Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Doni ndryshim? Ja një propozim për shkollën e sotme...

Doni ndryshim? Ja një propozim për shkollën e sotme...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Doni ndryshim? Ja një propozim për literaturën e sotme...

Dr Fatmir Terziu

 

P. Vannini dhe L. Milne (2014) në studimin e tyre “Etnografia publike si angazhim publik” bëjnë thirrje për një rishikim të teksteve “fiction” në shkollat e sotme për një marëdhënie shumë dimensionale që afron “ligjërim dhe unifikim mënyror të tekstit me anë të romaneve, novelave dhe tregimeve”, që qasen më së shumti nga aspektualitetet sociale dhe kulturologjike të kohës (2014: 227). Sipas këtij sugjerimi përfshirja dhe zhvillimi i aspekteve sociologjike, sikurse është vetë përditësia në ndryshimet e saj logjike në romane, novela, tregime apo zhanre të tjera të letërsisë artistike është një drejtim i veçantë edhe për vetë kulturën publike të sociologjisë. Në vend që të mbetemi vetëm tek veprat shkollore tradicionale apo dhe vetëm tek përfshirja e detyrueshme e tyre, për më shumë rezultat bashkëkohor në mendimet shkollore duhet domosdoshmërisht qasja e një mendimi të pjekur tek leximi i librave që botohen sot në këto zhanre me drejtim sociologjik, pasi romanet, novelat, tregimet, dramat, komeditë etj., e zhvendosin theksin nga reprezantimi i punës dhe teorive sociale tek dinamizmi intelektual dhe ai intim, të cilin veprat standarte shkencore të sociologjisë i shohin në një kënd të tyren të vetëm akademik (2014: 226). Pra, thënë më shkurt, romanet, novelat, tregimet, dramat dhe komeditë transformojnë me mendimin e tyre të lirë dhe shkrimin (natyrisht të sprovuar) shkëmbimin e mesazheve të domosdoshme për të gjithë, sidomos për ata që janë ulur në bangat e shkollës. Pos kësaj, e rëndësishmja e vendos theksin tek komunikimi efektiv nga reprezantimi imitues i botës reale në art e në letërsi tek “sympraxis”. “Sympraxis” është një koncept semiotik që, sipas perspektivës së Rolf Kloepfer (1987: 125, 131), plotëson anën mimetike të shenjave dhe komunikimit; ku komunikimi mimetik është logjik, përfaqësues dhe informativ, ndërsa komunikimi simpatik është energjik, emocional, përfshirës dhe kreativ. Dhe kjo nuk është thjesht një theks tek komunikimi efektiv, por dhe një arsye më shumë për të reformuar sistemin e ri të leximit, tekstit, përshirjes në shkollat dhe universitetet e sotme. Dhe si?

Mësuesit shqiptarë janë të detyruar të ndjekin Kurrikulën e miratuar nga MASH, po aq sa janë të destinuar të mbesin në të ngurtën e adhurimit të asaj që kanë lexuar vetë. Ata adhurojnë ende librat të cilat kanë pasuar inercinë e “leximeve” dhe “vlerësimeve” të kohërave dhe aspektualiteteve të dyzuara e të debatueshme. Por ndërsa mësuesit ende janë të detyruar të adhurojnë atë që u serviret “ligjërisht, edhe vetë studentët janë të destinuar të mirëpresin atë që u sugjerohet si e tillë... Të gjithë të tjerët, shkrimtarët, lexuesit dhe të tjerët në shoqërinë shqiptare ulen duke pyetur pse mësuesit dhe pedagogët shqiptarë ende i detyrojnë nxënësit dhe studentët të lexojnë literaturë nga një brez shkrimtarësh që kanë jetuar disa vjet më parë, të cilët shkruan në pothuajse kushte dhe statukuo të debatueshme të lirisë së mendimit, dhe veprat e të cilëvet janë me dhimbje të parashikueshme, forma të debatueshme historike, trajtesa të mistershme e të kundërshtueshme, krijesa fiktive identitesh, sajesa dhe largime të neveritshme nga realiteti etj., dhe më pas i quajmë “baballarë të letrave shqipe” apo dhe të “papërsëritshëm”. Tani ju kërkoj ndjesë nëse bëj gabim: më pëlqenin shumë disa prej tyre, gjatë gjithë shkollës (ndryshe nga shumica e kolegëve të mi), por vetëm kur isha i detyruar të mësoja përmendësh “Koz Dynjanë”, “Komisarin Memo”, “Shqiponjat fluturojnë lart” etj, që me të vërtet më pëlqenin sikurse ishte “Selam Salaria”, e deri tek humori i “Zenepes me bojaxhinjtë”, por ama dua të them hapur se duket e padobishme të mos harxhosh më shumë kohë duke studiuar autorë modernë, dhe krijimtari bashkëkohore (e pastaj kërkojmë lexues?! Ku do të jenë lexuesit nëse krijimtaria e sotme nuk zbret në auditore, bangat e shkollës e më gjerë, pastaj të bëhen skualifikimet e duhura?!).

Pra jo vetëm që ky propozim i fundit do t’i ndihmonte nxënësit në këtë epokë të bëheshin më të aftë të kuptonin kulturën në dukje abstrakte të sotme, por gjithashtu do t’i ndihmonte ata në fusha më teknike si biznesi dhe inxhinieria, format e tjera të harruara të zanatit që zona të ndryshme i lindnin qëkur lindtte vetë njeriu.

Nga ana tjetër, romanet bashkëkohore, përfshirë dhe ata vepra që janë vlerësuar dhe kanë marë edhe vendin e tyre letrar, nuk mund të mohohen se janë mjaft moderne, ndaj bëjnë me plot mirëkuptim që studentët të jenë në gjendje të vlerësojnë jo “zhargon” (dmth. Gjuhën bashkëkohore të narrativit dhe do të mud të krahasojnë e të shkojnë më përpara në vlerësimin e krijimtarisë së sotme shqiptare, si shkas dhe domosdoshmëri për të ardhmen e brezave dhe vetë kulturës Kombëtare), të përmbajnë gjuhë të mjaftueshme komplekse dhe kuptimplote për të qenë të vlefshëm dhe të përmbajnë linja komplotesh, që nxënësit mund të analizojnë drejtpërdrejtë, pra ato gjëra që kanë të bëjnë në fund të fundit, me atë që ndodh më shpesh në kulturën tonë moderne, jo vetëm atë që një Zylo bie dhe shkëlqen në absurdin e kohës absurde të lirisë së njeriut. Pse të mos e mësojnë atë që mediat dhe gazetat e kanë bërë shosh në mendjen e tyre, në një format të domosdoshëm krijues dhe artistik?

Duket se e vetmja arsye që studentët sot i lexojnë pallavrat e së shkuarës së pranuar pa liri në mendim është vendimi i ndonjë ministri që jeton apo nuk jeton sot, pak rëndësi ka, por që në formën më burokratike e më vrastare të kulturës shqiptare ekziston si “ligj për leximet dhe tekstet shkollore”. Dhe secili e dëgjon këtë marifet absurd të lighshëm dhe hesht. Hesht se ka arsyen e kolltukut, votave e korrupsionit... Pra ka mbetur dhe jeton në tekste me shumë pak arsye. Pse? Sepse e do pra zyrtari qeveritar. Zyrtari qeveritar mund të argumentojë se trashëgimia letraro-artistike është thelbësore për të kuptuar ndikimet letrare të kohërave dhe leximi i tillë i ndihmon nxënësit dhe studentët të vlerësojnë veprat letrare, madje edhe diçka më absurde përgjatë vijave të “ne gjithmonë e kemi pasur këtë dhe duket se punon, kështu që pse të mos vazhdojmë? Por, cilat prova shkencore dhe cilat rezultate ka që leximi i Zylos në rrënien e tij të jo-lirë, apo ndonjë formë tjetër e ngjashme, dhe ku i ndihmon nxënësit dhe studentët në epokën moderne të mbijetojnë në mjedisin e punës, të jetojnë pa ndihmën e qeverisë dhe të arrijnë qëllimet familjare? Shumë pak.... Zylot le t’i lëmë të shkëlqejnë dhe le ti lexojmë sa herë të duam pa Zylo e pa detyrime. Le të kthejmë sytë tek koha, ecja përpra, tek ajo që nuk na privon, por që na udhëzon e na lejon të shkojmë edhe mes leximit përpara, aq para sa të paktën të mos bëjmë më largësi të tjera nga të Tjerët, që synojmë ti kapim “ndonjëherë”.

Ne, brezi im, kemi mësuar dhe lexuar për dekada, kemi indokrinuar veten, por kemi bërë dhe një hap përpara me “leximin” në hapësirën e lirë dhe sigurisht që kjo na ndihmon dhe funksionon, por nëse nuk provojmë diçka të ndryshme nga ajo që kemi ngrirë në tekstet e nxënësve dhe studentëve tanë, kush do të thotë se sistemi i ri po mundohet të funksionojë më mirë? Pa dyshim, nuk mund të presim rezultate të ndryshme duke vazhduar kurrikulën e njëjtë. Ana tjetër është se po të shohësh sot disa nga punimet shkencore të studentëve në dekadat e fundit është sikurse e thamë, bie në sy ende forma e detyruar dhe mjaft tema rrokin, trajtojnë dhe prekin elementë, që ende kanë vetëm atë që quhet “sideefekt” letrar dhe shkencor. Pra janë të detyruar. Të detyruar nga mjaft mënyra, nga mjaft forma, por detyrimi në vetvetet për studentët ku mbetet në të vërtetë?

Në të vërtetë, duke detyruar studentët të bëjnë diçka në të cilën kanë aq shumë pak interes, me siguri do të rezultoj në vetë faktin, që do ta mësojmë ne dhe vetë ata vite më pas, se studentët që nuk lexojnë apo nuk mendojnë ende lirshëm janë në këto mjedise, ku më shumë se kudo duhet të jetë liria. Qëllimi kryesor i ekzistencës së kulturës shqiptare, kjo duhet thënë është dhe mbetet tek librat në të gjitha. Nga ana tjetër, duke lexuar më shumë ekuivalentin modern të shkrimtarit të kohës që lamë pas, jo vetëm që do t’i inkurajojmë studentët në literaturë, sepse do të zhyten në çdo ditë të jetës së tyre, por do të jetë më e ndërlidhur (dhe kështu studentët kanë më shumë gjasa të lexojnë dhe mendojnë plotësisht jo thjesht librin, por udhën që të shpie tek kultura dhe gërshetimi kulturor). Dhe kjo dihet. Dihet nga vetë rruga e popullit shqiptar, e vetë trashëgimisë kultutore shqiptare, e nga vetë përkujdesja e thjeshtë popullore. Pse? Shqiptarët, ashtu sikurse mjaft popuj të Ballkanit e më tej, kujdesen më shumë për gjërat që i motivojnë në thelb, se sa ato që janë larg qëllimeve të ditës dhe synimeve të ecjes përpara. Nga ana tjetër, vetëm me këto qasje bashkëkohore, me hapjen e lirë të teksteve (duke qenë brenda normave letrare dhe gjuhësore) me siguri do të kontribohet pak më shumë për ndonjë krijim apo mendim inovativ në diçka që me të vërtetë u intereson. Kjo ndoshta do të bëjë minimumin e nevojshëm për të arritur sukses, ndërsa do të fusë në gjak dëshirën për të shkruar e lexuar, do të prodhojë më shumë djersë gjatë leximit dhe shkrimit të përditësisë.

Është po aq tronditëse sot kur shikon video-lojërat/videot/ lajmet e epokës sonë moderne që theksojnë sasinë e lartë të dhunës/krimit, dhe të jenë vetëm një ushqim për kalimtaren, këtu natyrisht nxënësit (madje edhe ata në klasat e larta) kanë më shumë gjasa të ulen, të arsyetojnë, të prekin, të dallojnë, të debatojnë dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin për të krijuar ide dhe për tregime, që mund të lidhen me aktualitetin në formën letraro-artistike dhe të gjejnë interesante një botë që ekziston, na rrethon dhe ku sot jetojmë. Për shembull, ata kanë më shumë gjasa që të lexojnë dhe të shkruajnë pastaj një libër për një çift të mbërthyer nga dashuria, kur në afshin e nxehtë të dashurisë i vërshojnë gomat e zeza të një automjet të shtrenjtë të blerë me punë të pista dhe që i merr jetën një gruaje me fëmijën e saj në bark... dhe e vrasin atë (siç ndodh relativisht në mjaft romane të sotme), sesa nëse një grua e ka forcën dhe aftësinë e një burri që bie heroikisht për të shpëtuar “pronën kolektive” nga një vinç, e zë “traseja e punës vullnetare”, apo vetëm të lexojë “realitete” të urrejtjeve fqinje, të shtirjeve dhe sforcimeve identitare.

Pse? Ky skenari i fundit ndodh shumë shpesh sot, dhe ngar aksidentet e makinave, veçanërisht ato ku përfshihen çiftet e dehur nga forma të ndryshme, janë të shumta dhe raportohen përditë nga mediat shqiptare. E para është më e ndërlidhur, interesante dhe bashkëkohore. Në të vërtetë, mjaft nga romanet e sotme janë të padenjë edhe të quhen të tillë, por ka mjaft të tjerë që mbeten të jenë në një kënd të domosdoshëm, ku fati dhe fakti kërkon që vetë studentët të jenë thjesht përgjegjës dhe përzgjedhës, edhe pse kjo ndoshta është debatuese, pasi ata nuk mund të lidhen me këtë të fundit aq sa do të duan për të parën, duket se refuzojnë ama hipotezën, "se tekstet e kurrikulës së sotme janë absolutisht me rëndësi jetike për kurrikulën tonë shqiptare". Pse të mos e bëjmë të lirë dhe këtë fushë, le t'i lëmë studentët “të gëzojnë” lirinë e tekstit dhe kjo liri me siguri i bën ata më të ndërgjëgjshëm për udhën e tjetërtejme të shkrimit.

Pra, ne duhet të godasim një mur. Sigurisht, jo për ta shkatërruar, se nuk jam për këtë, por që të mund të ketë më shumë përfitime për të lexuar literaturë moderne sesa për të lexuar vetëm të shkuarën e debatuar. Por sa mësues do të ndryshojnë në të vërtetë kursin e tyre? Ndoshta shumë pak .... Pse? Ata e kanë më së shumti gjithë jetën e tyre të lidhur me një kurrikulë që zgjat duart nga Lart. Kjo do t’u kërkonte atyre të futnin ngarkesa të mëdha pune për të hartuar një kurrikulë të re dhe institucioni modern duket se “punon”. Por sa nxënës, studentë, kërkues shkencorë dhe shkrimtarë do të ndjeheshin më të sigurtë në rrugën e tyre? Këtë le ta shikojmë. Le ta ndjekim. Ne e propozojmë? Dhe si e mendojmë ndryshimin? Ja një propozim: mësoni të gjithë krijimtarinë shqiptare, pa e flakur në kosh, lexoni dhe mësoni padiskutim të gjithë, në formën e saj të lirë, të përzgjedhjes së lirë, po ama në atë masë që të gjithë nxënësit dhe studentët të punojnë për të kuptuar materialin, me qëllim që të zvogëlojnë diktatin dhe detyrimin. Të shtojnë kuptimin social dhe kulturor shqiptar edhe në lidhjet e sotme me vetë identitetin qasës kulturor. 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1