Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | TINGUJT KUNDËRHIATIZUES -N- & -R- TE NJË KATEGORI EMRASH

TINGUJT KUNDËRHIATIZUES -N- & -R- TE NJË KATEGORI EMRASH

Font size: Decrease font Enlarge font
image Profesor Musa Nushi

 TINGUJT KUNDËRHIATIZUES -N- & -R- TE NJË KATEGORI EMRASH

 

Profesor Musa Nushi

     Për tingujt kundërhiatizues në gjuhën shqipe, pra për bashkëtingëlloret:  j, v, h si tinguj kundër hiatit, si tinguj bukurtingëllues a eufonikë bëhet fjalë vetëm kur trajtohen shtesat e tingujve në fonologji, përkatësisht tingujt epentetikë, ndërsa  në morfologji këta tinguj trajtohen me rastin kur flitet për mbaresat variante.

   Trajtesa ime ka për qëllim të përimtojë fonemën -n- të gegërishtes (dikur të mbarë shqipes), përkatësisht -r-në e toskërishtes (-n-në e rotacizuar) si tingull kundërhiatizues te disa emra të tipit: sy(sy-r-i >sy-ri), dre (dre-r-i> dre-ri), dru (dru-r-i > dru-ri), etj., që “veç emërores dhe kallëzores së pashquar, dalin me një temë të zgjeruar me tingullin r.”1)

Pikëpamja ime, lidhur me këtë ide, ndryshon nga teza e disa gjuhëtarëve,  të cilët gjykojnë se tingulli -r- sot, në rastet e lartcekura është tingull tematik.

Përkundrazi, -r-ja në këto pozicione, sipas gjykimit tim është tingull i shtuar, tingull joetimologjik, tingull që vihet midis zanoresh për shqiptim të këndshëm, përkatësisht për ta lehtësuar shqiptimin e njëpasnjëshëm të dy zanoreve, pra, këtu kemi tingullin bukurtingëllues (kundërhiatizues).

Fonema -r- si tingull kundërhiatizues e zgjeron mbaresën e emrit, e jo, temën: dru (dru-r-i > dru-ri), fre (fre-r-i > fre-ni), etj.

Gjykimi se emrat e tipit: bri, dre, dru, fre, tra, flori, gji, gju, kufi, mulli, pe, qiri, etj., “lakohen sipas gjedhës së lakimit të emrit zë”,  nuk ka vërejtje, por që “dalin me një temë të zgjeruar me tingullin r “2, nuk më duket gjykim i drejtë, sepse, pikërisht nga këto dy  rasa (emërore dhe  kallëzore e pashquar njëjës) përcaktohet tema e mirëfilltë e emrit.             

----------------------

1)ASHSH,Grup autorësh, Gramatika e gjuhës shqipe, ,Tiranë, 2002, f.114.

2) Po aty.

  Po të nisemi nga fakti se tek emrat e prejardhur prapashtesorë dhe tek emrat e përbërë, temat fjalëformuese janë  ato prej të cilave janë formuar ata emra, pa mbaresa dhe prapashtesa trajtëformuese, del se tema prodhimtare e këtyre emrave përkon me temat e rasave emërore dhe kallëzore të pashquar njëjës të këtyre emrave. Kjo do të thotë se emrat e prejardhur prapashtesorë të tipit: mullitar (mulli+tar > mullitar), mullixhi (mulli+xhi > mullixhi), mullis (mulli+s > mullis); ullishtë (ulli+ishtë > ullishtë); kufitar (kufi+tar > kufitar), etj., si dhe emrat e përbërë: drugdhendës (dru + gdhendës > drugdhendës), drugdhendje (dru + gdhendje > drugdhendje), drufrutor (dru + frutor > drufrutor); qiribërës (qiri + bërës > qiribërës), qirishitës (qiri + shitës > qirishitës); zëdhënës (zë + dhënës > zëdhënës),etj. e ruajnë pa shtesa temën fjalëformuese të emrave të lartcekur, në rasat emërore dhe kallëzore, që do të thotë se temat e emrave: mulli, ulli, kufi, dru, qiri, zë etj. janë tema të mirëfillta të atyre emrave.            

Pse këta emra dalin në emërore dhe në kallëzore të pashquar pa tingullin r, përkatësisht -n-?  Sepse në rasat emërore dhe kallëzore të pashquar njëjës te këta emra nuk ka nevojë të shtohet tingulli -r-, përkatësisht -n-, meqë në këto raste kemi të bëjmë me tinguj kundërhiatizues,tinguj joetimologjikë, siç janë edhe tingujt: j (ide-j-a > ide-ja>ideja); v (puno-v-a> punova); h (la-h-em > la-hem > lahem); n (ba-n-a >ba-na > bana) & r(bë-r-a> bë-ra> bëra)3)etj. si dhe tek emrat në shqyrtim: n (za-n-i > za-ni > zani), r (zë-r-i > zë-ri > zëri) etj. Pra, në rastet e shembujve të lartshënuar tingujt e përdorur mes zanoresh: j, v, h, n & r janë tinguj kundër hiatit (që goja mos të mbetet e hapur me rastin e shqiptimit të dy zanoreve të njëpasnjëshme), si tinguj bukurtingëllues a kundërhiatizues. Kjo do të thotë se tingujt n & r tek emrat e lartcekur nuk u takojnë temave, por mbaresave: mullini > mulli+ni, & mulliri > mulli+ri, zani > za+ni & zëri > zë+ri, etj.  

      Po të vështrohet me sy kritik çështja e formës së emrave në shumës, si: bri, dre, dru, fre, tra etj.,që e “zgjerojnë” temën  me tingullin -r (brirë, drerë, drurë, frerë, trarë e tjj., vërejmë se edhe këtu  -r-ja ndodhet midis zanoresh si tingull kundërhiatizues: bri-r-ë > bri-rë, dre-r-ë > dre-rë, dru-r-ë > dru-rë, fre-r-ë > fre-rë, tra-r-ë > tra-rë etj., që do të thotë se edhe në shumësin e këtyre emrave -r-ja është tingull kundërhiatizues. Po  këtij tipi emrash i takon emri sy, që shumësin e ka si njëjësin sy (trajta e shquar: syri - sytë), ku nuk përdoret tingulli -r-, por në rasat e tjera të shumësit midis temës dhe mbaresës përdoret tingulli kundërhiatizues -v-:  E.sy-të, Gj.i,e sy-v-e > sy-ve, Dh.sy-v-e > sy-ve, K.sy-të > sytë, Rr.sy-v-e sy-ve.    

3)ASHAK, Fonema N & R në funksion të tingullit bukurtingëllues (antihiatizues), në “Letërsia shqipe dhe  gjuha letrare”, Prishtinë,1998, f.269.

Se nuk ka njohuri për prejardhjen e tingullit -r- (bri-ri, dre-ri, fre-ri, sy-ri, tra-ri, zë-ri) shihet nga emrat që mbarojnë me zanore të theksuar “që gjatë lakimit në njëjës nxjerrin bashkëtingëlloren r para mbaresës -i…”

Siç vërehet fonema -r- shfaqet te këta emra (bri-r-i > bri-ri) vetëm atëherë kur ndodhet midis zanoresh si tingull kundërhiatizues, pra e zgjeron mbaresën e jo temën e emrit (bri-ri).

Për shumësin e pashquar të rasave të zhdrejta Sami Frashëri përdorte nga dy forma, p.sh., për rasën gjinore: i djemve dhe i djeme, i nipërve dhe i nipëre,4) ku në ortogramin e parë te të dy shembujt kemi përdorimin e -v-së  kundër hiatit, kurse në zgjidhjen e dytë kemi mbaresën e mirëfilltë të shumësit të pashquar -e. Në ortogramin e parë, siç vërehet, është përdorur -v-ja kundërhiatizuese, megjithëse nuk është midis zanoresh, por ka mbetur si “fosil”, duke pasur parasysh analogjinë: i profesorëve - i djemve etj.

       Po qe se si trajtë përfaqësuese të emrit merret forma e emërores së  pashquar të njëjësit, del se emrat: bri, dre, dru, fre, tra, gju, kufi, kushëri, mulli, pe, qiri etj., nuk e zgjerojnë temën e emrit, por e zgjerojnë mbaresën.

Këtë e vërejmë më së miri te fjalorët: drejtshkrimorë, normativë dhe fjalorët dygjuhësorë, ku temat e emrave janë të ndara nga mbaresat, si p.sh.: kufi,-ri, flori,-ri, mulli,-ri, zë,-ri 5), ku temat e mirëfillta janë: kufi, flori, mulli, zë, gjersa si mbaresë e zgjeruar del: -ri (tema : kufi dhe mbaresa e zgjeruar: -ri). 

     Nga dëshmitë që dalin lidhur me trajtat e emrave nëpër shekuj dhe nëpër vise të ndryshme, vërejmë se emrat kanë pësuar mjaft ndryshime.P.sh.:”...në Dalmaci janë në përdorim, siç shkruan dr.E.Çabej, njëjëset thonj-i “thua thoi” e gynj-i  “gju gjuri” formuar pas shumësevet thonjt gjunjt.” 6) “Tani dihet se shumësi i geg. pe-ni nga lat.panus bën pejtë e pejnat, në pajtim me tosk. penjtë, penjërat. Nga pejnat doli pastaj njëjësi i ri pejnë,…; prej një travë, nga it. trave “tra”…; nga kallinj u formua njëjësi i ri kalli, në analogji me fjalë të tilla si mulli shm.mullinj”. 7)

     Nga sa u cek më sipër, emrat e tipit: gju - gjuri, mulli - mulliri, pe - peri, kalli - kalliri ( kallini e kalliu) etj., shpesh janë përdorur me trajta të tjera, që do të thotë se emrat në gjuhën shqipe, në trup të temave  nuk kanë pasur  gjithnjë një n hundore a një r dridhëse, siç dalin sot. Nga kjo kuptojmë se te kjo kategori emrash tingujt -n-& -r- në raste të caktuara nuk kanë qenë tinguj etimologjikë, por u janë shtuar këtyre emrave si tinguj bukurtingëllues.

Këtë, me fakte konkrete, na vërteton gjuhëtari ynë i njohur, akademiku Kolec Topalli, në veprën e tij shumë të çmueshme“FJALOR ETIMOLOGJIK I GJUHËS SHQIPE”, Tiranë, 2017.

4)Sami Frashëri, Shkronjëtorja e gjuhësë shqip, Bukuresht, 1886, f.62.

5)Ali Dhrimo - Rami Memushaj, Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe, Tiranë, 2011.

6)Dr.Eqrem Çabej, Studime gjuhësore,III, Prishtinë, 1976, f.339.

7)Po aty, f.342.

Interpretimi i drejtë i formave gramatikore të emrave të tipit dru-ri & dru-ni nuk mund të bëhet në mënyrë të ndërgjegjshme thjesht vetëm në planin sinkronik pa një përqasje të elementeve të të dy kryedialekteve tona, me gjithë faktin se këto elemente tashmë janë integruar në gjuhën e njësuar shqipe.Thjeshtimi si dhe zgjerimi i këtyre formave gramatikore e ka  komplikuar në një mënyrë etimologjinë e këtyre emrave, por, ashtu siç ka vepruar përfaqësuesi i denjë i gjuhësisë shqiptare, akademik Kolec Topalli, mund të arrihet në rezultatet e kënaqshme përkitazi me tingujt e shtuar -n-,-r që, sipas gjuhëtarit tonë kanë dalë si zhvillim i brendshmëm i gjuhës shqipe. Ja,çfarë shkruan akademik Topalli për etimologjinë e emrit dru-ri & dru-ni:  “...Në krahasim me gjuhët e tjera dru e shqipes ka marrë në zhvillim të brendshëm bashkëtingëlloren -n, që është mbaresa e trashëguar e rasës kallëzore. Është një asnjanës i vjetër, që dëshmohet me këtë gjini te Buzuku:

Gluha e përvutë anshtë drutë e gjellësë. Me zhdukjen e asnjanësit, u integrua në dy gjinitë: dru-ni & dru-ri e dru-ja.”8)      Po në këtë mënyrë shkruan edhe për etimologjinë e emrit mi-u & mi-ni: “…Fjalë e mbarë shqipes, e trashëguar nga fondi indeuropian. Lidhet me rrënjë mus “mi”, ku bëjnë pjesë lat.mus etj. …Format me bashkëtingëlloren -n mbështeten në trajtën e shquar të geg. mini, e cila bashkëtingëlloren hundore e ka marrë në zhvillim të brendshëm (khs, dru, ulli).”  9) 

      Për zhvillime të bendshme shkruan, kur bën fjalë edhe për etimologjinë e emrit ulli-ri & ulli-ni:”Fjalë e mbarë shqipes. Huazim nga lat.oliva. Zanorja hundore është formuar në zhvillim të brendshëm të gjuhës shqipe nga mbaresa e rasës kallëzore ose e shumësit (Jokl).Dëshmohet së pari te Buzuku: Djemtë e tu porsi njmëzatë qi qet ullini përqark veti.”10)

     Edhe shpjegimi i etimologjisë së emrit qirÍ & qÍri i shërben temës në shqyrtim: “…Fjalë e mbarë gjuhës, me ndryshime dialektore në pozicionin e theksit: në Jug në rrokjen fundore, në Veri në rrokjen e pafundit.Te Buzuku: Mer qirinë e endhezunë…Përdoret si patronim:Qirinxhi në Korçë me prapashtesën -xhi dhe me epentezën e bashkëtingëllores -n-”11)

       Rrjedhimisht, nga sa u argumentua më lart, del se ndajshtesat trajtëformuese -n- & -r- si zhvillime të brendshme të gjuhës shqipe janë tinguj joetimologjik, përkatësisht tinguj kundërhiatizues - eufonikë.

8)Kolec Topalli, FJALOR ETIMOLOGJIK I GJUHËS SHQIPE, Tiranë, 2017, f.412.

9)Po aty, f.987.

10)Po aty, f.1527.

11)Po aty, f.1223.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1