Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | GODINA E BISHANAKËS, VATRA HISTORIKE E QYTETIT TË FIERIT

GODINA E BISHANAKËS, VATRA HISTORIKE E QYTETIT TË FIERIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nuri PLAKU

GODINA E BISHANAKËS, VATRA HISTORIKE E QYTETIT TË FIERIT

 

    Në Fier kan qenë disa ndërtesa të njohura qeveritare të cilat përbënin iventarin e objekteve me vlera historike për qytetin. Një e tillë ka qenë edhe godina dykatëshe  e Bishanakës e ngritur mbi truallin ku sot ndodhet shkolla artistike rajonale “Jakov Xoxa.”

Godina ka pasur një arkitekturë perëndimore moderne për kohën me kolona, harqe dhe ambiente të bollshme për funksione të ndryshme, deri në mbledhje a takime kolektive. Kishte një truall të gjerë brenda të cilit ishte hapur një pus uji dhe ishin mbjellë pemë endemike. Ishte ndërtuar nga qeveria osmane në mesin e dytë të shekullit IX dhe ka shërbyer si qendër pune rajonale për zyrtarët qeveritarë. Për vet destinacionin dhe shërbimet e saj me rreze të gjerë sociale, për personalitetet e rëndësishëm që kan kryer aktivitetin e tyre në ambientet e saj dhe për ngjarjet e ndryshme që janë zhvilluar aty, godina përbënte një nga vatrat historike më të rëndësishme të qytetit të Fierit.

    Në fillim aty kan kryer aktivitetin e tyre nëpunës e qehallarë të cilët administronin të ardhurat e çifligjeve shtetërore të Myzeqesë. Midis tyre dokumentohet Damjan Bej Leskoviku i cili kishte mar disa çifligje të Myzeqesë në iltizam (sipërmarrje) me një afat kohor prej 10 vjetësh. Kujtojmë se një tjetër sipërmarrës nga kjo familje, Nedin Bej Leskoviku kishte mar në administrim disa çifligje të Myzeqesë dhe e kishte qendrën në Libofshë. Nedin Bej Leskoviku ka ardhur në Libofshë rreth viteve 1890 dhe duke qenë i të njëjtit fis, mendojmë se edhe Damjani mund të ket ardhur këtu pikërisht në këto vite. Në godinën e Bishanakës ka qenë edhe zyra e financave ku përpunoheshin të ardhurat financiare të portit detar dhe kripores së Semanit të cilat ishin prona shtetërore. Në një dokument arkivor të shek. XIX dëshmohet se ujrat e ëmbla të Myzeqesë u jepeshin nga qeveria osmane tregëtarëve anglezë me sipërmarrje për gjuetinë e shushunjave e cila në këtë periudhë kishte treg të gjerë europian në fushën e mjekësisë popullore. Sigurisht që edhe operacione të tilla financiare kryheshin në godinën shtetërore të Bishanakës.

    Në vitin 1912 në këtë godinë ka punuar si financier edhe firmëtari i njohur i Pavarësisë Ferit Vokopola. Vokopola e përmend këtë fakt në një shkrim botuar në revistën“Njeriu”kur flet për ardhjen e Ismail Qemalit në Fier në prill të këtij viti ku edhe ai ishte i ftuar në takim si gjithë të rinjtë e tjerë nacionalistë të kësaj treve. Pikërisht këtë vit, gjatë përpjekjes për organizimin e kryengritjes së armatosur antiosmane 49 krerët e çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut organizuan Kuvendin e njohur të Sinjës i cili mori vendime të rëndësishme në përputhje më kuvendin e Greçës mbajtur një vit më parë në veri të vendit. Mbas përfundimit të kuvendit,  më 23 korrik 1912 patriotët zbritën në Fier, çliruan qytetin dhe formuan “Komitetin e Kryengritjes së Jugut.” Komiteti kryesohej nga një pleqësi e zgjedhur e përbërë nga figurat më të njohura të lëvizjes patriotike si: Izet Zavalani, Bektash Cakrani, Pandeli Cale dhe Jusuf Zijai. Komandant i përgjithshëm i forcave kryengritëse u zgjodh Zija Bej Mullai dhe zëvendëskomandant Islam Bej Vrioni.

Sipas të dhënave gojore, ky shtab u strehua për të kryer veprimtarinë e tij pikërisht në këtë godinë. Fusha e gjerë që e rrethonte ndërtesën, pemët e larta, pusi i ujit dhe hani pranë saj, ishin favore për luftëtarët dhe kuajt e tyre të cilët qendruan për një kohë të gjatë në Fier.

    Me shpalljen e Pavarësisë godina e Bishanakës vazhdoi të ishte pronë shtetërore dhe aty kryenin shërbime zyrtarë e komisione të ndryshme në funksion të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës si: Komisioni i verifikimit të kufijve të pronave shtetërore, Komisioni i Nozullimeve etj.

    Nga korriku i vitit 1914 kur Fieri u pushtua nga forcat rebele të Shqipërisë së Mesme me në krye Musa Qazimin e Haxhi Qamilin godina u vu në funksion të Komitetit fondamentalist të kryengritësve.

    Me ardhjen e ushtrisë serbe në Fier në muajët dhjetor 1915 -  shkurt 1916, gjatë eksodit të njohur pas thyerjes së saj nga forcat austrohungareze dhe bullgare, godina e Bishanakës u përdor për strehim. Ndërsa në vazhdim të Luftës së Parë Botërore kur në Fier ishin forcat austrohungareze, godina u përdor për magazinë.

    Në vitin 1919 në oborrin e saj, populli i Fierit dhe gjithë krahinës së Myzeqesë, zhvilloi një miting të madh kundër planeve djallëzore të Esat Pashë Toptanit, i cili bënte pazare në dëm të kufijve të vendit. Oratorët flisnin pikërisht nga ballkoni i kësaj godine.

    Mbas Kongresit të Lushnjës filloi lëvizja për mobilizimin e forcave të  armatosura vullnetare për çlirimin e Vlorës dhe gjithë teritoreve rreth saj të cilat mbaheshin të pushtuara nga ushtria italiane. Në Fier, krahas organizimit të këtyre forcave u ngrit edhe shtabi i prapavijës për organizimin e ndihmave ushqimore dhe furnizimin e luftëtarëve me bukë e gjellë. Në krye të tij ishte patrioti i njohur fierak Vangjel Lulja i cili sapo ishte kthyer nga emigracioni në SHBA si vullnetarë të shoqërisë “Vatra”për të kontribuar në Luftën e Vlorës. Shtabi i prapavijës e kryente aktivitetin e tij në këtë godinë. Godina shërbente gjithashtu edhe si pikë grumbullimi për ndihmat ushqimore që vinin nga krahinat dhe qytetet e tjerë të vëndit.

    Me ftesë të Qemal Vrionit, ish kryetar i Përlimtarisë (bashkisë) së Fierit në verën e këtij viti, në qytetin e Fierit erdhi orkestra “Afërdita”e studentëve të  shkollës Normale të Elbasanit dhe dha koncert për përcjelljen e luftëtarëve fierak në Luftën e Vlorës. Koncerti u dha në këtë godinë dhe ky fakt dokumentohet edhe nga një foto e bërë gjatë zhvillimit të tij, në ambientet e saj të brendshme.

    Gjatë vitit 1920, Bashkia e Fierit e ristrukturoi godinën dhe e përshtati për shkollë duke i dhënë për herë të parë funksione arsimore. Në ambientet e saj u transferua shkolla e djemve e njohur si shkolla nr. 2 me drejtor Nikolla Gjeçin dhe mësues: Anastas Laska, Thoma Mici, Gjon Rrota me të motrën Luiza Rrotën, Ruhi Zeka etj.

    Me përshtatjen e saj si shkollë, në godinën e Bishanakës filluan të vinin një sër figurash të njohura të arsimit kombëtar shqiptar. Në vitin 1922, drejtor i kësaj shkolle erdhi Kiço Konomi dhe mësues Izet Vasjari, Fani Puka, Thanas Konomi, Nikolla Lalaj e Selim Kokolari. Midis këtyre punonjësve të arsimit, personaliteti i Kiço Konomit spikaste ndër figurat më të njohura të kohës. Ai kishte dhën mësim në Gjirokastër, Korçë e më pas në shkollën Normale të Elbasanit dhe ishte një nga aktivistët shoqëror më energjik të vendit, sidomos në përbërje të shoqërisë “Bashkimi.” Pikërisht për këtë kontribut, Kongresi i arsimëtarëve të Shqipërisë, i mbajtur në Tiranë në gusht të vitit 1924 e zgjodhi kryetar të Lidhjes së përgjithshme të arsimtarëve të Shqipërisë.  

    Në vitin 1924 mbas fitores së revoltës së qershorit dhe ardhjes në pushtet të Fan Nolit, shkolla u trasferua në shtëpinë e Lic Xekës në lagjen “Liri”dhe ndërtesa u përdor për administratën e nënprefekturës së Fierit.

Mbas rikthimit në pushtet të Ahmet Zogut, nënprefektura u trasferua përsëri në qytet dhe godina u përdor për banesë për emigrantët kosovarë.

    Në vitin 1930 godina i rihapi dyert sërish për shkollë. Nga ky vit mësimet kan vazhduar në mënyrë të rregullt e të pandërprerë. Si mësues në këtë periudhë veç stafit të mëparshëm kan ardhur edhe Dhimitër Kushi e Xoxi Dhima.

    Në vitin shkollor 1933 – ‘34 drejtor i kësaj shkolle erdhi Petraq Xhokaxhiu dhe mësues, Jakov Mile, Aqif Selfo e Jahja Baçja. Jakov Mile kishte mbaruar gjimnazin e Shkodrës dhe shkruante në shtypin e kohës sidomos në gazetën“Vatra”të Timo Dilos dhe revistën “Përpjekja Shqiptare”të Branko Merxhanit. Në vitin 1934 do shkëputej nga kjo shkollë për të vazhduar studimet e larta në Torino. Kontributi kulturor i Jakov Miles kulmoi në vitin 1944 me botimin e librit shkencor “Rraca shqiptare.”Ndërsa kontributi arsimor i Aqif Selfos do kulmonte me marjen e titullit të lartë “Mësues i Popullit.”

    Në vitin shkollor 1934 – ‘35 në postin e drejtorit të kësaj shkolle erdhi Emin Shtino ndërsa mësues: Liko Dhima, Koço Cinxo, Llaqi Kola, Avdullah Rami, Thoma Zaka dhe Myftar Cara.

Në vitin shkollor 1936 -37 drejtor shkolle erdhi Hasan Tatzati ndërsa mësues: Nexhet Dudushi, Jorgji Kuta, Myslym Sino etj. këtë vit shkolla e djemve dhe ajo e vajzave u bashkuan po në këtë godinë. Midis nxënëseve të para që kan mësuar këtu ka qenë edhe Heroina e Popullit Liri Gero. Madje këto vite në godinën e Bishanakës ka vazhduar mësimet edhe Heroi i Popullit Vojo Kushi. Dhimitër Kushi një nga mësuesit e kësaj shkolle ishte xhaxhai i Vojos dhe e mori të nipin me vete në Fier së bashku me familjen e tij për të vazhduar shkollën nën kujdesin e të ungjit. Në bangat e kësaj shkolle jan ulur thuajse të gjithë dëshmorët e qytetit të Fierit si: Andon Xoxa, Janaq Kilica, Penallopi Piro, Mark Dashi, Rakip Kryeziu, Rauf Nallbani, Tasi Dëma, Vangjel Capo, Todi Shkurta, Harilla Bozdo, Mai Bozdo, Thoma Gallo, Tomorr Dizdari, Mihal Bego, Thoma Gallo etj.  Ndërsa dëshmorët Thanas Konomi dhe Nexhet Dudushi jan dy nga mësuesit e kësaj shkolle. Sot numri më i madh i shkollave të Fierit, rrugëve dhe institucioneve socialkulturore mban emrat e tyre.

    Në vitin 1938 shkolla ju nënshtrua një restaurimi të plotë. Kontribut të rëndësishëm financiar për restaurimin e saj dha ish kryetari i parë i bashkisë Fier dhe personaliteti i njohur fierak Sami Bej Vrioni i cili ndihmoi me një shumë të rëndësishme prej 2000 Franga ari.

    Në vitin shkollor 1938 – ‘39 drejtor në shkollën nr.2 të Bishanakës erdhi  Perikli Ikonomi, emrin e të cilit e mban sot një nga gjimnazet e Fierit. Personaliteti i Perikli Ikonomit është i njohur nga botimi i veprës studimore “Dodona Pellazgjike.” Ikonomi ka studjuar fillimisht në Korfuz dhe më pas në gjimnazin “Zosimea” në Janinë. Në bangat e Zosimesë ka qenë së bashku me Aleksandër Xhuvanin me të cilin krijoi një miqësi të ngushtë që sipas dëshmive të familjarëve mbeti një lidhje e përhershme dhe e sinqertë.

    Në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shkolla Nr. 2 u bë vatra e patriotizmit dhe një nga qendrat e revoltës antifashiste në qytetin e Fierit. Në këtë godinë aktivistja e njohur Izmini Kokobobo dhe dëshmori Nexhet Dudushi bënin takime me të rinjtë e të rejat antifashistë të qytetit. Pikërisht këtu nxënësit e kësaj shkolle në shenjë revolte kanë  grisur flamurin italian dhe fotografinë e Duces. Pran shkollës në anën perëndimore të saj komanda italiane kishte ngritur një barakë që e përdornin për magazinë ushqimesh dhe veshmbathjesh. Mbas kapitullimit të Italisë nxënësit e kësaj shkolle organizuan aksionin për marjen dhe dorëzimin e tyre te partizanët.

    Edhe mbas çlirimit të vendit godina e Bishanakës vazhdoi të funksiononte si shkollë. Në këtë periudhë ajo u bë vatër e luftës kundër analfabetizmit duke u mbushur me të rinj e të moshuar të cilët mësonin shkrim e këndim. Drejtor të saj pas Perikli Ikonomit kan qenë emra të mirënjohur si: Xoxi Xoxa, Ariste Pogaçe, Shabedin Vrioni, Simon Konomi, Paulin Çapaliku, Liko Dhima, Llaqi Kola, Todi Prifti, Hysen Emiri, Jani Boçova, Faik Taho, dhe Hajrullah Kadareja. Xoxi Xoxa kishte qenë kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qytetit të Fierit ndërsa Hysen Emiri ish partizan dhe poeti i parë fierak. Në vitin 1939 në moshën 16 vjeçare ai kishte dalë me vëllimin e parë poetik titulluar “Xixëllime.”

   Në vitet ‘60 në Fier filloi rrafshimi i një serë godinave të hershme dhe ndërtimi i pallateve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore. Në vitin 1961 u prish edhe godina e Bishanakës dhe në truallin e saj u ndërtua kompleksi i shkollës pedagogjike, sot shkolla artistike rajonale “Jakov Xoxa.”Me keqardhje duhet thënë se me prishjen e saj, ju dha fund njërës nga shenjat më të rëndësishme të identitetit historik të qytetit të Fierit.

Nuri PLAKU

Drejtor i Muzeut Historik Fier

Comments (1 posted):

Luan Çipi on 13/02/2018 17:23:17
avatar
Një shkrim i rëndësishëm për historikun e shkollës shqipe. Kam qenë dhe unë dy vjet 1943-44 si nxënës i klasës se dyte dhe te tretë. Më kujtohet mesuese Emireja dhe Izet Vasjari, si dhe bashkënxënësit Astrit Peshkëpia, Hazbije Peshkëpia, Inrik Konomi, Behar Kasimati, Mukadez Dizdari etj, Emri i shkollës ishte "Bab Dud Karbunara" L.Bishanak. Falënderime autorit Nuri PLAKU!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1