Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | Simbolika e emrave të njerëzve

Simbolika e emrave të njerëzve

Font size: Decrease font Enlarge font
image Petrit Malushi

Nga Petrit Malushi

 

Simbolika e emrave të njerëzve

 

               Në gjuhën shqipe, ashtu si në të gjitha gjuhët e tjera, funksioni kryesor i fjalës në aspektin morfologjik, nga ana kuptimore, pra e përmbajtjes si njësi e mëvetësishme, është shenjimi i një diçkaje. Ajo mund të shenjojë një frymor apo jo frymor, një person, objekt, send, dukuri, fenomen, veprim etj. Nëse brenda këtij konteksti kalojmë te klasat e fjalëve, të ndryshueshme e të pandryshueshme: emrat, mbiemrat, përemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet, lidhëzat, parafjalët, pjesëzat dhe pasthirrmat, atëhere këto funksione dalin më të qarta. Madje më të specifikuara dalin brenda çdo klase fjalësh. Nga ana sintaksore, funksioni i fjalës është në varësi të ndërtimit të fjalisë, bashkimit të fjalëve sipas rregullave gjuhësore të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit për të kumtuar diçka gjatë ligjërimit, pra të rolit që mbart çdo fjalë brenda fjalisë, qoftë kjo e  thjeshtë apo e përbërë.                                

                                  Emrat, preferencat prindërore

                Prej fjalëve të tjera emrat dallohen se emërtojnë frymorë dhe jo frymorë, dukuri, fenomene, etj. Mbiemrat janë shoqërues të emrave dhe sipas rasteve tregojnë tipare dhe cilësi të tyre. Te emrat e njerëzve mbiemrat tregojnë përkatësi familjare dhe fisnore. Në tërësinë e emrave, dhe të atyre që emërtojnë frymorë në veçanti, një vend të konsiderueshëm zënë emrat e njerëzve. Në jetën e përditëshme emri i çdo personi duket individual dhe thjesht për t´u dalluar nga të tjerët. Por nëse i referohemi çastit fillestar të vendosjes së tij, kur i linduri pa emër pagëzohet me një emër, ai mbart një simbolikë të caktuar. Kjo simbolikë që e shoqëron emërmbajtësin gjatë gjithë jetës së tij, madje edhe pas vdekjes te guri i varrit,  lidhet ngushtë me dëshirat, psikologjitë, mentalitetet, botët e brendshme të prindërve, të afërmve dhe kujdestarëve të të porsalindurve. Jo pak herë ndodh që pyetemi për personin që na ka përzgjedhur emrin që mbajmë dhe çfarë kuptimi ka ky emër. Një ndër zakonet e të parëve tanë, që e trashëgojmë edhe sot është ai i impenjimit të gjithë pjesëtarëve të një familjeje për të gjetur emrin e atij që pritet të vijë në jetë, sapo merret vesh shtatzania e një prej femrave të familjes. Madje në kohët që jetojmë ai pagëzohet që në barkun e nënës, pasi gjinia e fëmijës që pritet të lindë mësohet ende pa dalë në jetë. Pra tek emrat dhe                    simbolikat që ata mbartin shfaqen preferencat dhe shijet e të rriturve, që janë mbizotëruese, si adhurues të një perëndie, një mbreti, udhëheqësi, një luleje, peme, shpendi, trupi qiellor,një këngëtari, sportisti, aktori, shkrimtari, personazhi etj, që fëmija i sapoardhur, në jetë të bëhet si ata, apo afërsisht si ata, pra t´u ngjasojë atyre në tipare,karakter etj. Natyrisht nëse janë të saktë në përzgjedhjen e emrit apo  do të zhgënjehen, kjo nuk u bie aspak në mend për të prishur ëndrrën e tyre për pasardhësin a pasardhësen. Ky fenomen vazhdon të ruhet pa lëkundje, jo vetëm te familjet që jetojnë në Shqipëri e Kosovë, por edhe tek ato që ndodhen jashtë tyre, në shtete e kontinente të tjera, kudo ku gjallon gjaku shqiptar. Ndërkohë preferencat janë nga më të ndryshmet. Vërehen simbolika ringjalljeje emrash familjarësh, simbolika fetare, kombëtare, emra vendesh, pemësh, lulesh, kafshësh, zogjsh, ndenjash, emocionale etj. Emra për çdo simbolikë mund të renditësh pa fund në grupe e nëngrupe, si do të veprojmë në shtjellimin e mëposhtëm, ku qëllimi është evidentimi i dukurive që egzistojnë realisht dhe jo inventarizimi i emrave të njerëzve.    

                                     Emra të ringjallur

               Familjarët në shenjë respekti dhe për të rikujtuar të ikurit nga jeta, emrat e të afërmve ua rivendosin të porsaardhurve në jetë. Kështu me emrat e një gjyshi a të një gjysheje, të një nëne a babai, vëllai a motre, të një xhaxhai a dajo, halle a tezeje që nuk jetojnë më, pagëzohen bijtë dhe bijat apo nipërit e mbesat e tyre.         .        Emrat e ringjallur si për meshkujt edhe për femrat formojnë grupin më të madh dhe janë të pakta familjet që nuk e manifestojnë këtë fenomen. Ata trashëgohen edhe pse mund t´u bëhen ndryshime në ndonjë tingull apo ndonjë rrokje, për t´i moderuar. Sipas rasteve vendosen të pandryshuar, ose  përshtaten për kohën duke u shtuar ndonjë parashtesë apo prapashtesë. 

               Si emra të ringjallur pa ndryshime, ndër të shumtit janë edhe : Aleks, Ahmet, Aleksandra, Antoneta, Banush, Bedri, Bektash, Gjergj, Gjelosh, Gjin, Gjon, Hekuran, Irakli, Janaq, Jorgji, Kastriot, Konstandin, Konstandina, Mark, Nafie, Ndue, Ndoc, Nik, Petraq, Preng, Selim, Sofie, Selman, Vasillaq,Vasilika, Zenel,…                      

Nga kjo kategori me ndryshime ndeshim të tillë si : Miti-Mition, Refije-Refjona, Toli-Tolin, Sanie-Saniel, Sofie-Sofjona, Shefiko-Shefiona,… 

                                  Emra hyjnish, perëndish dhe heronjsh mitologjikë

                Emrat e hyjnive, të perëndive dhe heronjve mitologjikë përbëjnë një grupim tjetër të mbartura nga njerëzit. Hershmëria e tyre lidhet me kohën kur ka filluar  besimi tek fuqitë dhe aftësitë e mbinatyrshme. Ndoshta me këtë veprim njerëzit kanë dashur t´i bënin perënditë sa më njerëzore dhe emërmbajtësit të visheshin me aftësitë dhe vetitë e tyre mrekullibërëse. Kështu, njëlloj si vetë perënditë, ata mund t´i ndihmonin në rast nevoje.  Disa prej këtyre emrave, perëndish e heronjsh janë: Athina, Afërdita, Apollon, Agamemnon, Ajaks, Ajkuna, Andromaka, Akil, Dionis, Demetra, David, Efigjeni, Enea, Gjeto, Halil, Hermes, Hektor, Helena, Menela, Muji, Moisi, Odise, Parid, Penelope,Uliks, Zana, Zefir,...

                                         Emra fetarë

                Një grup më vete formohet nga emrat me simbolikë besimesh fetare. Këtu kemi emra festash dhe emra shenjtorësh për të gjitha besimet. Emrat e perëndive dhe ata me simbolikë besimesh fetarë janë të vetmit që janë transmetuar dhe vazhdojnë të transmetohen ndër shekuj e ndër breza pa pësuar ndryshime. Kuptimplotë si të tillë janë emrat : Bajram, Mevlud, Novruz, Pashk, Pashkë, Ramazan,... 

               Si emra shenjtorësh ndeshim : Abas, Ali, Aleks, Hazret, Islam, Imam, Isa, Jani, Jorgji, Kristian, Kostandin, Kozma, Llazar, Marie, Muhamet, Parashqevi, Sofie, Thanas,  Vangjel, Vasil, Vasilika,...   

Preferenca ka patur edhe për emrat e shërbëtorëve hirarkikë të fesë :Dervish, Haxhi,…   

                                  Emra perandorësh, mbretërish, sulltanësh

                 Duke ruajtur linjën e simbolikës së emrave, që e theksojmë sërish se është e lidhur me botën shpirtërore të atyre që i vendosin, ç´ka është objekt i këtij shkrimi dhe jo listimi i tyre, një grupim tjetër formohet me emrat e perandorëve, mbretërve dhe sulltanëve. Të tillë janë : Abdyl, Agron, Aleksandër, Albert, Artur, Bardhyl, Çezar, Elisabeta, Faruk, Filip, Genti, Luigj, Murat, Mustafa, Mehmet, Napoleon, Neron, Piro, Rikard, Sulejman,Teuta,...    

              Grupimet e emrave zgjerohen edhe me ata të trupave qiellorë : Afërdita, Diell, Diella, Hënë, Mars, Venera,… 

                                      Emra lulesh dhe pemësh

             Të preferuar për t´u vendosur në të dy gjinitë, përherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe emrat e luleve dhe të pemëve. Kjo të bën të mendosh për plotësimin e dëshirave që lidhen më fort me bukuritë fizike, pasi vetë lulet janë simboli i bukurisë, freskisë dhe aromës. Bajame, Burbuqe, Hurma, Karafil-e, Kulumbri, Lule, Manushaqe, Marina, Menekshe, Mimoza, Nerënxë, Selvi, Trëndafil-e, Vjollca, Xinxife, Zambak, Zerdeli, Zymbyl-e,...

            Por nuk mungojnë edhe emrat e stinëve të tillë si Behar, Behare, Pranvera, Vera, Verore,  që tërhiqen nga ana shpirtërore.

                                     Emra fatsjellës, emocionalë

            Psikologjia dhe mentaliteti i njerëzve kanë krijuar edhe emra fatsjellës : Agim, Agime, Afrim, Bardha, Bardhosh, Besart, Besmir, Besfort, Bekim, Bekime, Çelik, Ditmir, Ditbardh, Drita, Dritan, Era, Ëngjëll, Ëngjëllush, Ëngjëllushe, Fatbardh, Fatbardha, Fatmir, Fatmira, Fation, Fationa, Fitim, Fitime, Fitore, Fillesa, Flutura, Fluturak, Florian, Florika, Floresha, Florimond, Gazmir, Gazmend, Gëzim, Gëzime, Heroina, Kreshniks, Kristian, Kristiana, Lartim, Lulëzim, Lulëzime, Lindita, Lek, Mbarime, Merita, Meriton, Mjaftime, Mjaftore, Nderim, Ndërtim, Ndriçim, Përparim, Sose, Shkëlqim, Vitore, Vitori, Xhevair, Xhevaire,... Duket se kështu emri i vendosur do t´u paraprinte gjatë  ecjes në jetë. 

                Emrat e zogjve, shpendëve dhe kafshëve si : Astrit, Drenush, Drenusha, Luan, Petrit, Pëllumb, Sorkadhe, Skifter, Shqiponja,...  të rriturit me sa duket i kanë konsideruar si ogur i mirë që edhe fëmijët të manifestojnë në karakter shkathtësinë, forcën, bukurinë e emrit të pagëzuar.     

                Grupi i emrave ku mund të futen Adhurim, Adhurime, Besa, Besnik, Besim, Dashnor, Dashamir, Durim, Durime, Dhurata, Festim, Festime, Kujtim, Kujtime, Vendim, Vullnet, Shpresa,...  janë të lidhur më tepër me botën e brendshme dhe anën emocionale.

                            Emra simbolesh kombëtarë

                   Emrat që lidhen së tepërmi me ndjenjat kombëtare janë ata të simboleve, vendeve dhe lumenjve si : Arbër, Arbërora, Arbërore, Adriatik, Adriatike, Alban, Albana, Albion, Albiona, Berat, Dardan, Drini, Fatos, Flamur, Flamure, Golik, Gjergj, Ilir, Ilirjan, Jon, Korab, Kongres, Liri, Partizan, Patriot, Rozafa, Sazan, Tomorr, Valbona, Shkumbin, Shkëlzen,...

                              Emra shkencëtarësh, shkrimtarësh, personazesh...

                   Larmia e grupimeve të emrave zgjerohet edhe me emra që kanë lënë mbresa e gjurmë tek të pasionuarit në fusha të ndryshme. Ka plot raste me emra shkencëtarësh : Albert, Edison, Pjer,... emra shkrimtarësh dhe personazhe librash : Adelajda, Aida, Ernest, Esmeralda, Eva, Ibsen, Klajdi, Maksim, Spartak, Valter, Viktor,... emra këngëtarësh Albano, Denis, Elvis, Majkëll,...emra aktorësh dhe personazhe filmash: Edmond, Greta, Izaura, Romeo, Zhulieta,...emra sportistësh: Gerd, Rivaldo, Ronaldo,...

                     Emra ish-udhëheqësish

                    Një grup më vete përbëjnë emrat që lidhen me hirerakinë ushtarake të perandorisë osmane : Asqeri, Caush, Myftar, Zabit,...  emart blektoralë Bari, Çoban dhe emrat e ish-udhëheqësve : Fidel, Josif, Lenin, Stalin, Vladimir,...Por këta emra tashmë thuajse kanë dalë nga preferencat.

                         Emra me bashkime (kompozita) tinguj e rrokjesh 

                    Krejtësisht të veçantë për nga mënyra e krijimit, janë emrat e formuar nga bashkime (kompozita) tingujsh e rrokjesh. Prej dy,tri, katër emrash të familjes, zakonisht të prindërve e gjyshërve shkëputen rrokjet nistore, apo fundore ose të dyja, dhe bashkohen e kombinohen duke dhënë emrin e ri. E njëjta gjë mund të bëhet edhe me tingujt, kjo varet nga dëshirat dhe fantazitë e „kompozitorëve“. Më të dëgjuarit tek ne nga ky tip janë pseudonimet, por që kanë kryer plotësisht rolin e emrit, Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla), Asdren (Aleksandër Stavre Drenova), apo edhe këta emra që i kemi ndeshur në Tiranë : Isli (Ismail  dhe Liri), Shyze ( Shyqyri dhe Zenepe), Sajma (Skënder, Artan, Junida, Mirvjen), Melsi (Marks,Engels, Lenin, Stalin).  Natyrisht ka edhe shumë raste të tjera. Ndërkohë që nuk mungojnë edhe raste me përmbysje të rendit të tingujve, si për shembull Inva-Avni etj. Këto dukuri evidentohen që nga e shkuara, por vazhdojnë edhe sot. Emri në raste të tilla është plotësisht produkt i rrokjeve dhe tingujve të pranëvendosur dhe bën përjashtim nga çdo lloj liste emërore.

                           Emrat sipas fjalëformimit                                                                               

                    Po t´i analizojmë emrat e njerëzve nga mënyra e fjalëformimit, ashtu sikurse veprohet për të gjitha fjalët në gjuhën shqipe, vërejmë se mbizotërues janë emrat e parmë. Ata janë të shumllojshëm dhe numri i tyre është i pambarimtë. Kjo vërehet lehtësisht po të shikosh çfarëdo lloj listë emërore, qoftë edhe një fare të thjeshtë, një regjistër gjendje-civile, regjistër shkolle, etj. Në faqet e tyre janë të shumtë emrat e parmë ndër të cilët po sjellim vetëm disa si :  Alketa, Aldo, Arjan, Artan, Drita, Drane, Eriselda, Gjin, Gjon, Jani, Klejdi, Laura, Laureta, Leonard, Luis, Llesh, Nikollë, Niko, Olsi, Orgesa, Preng, Sali, Sami, Shpresa, Xhevdet, Zenepe, etj, etj.  Në numër të pakët hasen emrat e prejardhur, më të shumtit e të cilëve janë formuar me prapashtesim : Bejo-Bejushe, Bejko-Bejkush, Braho-Brahush, Dane-Danush, Ëngjëll-Ëngjëllush-Ëngjëllushe, Kadri-Kadrush, Lule-Lulushe, Salo-Salushe,.... Rastet nuk mungojnë edhe me emra të përbërë, prej të cilëve po përmendim : Besmir, Besart, Ermal, Fatmir, Fatbardh, Mirvjen, Rezart, Rezarta...                                                                                                                           .                 Përsa i përket gjinive, emrat e personave ndahen në dy gjini biologjike, mashkullore dhe femërore. Të dy këto gjini përputhen plotësisht me gjinitë gramatikore, por ka edhe emra mashkullorë që marin mbaresën –a të gjinisë femërore : Ago-Agua, Bejo-Bejua, Gogo-Gogua, Dane-Dania, Dhimo-Dhimua, Koço-Koçua, Kiço-Kiçua, Liko-Likua, Lek-Leka, Nano-Nanua, Niko-Nikua, Nik-Nika, Preng-Prenga, Sofo-Sofua, etj. Gjinia asnjanëse thuajse nuk ndeshet fare te emrat njerëzorë, pasi emrat e kësaj gjinie fillimisht janë mbiemra. 

                Gjinia femërore në më të shumtën e rasteve formohet nga emra të parmë femërorë : Ana, Blerta, Donika, Saveta, Sofika, Violeta,... Por një numër i caktuar emrash femërorë formohen prej emrash mashkullorë që marrin mbaresat –e, -a, apo prapashtesat -ore,-ona,-oshe... Kujtim-Kujtime, Gëzim-Gëzime, Adrian-Adriana, Agim-Agime, Alban-Albana, Albion-Albiona, Bashkim-Bashkime, Besnik-Besnike, Bedri-Bedrie, Bleon-Bleona, Bujar-Bujare, Bukurosh-Bukuroshe, Dorian-Doriana, Fation-Fationa, Fatmir-Fatmira-Fatmiroshe, Fitim-Fitime-Fitore, Kristian-Kristiana, Lulëzim-Lulëzime, Mjaftim-Mjaftore-Mjaftoshe, Myrvet-Myrvete, Nuri-Nurie, Nustret-Nustrete, Olsi-Olsiona, Qamil-Qamile, Ruzhdi-Ruzhdie, Sabri-Sabrie, Vildan-Vildane, Xhemil-Xhemile,......   

                           Emrat shqiptarë dhe emrat e huaj 

                Nëse tentohet, që emrat e njerëzve për një arsye apo për një tjetër, të  grupohen në emra shqiptarë dhe emra të huaj, është e vështirë e ndoshta e pamundur të gjendet një vijë ndarëse, ku të gjithë emrat të formojnë dy grupe, përjashtues për njëri-tjetrin. Klima përherë ka qenë e favorshme për të vendosur edhe emra shqiptarë edhe emra të huaj, pa asnjë lloj paragjykimi, pa harruar përpjekjet që u bënë për frenim në vitet e sistemit monist. Arsyet janë të shumta. Shtresimet kohore të përballin me faktorë kombëtarë, politikë, shoqërorë, socialë etj, etj. Riti i vendosjes së një emri çdo personi të  sapolindur nuk ka ndryshuar, edhe pse është i hershëm, sa lindja e njerëzimit. Shumë më vonë, kur u krijuan kufijtë shtetërorë, brenda tyre kanë bashkëjetuar njerëz me kombësi dhe besime fetare të ndryshme, gjë që vazhdon normalisht edhe sot në kohët moderne. Ndryshime të tilla nuk kanë qenë pengesë për të vendosur çfarëdo lloj emri të pëlqyer. Për shembull, thjesht, ekzistenca e perëndive besohet nga të gjithë, pa dallime kombësie e besimi. Kështu emrat e tyre, pra të perëndive, nëse dëshiron i vendos kushdo, pa u paragjykuar as nga kombi as nga besimi. Argumentet këtu janë të pambarimta. Apo tjetër në këtë plan, mjafton të përmendim pranëndodhjen tonë me vendet fqinje. Marrëdhëniet jo vetëm me to, por dhe me shumë shtete të tjera në fusha të ndryshme si :  politike, ekonomike, tregëtare, arsimore, mjekësore, kulturore, etj,  mbartin ndikime që janë prezente në larminë e përzgjedhjes së emrave nga familjarët për fëmijët e tyre. Lëvizjet e lira të njerëzve, në kohë të ndryshme dhe për arsye nga më të ndryshmet, shoqërohen edhe me përpjekjet e tyre për t´u ingranuar sa më shpejt me ritmin e jetës së vendit ku vendosen familjarisht. Ashtu sikurse komunikimi me gjuhën e atij vendi, përditshmëria e jetesës, marrëdhëniet në punë, me komunitetin ku banohet, jetën sociale, jetën shoqërore etj, edhe përzgjedhja e emrave për fëmijët e lindur në ato vende nga prindërit duhet parë realisht, si element i ingranimit në jetesën e re.  Fakt tjetër përbën krijimi i familjeve nga lidhje martesore të dyanshme, si në kohët e hershme edhe në të tashmen. Kështu edhe kjo ka sjellë dhe do të sjellë vendosje emrash sipas preferencave prindërore dhe familjare. Veç këtyre, pra të vendosjes së emrave të huaj me dëshirë, për vendin tonë duhen marrë në konsideratë pushtimet shekullore. Ata ashtu si kanë ndikuar në futjen e fjalëve të huaja në komunikim, kanë lënë gjurmë edhe në prurje me emra të huaj personash. Shumë e shumë prej tyre tashmë kanë zënë vend në fondin e emrave shqiptarë. Natyrisht ka edhe shumë të tjerë që kanë kaluar në fjalorin pasiv. Kohët dhe brezat kanë rregullat e tyre të pashkruara edhe për preferencat e emrave. Për shembull do të ishte paradoks të mendohet pse në kohët që jetojmë vendosen rrallë apo nuk vendosen më emra të tillë : Abedin, Çelo, Çuman, Fran, Frrok, Gjok, Gjyle, Gjyste, Hasan, Hekuran, Hysen, Koço, Kiço, Kushulla, Maliq, Merjeme, Miço, Muço, Ndue, Ndoc, Qatip, Reis, Sefer, Servet, Shaqir, Taqo, Uk, Veli, Velide, Veis, Zabit, Zenepe, Zeqir, Zyra,...dhe pse janë të preferueshëm emrat e rinj : Ani, Anxhela, Bledi, Dario, Diona, Elia, Elisa, Johan, Johana, Jon, Klea, Klodi, Kristi, Luis, Mario, Nikolas, Paolo, Paola, Rea, Tea,Tomas, Sabiel, Sara, Sindi, Xhek, Xhekson, Xhimi, Xhoni, Xhulio,...        

Por edhe në periudhat pa pushtues e krejtësisht të lirë, për vendosjen e emrave janë vërejtur të dy dukuritë, si për emra shqiptarë edhe për të huaj. Edhe sot kjo është e pranishme. Përsëri gjithçka bëhet me dëshirë të plotë nga familjet dhe prindërit e fëmijëve dhe në funksion të së ardhmes së tyre.         

                  Më të dallueshëm emrat e personave janë nëse grupohen mbi besimet fetare. Edhe prania e emrave të njëjtë në vende të ndryshme vetëm mbi këtë bazë mund të argumentohet. Në vendin tonë bashkëegzistenca e përhershme në harmoni të plotë e tre besimeve : të krishterë, myslimanë dhe katolikë ka qenë faktor pranues dhe jo përjashtues. Ka emra që janë lehtësisht të dallueshëm si të krishterë, të tjerë si myslimanë apo të tjerë si katolikë.  Ndërkohë janë të shumtë emrat që preferohen nga të tre besimet fetare. 

                Por është fakt i pakundërshtueshëm që një grup emrash, në çfarëdo lloj konteksti tingëllojnë qartazi si shqiptarë dhe janë të dallueshëm si të tillë, pasi nuk ndeshen në vende e kombe të tjera dhe në familje që s´kanë asnjë lidhje me botën shqiptare. Ka prej tyre që vinë që nga lashtësia, nga mesjeta e hershme dhe e vonë, nga rilindja, shpallja e pavarësisë e pas saj, gjatë sistemit monist e deri sot dhe përsëri e ruajnë plotësisht identitetin dhe janë të preferueshëm për t´u vendosur  nga familjet shqiptare tek pasardhësit. Në vazhdim të kësaj po përmendim vetëm disa pre tyre, një numër fare të vogël : Adriatik, Adriatike, Agron, Agim, Alban, Albana, Arbër, Arbëror, Arbërore, Adrian, Adriana, Aranit, Artan, Bardhyl, Besa, Besnik, Besian, Besiana, Bashkim, Bujar, Dardan, Drini, Dritan, Ermal, Enkeled, Enkeleda, Elton, Fatmir, Fatbardh, Fisnik, Genti, Genci, Gjergji, Gjin, Gjon, Ilir, Ilirjan, Ilirjana, Kastriot, Klodian, Kreshnik, Lindita,Luan, Martin, Majlinda, Marjeta, Mirela, Mujo, Petrit, Pëllumb, Piro, Rozafa, Sazan, Sokol, Skifter, Shpresa,Taulant,Teuta, ......     

                  Kështu mund të zgjateshim pa kufi, por ndoshta kaq është mjaftueshëm për të argumentuar idenë e shkrimit, që emri i çdo personi ka një simbolikë, e cila është bërë shtysë e fortë për atë që e ka vendosur tek i porsalinduri. Edhe një herë theksojmë se këto dukuri të vërejtura dhe të renditura për simbolikën e emrave shqiptarë, janë reale dhe të pranishme jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, por kudo që jetojnë e punojnë shqiptarët nëpër shtetet e Europës, në Amerikë, Kanada e Australi. Ndërkohë kaq, sa lejon shtrirja në një shkrim, nuk mund të thuhet kurrë se është gjithçka për këtë temë. Kushdo dhe kurdoherë rreth saj mund të shkruajë pambarimisht.

Comments (2 posted):

viron kona on 10/09/2018 11:02:44
avatar
Urime dhe pergezime z.Petrit per kete pune te kujdesshme, qe mendoj se ka edhe karakter studimor. Eshte me vlere, mendoj une, edhe sepse na hap horizontin per emrat qe ekzistojne ne vendin tone, por dhe se si ata jane pagezuar nga prinderit, te afermit etj.
Nje fushe interesante, qe duke u levruar e zhvilluar me tej nga autori, mund te perbeje materialin e nje botim te vecante, qe do te mirepritej dhe do t`u vlente lexuesve, por dhe prinderve kur vendosin emrat e femijve apo niperve e mbesave...

Faleminderit Petrit!

Perfitova nga ky material i shkruar me kompetence dhe kulture.

Me respekt,
Viron Kona
Petrit Malushi on 10/09/2018 20:57:29
avatar
Viron, te falenderoj per vleresimin dhe vemendjen e leximit te materialit. Gjej rastin tju uroj edhe ju per krijimtarine e begate dhe botimet e vazhdueshme.
Miqesisht Petriti

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1