Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | PJESA E TRETË: ROLI I ARTISTIT KRIJUES NË SHQIPËRINË BASHKËKOHORE

PJESA E TRETË: ROLI I ARTISTIT KRIJUES NË SHQIPËRINË BASHKËKOHORE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

PJESA E TRETËështë negative të flitet për dehumanizimin e njeriut të sotëm në tranzicionin kohor

 Dr Fatmir Terziu

Besimi popullor dhe vetë-zgjerimi i këtij besimi na japin krenari në përdorimin e gjërave që janë ‘tona’ (por që na i marrin nga dora të tjerët: produkte të folklorit, muzikës, gjuhës, ushqimit dhe veshjes). Arti, kultura, shkrimi, shkrimtari, ... frymëzimi hesht (?!) Hesht se mendon se kjo është mendja e Pushtetit, forca e Tjetrit në pushtet. Hesht se popullorja është e popullit. Dhe .... hesht. Por, fundja kjo është edhe heshtja dhe puna e mendjes popullore: emëruesit e përbashkët janë duke u renditur në zvogëlim. Meqenëse shumica e të menduarit shqiptar dhe mendimtarët kanë qenë të heshtur tashmë mendimtarët janë të fushës politike, ndaj dhe konsideratat politike kanë tejkaluar gjithçka tjetër.

Sepse njeriu i zakonshëm, votuesi (nganjëherë ai është në të vërtetë jo-votues), një karakter injorant, mund të lehtësojë propagandën dhe direktivat e qeverisë përmes “gjuhës së interesit”, e cila është bërë gjuha më e rrezikshme e medias, njerëzve krijues, e të gjithë atyre që e lexojnë atë gjuhë përmes interesit të thjeshtë të bukës së përditshme. Natyrisht nëse një qeveri dëshiron të kujdeset për njeriun e zakonshëm, duhet të bëjë gjithçka për ta arritur atë. Më shumë përfitime për më shumë njerëz vijnë kur baza e përgjithshme ngrihet disa metra mbi tokë. Por le të bëhet kjo në kurriz të pritjeve dhe ëndërrave në distanca të gjata. Njerëzit kanë nevojë për të gjithë inkurajimin, për të gjithë stimujt dhe mbështetjet për ata që kanë arritur lartësi. Mbajeni gjuhën shqipe të pastër si gjuhë për popullin. Lërini individët që aspirojnë për anglishten, frëngjishten, gjermanishten, etj., gjuha shqipe dhe shqiptarët, të modeluar nga ilirët dhe rrënjët tona, kanë lozën (kërcellin e gjallë) e gjatë të origjinës sonë. Gjuhët janë mjetet dhe artikujt e tregtisë për kulturat. Në vendin tonë që është gjithçka si një dhuratë nga Perëndia, por që ka humbur çdo gjë nga mosbesimi në politikë, emigracioni mbetet ushqim, para, lëndë djegëse, lëndë drusore, ura, këmbë, shkopinj, shtretër, kapele, kollare, atlete, shallvare dhe çfarë keni ju, zotërrinj në zyrat tuaja luksoze. Banorët e një vendi të tillë do të nxjerrin vetëm vlerat e ushqimit në dispozicion, vetëm me ëndërrën në emigracion, ura e tyre do të jetë më pak e fortë se çeliku dhe ura me beton, ata do të dinë të bëjnë kapele vetëm me ëndërrat dhe lotët e emigracionit. Me fjalë të tjera, edhe nëse shfrytëzojnë plagët e imigracionit për gjithçka që është e vlefshme, ata do të jetojnë sipas kufizimeve të problemeve të tjera. Dhe gjuha do të kufizohet në masë të madhe, do të shkojë ndoshta në pragun e mullirit të kafesë kur atë e kishim gjë të shtrenjtë, apo dhe kur mburreshim me një shpikje novative. Fjalë të tjera të reja do të mbushin e zbrazin ... Gjuhën Shqipe. Atëherë arti, kultura, krijimtaria do të jenë ashtu sikurse duhet të jenë në konkurrencën globale? A do të ketë prezantim të pastër shqip? Kujt i intereson kjo? Kujt i duket e tepërt Gjuha Shqipe? 

Sjellja e sotme, masa dhe forma e politikave që shqiptarët po zhvillojnë është bekimi i kursit të ri, i komunikuar përmes gjuhëve të sotme të Europës politike. Nëse e ndryshojmë kursin, braktisim këto gjuhë, do të kemi shkurtuar udhëtimin tonë ose do të vendosim të zbehen ëndërrat e fiksuara në vitin 1990-të, pra a do të jetë më mirë kështu, apo më mirë të ecim mes ëndërrash të vjetra edhe në shekullin e njëzetë. Kur pushtuesi donte të na edukonte për të mirën e tyre, ata i shkatërruan me zell kulturat tona. Ne u rebeluam, por vetëm atëherë kur e pamë se duhej të ekzistonim. U rebeluam dhe u emocionuam. Atëherë a nuk është ekzistenca vlera e pashënuar, e pamenduar mirë edhe sot. Kjo dhe në art, krijimtari... shkrim, poezi dhe roman duhet të mbahet e fortë, e gjallë. Dhe faktet tona historike treguan se kur njeriu bëhet i civilizuar, ai është ende i aftë të reagojë emocionalisht. Artistët e mëdhenj në vendet e industrializuara kanë në idetë dhe punët e tyre karakteristikat tiplogjike-emocionale, ku dallohen nga: simpatia, komunaliteti, ndjeshmëria, përulësia, besimi, shpirti. Nëse nuk i mungojnë këto, arti i tyre është mjeshtëri, dekorim, pikturat e tyre mbesin për oda të mëdha dhe vila, skulpturat e tyre shkojnë deri tek modelet arkitekturore. (Por të gjithë duhet të dinë se emocionaliteti nuk është e vetmja cilësi e artit, por në artin e tillë gjetja është disi “agresive”, pasi tentohet që arti industrial të jetë jo i thjeshtë, por i vështirë dhe i zgjuar, pasi ai jo thjesht si art, harton dhe hartohet për të stimuluar drejtuesin e biznesit që të mendojë më shumë drejt shfrytëzimit më të mirë). Nga kjo kuptojmë qartë dhe idenë tek e cila duhet të ndalemi. Nëse njeriu lejon që ai të përdoret si një mall, është e kuptueshme se ai vetë në heshtje ka ndërtuar një derivat që të përdoret si mall dhe këto kohë të përshtatshme të problemeve të tranzicionit shqiptar e sjellin më qartë në pah këtë cilësi “të fshehur”. Njeriu i këtij tranzicioni shqiptar, jo vetëm vetvetiu nga problemet, por dhe nga propaganda dhe mediat e huaja është i tjetërsuar, sepse për vetë ambientin dhe moralin, për vetë aspektin dhe sjelljen ndryshe është njeriu i huaj, i dehumanizuar, sepse për këtë faktor derivat e problematik njeriu nuk është aksiomatikisht njerëzor.

Po të vëmë re kushtet e motit dhe t’i regjistrojmë ato si fakte dhe statistika, ato asnjëherë nuk ndihmojnë në përpjekjet për të ndryshuar shpejtësinë apo drejtimin e erës. Me fjalë të tjera, është negative të flitet për dehumanizimin e njeriut të sotëm në tranzicionin kohor, çfarë nënkuptojmë, është deklaruar pozitivisht: mekanizimi i njeriut, duke e vënë atë atje ku ai është, më tepër sesa ku ne duhet ta kishim dëshiruar që ai të jetë, sepse mendojmë se ai dikur ishte atje historikisht apo mitologjikisht, ose mund të ekzistojë atje në mënyrë idealiste. Njeriu i këtij tranzicioni shqiptar nuk ishte menduar për asgjë, për asnjë rol në të, nuk ishte i përgatitur, nuk kishte njohuri për ndryshimin, por ai gjithmonë ka vepruar sikur të ishte, sikur historia dhe bestytnitë t’i kishin dhënë role të përcaktuara. Ai, pra njeriu i këtij ranzicioni shqiptar, e konsideron veten një sukses apo një dështim, varësisht se sa mirë apo sa keq i kryen këto role. Por a e kupton këtë rol të pacaktuar e të rrëmbyer vetë Njeriu i angazhuar e i gjithëpërfshirë i këtij tranzicioni? Po arti e ka kuptuar se realiteti ishte dhe është ndryshe me këtë njeri të tranzicionit? Nëse është kuptuar apo jo, faktet janë në një heshtje absolute, por lëvizjet shkojnë më tutje, ku disa mes grupit, apo inisiativës “kapitaliste” të pakontrolluar kanë filluar të ngrejnë krye e të mbufaten. Quhen njësha, talente, kryevepra, të vlerësuar këtu dhe atje, .... dhe në fund asnjë mbetje, asnjë konkurrencë reale. Asgjë? Natyrisht nuk është zero e gjitha, e gjitha është në një rrugë pa organizim, pa disiplinë, pa institucion, por që kërkon ecjen përpara, përpara me guxim: 

 

Në dyert e bibliotekës

do të trokas me zë të lartë dhe do të hap një derë:

tej forcës së pluhurosur të së kaluarës

dhe të pranishmen do t’a lexoj

duke pastruar pluhurin nga merimangat e lashta,

duke u dehur nga rrjedha e Vjosës, Semanit, Shkumbinit, Drinit,

i qetë dhe i pagjumë anës Adriatikut, Jonit thellë notoj e notoj

dua të shkoj përpara... përpara dhe do të guxoj. 

 

Është kjo që tregon se ekzistojnë bibliotekat, existojnë autorët, të braktisurit e harruar, ekzistojnë librat, ekzistojnë dhe pluhurat dhe merimangat. A ekziston realisht institucioni? Por ndërsa është negative të flitet për dehumanizimin e njeriut të sotëm në tranzicionin kohor, është pozitive të flitet për shkrimtarin, artistin, institucionin. Vetëm kështu hymë me pak dritë në këtë fund tuneli të kohërave, që do të shërbejë si dritësi për kohërat e mëtejshme. Le të bindemi edhe pse kemi mendime dhe ide të ndryshme. Le të bindemi institucionalisht! 

 

Vazhdon ...

LEXO PJESEN E I DHE II KETU

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1