mbledhja u mbyll në një atmosferë të thartuar.

Fatmir Terziu: Sot shpesh përmendin dhe e akuzojnë Kadarenë se qe njeri me pozitë gjatë kohës së diktaturës si nënkryetar i Frontit Demokratik. Si mendoni ju?

Naum Prifti: Kjo nuk qe kurrfarë pozite në hierarkinë e Partisë, por një lloj nderimi sipas stilit komunist për t’i marrë me të mirë disa persona, për t’u treguar se i nderonin. Organizata e Frontit, në këtë kohë e kryesuar nga Nexhmije Hoxha, e shoqja e diktatorit, qe një kufomë politike, e cila nuk luante më asnjë rol. Përpjekja për ta ringjallur për të arritur unitetin popullor, ishte tejkaluar dhe siluruar nga Partia e Punës, me dënimet, burgosjet dhe internimet e mijra familjeve anembanë vendit.  Pozita e vetme e Ismail Kadaresë qe emërimi  kryeredaktor i revistës “Lettres Albanaise,” që botohej frëngjisht. Kadareja qe i zoti që vendoste e përzgjidhte pjesët nga letërsia shqipe, prozë e poezi, dhe shijet e tij ndikuan që të servireshinn krijimet më të arrira të çdo kohe. 

Fatmir Terziu: Po fakti që Ismail Kadare ka qenë anëtar i PPSH-së?

Naum Prifti: Ismail Kadareja ka qenë anëtar i PPSh, por pohoj me bindje se nuk qe ai, që përqafoi idetë komuniste, as nuk u bë ithtar i tyre. Atë e kooptuan, i vunë gishtin që ta futnin në radhët e PPSH, se ndienin nevojë të kishin edhe intelektualë të dëgjuar në radhët e tyre, prandaj ngarkuan me mision sekretarin e organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve, Ibrahim Uruçin. Ai e mbante afër, e këshillonte, e udhëzonte, dhe Ismaili bënte sikur e dëgjonte, duke ruajtur gjithmonë mendimet e tij. Ka një fakt  që tregon për mendimet politike të Kadaresë ndaj udhëheqjes sonë, e personalisht ndaj Enver Hoxhës. Ismailin e dërguan anëtar delegacioni të Rinisë Shqiptare, në Finlandë, ku po mbahej Kongresi Botëror i Rinisë, me nxitjen dhe përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, që i stimulonte këto tubime për të zgjeruar ndikimin e tij. Kur delegacioni shqiptar po kalonte para tribunës, për forcë zakoni apo  zell politik, filloi të skandonte parullën më të njohur të kohës, “Parti-Enver-Jemi gati kurdoherë!” Ismail Kadareja tok me Drago Siliqin e transformuan në thirrje proteste duke bërtitur: “Parti-Enver/Kemi frikë se na ther!” Të thoshe diçka të tillë publikisht para tribunës në Helsinki, qe kuturisje e madhe, në mos çmenduri, sepse në delegacion kishte sigurimsa. Ky skandal erdhi në Shqipëri pas mbylljes së Kongresit, madje u bë i njohur si anekdotë, po u pa e arsyeshme të kalohej heshturazi. Duhet të ketë qenë mesi i viteve ’60 kur u mbajt Kongresi Botëror i Rinisë në kryeqytetin Finlandez.

Fatmir Terziu: Koha kur ju u nisët drejt Institutit Gorki si përkoi me Kadarenë?

Naum Prifti: Në kohën që unë po gatitesha të shkoja për studime në Institutin Gorki në Moskë, Ismail Kadareja sapo që kthyer nga kursi special dy vjeçar për shkrimtarë, me kolegë nga Europa Lindore dhe nga republikat e ish Bashkimit Ssovjetik. Konditat e tyre ishin shumë të favorshme se ata kishin trajtim special, bursë të lartë, dhe favore të tjera. Në Moskë ai botoi një përmbledhje me poezi të përkthyera, duke e ndryshuar paksa emrin nga Ismail në Smile Kadare, që të mos tingëllonte si islamik. Ai e urrente regjimin e Bashkimit Sovjetik për sistemin policor. Më porositi të ruhesha nga studentet ruse, të cilat ua vinin shqiptarëve për t’i ndihmuar të mësonin gjuhën, por edhe për të investiguar pikëpamjet e tyre politike. “Janë të gjitha spiune, agjente të KGB” më tha Ismaili, pa më të voglin hezitim, “prandaj ruaju prej tyre!” Të thoshe këtë gjë në vitin 1962, qe kuturisje madhe. Në fakt nuk munda të vija në Moskë, se bursën ma prenë për shkak të acarimit të marrëdhënieve politike me Bashkimin Sovjetik. Për një fare kohe ne u gëzuam, që shpëtuam nga tutela ruse në çdo fushë të jetës, pa e ditur se do të binim në prehërin e skematizmit të skajshëm kinez. Mjafton të sjell se kinezët nuk gjetën asnjë vepër letrare të denjë për ta botuar në gjuhën e tyre, se të gjitha krijimet tona të rekomanduara  e të përkthyera, nuk i shkonin për shtat skematizmit të tyre të skajshëm, prandaj i skartonin si të pabotueshme.

Fatmir Terziu: Kadare njihet si shkrimtari që njihte mirë kulturën letrare franceze. A mund të më thoni më shumë për këtë?

Naum Prifti: Natyrisht Ismaili filloi të interesohej për veprat e ekzistencialisteve francezë. Këtë e mësova kur ai më kërkoi t’i jepja romanin “I huaji” dhe më pas romanin “Mortaja” të Camus,-it dhe disa libra të autorëve të tjerë. Filloi të mësonte frëngjisht me ndihmën e Jusuf Vrionit, përkthyesit të talentuar nga shqipja në frëngjisht, të cilin francezët e nderuan me çmim honorifik të lartë.

Fatmir Terziu: Romani “Dimri i vetmisë së madhe,” ndryshoi kursin e Kadaresë me atë që e ndiqte nga pas?

Naum Prifti: Po, u botua romani “Dimri i vetmisë së madhe,” titull që u ndryshua më vonë se udhëheqja komuniste shqiptare nuk pranonte kurrsesi që ishte e vetme. Përkraj saj ishin “marksistët-leninistët e vërtetë” dhe revolucionarët e gjithë botës, një eufemizmë partiake e burokracisë shqiptare, se shpejt e treguan veten si aventurierë politikë. Pas botimit nisi orteku i kritikave të rrepta kundër romanit, edhe pse në qendër të tij ishte figura e udhëheqësit shqiptar. Më kujtohet një bisedë me Ismailin gjatë rrugës së Dibrës, drejt shtëpisë sime. Ismaili më tha se sinqerisht nuk e kuptonte ashpërsinë e kritikave me shkrim e ca më shumë me gojë nga kritikë e persona me emër. I thashë mendimin tim: “Keni pohuar disa  të vërteta të hidhura në roman, me personazhin e Sotiraqit, (nëpunës në Ministrinë e Brendshme) që gjen kënaqësi duke mbushur dosjet e qytetarëve me gabime politike.” Ajo figurë zemëroi gjithë punonjësit e sigurimit, dhe besoj se prej tyre nxiteshin kritikat për romanin. Ismaili u rrezikua jo vetëm t’i hiqnin romanin nga qarkullimi, por edhe ta internonin si armik të pushtetit. Enver Hoxha i zgjati kamerdaren e shpëtimit në fjalimin e tij në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Ai tha se besonte se autori do ta ripunonte e do ta përmirësonte duke patur parasysh vërejtet. Kaq u desh që orteku i furishëm të ndërpritej dhe autori të vazhdonte i qetë punën. Autori bëri disa rrregullime të pjesëshme, po romani mbeti po ai që ishte në thelbin e tij.

Fatmir Terziu: Po romani “Koncert në fund të dimrit” si u prit?

Naum Prifti: Romani “Koncert në fund të dimrit” edhe pse ka kapituj shumë të bukura, ngjan paksa i shtrirë. Për botimin e këtij romani Kadareja vuajti shumë. Disa vite me radhë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, e sorollati me vërejtje pas vërejtjesh, deri sa më në fund u bë një mbledhje e posaçme në selinë e komitetit Qendror me të ashtuquajtur ekspertë të letërsisë, kritikë dhe aparatçikë. Ata i kërkuan me këmbëngulje që në qendër të vinte shokun Enver, që përmendej vetëm shkarazi, kurse Ismaili u mbrojt duke thënë se atë figurë e kishte epuizuar te “Dimri i Vetmisë së Madhe” dhe nuk do të ishte e denjë ta përsëriste. Argumentin e tij e pranuan dhe romani u botua pas dy vitesh me disa ndryshime që pranoi autori.

Fatmir Terziu: Dhe vijmë tek romani me bujë “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, e njëta gjë me fatin e botimit?

Naum Prifti: Kjo ishte vepra me të cilin Kadarea pati sukses te bujshëm në shumë shtete të Europës. Pikërisht qe romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” baza e të cilit qe një ngjarje e vërtetë, kthimi i eshtrave të ushtarëve Italianë të vrarë në Shqipëri. Te ky roman gjeti zhvillim pikëpamja e tij për ta pasqyruar Shqipërinë me sytë dhe ndjenjat e të huajve, po aty ndërkohë jepen edhe mjaft pasazhe realiste e tronditëse nga  mdërthurja midis dy kohëve. Kjo vepër pati sukses edhe si dramë, ndërsa si film nuk pati sukses, edhe pse merrnin pjesë aktorë me famë botërore si Mishel Pikoli dhe Mastrojani. Arsyeja qe këndi i gabuar i vështrimit, se  ata tragjedinë e trajtuan si komedi-satire.

Fatmir Terziu: Ku spikati Kadare në vizatimin e botës shqiptare?

Naum Prifti: Kadareja e shtriu më gjerë vizatimin e botës shqiptare me syrin e tij te romani “Prill i thyer.” Aty ai gjeti fushë për të parashtruar pikëpamjet e tij për gjakmarrjen, plagën shoqërore më të rëndë, që për fat të keq u ringjall dhe po vazhdon ende. Tek-tuk ndonjë pasaktësi interpretimi të fakteve, nuk ia cënon aspak vlerat, çka e tregon interesi që ngjalli kudo në botë. Hakmarrja dhe gjakmarrja rezistuan pak më gjatë në Italinë e Jugut dhe në Korsikë, por edhe atje u shuan qysh në mesin e shek. XVII. Permendim se një shoqëri braziliane kinetamatografike e gjeti romanin të përshtashëm për një film artistik me atë subjekt, por në kushte e rrethana të tjera. Ndihet qartë ndikimi i Kadaresë në mbarë botën letrare të kontinenteve të tjerë. Shqipëria falë veprave në prozë të Kadaresë, me romanet që përmendëm dhe me të tjerat që ai botoi në vitet e fundit, pushtoi hapësira të reja në mbarë botën. Një vend nderi në galaktikën krijuese të Kadaresë zënë novelat dhe tregimet me subjekte nga koha Bizantine-Osmane. Aty Kadareja me zgjuarësinë e tij gjeniale shpalosi subjekte nga realiteti komunist shqiptar, aludimet e të cilave kuptoheshin qartë nga çdo lexues i vemendshëm.  Te “Pallati i Endrave” ndihet kënaqësia e autorit që po ia kalonte ujët nën rrogoz censurës së rreptë të partise.

Fatmir Terziu: Kadare la Shqipërinë dhe debati u thellua në lidhje me ikjen e tij?

Naum Prifti: Arratisja e Kadaresë në Francë qe shuplaka më e papritur dhe më tronditëse që shkrimtari i dha regjimit komunist të Ramiz Alisë, që zëvendesoi Enver Hoxhën. Qëkur ai u betua se do të vazhdonte besnikërisht rrugën e diktatorit, la të kuptohej se pranoi të ishte hija e hijes. Të gjithë ata që prisnin një Gorbaçov të vogël, u shgënjyen keq prej politikës së tij miope. Ka plot fakte që vërtetojnë këtë tezë. Në fund të viteve ’80, ai thërriti në një mbledje të posaçme të gjithë intelektualët duke iu lutur t’i tregonin rrugën si t’i gënjenjte të huajt për plurazmin, pa ndryshuar asgjë. Në atë mbledhje qe ftuar dhe I. Kadareja, por ai nuk pranoi të jepte asnjë sugjerim duke u justifikuar se mendimet e tij ia kishte shfaqur Ramiz Alisë me letër. Ramiz Alia nuk i pranoi sugjerimet e Kadaresë. Ai mbeti një komsomolas i thekur që edhe tani vazhdon të gënjejë për të justifikuar prapambetjen e tij politike. Sapo mbledhja mbaroi dhe intelektualët po diskutonin jashtë midis tyre, Ismaili tha se Ramiz Alia i ngjan atij ustait që do t’i hedhë një çati shtëpisë, pa hapur themele e pa ndërtuar mure.  Ishte koha kur Partia u orvat t’i ngrinte subjektet e krijuara prej saj si Organizatën e Rinisë, te Gruas, te Frontit, e Veteranëve, të ngriheshin në rangun e Partive, për të krijuar imazhin e plurazlimit politik. Vetëm Lidhja e Shkrimtarëve nuk pranoi të futej në këtë lojë naïve dhe ky qe një grusht i papritur për partiakët e lartë. Duke kërkuar azil politik në Francë, Ismail Kadareja ia ktheu mbrapsht partisë të gjitha nderet, dekoratat, titujt, pozitat, gjithçka që i kishin akorduar. Zemërimi ii tyre reflektohet te komunikata luftarake që u botua me atë rast te “Zëri i Popullit,” më e turpshmja, më e poshtra që mund të hartohej, duke e akuzuar agjent, renegat, dhe epitete të tjera. Askush nuk parashikoi atëherë rolin e madh që do të luante Kadareja për atdheun e tij e sidomos për fitimin e pavarësisë së Kosovës.

Fatmir Terziu: Duke ju falenderuar për intervistën, mendimi juaj për Kadarenë?

Naum Prifti: Ismail Kadareja, më shumë e më mirë se çdo shkrimtar tjetër bashkëkohës, shprehu identitetin shqiptar me bukuri artistike dhe vërtetësi historike. Ai sot është zëdhënësi më i fuqishëm dhe më me ndikim për mbrojtjen e aspiratave të çështjes kombëtare. Një autor si Ismail Kadarea nderon kombin që e ka lindur e rritur.

Comments (10 posted):

Luan Çipi on 19/01/2016 16:57:37
avatar
Intervistë e përsosur, me të vërteta apsolute!
Naum Prifti, tregimtar dhe dramaturg i shquar Shqiptar dhe Fatmir Terziu, poet,eseist,kritik, romancier e kineast, u bënë bashkë, për të na dhënë një intervistë të shkëlqyer.
Urime!
Qamil Foniqi on 19/01/2016 18:12:40
avatar
Të faleminderit shumë i nderuari Dr Fatmir Terziu, për këtë intervistë të vlefshme për kulturën tonë kombëtare. Të faleminderit shumë yni Naum Prifti. Uroj që të kemi në vazhdimësi intervista maja të krijimtarisë sonë shqiptare. Faleminderit gjithmonë për kujtesën.
bardhyl korreshi on 19/01/2016 19:16:50
avatar
Zotit Terziu,dhe Naun Prifti,ju faliminderit me dhat nje kenaqsi te papare ,gjera improsjonante,per ne qe e kemi jetuar diktaturen,ishte nje interviste e mekullushme dhe me e bukura e kame lexuar deri me sot,kjo interviste do te jete nje deshm iqe kurre nuk do vdese,faliminderit.
kadri Tarelli on 21/01/2016 21:47:14
avatar
Faleminderit z. Fatmir!
Nëpërmjet fjalës së shkrimtarit të njohur z. Naum, na e solle Kadarenë, sa origjinal aq edhe të vërtetë, duke i dhënë përgjigje shumë hamendësimeve bajate, apo të stisura, që qarkullojnë kafeneve, pse jo edhe te disa punonjës të letrave.
Sinqerisht ju përgëzoj, sepse më vjen mirë kur kolegët e tij më të afërt flasin pa dorashka në mbështetje të talentit dhe famës së tij. Emër që na bën nder të gjithëve.
Me mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës
A.Hysi on 22/01/2016 18:00:53
avatar
Një intervistë e munguar. Urime z. Terziu për këtë dëshmi dinjitoze të profesionalizmit tuaj dhe pasqyrimin e personalitetit, jo vetëm të shkrimtarit tonë ( me të drejtë) më të njohur në botë, por edhe të një nga korifenjtë e letërsisë shqiptare, të nderuarit z. Naum Prifti.
Edmond on 23/01/2016 07:56:16
avatar
Cuditem se sa lehtesisht trajtohet jeta dhe vepra e Kadarese permes nje interviste te sforcuar qe mundohet ta shpalle shkrimtarin e shquar si antiregjimist deri ne disident. Eshte nje abuzim fund e krye kjo perpjekje donkishoteske qe per fat te keq ka perfshire dhe disa pena te njohura letrare, si shkrimtarin Naum Prifti ne rastin e kesaj interviste deshtake. Te kapesh pas disa shembujve gjoja reagues te Kadarese kunder regjimit, eshte vertet qesharakesi dhe sforco e deshtuar, pasi ne kohen e regjimit te Hoxhes, pothuajse shumica e njerezve, edhe ata me militantet ndaj regjimit, ishin ne rrezik dhe frike per cdo fjale e veprim qe benin ne favor te atij regjimi. Por ky fakt nuk i ben as ata e aq me teper Kadarene,kundershtare te regjimit, te Partise e sidomos te Enverit, ku po ata njerez, bashke me mua sigurisht, bashke me Kadarene, i thurrem elozhe, i dhame duartrokitje dhe jete nga jeta jone. Kadarea ishte vertet prokomunist deri ne palce, por komunist idealist dhe nese regjimi ndonjehere reagonte ndaj tij, ishte se Kadarea ishte per nje regjim komunist sipas idealizmit te tij, idealizem qe e pata dhe une e shume te tjere si une. Kadarea pra reagonte kunder te metave te regjimit dhe jo kunder vete regjimit komunist. Kjo eshte nje e vertete qe asnje lloj perpjekje e kujtdo qofte nuk mund ta tjetersoje. Prandaj eshte ne te mire te artit shqiptar dhe te vlerave te vepres se Kadarese qe keto pena te njohura shqiptare te merren me mire me kete art e vlera kadareiane se sa me copeza fragmentesh qesharake nga jeta e tij per ta nxjerre si antikomunsit, antiregjimist dhe disident. Askush nuk e detyroi Kadarene te shperthente aq ashper sulme ndaj Fishtes, ndaj klerit dhe fese dhe sa e sa personaliteteve te tjera te goditura deri ne asgjesim fizik nga regjimi hoxhist. Kadarea bashke me organizaten famekeqe te Lidhjes se Shkrimtareve, perbenin kompesimin me te efektshem te propagandes partiake dhe enveriane, permes gjuhes magjike te artit, bile kjo lloj propagande artistike shpesh ishte me e fektshme ne popull se vete ajo partiake dhe enveriane. Psh, une e desha Partine me teper pas leximit te poemes se Kadarese per Partine, ku aq bukur letrarisht kerkonte rrenjet e atij rapi madheshtor autori, se para kesaj poeme, prandaj theksoj dhe njehere qe mos e harxhojne kot kohen disa pena shqiptare me intervista apo shkrime te tilla qe vetem naiveve dhe servileve ju shkojne per shtat. Nuk ribehet biografia e askujt permes intervistave e shkrimeve te tilla, ajo mbetet ajo qe ka qene dhe eshte, na vjen apo s'na vjen mire ne per te vertetat e saj edhe ne kahun negativ. Nuk i ngrihen vlerat penes se Kadarese me pacavure te tilla biografish, por me realizmin e saj, realizem qe nese do pranohej dhe nga vete Kadarea, do e lartesonte ate akoma me teper si brenda ashtu dhe jashte vendit. Perkulem para talentit dhe veprave letrare te Kadarese, nuk jam si ata te tjeret te frontit antikadareian, qe duke i meshuar aneve te erreta te jetes e vepres se Kadarese, hedhin balte dhe ne vepren e tij letrare.
Edmond Shallvari on 23/01/2016 12:49:35
avatar
Perseris me fjale te tjera komentin tim te meparshem qe cuditerisht nuk u shfaq ketu pasi nuk shkon pas qejfit te dikujt. Komenti im i permbahej rregullores, por me sa duket akoma tek disa mendje ekzistoka mentaliteti anakronik i se shkuares censuriste. Ne koment shpreha te verteten reale dhe jo deshirore te disave, perfshi ketu dhe zotin Naum Prifti, qe ne intervisten e dhene mundohet te ribeje tjeterlloj bioagrafine e Kadarese, permes nje sforcoje ne kerkim te shembujve qesharake nga jeta e Kadarese per ta nxjerre shkrimtarin e madh si kundershtar te regjimit socialist, regjim te cilit ai dhe kolege te tij, te grupuar ne Lidhjen famekeqe te Shkrimtareve, i ngriten lavde e monumente letrare qe bejne muuu dhe qe asnje retush biografik apo shkrim analitik me shpikje disidencash e me the te thashe, nuk mund ta ndryshoje e per me teper ta ktheje ne te kundert. Per mua Kadarea mbetet pene e shquar, e pamohueshme dhe kot perpeliten disa qe nisur nga ane te erreta te vepres se tij, mundohen te baltosin vepren e tij letrare. Por nga ana tjeter nuk jam as me ata njerez te penes, qe mundohen permes shkrimeve e intervistave te tilla, ta tjetersojne te verteten per jeten dhe vepren e Kadarese, aq sa po na e nxjerrin disident te kulluar. Jam pjesetar i brezit qe e kam lexuar gati gjithe krijimtarine e Kadarese dhe e kam adhuruar ate si dje, ashtu edhe sot. Por kjo nuk me ben te hesht para anes tjeter te erret te kesaj vepre, ane qe ishte pjese ingranazhi ne sherbim te regjimit socialist. Nuk e detyroi askush Kadarene te sulmonte aq ashper Fishten dhe personalitete te shquara te penes, mendimit filozofik, fetar, etj, sikurse askush nuk i tha te thurrte me aq pathos vargjet per Partine, duke kerkuar rrenjet e saj e me the te thashe. Ishin keto krijime letrare te Kadarese dhe kolegeve te tij, qe perbenin frontin e dyte me te efektshem propagandistik te Partise dhe Enverit, bile shpesh ky front ia kalonte frontit partiak, pasi ishte me i prekshem dhe i ndjeshem ne shpirtrat e lexuesve. E verteta eshte qe Kadarea nuk ishte kunder regjimit socialist, por kunder te metave te atij regjimi, gje qe sigurisht shkakton keqkuptime deri ne reagime nga mekanizmat e ndryshme te regjimit. Ne kete gjendje te rrezikshme nuk ndodhej vetem Kadarea, por shumica e njerezve asaj kohe, pasi dihej qe ai regjim hante bijte e vet. Lartesimi i Kadarese nuk ndodh permes paraqitjes se tij si kundershtar i regjimit, pasi askush nuk e ha sapunin per djathe, por permes pranimit dhe pendimit nga vete Kadarea te aneve te erreta qe ai i di me mire se kushdo tjeter qe mundohet t'ja anashkaloje dhe me keq akoma, t'ja ktheje ne te kundert. Bota e letrave njeh shkrimtare te shquar dhe jo pak nobeliste, qe nuk kane retushuar aspak jeten e vepren e tyre, por e kane pranuar ate me te mirat e te keqijat e saj. Vetem keshtu Kadarea do lartesohet me teper si brenda ashtu dhe jashte vendit.
Fatmir Terziu on 23/01/2016 19:42:53
avatar
“Këndejza është pronë private”! Është pikërisht ajo që na bën të jemi të dashur, të mirë, të lirë, e me të gjitha gjërrat që i takojnë frymorit, por jo të gjuajmë me gurë në truallin e lirë, me lirinë e tepruar. Nëse kemi pranuar të lexohemi falas, të respektojmë rregullat e Fjalës së Lirë, që kërkon emrin e plotë dhe burimin. Pastaj mendimin e keni të lirë të gjithë, se fundja për atë kemi vuajtur, edhe nëse “nuk shkon pas qejfit te dikujt?!”, të zotit të shtëpisë në këtë rast, i respektuari z Edmond Shallvari. Për të tjerat intervista e solli Fjalën e Lirë të saj, me gojën e Tjetrit, që foli kohë më parë, dhe jo këto ditë, në një kohë të hershme kur unë bëja doktoraturën dhe kërkoja të njihja nga të gjitha këndet gjërat. Por sidoqoftë mendimet janë personale dhe unë ato nuk mund ti ndaloj. Paraprakisht kërkoj mirëkuptim, se nuk durove sa të bëhej publik komenti juaj, dhe pastaj fap dhe i dyti... Ja që kjo “nuk shkon pas qejfit te dikujt?!” u bë firaune... u firos fare dhe mbeti me dy komente nga pas. Përsëris në debat nuk hyj se nuk kam të bëjë me role avokatie, as dhe të humbasë kohë e të ripërsëris ato që nuk duhen thënë...Dua të shtoj jashtë kësaj teme, dhe jo për temën se dikur kam dëgjuar që në vogëli, fjalë që më vinin nga populloret e mbyllura...
“Shka ka bucela
e qet kanjela”
Ky varg pesërrokësh, popullor, (dhe dihet se si dhe pse bëhej i tillë, të ishte po(e)pullor, nënkupto paepullor), në herën e parë të tingëllesës në veshin tim, psherëtiu pas mureve të rrethuara me uniformë, teksa trupthi im i vogëlth përkëdhelej nga gjyshi, pikërisht në një nga ata katrahurat e sotme ekzistuese..., që prodhojnë zërra dhe imazhëri muzesh. Aty ku kalitej njeriu i ri. E gjyshi, populloren e lëshonte me zërin e tij që stërkiste ciklash, mes një pështyme të tharë e të vrarë, mbi një shami të kuqe që përkëdhelej nga tre libra me kapakë vishnjë, e fill të hollë najloni. Unë e mbajta mend gjatë, dhe e ridëgjova atë në një mjedis me Kristo Memën, Demir Pojanin, bashkëvuajtës të Pjetër Arbnorit, (në shtëpinë që ia kishin dhënë me shkallë nga pas) dhe në prezencën e të birit të mjeshtrit të dramaturgut më në zë shqiptar, Et’hem Haxhiademit, si për të mos e harruar kurë... “Këndejza është pronë private”! A duam ta respektojmë këtë, të paktën në kulturën tonë si shkrues? Ju lutem mirëkuptim! Dhe nëse ju e keni gjetur të hapur, të mbjellur mirë apo keq, kjo tregon kulturën tonë, respektin punën tonë të madhe, natë e ditë, orar e pa orar, djersën e qindra krijuesve me emër dhe në rrugë e sipër, që kanë respektin për Fjalën e lirë. Ne nuk kemi ftuar askënd, kemi këndin tonë të respektin dhe kursejmë për ta mbajtur gjallë. Fjala e Lirë nuk është vatra ku vjen dikushi dhe kërkon të bëjë të fortin, qoftë edhe mes fjalës së tij... Respekti ka dhe rregullat e veta të caktuara. Ato janë të shkruara lart në kokën e Fjala e Lirë dhe shprehen qartë. Tjetri..., kushdoqoftë është miku ynë, i Fjala e Lirë, sipas rregullave!

Edmond Shallvari on 24/01/2016 00:33:12
avatar
Respekt dhe mirenjohje ndaj jush, miku Fatmir, per kete reagim realist, me etike e kulture qe rralle ndodh mes njerezve te penes ne raste mendimesh te kunderta per tema te ndryshme te njohjes dhe sidomos ne fushen e artit. Ndjej qe gabova heren e dyte ne dergimin e mendimit tim, duke kujtuar se nuk u pranua i pari dhe kjo nga mosnjohja e anes teknike ne shfaqjen e saj jo ne cast por pak me vone. Keni te drejten bashke me lejen time per ta fshire komentin e dyte, pasi eshte perseritje e te parit me fjale te tjera. Besoj ne mirkuptimin tuaj. Sqaroj qe kurre ne shkrime e komente, kudo qofshin ato, nuk fsheh emrin dhe mbiemrin tim. Vura emrin sepse ai kerkohej dhe kur pashe qe nuk u shfaq komenti, shtova dhe mbiemrin.
Petro Luarasi on 19/01/2017 14:01:09
avatar
Gjej rastin të falenderoj botuesin e medias ''Fjala e Lirë'', z.Fatmir Terziu, i cili na ofroi edhe këtë intervistë interesante me shkrimtarin e njohur kolonjar Naum Prifti. Por ndër fjalët e ëmbla të mikut për mikun, m'u ngulit në mendje ''humori me piper'' pa autocensurë: Se miku ''antikomunist'' ia kritikoi ashpër dramën ''Rrethimi i bardhë''se kishte ide të gabuara politike kunder partisë e klasës punëtore, se e ndryshoi emrin nga Ismail në Smile kur botoi në Moskë ca poezi dhe se po të vdisnin ata në atë kohë kush do të ishte njëri e tjetri... Ky eshte shkrimtar e humorist i talentuar, se ia shijon miku dhe lexuesi shërbetin me piper.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.50
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1