Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | TEMA | TIM BIRI

TIM BIRI

            
               
 
                             
 
U bë  kohë që nuk të  kam shkruar.

Në mesazhin e fundit më thoshe se ndihesh i  kënaqur me praktikën në kirurgji, veçanërisht, tani, që e ke kapërcyer vështirësinë që të krijonte gjaku. Mos u frikëso nga gjaku. Gjaku i jep jetë asaj pune dhe e dallon atë nga paraardhësja e saj Anatomia.  Brendësia e trupit është ngjyrosur me të kuqe.

 

.............................................................................................................

..............................................................................................................

 

Të jesh një kirurg i mirë nuk do të thotë që të kesh aftësi teknike të shkëlqyera.  Po të krahasosh aftësitë teknike të kirurgut me ato të një violinisti, janë shumë larg. Një piktor japonez është aq i shkathët, sa përdor, njëkohësisht, dy furça, që i mban në të njëjtën dorë me gishta të ndryshëm. Me njërën ngjyros me tjetrën bën hijen.  Mendoje një kirurg me shkathtësinë e këtij piktori japonez.  Që të bëhet i tillë, kirurgu duhet të fillojë të stërvitet që në moshën tre vjeçare. Të mësojë të mbajë në dorë 4 deri 5 instrumenta në të njëjtën kohë. Ndërsa qep me gjilpërë perin ta mbajë në dhëmbë.  Në moshën 5 vjeçare ai duhet të jetë i aftë ta bëjë copa-copa dhe ta ribëjë përsëri trupin e njeriut, nga koka tek këmbët pa asistent. Kuptohet, kjo është e pa mundur dhe nuk e ka bërë e as do ta bëjë njeri.  Trajnimin për t’u bërë kirurg të gjithë e fillojnë kur janë të rritur. 

Vizatimi dhe ngjyrosja janë gjuha e pikturës, ndërsa prerja, qepja dhe bërja e nyjeve, janë gramatika e kirurgjisë. Të bësh kirurgji pa ndjenjën e respektit për atë që e prêt, është të jesh një pispilluq.  Edhe kur qep lëkurën e barkut pas një operacioni të madh, duhet ta bësh atë me nderim, me devocion, ashtu sikur je duke zbukuruar një relike të shenjtë.  Është zakon jo i mirë që qepjen e lëkurës kirurgët u a lënë gjithmonë asistentëve.

Qepja e lëkurës është e vetmja gjë që pacienti mund të shohë prej operacionit të tij.  Ajo është firma e jote, që e ke lënë në trupin e tij për gjithë jetën.  Për pacientin ajo është emblema e vuajtjeve të tij.  Shumë vite më vonë, ai do të kalojë duart mbi këtë shenjë (cikatriks )dhe do t’i ngjallen kujtime.  Kirurgët e mirë e dinë ketë.  Ata nuk i superpozojnë buzët e plagës dhe nuk lenë “veshët e lepurit ” në të dy fundet e prerjes.  Ata  nuk i shtrëngojnë fort penjtë, që të lenë shkallë permanente që ngjiten nga pubisi në kërthizë.  Një kirurg i mirë nuk e shpon lëkurën me pinca. Ai lë distancën e duhur midis qepjeve. Ai i heq penjtë në datën më të hershme që duhet dhe përdor penj të holla. Të gjitha këto gjëra ai i bën nga nderimi që ka për punën e tij dhe nga dashuria që ka për pacientin.  Kirurgu që nuk bën kështu, është më mirë t’i mbajë duart në xhepa.  Kam parë cikatrikse në abdomen që shkojnë nga procesi xiphoid (lugthi) deri në pubis (fundi i barkut), ku ndonjëherë, mungon edhe kërthiza.  Pse është dashur gjithë kjo prerje?   Këto barqe më kanë lënë shijen e hidhur të barqeve të verbër e si pa formë.

Siç e di, në trupin tim kam disa cikatrikse të mëdha.  Kur shoh ato mua me kujtohen kirurgët që i kanë lënë dhe di t’i klasifikoj ata. Kjo është një e vërtetë, që nuk ka nevojë për diskutim. 

Në kirurgji, jetën e kirurgut duhet ta drejtojë dashuria për të bërë edhe gjërat e ashtuquajtura të “parëndësishme”, siç janë të presësh thonjtë e ngulur në mish, të heqësh hemorroidet e trombozuara, të heqësh lythët.  Kurrë mos neglizho mjekimet e thjeshta për të bërë vetëm ato që të duken ekzotike, ose të rralla.  Për pacientin çdo sëmundje që ai vuan është unike, është munduese. Asnjeri nuk është i kënaqur me sëmundjen e tij. 

Mos harro, nuk mjafton vetëm të duash punën tënde.  Të duash punën është t’i bësh favor vetes. Është mirë të kryesh vazhdimisht dhe me besim punë të thjeshta dhe kur t’i kryesh këto,  nuk duhet të thuash gjithë mburrje “Ja ku jam unë”.  Ti nuk duhet ta deklarosh dashurinë tënde për të sëmurët. Lere dashurinë në trupin e të sëmurit tënd, që ai ta marrë atë me vete kudo që të shkojë. Kurrë mos kërko t’i zgjedhësh punët që do të bësh. Bëji të gjitha me të njëjtin pasion dhe devocion.  Vetëm qukapiku për të bërë folenë zgjedh pemët me krimba. Pranoi pa neveri erën e keqe dhe jashtëqitjet e pacientit.  Njollat e gëlbazës, të vjellat dhe njollat e gjakut të atij që vuan, janë simboli i punës tënde dhe ajo është puna më e lartë që ekziston.

Kam përshtypjen se sot kirurgjia është një lule e kuqe, që lulëzon midis gjethesh që janë pjesa tjetër e mjekësisë.  Do të kalojnë edhe shumë vite të tjera dhe kirurgjia do të vetë-ndalojë. Ajo do të kujtohet si lavdia e mjekësisë. Atëherë njerëzit e grumbulluar nëpër auditorë do të këndojnë për ato kohë të vjetra, kur kirurgët si Zotat, ecnin midis njerëzve.  Megjithatë ka kohë, vazhdo rritu në specialitetin tënd. Vazhdo të sinkronizosh pulsin e të sëmurit me tëndin. Harmonizo kërcitjen e veglave dhe frymëmarrjen tënde, me të sëmurit. Le të ndjehen të gjitha këto si një melodi që zbret nga lart.  “Në univers nuk ka qetësi” – pat thënë Pitagora.  Edhe yjet kur lëvizin bëjnë muzikë. 

Mund të dëgjosh nga shumë njerëz “se ti je me duar të arta” ose “faleminderit që më shpëtove”. Këto nuk duhet të kenë asnjë vlerë të veçantë për ty. Këto janë shprehje të pacientit për atë që e shpëtoi nga vdekja.  Këto shprehje nuk kanë të bëjnë fare me ty.  Këto fjalë janë mjaft sa të të bëjnë të kthesh kokën, po qe se edhe kjo duhet. “Si juvatur natura laudatur, si non juvatur medicus acusatur” thoshin latinët e vjetër. (Kur shërohet natyra lavdërohet, kur nuk shërohet, mjeku akuzohet.)

Ti je në shërbim të pacientit tënd dhe shërbyesi duhet ta dijë ku e ka vendin.  Bota kështu është ndërtuar, që zotëria ta respektojë shërbëtorin.  Ti je një shërbëtor i mësuar, i dashur, me eksperiencë, por gjithnjë je një shërbëtor.  Nuk është në dinjitetin tënd që të bëhesh objekt nderimi. Thjesht një “faleminderit” do të ishte mjaft. Çdo gjë tjetër është mendjemadhësi dhe gjithkush e di ku të çon kjo.

Aleksandri i madh mbante një skllav që kishte vetëm detyrën t’i kujtonte kur bëhej arrogant: “Zotni, je i vdekshëm”.  Do të ishte mirë që çdo kirurg ta kish një sufler të tillë. Kirurgu është mjeti që pacienti merr në duar për të shëruar veten.  Operacioni është koha e ringritjes fizike dhe shpirtërore për pacientin; është koha e shkurtër kur sekretet e trupit të tij bëhen të dukshme dhe të prekshme; por është edhe koha kur kirurgu e ka vendosur veten e tij në “Mirësi”.

E ke dëgjuar atë përrallën ku balena kullufiti një njeri.  Në kirurgji balena është i sëmuri që gllabëron në bark kirurgun.  Ndryshe nga ai njeriu, kirurgu nuk qan, por me dëshirë zbret në trupin e të sëmurit për të nxjerrë jashtë tij atë pjesë që tenton ta vrasë të sëmurin. Kur pacienti shpëton, kirurgu del jashtë barkut të balenës dhe të dy, ai dhe pacienti, janë shëruar. Kur i sëmuri vdes në tavolinë, kirurgu, ndonëse shpëton nga balena dhe deti i gjakut, nuk është plotësisht i shëruar. Atij do t’i mbeten për gjithë jetën shenjat e qëndrimit në barkun e pacientit.  Me fjalë të tjera: Kur pacienti shërohet, cikatrikse (shenja) mbetet në trupin e pacientit për gjithë jetën si autograf i atij që e shpëtoi.  Kur pacienti vdes, cikatriksi ngelet për tërë jetën në trurin e doktorit, për t’i kujtuar një dështim të tij!.

Kurrë mos u nevrikos me të sëmurët.

Përfytyro që ti vetë ke shkuar tek doktori me një dhimbje në gjoks. Ankesa tënde kryesore është dhimbja e gjoksit.  Mundet që doktori të ketë qenë gjithë natën pa gjumë, me një të sëmurë tjetër që villte gjak nga një ulcer në stomak. Ai është i lodhur. Kjo është ankesa kryesore e doktorit tënd.  Kam dhimbje në gjoks i thua ty. Jam i lodhur shumë të thotë ai. Ti nuk të  duhet lodhja e tij, ti të dhëmb gjoksi. Këta janë të sëmurët dhe këta janë doktorët.

Mendo të të sjellin policët një të dehur të çarë në kokë që nuk pranon të mjekohet se ashtu i thotë pija. Ti me gjithë lodhjen tënde duhet që ta mjekosh atë. Unë i qepa atij llapat e veshëve në dyshekun e tavolinës së mjekimit, që të mos lëvizte.  Unë qepja plagën e tij duke dëgjuar që ai më shante me fjalorin më të ulët. Dhe...pasi unë mbarova punë policët e morën atë duke e shtyrë.  “Me kujdes”, u thashë policeve. 

Tani pas shumë vitesh, unë e shoh atë njeri me sytë e mendjes, të shtrirë në tavolinë me veshët të qepur duke më sharë dhe më vjen keq që nuk isha i aftë ta nxirrja nga ajo gjendje e tërbuar.                            

Pavijoni plot të sëmurë, që më parë ishin fare të huaj për ty, brenda disa ditësh bëhet si një fshat me miq, me të cilët je lidhur me zinxhirët e besimit.  Këta pacientë do të rrezikonin gjithçka, madje dhe jetën e tyre, për të të mbrojtur ty. Ti e shikon këtë nga buzëqeshja e tyre kur u kalon pranë.  Edhe ti do t’i duash ata deri në dhimbje, ndoshta edhe më shumë. Por vetëm t’i duash nuk mjafton.  Që të jesh një ndihmës i vërtetë për ta, ti duhet të dëshirosh me gjithë shpirt, që të shtosh qoftë edhe një sekondë të vetme qetësie në jetën e tyre.

  Sëmundja lartëson atë që vuan edhe atë që i shërben atij. Janë të lumtur ata që e kuptojnë këtë. Homeri e kishte kuptuar forcën e plagës tek ai që vuan dhe tek ai që kujdesej për të.  Nga fundi i “Odisesë” ne e gjejmë Odisenë të shtrirë në brigjet e atdheut, që e kish lënë njëzet vjet më parë.  I dredhur nga emocionet ai kish marrë rrugën drejt portave të pallatit dhe e kish drejtuar shikimin brenda.  Ajo që ai pa e mbushi me tërbim. Njerëzit e gruas, Penelopës, kishin marrë kontrollin e pallatit.  Ata ishin zhytur në orgji dhe shpërdoronin thesarin e tij.  Penelopa dhe djali i saj Telemaku, nuk i ndalonin dot ata.

Uliksi ja behu brenda.  Ai donte ta ruante sekretin e të mos tregonte kush ishte.  E çojnë tek Penelopa dhe ajo bisedoi me të. Ajo e pëlqeu, por nuk e njohu.  Ajo kërkoi t’i tregonte nëse dinte diçka të re për burrin e saj. Ai nuk i tha asgjë. Penelopa thirri infermieren e vjetër Euryklea, që t’i lante këmbët të huajit dhe t’i ofronte mirëseardhjen.

Dyzet vjet më parë, kur ishte djalë i ri dhjetë vjeç, Odiseja kishte shkuar të vizitonte gjyshin e vet në një qytet tjetër.  Në gjuetinë për derra të egër tek gjyshi, një derr ia kish ngulur çatallët në kofshë. Plaga ishte e keqe dhe shpejt u infektua. Djali kaloi në sepsis. Për një kohë të gjatë ata ishin të frikësuar se mos djali vdiste.  Ishte po kjo infermiere, kjo Euryklea, që u vu në dispozicion për të mjekuar Odisenë e plagosur.  Ishte kjo që ia pastronte dhe mjekonte plagën. Ajo ia shtrydhte qelbin dhe i vinte pomadat dhe barërat shëruese. Ajo e mbante të pastër gjakun e pacientit të vogël. Erdhi dita që plaga u shërua.

Ja, tani, dyzet vjet më vonë. Infermieria e vjetër zhveshi këmbët e të huajit.  Menjëherë ajo e ndjeu cikatriksin në kofshën e burrit.

As gruaja e as djali nuk e njohën Odisenë.  Ishte infermieria ajo që e njohu.  Ishte plaga që zgjoi të kaluarën. Plaga, që ishte emblemë e dhimbjes dhe e dëshpërimit që ata të dy kishin ndarë.

U zgjata me këtë histori, që ti e ke lexuar, sepse dua të të them që  puna e atyre që kujdesen për të sëmurët, nuk vlerësohet nga paratë që u marrin të sëmurëve, por nga dëshpërimi dhe ngazëllimi që ndjejnë për jetën e tyre. 

Kur ke qenë i vogël, ti mrekulloheshe kur lexoje për kirurgun që preu këmbën e partizanit me sharën e druve dhe pa anestezi. Tani që po bëhesh doktor, duhet të kuptosh qëndrimin stoik të luftëtarit, që sfidoi çdo kufizim të natyrës. Tani do të kuptosh rëndësinë që ka  në procesin e mjekimit bashkëpunimi fizik e shpirtëror i shëruesit me të sëmurin.

 

U zgjata. Të uroj një natë të mirë.

 
 
                          Fundi i letrës së dytë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1