| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
MËSUESIT - MË TË PËRKUSHTUARIT DHE MË TË HARRUARIT
Kur flasim për mësuesit secili kthen kokën pas dhe sheh një pjesë nga jeta e vet. Atë më të bukurën, kur ishte nxënës.
Vështrimin e ndal tek “a” – ja, tek ato vite kur mësonte germat e para të shqipes së bukur, mësonte t’i bashkonte ato e të formonte fjalë dhe fjali, tek numrat dhe numërimet e para, tek “mësimi përmendësh i tabelës së shumëzimit”. Në përfytyrimin e secilit del mësuesi i klasë së parë, mësuesit e tjerë. Me radhë, nga fillorja në Universitet. Vazhdimisht në punë. Të përkushtuar. Të gëzuar kur krijesa e mendjes dhe e shembullit
të tij ngjitet lart, ec me këmbët e veta.
Babai e do djalin mbi veten. Mësuesi e do nxënësin mbi veten. E dëshiron të ecë përpara. Të dy, edhe babai, edhe mësuesi, kur thinjen, kur e bie rasti, ngrenë kokën me krenari dhe thonë: Ky është djali im! Ky është nxënësi im! Babai dhe mësuesi, me thjeshtësinë, me dëshirën për krijesën e tyre për të ecë përpara pa u ndalë, janë leva që e kanë çuar përpara shoqërinë. Dy qenie njerëzore që punojnë shumë e shpërblimin e shpërndajnë tek të tjerët...
Po shkëpus diçka nga vetja. Me dëshirën që secili, pasi t’i ketë lexuar këto radhë, këta emra, ta vazhdojë meditimin me bazë nisjeje vetveten...
Në fund të viteve ‘40 - të e fillim të viteve ‘50 – të në Brezhdan të Dibrës, kanë punuar, kanë dhënë mësim e kanë bërë emër disa mësues jabanxhinj.
Nuk e di ku janë dhe ku i ka hedhur rrjedha e jetës. Nuk e kam takuar asnjëherë Gavril Koten nga Përmeti. Të vije nga Përmeti në Brezhdan të Dibrës në ‘49 – tën (më shumë në këmbë se sa me makinë, se atëherë mungonin edhe rrugët edhe makinat) të vije për një rrogë 3500 lekëshe (kaq ishin rrogat atëherë), në një kohë kur buka, ushqimi e veshmbathja ishin me triskë (dhe nuk gjendeshin) është heroizëm. Është përkushtim atdhetar. Është akt sublim.
Të vish nga Elbasani, siç erdhën e shërbyen (në Brezhdan e Peshkopi) Mahir e Burbuqe Graceni, të vish nga Shkodra, me grua e fëmijë, siç erdh dhe u vendos në një familje tek Gazidedet, pranë shkollës Mark Kalaj nga Shkodra, të vish vajzë e re, beqare, nga Jugu i Shqipërisë (nuk ia di vendlindjen) siç erdhi Nigjare Velçani, është heroizëm, është përkushtim atdhetar në shkallën më të lartë.
Të vish e të punosh “katër nxënës me një libër këndimi”. Të mësosh bukurshkrim e aritmetikë në “pllaka guri” me “lapsa guri” e të tjera mungesa e privime të kohës, deri tek klasat në shtëpitë e fshatarëve, ulur këmbëkryq në hasra kashte e lëkura, është përkushtimi më i lartë qytetar dhe profesional.
T’i mohosh këto mësuesit, brezave të tërë, përkushtimin dhe heroizmin e tyre dje, sot por edhe nesër, është miopi e thellë. Është si të mos shohësh pëllëmbën një centimetër larg syrit. Është qorrllëk, verbëri... Peshkopi 15 qershor 1993
...Në klasë të dytë kam pas një mësues që erdhi nga larg, nga shumë larg, përtej imagjinatës sonë gjeografike, nga Përmeti. Mikel Garuli e quanin. E kam takuar vite më vonë në Tiranë kur pas një shkrimi me titull “Mësuesit më të përkushtuarit dhe më të harruarit” përmendja emrin e tij ashtu siç përmendja emrin e Nigjare Vinçanit. Më shkruan me një dashuri mallëngjyese. Letrat e tyre i ruaj me xhelozi, madje i kam botuar të plota në shtyp dhe në librat e mi. Është rasti të shkëpus disa fragmente nga letrat e tyre...
Nigjare Vinçani, nga Berati
Lexova me vëmendje shkrimin tuaj me titull “ Mësuesit – më të përkushtuarit dhe të harruarit”, botuar në gazetën “ Zëri i Popullit “ të datës 20 qershor 1993. Të them të drejtën ky shkrim më preku thellë më zemër mbasi më ktheu në kujtimet e 44 vjetëve më parë, në moshën time më të re.
Akoma pa mbushur 16 vjeç, pas një kursi metodik pedagogjik, lash Beratin dhe erdha në Peshkopi, fillimisht në fshatin Brezhdan, i cili më ka lënë mbresa të paharruara në kujtesë dhe pastaj në kufi, në fshatin malor të Cerjanit ku e ndjeva veten në shtëpinë time. Pra për herë të parë hyra në jetë, në punë si arsimtare për tu dhënë njohuritë e para të gjuhës sonë të bukur shqipe vocërrakëve aq të etur për dije. Në këtë kohë aq të vështirë për të jetuar ku përveç varfërisë qemë të detyruar të përballemi edhe me kërcënimet dhe ofendimet e disa skeptikëve apo keqdashësve që e shihnin si luks duke ndikuar që fëmijët e sidomos vajzat të mos ndiqnin shkollën. Pra ne arsimtarëve të atij brezi na duhej jo vetëm të jepnim mësime në shkollën fillore etj. por edhe të shkonim në çdo familje, shtëpi më shtëpi për tu mbushur mendjen disa prindërve që hezitonin të dërgonin fëmijët në shkollë si dhe për të grumbulluar të gjithë analfabetët në kurset e luftës kundër analfabetizmit që i zhvillonim mbrëmjeve pas pune....
Mikel Garuli, nga Përmeti
Lexova me vëmendje artikullin në gazetën “ Zëri i Popullit “ të datës 20 qershor 1993 “ Mësuesit – më të përkushtuarit dhe më të harruarit “ të shkruar nga ju Abdurahim Ashiku.
Përmbajtja e shkrimit kujton një të kaluar reale, por i bën thirrje edhe një realiteti të sotëm.
Më emocionoi por edhe më entuziazmoi mendimi juaj që jepni për disa mësues, të ardhur aty në Brezhdan të Peshkopisë dhe veçanërisht për mua, më të riun, në moshën 18 vjeçare, i ardhur nga jugu i Shqipërisë, nga Përmeti ( Fshati ).
Unë dhe të tjerët erdhëm me dëshirën e madhe për të shkolluar vëllezërit dhe motrat tona, fëmijët e vegjël, por edhe për të zhdukur një plagë të trashëguar nga shekujt e kaluar, analfabetizmin e prindërve tanë.
Për këtë nuk morëm parasysh as largësinë, as rrogën e vogël e sa e sa vështirësi të tjera të atyre viteve, punuam para dhe pas dite me përkushtim atdhetar sepse për ne qe e qartë që i shërbenim atdheut, i shërbenim Shqipërisë dhe vetëm Shqipërisë.
Unë tash kam hyrë në vitin e 6-të të pensionit, por nuk mund të harroj mikpritjen e atij populli dibran, respektin dhe dashurinë që ata treguan për ne arsimtarët jabanxhinj. Shumë kujtime të pashlyera më janë fiksuar nga gjithë familjet e Brezhdanit. Mikpritja, bujaria, thjeshtësia, komunikimi reciprok na e lehtësonte detyrën tonë të vështirë por humane. Këtë respekt e provova atëherë, por që e rishfaqën duke e provuar edhe një herë në vitin 1968 kur u ndodha me shërbim në qytetin e Peshkopisë dhe ku brezhdanasit me të marrë vesh ardhjen time në qytet nuk më lanë asnjë natë të rrija në qytet.
E si mund të harroj unë familjet e Karasanëve ( Ganiun dhe Xhemalin ), të Shehëve ( Izetin ), të Gazidedeve, Reçeve, Hakoret e tjerë.
Edhe sot më dalin parasysh fytyrat e ish nxënësve të mi: Vjollca Shehi, Farije Karasani, Xhilkë Vojka, Merjeme Reçi, Myslim Gazidede, Myrteza Truka, Safije Kola, e të tjerë, e të tjerë...







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment