Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | Dy udhë me kahje të kundërta që preknin Stambollin

Dy udhë me kahje të kundërta që preknin Stambollin

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Dy udhë me kahje të kundërta që preknin Stambollin

Dr Fatmir Terziu

 

Pothuajse në një ditë ndodhin dy gjëra, që rastësisht asokohe u harruan të komentohen, por që mund të quhen sot të mistershme, edhe pse të “rastësishme” ndoshta. Më 16 Qershor të vitit 1910, Mbreti i Serbisë, Petri I, niset për në Stamboll. Po më 16 Qershor të vitit 1910-të dy policë dhe dy xhandarë shkelën në shtëpinë e z. Kristo Dako. Ndërsa vizita e Mbretit të Serbisë u ndal rrugës së tij disa herë nga pritjet e mëdha dhe pompoze prej Oborrit Mbretëror të Rumanisë dhe mandej nga qeveritarët e Bullgarisë, udha e prangosur e Dakos kishte mbetur tek qëllimi “enigmatik” i vizitës policore në shtëpinë e tij.

Qëllimi i vizitës së këtyre njerëzve me uniformë ishte se bashkë me Dakon në shtëpinë e tij ndodhej dhe misionari amerikan Charles Telford Erickson. Arsyeja e prezencës së misionarit amerikan ishte përpjekja e përbashkët me z. Dako për hapjen e një kolegji të madh në Elbasan. Pasi u dhanë atyre disa letra të lëshuara nga autoritetet e asaj kohe i urdhëruan të shkonin me ta pasi ishin urdhëruar nga Valiu i Manastirit që t’i dërgojnë sa më parë në Manastir. I mbyllën dhomën dhe tërë ambientin ku Dako dhe amerikani kishin libra dhe dokumenta dhe Dakon e morën me vete. Pasi e mbajtën nën survejim në ambiente policore ditën tjetër e nisën të shoqëruar me policë me kuaj dhe xhandarë e dy këmbësorë për në Manastir.

            Herën e parë u pandeh se shkaku kryesor i arestimit të Kristo Dakos ishte i paramenduar për ta lënë amerikanin vetëm, me qëllim që ai të mërzitej dhe pastaj ai të largohej pa ndonjë përkrahje. Pas vetëm tre ditësh “Bashkimi i Kombit” mësoi dhe njoftoi të vërtetën me anë të një korespodenti të dërguar në Gjakovë nga vetë kryeredaktori i asaj gazete, Fehim Zavalani. I dërguari pasi kishte kërkuar informacion të fshehtë nga Gjykata Ushtarake e Gjakovës për çështjen e Kristo Dakos, kishte marë një informacion se gjoja nga Elbasani kishte ardhur një ankesë në adresë të punëve që bënte Kristo Dako dhe kjo ankesë kishte ardhur nga Elbasani nën një emër të remë Kamani. Pasi u vërtetua se emri ishte i remë u kuptua se z Dako ishte i arestuar me qëllim e njohur tashmë për ta penguar atë në misionin që kishin bashkë me amerikanin Charles Telford Erickson për hapjen e kolegjit të madh në Elbasan.

Me këtë u hodh dritë në ambientet intelektuale dhe në tërë rrjetet shqiptare se arestimin e z Kristo Dako e kishte urdhëruar vetë Shefqet Torgut Pasha me një dekret (tejshkrim) të dërguar Valiut të Manastirit duke i thënë se janë shfaqur fjalë prej Kamanit në “Bashkimi i Kombit” dhe ndaj ky ishte shkaku i ngjarjeve “të ideta (ideuara) këtu në Gjakovë”. Ishte çudi tjetër fakti se si lajmet për z Dako edhe pse të shpifura dhe të deleguara nga ushtar që gjendej në viset e kryengritjes, ishin aq të rënda, kur shiheshin lajme akoma më të repta dita-ditës që të botoheshin në gazetat e Stambollit pa asnjë druajtje. Madje lajmi i disa ditëve më parë se të arestohej Dako, ai lajm i datës 8 Qershor 1910-të, ishte një lajm mjaft i rëndë për shpartallimin e ushtrisë së Shefqet Torgut Pashës dhe ishte botuar në gazetën greke “Tahidromos” që botohej asokohe në Stamboll. Lajmet vinin dhe me rastin e ç’armatimeve të urdhëruara me forcë. Njëri prej tyre vinte dhe nga Pregova ku thuhej se “vendasit nuk ç’armatoseshin dhe kishte shumë revoltë. Madje revolta u kthye në përleshje masive, pasi një fshatar që nuk jepte armët e tij, u dhunua keq dhe u la ashtu i gjakosur përtokë”.

Kështu që sulmi i dyfishtë në një udhë të dyfishtë të lidhur me Stambollin e asaj kohe, kishte mjaft arsye të analizohen qartë se e vetmja lidhje që i bashkonte këto “udhë” ishte marrëveshja e fshehtë dhe qëllimi për të ndëshkuar shqiptarët dhe tërë lëvizjen shqiptare që bëhej për të shpëtuar atë që kishte mbetur me forcë gjallë nga tradita, kultura dhe gjuha. Kristo Dako, që njihej dhe si një nga analistët dhe shkruesit më të zellshëm të gazetës “Tomori” të Lef Nosit, që njihej për studimet e tij të vazhdueshme në lidhje me shqiptarët, origjinën e tyre dhe tërë ato dokumentime të rëndësishme natyrisht e kishin një arsye më shumë shqetësimin e të dy anëve. Pastaj bashkëpunimi i tij me amerikanët që donin të ndihmoni n shqiptarët dhe Shqipërinë natyrisht e kishte një faturë më vete.

Por kush ishte Kristo Dako? Kristo Dako (1876–1941) ishte patriot dhe mësues shqiptar i fillimshekullit të 20. I lindur në Korçë më 1876 Dako më vonë emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme, dhe më vonë Fakultetin e Matematikës. Ai më vonë emigroi në Shtetet e Bashkuara ku mbaroi për filozofi. Më 1910 u bë drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit. Editor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913 Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodroë Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë. Dako u bë Ministër i Edukimit në një nga qeveritë e Ahmet Zogut. Dako ka themeluar Institutin e Vajzave “Qiriazi” në Korçë, e më vonë në Kamëz, Tiranë.

Natyrisht që Dakos, udhëtimi i tij i parngosur dhe me forcë në drejtim të Manastirit, nuk ia kishte kthyer mendjen, madje as që donte të interesohej dhe për qëllimin e një udhe të tillë të mbushur me lule e shtrëngime duarsh të Mbretit të Serbisë, Petri I, në udhëtimin e tij për në Stamboll, atij kishte kohë që i ishte mbushur mendja se udha e dijes, udha e hapjes së institucioneve të edukimit në Gjuhën Shqipe do të plotësonte atë qëllim dhe mision për të cilin ishte në shtëpinë  etij dhe misionari amerikan Charles Telford Erickson, për të cilin së fundmi ka shkruar një libër Mal Berisha.

 

Comments (2 posted):

faruk myrtaj on 18/03/2018 12:09:08
avatar
Sa madheshtore tingellon Historia,
kur protagonistet e kryejne Udhen ne heshtje te perkore!
Se sa te mezipresin levdaten, edhe me perpara se te kene arritur, aty ku shpresohet te jene nisur...
Dhe, prej llojit te punes qe ke marre persiper, te shfaqen vetiu Aleatet, nga fundi i Botes te vijne,ndjehesh global, dhe ne faqet e fb dhe wikipedias pergjithnje...
Fatmir Terziu apo Mal Berisha, sic do te shprehej Borhes, thjesht do shkundnin pluhurin e viteve dhe shekujve sic bejne edhe bletet me polenin e luleve...te natyres se ofruar Njeriut si kurore pa kursim.
kadri tarelli on 19/03/2018 21:54:49
avatar
Të përshëndes z. fatmir, për këtë shkrim kaq të mirë dhe me emsazhe kaq të pjekura atdhetarie. Mesazhe që sa vjen dhe po rrallohen ca si shumë.
me mirënjohje e nderim!
KadriTtarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1