Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | Edukimi mes poezisë si ftesë adekuate në shkollat shqiptare

Edukimi mes poezisë si ftesë adekuate në shkollat shqiptare

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Edukimi mes poezisë si ftesë adekuate në shkollat shqiptare

Dr Fatmir Terziu

Poezia e “zbret” dhe e “ngre” njeriun sipas mënyrës dhe afërisë së tij me aspektualitete të qasjes mentale, fizike, ideore, sociale, shoqërore, kulturore, me vetë ambientin, natyrën, vetveten, tërësinë dhe mjaft gjërave dhe ndikimeve të tjera, ku “lidhja Hyjnore” e risjell si proces filozofik mes besimeve të ndryshme duke kalkuluar logjikisht dhe perceptueshmërisht ngjashmërinë e duhur që në krijim. Kështu në këtë proces krahas filozofive të tjera hyn me një qëllim të vetin dhe “ndjenja religjioze”, që duket se është ngulitur në çdo person. Sipas leximeve dhe afrimeve të ndryshme tekstore, sa dhe kundërshtive të vetë ideve, duket se hapësira në të cilën jetojmë ne sot paraqas atë që thuhej me kohë se “Nuk ka asnjë që nuk e admiron botën e mrekullueshme të krijuar nga Perëndia”. Qasur me këtë ide, natyrshëm afrohet edukimi. Dhe si i tillë edukimi, siç dihet, pra faktorët kryesorë të edukimit të fëmijëve gjithnjë mbesin Familja, Besimi, Shkolla dhe Shoqëria. Fëmijët fitojnë njohuri për njerëzimin me kënde dhe nga kënde të ndryshme, por përveç mësimit të tillë këndor, çdo fëmijë ka nevojë për arsimim. Një nga faktorët kryesorë të edukimit është siç përmendëm besimi. Kuptimi i doktrinës së besimit të dashur shqiptar, ka mbetur mjaft ortodoks në një nga poezitë hymn të Pashko Vasës, ku për shqiptarin natyrshëm mbeti si një postulat udhëqehës e ku “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”, natyrshëm erdhi pra nga poezia. Erdhi nga një kënd me të cilin këndorja reflektuese e gjuhës së poezisë e çliroi disi amandamentin me të cilin kënde të tjera kërkonin formëzime, parcelëzime, inskenime të tjera. Pra poezia?! Poezia nëpër tekste?! Poezia nëpër shkolla…

Më lejoni të filloj me këtë sintezë të thjeshtë: Ne kemi nevojë për poezi, ose ashtu sikurse Robert Elsie i tha në vitin 1999 BBC-së se “shqiptarët janë popull poet dhe të dashuruar me poezinë”. Ne me të vërtetë bëjmë njësh vetveten me këtë aspekt jetik të shprehisë sonë që në zanafillje (Oratoria, folklori, proverbat etj., flasin qartë). Pra tek poezia pasi ajo promovon jo thjesht shkrim-leximin, por ndërton komunitetin dhe nxit elasticitetin emocional. Ajo mund të kalojë kufijtë që mund të bëjë një aspekt tjetër. Dhe ne si popull, në të gjithë kohërat kemi respektuar kufij të ndërtuar nga vrulli shpirtëror i vetë Poezisë. Poezitë kështu janë kudo në zemrat tona, shtëpitë tona, klasat dhe shkollat ku kemi nisur të rishkruajmë ndjesitë dhe ndërgjegjen e lirë e të ndrydhur nga liria. Në të gjithë këtë qasje natyrshëm ka shumë gjëra, por unë mendoj të veçoj pesë arsye, që sot na ndihmojnë ne, shkollën, shoqërinë, brezat që vijnë me idenë sublime, se pse ne kemi nevojë për poezi në shkollat tona. Dua të shtoj, se kjo nuk ka të bëjë as me ndonjë “ide” të së shkuarës së detyrueshme dhe propagandistike, as me ndonjë insinuatë për rolin dhe nivelin e shkollës mes riqasjes masive të poezisë. Por si një shtrim ideje që ka rolin e saj të pazëvendësueshëm.

Së pari mendoj se poezia na ndihmon të njohim njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë komunitetin, arsyen tonë me tërsinë ku ne sot qasemi dheushtrojmë aktivitetin jetik të përditësisë. Më lart citova dhe përshkrova se si poezia ka këndin e saj të pazëvendësueshëm edukativ, ndaj mendoj se ajo mund të përdoret si një praktikë në shkollat shqiptare, më së shumti në fillim të vitit, për të mësuar mes vargjeve të bardha, se nga vijnë studentët (nxënësit) dhe cilët janë mes asaj që shprehin lirshëm. Poezia mund t’u lejojë atyre të pikturojnë skica të jetës së tyre, duke përdorur metaforën, imazhet dhe gjuhën simbolike për të përshkruar përvojat e dhimbshme ose pjesët e tyre që ata nuk janë gati për të ndarë. Poezia lejon ata të përdorin gjuhën, për ta bërë atë të shërbejë për një qëllim të thellë të brendshëm, për të thyer rregullat përgjatë rrugës (gramatika, pikësimi, kapitalizimi - të mendojnë për shkurtesat, fjalëformimet, ide-fjalët, aspektet e tyre mes fjalës, konotimet etj.) dhe për të gjetur zë, përfaqësim, bashkësi, ndoshta më shumë se nga të gjitha rolet e përditësisë mes poezisë.

Së dyti, mes asaj që shtruam si arsye të parë, qaset dhe leximi i poezisë. Kur lexojmë me zë, poezia është ritmi dhe muzika, tingujt dhe rrahjet e vetë jetës dhe jetikes sonë, e vetë angazhimit dhe denjimit të qasjeve në vetvete dhe për të Tjerët. Është Tjetri, është filozofia për Tjetrin, është përfshirja. Të vegjëlit, madje foshnjat dhe fëmijët parashkollorë janë të përfshirë në këtë “tingëllimë”, edhe pse ata nuk mund të kuptojnë të gjitha fjalët ose kuptimin, por ndjejnë ritmet, interesohen për atë që tingëllon domethënia dhe ndoshta duan të krijojnë të tyren, pa u vënë në ndonjë kënd të madh e të lartë të ndjesisë, por të interesit të brendshëm që shkon tek tingulli, tek muzikaliteti. Në tërësinë e muzikalitetit kjo shtrohet nëpërmjet ritmit dhe rimës. Është më e arsyeshmja e të gjithë literaturës, është ana fizike dhe e plotë që e aktivizon zemrën dhe shpirtin dhe nganjëherë anashkalon kurthet e mendjes së ndrydhur tek përhumbja. Dhe rezultati është se poezia na lëviz në lidhjen tonë me hapësirën, vendin, kohën. Edhe na bën të dëgjojmë rrahjet e ecjes dhe të lëvizshmërisë ritmike. Kjo ë së shumti i duhet jo vetëm librit të shkollës, por dhe kohës në shkollë, arsyes së vetë shkollës, logjikës dhe qëllimit të saj. Në këtë rol ajo është vendi për të folur dhe dëgjuar.

Ndaj së treti, mendoj se poezia hap vende për të folur dhe dëgjuar, shumë fusha të neglizhuara të një kurrikule të fuqishme të Arteve të Gjuhës së bukur shqipe. Mendojmë fjalën e folur dhe poezinë dhe natyrshëm mendja na risjell vetë vargjet më të mira e më të bukura që mbajnë mes kapakëve të librave poetët tanë më të shquar, ata që na bënë vend në shkollë për të folur dhe kur ishte e ndaluar e për të dëgjuar kur dhe muret flisnin e dëgjonin. E parë në këtë mënyrë, poezia vetëkuptohet që sjell audiencë, audiencë autentike, e cila motivon edhe shkrimtarët hezitues (ose shumicën e shkrimtarëve edhe për këtë çështje), ku shfaqet vetë hapësira.

Tek e katërta është pra ajo që nënkupton se Poezia ka hapësirë ​​për Gjuhës Shqipe që të riqasë vlerat e saj të bukura që radhë gjenden në gjuhë të tjera. Për shkak se poezitë në gjuhën e bukur shqipe i kundërshtojnë rregullat, poezia mund të bëhet e arritshme për shtrimin e saj kumtues dhe qëllimdidaktues, pra poezitë mund të jenë lehtësisht skelë dhe infrastrukturë ku të interesuarit mund të gjejnë mënyra për të shprehur zërat e tyre duke qenë të kufizuara në fjalorët e tyre të përditësisë dhe lidhjeve me gjuhët ku ata ofrojnë jetëditësinë, falë migrimeve dhe lëvizjeve të lira. Për më tepër, poezia është dhe mbetet universale. Kështu që kudo mund të mësojnë ose të lexojnë poezi në gjuhën e tyre primare, duke i ndihmuar ata të lidhin botën e tyre me botën ku ata ndodhen. Me këtë ata bëhen më integrues, formojnë qëndryeshmëri.

Së fundi, dhe kjo natyrisht nuk është e  fundit, tregon se poezia ndërton qëndrueshmëri tek fëmijët, po aq dhe tek të rriturit, nxit mësimin social dhe atë emocional. Një frazë e hartuar mirë në një poemë mund të na ndihmojë të shohim një përvojë në një mënyrë krejtësisht të re. Ne mund të fitojmë njohuri që na janë shmangur shumë herë, që na japin kuptueshmëri dhe forcë të re. Uiliam Butler Yeats është shprehur në lidhje me poezinë: “Është gjaku, imagjinata, intelekti që kalon së bashku ... Ajo na kërkon të prekim dhe të shijojmë, të dëgjojmë dhe të shohim botën dhe të tkurremi tek gjithçka që është vetëm e trurit”. Shkollat ​​tona janë vende të “trurit”, ndaj ne duhet të gjejmë mënyra për të trajtuar mënyra të tjera të të qenit, mënyra të tjera të të mësuarit. Dhe ne duhet të gjejmë mënyra për të folur për gjërat e vështira dhe të pashpjegueshme në jetë, sikurse duhet të flasim për fenomene të përditësisë sikurse janë vdekja dhe vuajtja dhe madje gëzimi dhe transformimi i thellë.

Ja pra, pse sot dhe më shumë se kurrë poezia duhet të zgjerohet në shkollat tona si një aspekt më i ndjeshëm dhe si strukturë më vete, duke pasur parasysh këto dhe qindra e qindra arsye të tjera, që na ndihmojnë nga lidhjet me fqinjin Jugor apo dhe me kulturat e rajonit, ku poezia kapërceu kënde kulturash dhe formoi lidhje të fuqishme që mbajtën shekujt gjallë përtej dhe prej legjendave dhe mitologjisë. Një sugjerim i fundit rreth sjelljes së poezisë në jetën e përditshme mes shkollës, është gjetja e rrugëve që na zgjojnë, udhërrëfimi për gëzimin irracional, trishtimin ose kënaqësinë, rrugëudha e mençur për tek poezitë që na bëjnë që të duam të sillemi rreth tyre, ose të shijojmë ngjyrat e tyre në të gjithë tavanin perceptues të zgjimit pas gjumit të detyruar. Kështu janë poezitë që na bëjnë të komunikojmë me pjesët më të thella të qenies sonë. Ne duhet t’i mirëpresim ato, pra dhe më ndjeshëm nëpër shkollat tona.

Akademikët dhe studiuesit e mjaft fushave janë bindur se ndërtimi i një personaliteti të lirë, moral dhe me iniciativë që respekton ligjet, të drejtat e të tjerëve, kulturën, gjuhën dhe fenë e tyre, nuk do të ishte i plotë pa mësuar rolin e letërsisë e sidomos të poezisë në shprehinë e vrullit shpirtëror në shekuj. Këto cilësi mund të formohen në mënyrë bindëse dhe të përhershme në procesin e mësimdhënies së një subjekti të veçantë, të ngushtë moral të të mësuarit. Analfabetizmi poetik, ai që ka mbetur në skamjen e tij trajtuese, është problemi i vërtetë i brezit tonë të ri dhe të gjithë kombit tonë, ndaj rrjetet sociale mbajnë një rrëmujë të këtij standarti të mëshiruar. Roli i madh i elementit moral dhe ndriçimi adekuat letrar në trajnimin e të rinjve dhe të ardhmes së kombit ende nuk është vlerësuar. Për vite me radhë, është folur për një zhvillim të pafavorshëm didaktik.

Comments (2 posted):

Resmi Osmani on 02/02/2018 09:52:20
avatar
ZotiTerziu, e gjej me shume interes kete trajtese dhe te plote nga ana permbajtesore.Femijerija e nje pjese prej nesh eshte ushqyer me poezite e bukura te folklorit per femijet, dhe perrallat ne proze te rrefyera nga gjyshet dhe nenat. Pastaj shkalle shkalle poezia e kultivuar nga poetet me te mire shqiptare dhe te huaj.
Nga trajtesa juaj dalin disa probleme: perzgjedhja e poezive sipas tipologjise dhe qellimit didaktik per grupmoshat e nxenesve, qe do te perfshihen ne tekste apo serine e antologjive si pjese e mesimit te letersise ne shkolla me synim qe atje nxenesit te gjejne me te bukuren, me emocionuesen, qe do te behet pjese e edukimit te tyre,formimit atdhetar, qytetar dhe njerezor, si nje memorje qe do ti shoqeroje tere jeten.
Figure qendrore e gjithe kesaj duhet te jete mesuesi i letersise.Per mua disa prej tyre kane mbetur te dashur e te paharruar edhe sot e kesaj dite.Pergatitjes se tyre nga shkollat dhe fakultetet perkatese duhet te bejne nje rishqyrtim te programeve te tyre, per ti pergatitur qe te arrijne te nxenesit ato synime qe ju i parashtroni.
A. Hysi on 05/02/2018 08:48:18
avatar
Ja një propozim i hartuar me kaq ballafaqim pikasës, përgjegjësi intelektuale dhe piksynim primar për fisnikërimin e ndjenjave që do të sjellin edukimin e gjithë njerëzve të një populli, po qe se do zbatohej me po kaq përgjegjësi dhe dashuri për popullin, nga organet kompetente.
Respekt!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1