Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | JORGJI KONDAKÇIU DHE HISTORIA E “GJELBËR” E QYTETIT TË FIERIT

JORGJI KONDAKÇIU DHE HISTORIA E “GJELBËR” E QYTETIT TË FIERIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nuri PLAKU

JORGJI KONDAKÇIU DHE HISTORIA E “GJELBËR” E QYTETIT TË FIERIT

 

   Në historinë e zhvillimit urban të qytetit të Fierit ka shumë protagonistë me kontribute të spikatura qytetare të cilët nuk njihen nga opinioni i gjerë shoqëror. Një i tillë është edhe Jorgji Kondakçiu i cili i përket historisë së “gjelbër” fierake, të gjysmës së parë të shek. kaluar. Gjithë kontributin e tij Kondakçiu e ka dhënë në fushën e gjelbërimit të qytetit kur kryente detyrën e bahçevanit dhe shoqëruesit të Omer Pashë Vrionit. 

    Omeri ishte i biri i themeluesit të qytetit të Fierit, Kahreman Pashë Vrionit dhe një nga figurat kryesore të Pavarësisë në Shqipërinë e Jugut. Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit kishte qenë mjaft aktiv në aksionet politike të Lidhjes në krahë të kushëririt të tij Mehmet Vrionit dhe për këtë, ishte dënuar nga Porta e Lartë me 3 vjet burg në Çanak Kala. Pashai ishte arsimuar në shkollat e Stambollit dhe dallohej për karizmën dhe performancën e një aristokrati të lartë. Ishte i qetë, i shtruar, fliste ngadalë dhe përdorte fjalë e thënie me kuptim të thellë që të vinin në mendime. Gjithë Fieri e nderonte. Kur kalonte në rrugët e pazarit dhe u jepte “merabanë” (përshëndetjen) njerëzve ata i përuleshin me respekt. Omeri kishte pasion gjelbërimin dhe bahçen e shtëpisë e mbante të rregullt e të pasur me pemë e lule shumëngjyrëshe. Qyteti ishte mylk (pronë private) dhe ai kishte bër plan ta zbukuronte atë me pemë e lule të shumta, nga më të bukurat e më të zgjedhurat, ashtu si i kishte hije figurës dhe statusit të një pashai. Të tillë e zgjodhi edhe bahçevanin dhe shoqëruesin e tij, Jorgjin. Për Jorgjin i kishin thënë se i donte aq shumë pemët sa kur mbillte fidanat, bënte kryq para tyre. Kjo e dhënë i kishte mjaftuar pashait për ta përzgjedhur atë midis shumë të tjerëve që e pretendonin atë vend pune. 

    Jorgji Kondakçiu vinte nga bregu. Të parët e tij kishin mbijetuar në kohën e sulmit të Ali Pashë Tepelenës mbi Himarë. Aliu i mbylli banorët në një kishë dhe i masakroi aty të gjallë në flakët e zjarrit që u dogj për ditë e netë. Për ditë e netë të tëra kisha kutërbonte erën  e mishit të djegur të njeriut të pafajshëm. Temjani më mëkatar që kishin parë shandanët e asaj kishe shekullore të fshatit bregdetar. Njerëzia ikën nga barbaria e Aliut dhe nuk u kthyen më kurrë në trojet e tyre. Ndër ata që u zvordhën prej detit ishin edhe të parët e Jorgjit. Ata u vendosën fillimisht në fshatin Goriçaj të Fierit e më pas erdhën në Mbrostar Dhima, ngritën shtëpi dhe bënë disa familje.

    Jorgji lindi më 18 tetor të vitit 1868 nga prindërit Mitro dhe Liçe Kondakçiu. Në moshën 32 vjeçare, në vitin 1900, filloi punën e bahçevanit dhe shoqëruesit të pashait të Fierit. Në këtë detyrë ai qendroi deri më 1928 kur pashai ndërroi jetë. Ai i shërbente bahçes, ai ja ushqente kalin, ja kashaiste, i hidhte mbi shalë shiltenë e kuqe me thekë e qëndizma mëndafshi dhe ai e shoqëronte në gjueti apo në udhëtimet e tjera që bënte brenda e jashtë vendit. 

    Edhe kali i Jorgjit nuk binte pasë atij të pashait. Edhe ai kishte shalë e balldëm lëkure të kafejtë, shilte të kuqe dhe qendizma mëndafshi. Iknin të dy mbi kuaj përkrahë njëri-tjetrit dhe kushdo që i takonte në rrugë, i nderonte me dorë në zemër e përkulje trupi. Shoqërimin me pashanë Jorgji e pati një shkollë të rëndësishme ku ai mësoi shumë gjëra të panjohura më parë, e njohu shumë njerëz e vënde të reja për të. Më tepër se kund shprehja “më thuaj me cilin rri, të të them se kush je” i shkonte për shtat pikërisht këtij rasti. Jorgji ishte i vëmendshëm dhe kishte mar sjelljen e pashait aq sa kishte krijuar një figurë paralele me të, plot klas dhe nivel aristokrat. Shumë njerëz e nderonin edhe me titullin Pasha. “Pasha Jorgji” i thoshin në popull. Jorgji kishte edhe talentin e këngëtarit. Zëri i tij kumbonte nëpër dasma dhe mblidhte aq shumë njerëz sa edhe sot kujtohen “dasmat e mëdha” që dilnin me këngëtar Jorgjin. Në këtë fushë, Jorgji shfaqet më herët se këngëtari i njohur fierak Kiu Poro, madje pararendës i tij. Kjo e dhënë përforcohet edhe nga fakti se Kiu Poro filloi të shfaqej në publik si këngëtar aty nga viti 1928 në kohën kur Jorgji kishte bërë emër në popull. Këngët e vjetra qytetare jan kënduar pikërisht prej Jorgjit. Njëra nga këto, perla e folklorit fierak rrëfehej nga këngëtari Vangjel Lule dhe trasmetohej si trashëgimi gojore nga nipi i tij, Mësuesi i Popullit Kristaq Shtëmbari.

Ç’u errti, ç’u bëti natë/ S’kemi ku të shtrojmë hordhinë/ Hënëza kurrë mos daltë/ Dritë kemi dashurinë.”

Kjo këngë është kënduar nga këngëtarët fierak kur kishin shoqëruar Vrionasit në një dasëm në Përmet. Aty, përmes një konkurimi të heshtur midis krahinave, zëri magjepës i Jorgjit kishte sfiduar këngëtarët përmetarë dhe e kishin bërë krenar Omer Pashanë.

  Pasioni i Jorgjit për këngën shkonte njësh me pasionin për pemët, për lulet dhe ... dashurinë. Jorgji kujtohet pikërisht për këto tri elemente lirik në jetën e vetë që e mbajnë kujtimin e tij ende të gjallë, si një emblemë të rrallë e të papërsëritëshme të këtij qyteti.

   Dashuria e Jorgjit është shfaqur me pasion të ndezur shoqëruar me një hidhërim të thellë pikëllues përzier me dhimbje e vdekje. Dhimbja filloi të ndihej që në takimin e tij të parë me Anën e njohur në popull si kallogreja e Nartës.   

       Një ditë ai vari bucelat në shalën e kalit dhe shkoi të merrte verë në Nartë për pashanë. Në kantinë pa një nuse të bukur që dukej sikur mbante detin në sy dhe dallgët në qerpik. U panë sy më sy dhe Jorgji ngriu në vend nga vështrimi i saj. Pyeti atë ditë për të e i thanë se ishte kallogre. Kishte 4 vjet martuar por vetëm një muaj kishte fjetur me të shoqin. Pas një muaji, i shoqi një burr “i nxënë skolive të Korintit e Janinës kishte mërguar në Ameriqi dhe nuk kishte dërguar asnjë haber.” 

    Edhe Ana u dogj nga vështrimi i Jorgjit. “Dy gisht kartë që su dërgua kurrë në Nartën e Kallogresë nga kurbetliu harram e bën sikter edhe kujtimin e tij të fundit.” Shumë shpejt, sytë e zes të Jorgjit si zifti Selenicës, e hapën vatrën e zjarrit në gjoksin e Anës. Kallogreja rrinte në dritare të shihte kur vinte Jorgji. Llagëmet brenda shpirtit të saj i thellonte përditë e më shumë një dorë magjistare si shën Mëria e koreve që mbante mbi kaptellin e oxhakut. Nëpër mugun e tyre mahnitës shfaqej Jorgji duke e lektisur në botën e saj të turbullt. Gdhinte netët e pagjumta dhe pyeste veten pse nuk vinte Jorgji... dhe vishej me petkat e reja të nusërisë ditën kur vinte Jorgji.

    Ana ishte 10 vjet më e re se Jorgji. Kishte lindur më 15 nëntor të vitit 1878 në fshatin Mbrostar Dhima nga prindërit Nushi dhe Hëna Dhima. Bukuria e saj e kishte bërë të “dridhej” dhaskalin nartiot që jepte mësim në skolinë greke të Fierit dhe kishte futur njerëz për mblesëri. Por, një muaj mbas martese dhaskali ishte bashkuar me një grup mërgimtarësh dhe kishte ikur nëpër det. Skela e Vlorës ishte bërë “lëndina e lotëve” për çiftin e ri që ende digjeshin nga afshi i muajit të mjaltit. Shija e atij mjalti e ruajti katër vjetë ëmbëlsinë e saj, pastaj filloi të hidhërohej. Udha e ujrave kishte përpirë edhe kujtimin e fundit të kurbetliut duke u zëvendësuar me një tjetër burr, të pashëm e tronditës deri në ethe, Jorgji Kondakçiu. Me Jorgjin Ana po njihte dashurinë e vërtetë të njeriut. Ashtu mes zhegut dhe acarit të thellë shpirtëror, ata ndezën një zjarr të madh bubullitës sa klithma e mëkatit i trëmbi në altarin e shtratit dashuror. Nga ai çast, Jorgji i urtë e i mirë, me sy vezullues, plot pasion e mirësi u bë i heshtur si murg. Ra në mendime të rënda që su jepte karar. As nuk mund të rrinte dot pa Anën dhe as mund ta merrte Anën me vete në Fier. Gruaja në shtëpi ishte shtazënë. E mira grua që ai se kishte parë e se kishte ndjerë kurrë si kallogrenë e Nartës. Madje nuk e kishte ditur kurrë që një grua të kishte një forcë të tillë sa ta tundonte një burr deri në palcën e qëndresës. Nderi dhe besa e lidhur mes tij dhe së shoqes në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, ishin bërë litar prej rëre. Mendimi i ndarjes e godiste si çekan në kokë. Ja tha këtë të ëmës por ajo u bë bishë. Nusja e saj ishte aq e dashur dhe e mirë sa të pikonte shpirti ti thoshje një fjalë të keqe e jo më ik! Por... Jorgji ishte Jorgji. Askush nuk mund ta mbante atë burr të kthyer në atllarë që shkrofëtinte e tundëte zinxhirët e nderit me britma të thella dhimbjeje. Dhimbte shpirti i Jorgjit dhe rënkonte si limani i Nartës në ditë furtune, aq sa e ëma filloi të mendonte se e gjitha kjo ishte magji e kallogresë. Dhe vazhdonte ta kundërshtonte me ngulm. Por mjerisht punët morën një rrokullimë të papritur sikur kallogreja e Nartës të ishte shenjtore. Mos o Zot! Jorgji vendosi të dilte mbi të ëmën dhe ta ndante të shoqen. Por, para se ta zgjidhte martesën, ndërhyri Zoti. Ai e mori robin e vet në amëshim ditën kur lindi dy binjakët. Nusja vdiq. Jorgji qau. E harroi Anën para dhimbjes së vdekjes dhe e përcolli të shoqen si një mbretëreshë. U fashitën ndjenjat, u ulën flakët e zjarrit të tyre bubullitës dhe Jorgji u bë prap siçkishte qenë më parë, burr i besës që përcillte gruan në banesën e fundit me nder e fytyrë të përvuajtur nga hidhërimi. Nuk ishte hipokrit, nuk tjetërsohej në veprimet që bënte, por ashtu e ndiente. Ajo ishte gruaja e tij ligjore që kishte jetuar ato dy vjetë me të dhe ai në mënyrë të denjë ra në zinë e saj. Mos ja ndolli këtë të keqe të shoqes me dashurinë e marrosur pas kallogresë së Nartës? Por ai i bënte punët me shpirt dhe kishte lënë Zotin për ti gjykuar. Midis tij dhe Zotit ishte vetëm kryqi para ikonës së shën Gjergjit që mbante të varur në mur dhe lutja. Asgjë tjetër.

    Sipas zakonit, Jorgji e respektoi zinë e së shoqes dhe u krodh në heshtjen e saj sa vuri edhe kreshmën e mëndjes. Nuk mendonte as për Anën. Kreshma e mëndjes ishte njësoj si kreshma e syrit. Mori shandanin e madh nga oda e miqve dhe e vuri në dhomën e gjumit. E linte ndezur ditë e natë. Shikonte fluturat e natës që dilnin nga errësira e mblidheshin rreth flakëve të venitura të qirinjve dhe përlotej pas tyre duke i pandehur shpirtin e së shoqes. I ndërronte qirinjtë një nga një dhe përhumbej me orë të tëra i kredhur në kujtime.

    Pas kësaj vdekjeje dy të vegjlit u morën për tu rritur nga njw mwndeshw. Ajo kishte gjoks të njomë nga një lindje e re dhe së bashku me fëmijën e vetë, pushtoi në krahët e saj edhe dy jetimët e mitur. Por edhe këtu ndërhyri Zoti. Tashmë ai u bë i pamëshirshëm deri në fshirjen e gjurmëve të së ndjerës. Një ditë të keqe me re të zeza e të kobshme me bubullima e kërcëllima të thata, lëshoi një rrufe dhe dy foshnjat me mwndeshwn që i kishte hedhur në gjoks për të pirë ikën në amëshim. Kjo ishte një tragjedi që shokoi banorët e Mbrostarit, Fierit dhe krejt Myzeqesë. Tre të vdekur nga një familje, dy fëmijë dhe e ëma. Mwndesha ishte e katërta. Pashai ishte tronditur shumë nga kjo humbje dhe ishte përlotur. Rrinte në minderin e konakut të miqve të Jorgjit ku kishte vajtur për rënkim, rufiste kafenë ngadalë dhe psherëtinte. Hata të tilla, thoshin pleqtë, kishin ndodhur vetëm në kohën e  koleres.

    - Fatit i trëmben ndonjëherë edhe perënditë, - tha pashai. 

    - Ashtu zotrote, - ju përgjegj plaka. 

    Kur iku pashai e ëma e Jorgjit heshti me frikë. O Jorgji kishte bër një mëkat të madh, o kallogreja e Nartës ishte shenjtore. Atë që kishte pasur ndërmend i biri e bëri Zoti. Por, të flasësh mbarë, i biri nuk kishte çuar zemër për dy binjakët sepse ishin dy filizat e gjakut të gjakut dhe ajo do ti rriste ata si një nënë e dhembsur. Por, “fatit i trëmben edhe perënditë”, kujtonte fjalët e pashait dhe heshtëte e psherëtinte sërish.

    Me gjithë kobin e rënë në shtëpi, Jorgji nuk e reshti pasionin për pemët dhe lulet.

    Ishte dimër i vitit 1907. Omer Pasha, krahas punëve të dovletit, kishte vendosur të zbukuronte qytetin me pemë e lule. Në Janinë kishte porositur fidana frashëri dhe rrepe. Ndërsa në Egjipt fidana ekualipsi. Ja kishin këshilluar disa nga miqtë e tij kur kishte qenë në Kajro, si dru që thith lagështirën dhe vret mushkonjat. Kur erdhën fidanat e ekualipsit në fillim të shëndreut, Jorgji i mbolli në hyrje të pazarit, në rrugën e magazinave dhe pran godinës së sotme të prefekturës. Për çdo fidan që mbillte i kushtonte një ceremoni më vete. Drejtonte trupin para tij, merte qendrim solemn dhe ... bënte kryqin. Të gjitha pemët që jan mbjell në Fier gjatë 28 viteve të para të shek. XX, të gjitha mbartin me vete kryqin e Jorgjit. Kjo është gjurma morale që ka lënë në historinë e “gjelbërt” të këtij qyteti ky burr. Të bësh kryq para pemëve do të thot të shenjtërosh natyrën, gjelbërimin dhe jetën e lirë të njeriut. Jorgji ishte besimtar por në cilin zot besonte? Kujtimet e familjarëve japin informacion të çuditshëm. Ai kishte adhurim të veçantë për pemët, aq sa betohej për to. Përt tri gjëra betohej Jorgji gjatë gjithë jetës së tij; për pemët, për këngën dhe fëmijët. Natyra, arti dhe gjaku. Një trinitet mjaft i çuditshëm, gati, gati doktrinor. Mos vallë kjo ndjesi lidhet me pikpamjen e filozofit Spinoza të shek. XVII i cili e shkrinte zotin në natyrë? Kur e pyetën njëherë Ajnshtajnin se a besonte në Zot, ai u përgjigj thjeshtë: besoj në Zotin e Spinozës. Sipas Spinozës Zoti ishte drita, gjelbërimi, peisazhi piktoresk, jeta e bukur konkrete dhe e prekshme e njeriut, përditshmëria. Dhe vetëm kaq. Misticizmi religjonar në filozofinë e Spinozës shkrihej në natyrë. Jorgji ja atribuonte mundin e tij pikërisht këtij zoti, natyrës dhe lirizmit të saj.

    Pemët e bekuara me kryqin e Jorgjit kan qenë deri von në këtë qytet. Ekualipset janë sjellë në Fier para se të kultivoheshin fidanishtet e tyre në Mifol dhe pranë Selenicës në vitin 1947. Atëherë u trumbetua shumë kjo pemë dhe reklama u shtjellua sidomos në vitin 1949 kur Enver Hoxha u takua me Stalinin dhe ai e këshilloi ta mbillte gjerësisht këtë dru, sepse largonte mushkonjat dhe thithte ujrat e moçalishteve. Madje me porosi të Stalinit, Hoxhës i dhanë me vete edhe farëra ekualipsi.  Në vizitën e mëvonshme, më 2 prill të vitit 1951 Stalini ishte interesuar për farërat dhe Hoxha i spiegoi se specialistët i kishin mbjellë në zonën e Myzeqesë ku kishte më tepër moçalishte. 

    Drurët e frashërit dhe rrepet Jorgji vajti vet për ti marr në Janinë. Nga andej solli për herë të parë në Fier edhe drurin e piperit. Pashai i tha se këtë rasat e kishte çuar nga Izmiri në Sarandë për herë të parë poeti ynë Naim Frashëri, ashtu siçkishte çuar edhe lulen Bungevill më 1875, kur punonte aty si doganier. Ja kishte thënë vetë Naimi kur kishte qenë në shtëpinë e tij në Stamboll. Këtë lule ekzotike e solli për herë të parë në Europë nga Brazili kapiteni frances Bungevill nga i cili mori edhe emrin. Ndërsa tek ne quhet edhe “Lulja e Naimit”.  Por për Piperin e Jorgji Kondakçiut nuk ka folur askush, as për ekualipset e Omer Pashë Vrionit që i solli nga Egjipti në Myzeqe 42 vjet më përpara se ti sillte ato Enver Hoxha nga ish Bashkimi Sovjetik. 

    Fidanët e frashërit Jorgji i mbolli rreth sarajeve të Pashait dhe në rrugën mbrapa tyre. Edhe frashërit kan qenë deri vitet e fundit në oborrin e ish muzeut historik pronë e sekuestruar e vrionasve dhe në rrugën e sotme “Muharrem Agolli.”  

    Ndërsa për rrepet pashai i tha ti mbillte në rrugën e Vlorës. Jorgjit i ndritën sytë. Ajo ishte rruga nga do vinte Ana. Në verë mbaronte zia dhe ai ishte i lirë të vinte kurorë të re. Do ta sillte Anën me kal të stolisur si zonjat e sërës së lartë. Sistemoi rrugën, hapi kanale në të dyja anët e saj dhe mbolli rrepet. “Në pranverë kur të mar Anën këta do duartrokasin nga veriu” mendoi.

    Teksa mbillte drurët, Jorgji ëndërronte ardhjen e Anës. Në mënyrë instiktive e quajti atë vënd “shtegu i zonjave.” Jo vetëm se aty do kalonte Ana, por para Anës së tij kishin kaluar nuset e dyerve të mëdha. Merushja, bija e vetme e Kurt Pashës së Beratit kishte kaluar pikërisht këtu për të zbritur nuse në derën e Isuf Bej Vlorës. Madje në vitin 1777, kur i ati kishte hedhur mbi urën e Goricës mbulesën e kalldrëmtë, ajo kishte ndërtuar urën e gurtë të Fierit. Ura e gurtë me tri harqe e tipit venecian, mbahej si një nga dy antikat e këtij qyteti krahas kishës së vjetër të Shën Gjergjit, deri në mbasditen e datës 15 tetor 1944 kur u hodh në erë nga nazistët gjerman, gjatë tërheqjes së tyre për në veri. Më vonë edhe disa nga bijat e derës së Vrionasve kishin kaluar pikërisht nëpër këtë shteg udhe. Ismete Vrioni, vajza e Omer Pashës ishte martuar me Fuat Bej Libohovën, Merushe Vrioni, vajza tjetër e pashait ishte martuar me Sulejman Pashën, sanxhakbeun e Vlorës, Nezije Vrioni ishte martuar me Demir Pashë Bonatin, Myzejen Vrioni ishte martuar në Sarandë me Avni Bej Delvinën. Nga ky shteg kishin kaluar për të zbritur nuse në Fier Nasip Hanëm Vlora, bija e Mustafa Pashë Vlorës, motra e Syrja Bej Vlorës e cila u bë gruaja e Galip Pashë Vrionit. Madje edhe vajza e Abdyl Bej Frashërit, Emine Frashëri kishte ardhur nga Stambolli me det, kishte zbritur në Vlorë dhe kishte kaluar pikërisht nëpërmjet këtij shtegu për të hequr vellon e nusërisë në konakun e Kahreman Bej Vrionit. Edhe Mamudeja e shoqja e Sami Bej Vrionit e bija e Esat Pashë Toptanit do të vinte me det nga Stambolli e do të kalonte pikërisht te ky shteg. Aty do kalonte edhe Ana e tij. Dhe Ana erdhi. Erdhi me kal të stolisur me xhufka mëndafshi ashtu si i kishte hije një zonje të madhe e të fisshme.

   Mbas rrepeve në rrugën e Vlorës, Jorgji mbolli edhe shumë pemë të tjera në kodrën e lagjes Shkozë. Në këtë kohë Fieri u gjelbërua aq shumë sa edhe pashai dukej se kishte të njëjtin përfytyrim për Zotin si edhe Jorgji. Ai e adhuronte të bukurën e natyrës dhe ivestonte për të. 

    Mbas një viti më 18 nëntor të vitit 1909 çiftit i lindi fëmija i parë, Kostandini, djali i vetëm që mori pamjen dhe zërin e të atit. Kur u rrit ai, Jorgji e merte nëpër dasma, fshat më fshat në gjithë Myzeqenë. Ai merte këngën, Kostandini ja hidhte. Fshat më fshat shkonin për të hapur ahengun, hipur në kuaj të bukur e të stolisur me sqimë. Vinte Jorgji Pashai me të birin...

    Me Anën lindi edhe dy vajza: Marijen më 1910 dhe Senën më 1917.

 Në kujtesën e fierakëve, figura e këtij burri është ngulitur edhe për korrektësinë e tij të veçantë. Një mirënjohje të thellë mori ai nga popullsia e qytetit gjatë lëvizjes së varrezave civile nga rrethinat e Kishës së Shën Gjergjit në udhën e Vlorës. Ai ishte personi që u kujdes për çdo lëvizje eshtrash dhe shënonte në një bllok me laps kopjativ çdo emër personi e çdo datë vdekjeje. Fal kësaj përkujdesjeje trasferimi i vorrëzave u bë në mënyrë të shpejtë e të qetë.      

    Në vitin 1928 pas vdekjes së Omer Pashës, Jorgji u largua nga familja e Vrionasve. Me të ardhurat e fituara e të kursyera nga puna në derën e tyre, bleu një sipërfaqe toke në Sheq të Vogël, ngriti shtëpi dhe mbolli pemë e lule. Para çdo peme dhe luleje, Jorgji bënte kryq. Edhe Ana me fëmijët bënin kryq para tyre, ashtu si ai. 

    Ana u nda nga jeta në vitin 1937. Ndërsa Jorgji vdiq 10 vjet pas saj, më 1947. I biri Kostandini pati vetëm dy vajza, Gjien dhe Frosinën. Një nga vajzat e Jorgjit, Marija u martua tek Danajt e Sheqit të Vogël. Ajo është pikërisht gjyshja fisnike e poetes dhe shkrimtares së mirënjohur Luljeta Dano e cila me nostalgjinë e saj për gjurmët e ndritura të gjyshërve, i kujton e evokon ata me adhurim në bisedat e saj të shpeshta. Madje në shenjë respekti për të shkuarën edhe vajzës së saj të vetme, i ka vënë emrin e së gjyshës, Maria. 

    Të bijat dhe mbesat e Jorgjit trashëguan nga ai dashurinë për natyrën, për pemët, për lulet por jo dhuntinë e këngës. Jorgji mbeti kështu shëmbulli vetmitar që la një emër karizme që shërben ende si shëmbull i rrallë në brezat e sotëm fierak. Gjithë jeta e tij është një shënjë e veçantë e këtij qyteti që tregon nivelin shpirtëror të shoqërisë nëpërmjet individit të përzgjedhur nga koha si model përfaqësimi. Kujtimet e njerëzve për gjurmët e këtij burri në historinë e gjelbër të qytetit të Fierit, për kryqin e bërë para fidanave të mbjellë, për talentin e tij si këngëtar, për dashurinë e veçantë dhe dramatike që përjetoi, për sjelljen dhe edukatën elitare, e kan konsoliduar figurën e tij në kujtesën gojore të popullit duke u trasmetuar brez pas brezi si një emblemë tw rrallë tw këtij qyteti. Le të jenë këto pak rreshta modeste një homazh mirënjohjeje dhe nderimi për emrin dhe figurën e papërsëritshme të këtij burri..  

   Nuri PLAKU

Drejtor i Muzeut Historik Fier

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1