Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | STUDIME | KOSOVA NË VEPRËN LETRARE DHE PUBLICISTIKE TË ISMAIL KADARESË

KOSOVA NË VEPRËN LETRARE DHE PUBLICISTIKE TË ISMAIL KADARESË

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof.ass.dr. Besim MUHADRI

KOSOVA NË VEPRËN LETRARE DHE PUBLICISTIKE TË ISMAIL KADARESË

Prof.ass.dr. Besim MUHADRI

Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”

Hyrje

Ismail Kadare, qoftë në poezi, qoftë në prozë apo edhe në publicistikë, përveç shumë temave të tjera ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme edhe temën e Kosovës, e cila ishte dhe mbeti një nga temat e preferuara të tij, qoftë në poezi, qoftë në prozë, apo edhe në fushën e publicistikës. Në fushën e poezisë Kadare do t’i shkruajë tri poezi për Kosovën, duke përjashtuar edhe ndonjë poezi tjetër që ka të bëjë me ndonjë qytet të saj siç është Gjakova, qyteti me emër gjaku etj. Në vitin 1966 Ismail Kadare shkroi poezinë “Kosova”, në vitin 1975,  “Mundja e ballkanasve nga turqit në fushën e Kosovës më 1389”, ndërkaq, më 1981 poezinë shumë domethënëse “Terrori në Kosovë”.

Në fushën e prozës Kadare me temën e Kosovës shkruan romanet “Krushqit janë të ngrirë”, dhe “Tri këngë zie për Kosovën”, ndërkaq  në fushën e publicistikës shkruan veprat “Ra ky mort dhe u pamë” “Bisedë mes hekurash”. Ndërkaq temën e Kosovës si dhe problematikën e saj ai do ta trajtojë edhe në shumë libra dhe prezantime të tij, qoftë të mëhershme, të para viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, qoftë edhe në vitet e fundit, ku Kadare është shumë aktiv rreth kësaj çështjeje. Kjo pati krijuar në atë kohë një urrejtje ndaj tij të regjimit serb dhe jugosllav në përgjithësi, ndërsa si rezultat i saj, për shkak të nxitjeve, apo të urrejtjeve ndaj serbëve dhe Serbisë dhe Jugosllavisë në përgjithësi, siç konsideronte regjimi apo regjimet në fjalë, por edhe për shkak të nxitjes së nacionalizmit apo “irredentizmit” shqiptar në Kosovë (gjithnjë sipas regjimit jugosllav e serb), librat e tij qenë hequr nga planprogramet mësimore të Kosovës. Qenë ndaluar botimet e veprave të tij, që ishte edhe një koinçidencë, sepse në atë kohë Kadaresë i ishte ndaluar botimi i romaneve apo i ishte ngushtuar bukur shumë hapësira e botimeve edhe në Shqipëri, për çka tregon vetë në botimet e veprave të tij pas rënies së dikataturës, kur edhe migroi në Francë, ku jeton dhe vepron edhe tani kur ne po i shënojmë tetëdhjetëvjetorin e lindjes së tij.

Zgjimi i ndjenjave të fuqishme njerëzore e kombëtare

Kur jemi te trajtimi i temës së Kosovës në poezi, atëherë duhet përmendur poezinë me titull, “Kosova”, një krijim prej 12  vargjesh, i shkruar në vitin 1966 që i lindë si frymëzim derisa ai gjatë një udhëtimi po fluturonte me avion mbi qiellin e Kosovës, të kësaj “toke dhe ëndrre të ndaluar”, veprim që e kishte bërë edhe herave të tjera. Gjatë këtij fluturimi, në mënyrë shumë të shpejt, ashtu siç është edhe fluturimi i një avioni në hapësirë, syri dhe  imagjinata e poetit arrin të  kapë një pamje Kosovës, atë pamje, e cila në mënyrë imagjinative dhe vizuale shfaqet dhe zhduket “midis zgavrave dhe humnerave të reve”[1].

Pikat e shiut që rrokullisen nga dritarja e avionit, por që atij i bëhet se i thonë mbase shumë gjëra, sepse në kohën kur Kadare shkruan poezinë, Kosova dhe populli shqiptar i ishin nënshtruar një represioni të paparë që kishte rezultuar me burgosje, vrasje, gjymtime e degëdisje të panumërta të shqiptarëve nga ana e regjimit jugosllav e serb në krye me Aleksandër Rankoviçin, ish ministrin e punëve të brendshme të ish federatës jugosllave. Prandaj Kadare, jorastësisht në poezi përmend gjëmimet, lotët që rrokullisen në dritaren e avionit me të cilin udhëtonte Kadare.

Por Kadarenë edhe më pas e ka ngacmuar tema e Kosovës, çështja e saj e pazgjidhur, dhuna dhe terrori serb e jugosllav mbi shqiptarët e Kosovës, veçanërisht koha pas demonstratave të vitit 1981, shtypja e atyre demonstratave, burgosja dhe vrasja e demonstruesve shqiptarë etj. etj., të cilën e trajton qoftë te poezia “Terrori në Kosovë”, qoftë te  novela “Krushqit janë të ngrirë”, që është shumë e lidhur me poezinë e lartpërmendur, e cila mund të konsiderohet si një synopsis i të dytës, pra romanit . Më pas tema e Kosovës do të trajtohet te romani (apo te tri novelat që bëjnë një roman) me titull “Tri këngë zie për Kosovën”, që po ashtu është pasrendëse e poezisë së shkruar në vitin 1975 me titull “Mundja e ballkanasve nga turqit në fushën e Kosovës më 1389”.

 Temën e Kosovës Ismail Kadare e trajton edhe në libra të tjerë që kanë të bëjnë me Kosovën, të cilët u botuan dhe vazhdojnë të botohen edhe gjatë këtyre viteve. Një nga krijimet e këtij shkrimtari, i cili është vlerësuar për vlerat ideoestetike, qoftë nga lexuesit, qoftë edhe nga kritika, është edhe poezia me titull “Terrori në Kosovë”. E shkruar në vitin 1981, në një kohë dhe situatë të rëndë për populllin shqiptar të Kosovës, të ndodhur në zgripcin e ekzistencës, represionit, dhunës dhe terrorit serb, ajo  është një krijim i këtij poeti dhe shkrimtari, i cili në fokus të vetin ka trajtimin, por edhe pasqyrimin e situatës së krijuar në ato vite, përkatësisht pas demonstratave studentore të vitit 1981 të ndodhura në Prishtinë dhe në qytetet kryesore të Kosovës. Në vargjet e kësaj poezie poeti paraqet një gjendje terrori dhe represioni në Kosovën e pasdemonstratave të vitit 1981.

Poezia në fjalë e Kadaresë paraqet një realitet të vrazhdë të atyre viteve, të asaj kohe kobzezë, që ishte e mbushur me dënime shqiptarësh që qelbeshin burgjeve dhe kazamateve serbo-sllave. Është  një krijim poetik në të cilin ndjehet shpirti i lënduar i poetit, i cili natën e gjatë të Prishtinës, që i shembëllen me natën e Shën Bartolomeut, e sheh si një natë që megjithatë e ka fundin e saj. Me këtë poezi ai nuk shkroi një hymn vetëm për sakrificën e rinisë shqiptare të Kosovës të vitit 1981, që zgjoi përfundimisht ndjenjën paksa të dremitur kombëtare, por ai shkroi një hymn gjithkombëtar, me anë të të cilit i bënte thirrjes zgjimit të ndërgjegjës ndërkombëtare për atë që po ndodhte me shqiptarët e Kosovës... Me këtë ai i tregonte edhe regjimit komunist në Shqipëri se duhej të bënte më shumë për njerëzit e gjakut e të trungut të ndarë të shtetit shqiptar.

Vargjet përmbyllëse të poezisë “Terrori në Kosovë” të Ismail Kadaresë:

Ashtu në vorbull të epokës

U ngritët ju si monument;

Ju që e prekët historinë

Dhe n’histori u kthyet vet

tregojnë qartë se poeti i shkroi ato për të përçuar një mesazh të fuqishëm, për të ngritur lapidarin e parë për të gjithë ata që tronditën themelet e një pereandorie të pashpallur, siç ishte Jugosllavia e asaj kohe, në të cilin shtet, në mënyrën më të egër, shtypeshin të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

Poezia “Terrori në Kosovë” e I. Kadaresë hyn në vargun e poezive më të realizuara të këtij poeti që për temë kanë Kosovën dhe çështjen e saj të pazgjidhur. Por kjo poezi hyn edhe në mesin e krijimeve më të mira dhe më goditura të kësaj teme, të shkruara nga krijuesit tanë gjatë atyre viteve. Ajo është nje poezi që zgjon asociacione dhe ndjenja të fuqishme njerëzore e kombëtare. Është një krijim, që shembëllen me një përmendore për të gjithë ata që ranë, që u burgosën, që u maltretuan dhe që u dënuan gjatë asaj kohe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Dëshmia e parë e masakrës serbe në Prishtinë

dhe kërkimi i rrënjëve të një tragjedie

Vepra në prozë “Krushqit janë të ngrirë”, e Ismail Kadaresë, e cila për temë ka Kosovën e kohës sa pasdemonstratave të vitit 1981, u shkrua në mes viteve 1981-1983. Ajo  është e njëkohshme me poezinë “Terrori në Kosovë” dhe u botua në vitin 1986 në vëllimin me tregime dhe novela “Koha e shkrimeve”[2]. Në Kosovë ajo depërtoi në mënyrë tepër të fshehtë dhe u botua vetëm në vitin 1990, në librin e Shaip Beqirit “Sfida e gjeniut”[3], një libër që flet për ikjen e Kadaresë nga Shqipëria dhe vendosjen e tij në Francë.

“Krushqit janë të ngrirë”  është një tjetër kontribut i Kadaresë, apo një zë i fuqishëm i tij në mbështetje të Kosovës, pavarësisht nëse ky kontribut “vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues”[4].  Vepra e Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë”, për shkak të tematikës së saj që trajton, por edhe për shkak të kohës kur ajo u shkrua dhe u botua, është cilësuar  si “dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981”, e cila kishte për qëllim “njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë” nga ana e regjmit jugosllav e serb. Me anë të këtij libri Kadare, krahas mbështetjes politike, Kosovës i jepte “një mbështetje të fortë letrare”[5]

Në vitin 1998 Ismail Kadare botoi librin me titull “Tri këngë zie për Kosovën”, në të cilën trajton  ( ndonëse tash i kthyer në shekullin XIV), temën të cilën e kishte trajtuar që në viti 1975 në poezinë “Mundja e ballkanasve” (Lufat e Kosovës 1389).

Te “Tri këngë zie për Kosovën”, Kosova dhe problematika e saj e trashëguar nëpër shekuj vjen e shkrirë në sintetizim arti  përmes tri krijimeve, të cilat autori i quan, novela. Këto tri krijime, për nga ndërlidhshmëria e tyre tematike, narrative dhe strukturore anojnë kah romani, ndërsa për nga mënyra e qasjes kah eseja. Pra, kur kemi parasysh këto që thamë, atëherë kemi të bëjmë me një prozë të llojit të veçantë, e cila kësaj vepreje të Kadaresë ia shton vlerat, jo vetëm për nga aspekti ideo-tematik, por edhe atij strukturor dhe zhanror.

Kur merret parasysh koha e shkrimit dhe e botimit të kësaj proze (pra koha e fillimit të luftës së fundit në Kosovë kundër regjimit serb, luftës në mes shqiptarëve autoktonë dhe serbëve që në këto troje qëndronin si pushtues) si dhe tematika e trajtimit të saj,  atëherë “Tri këngë zie për Kosovën” duhet konceptuar si një kumt që lajmëron apo paraljamëron tragjedinë e njeriut të këtij shekulli të mallkuar. Vepra në fjalë e Kadaresë, vjen si rezultat i një historie tragjike, dhe me qëllim të përshkrimit të tragjikes së një urrejtjeje apo të një armiqësie shumëshekullore midis dy poupjve, e cila është një sëmundje e moçme. Libri mban datën e përfundimit mars 1998, datë që koinçidon edhe me datën e fillimit të një lufte të re në Kosovë, në këtë vend, ku pothuajse në të njëjtën kohë gjashtëqind vjet më parë ishte zhvilluar një luftë tjetër. Është kjo një rastësi e qëllimshme e shkrimtarit tonë të shquar për të shkruar një libër në të cilin trajton ngjarje të largëta por me një ndërlidhje me ato të kohës kur u shkrua dhe u botua libri. E gjithë kjo mund të thuhet se është rezultat i një kërkimi të vazhdueshëm të Kadaresë gjatë viteve për të zgjidhur çështjen e kësaj enigme të llojit të vet, e cila në vazhdimësi gjeneroi armiqësi, urrejtje, luftëra dhe tragjedi.

Ditari i luftës së Kosovës së viteve 1998-1999 dhe shpërfaqja e pikëpamjeve të Ukshin Hotit

Ndërkaq, në vitin 1998, kishte filluar lufta në Kosovë, luftë e cila udhëhiqej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që rezultoi me dëbimin e regjimit serb dhe vendosjen e paqes në qershor të vitit 1999 e që u pasua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Mirëpo, gjatë ndodhjes së kësaj lufte, por edhe para se përfundonte ajo dhe para se të shpallej pavarësia e Kosovës, u desh të nodhnin edhe disa procese të vështira, por tejet të rëndësishme për Kosovën. Në këtë kontekst kemi edhe bisedimet e vështira në Rambuje dhe Paris të Francës, në mes delegacionit të shqiptarëve të Kosovës dhe atij të Serbisë, që realizohej me ndërmjetësimin e  Bashkësisë Ndërkombëtare, Evropës dhe SHBA-së, që solli edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Ndonëse nuk ishte prezent fizikisht në këto bisedime, roli i Kadaresë ishte i madh. Reflektimi i këtyre ngjarjeve te Ismail Kadare rezultoi me botimin e një libri, të cilin e titulloi me një titull shumë simbolik, provokues dhe shumë domethënës njëkohesisht, të huazuar nga një shprehje popullore shqiptare, “Ra ky mort dhe u pamë”. Libri është  i shkruar në formën e ditarit, dhe me të drejtë u quajt “ditar për Kosovën”, i cili plotësisht i kushtohet Kosovës dhe luftës së saj gjatë viteve 1998-1999, ku shkrimtari  përshkruan gjendjen më të vështirë nëpër të cilën po kalonte Kosova gjatë atij viti. I shkruar me shumë pasion, me shumë përkushtim dhe me shumë përgjegjësi, “Ra Ky mort dhe u pamë”, “përbën veprën më të rëndësishme që është shënuar në formë të Ditarit për Kosovën”[6]. Në librin e Kadaresë “njihemi me angazhimin e autorit përballë gjendjes që po kalonte Kosova dhe dëshirës së tij për ta ndihmuar atë në zgjidhjen e kësaj çështjeje”[7]. Vepra “Ra ky mort e u pamë” e Ismail Kadaresë, është pa dyshim një dokument i rëndësishëm i përpjekjeve dhe i refelektimit të bashkësisë ndërkombëtare, karshi problemit të Kosovës si dhe i sublimimit të luftës dhe i kërkesës për liri të popullit shqiptar të Kosovës.

I njëkohëshëm me botimin e librit “Ra ky mort dhe u pamë” është edhe libri “Bisedë përmes hekurash” (2000), në të cilin ribotohen letrat në mes tij dhe politologut të njohur Ukshin Hotit.  Libri i Kadaresë, i cili ka “zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit, pas dërgimit të një serie letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe ministrave të punëve të jashtme të vendeve kryesore perëndimore”, u mendua si i tillë, pra në trajtë dialogu, i botuar në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, në mënyrë që ndoshta do të ishte më efikas për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar në lidhje me këtë intelektual dhe veprimtar të shquar të çështjes së Kosovës, për fatin e të cilit nuk dihet që nga 16 maj i vitit 1999 dhe si i tillë rezulton i zhdukur në mesin e më shumë se njëmijë shqiptarëve të tjerë të shdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Mirëpo, përveç sensiblizimit të opinionit ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, Kadare përmes këtij libri dhe të një dialogu të tërthortë, ka menduar edhe në shpalljen botërisht të pikëpamjeve të Ukshin Hotit, pikëpamje të cilat edhe e kishin çuar në burg, por nëpërmjet tyre të njihej edhe drama e Kosovës, por edhe lirimi i liderit.

 Ismail Kadare nuk ka reshtur së shkruari dhe së diskutuari për Kosovën dhe çështjen shqiptare në Ballkan. Si dëshmi e gjithë kësaj janë me dhjetra intervista dhënë medieve botërore në përgjithësi si dhe atyre serbe, në veçanti. Shkrimet dhe opnionet të faktografuara të tij kanë qenë një shtysë e fuqishme për ecurinë e procesve në lidhje me çështjen e Kosovë dhe të shqiptarëve në këtë shtet të ri, por edhe të shqiptarëve në Ballkan.  Një intervistë, e cila pa dyshim pati jehonë të fuqishme dhe e cila u interpretua në mënyra të ndryshme nga opinioni serb, është edhe ajo dhënë gazetës serbe NIN, e botuar në po këtë gazetë në vitin 2005 e në të cilën flet me fakte për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, për zemërimin dhe mllefin, për miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, për shtrembërimet e historisë, që kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen përse Serbia ishte dashur që ta njihte Kosovën. Kjo intervistë  u botua edhe si libër më vete nga “Onufri| në vitin 2012 më titullin “Çlirimi i Serbisë nga Kosova”, titull që mbante intervista në gazetën serbe NIN, e që u botua edhe në gazeta të tjera serbe dhe u cilësua si e para herë që mendimi shqiptar po delte haptas, pa asnjë tkurrje në shtypin serb në lidhje me çështjen e Sebisë dhe gjithë Ballkanit[8].

Përfundim

Interesimi i Ismail Kadaresë për Kosovën dhe çështjen e saj, siç u vërjt, ka qenë i hershëm, pothuajse që në fillimet e krijimtarisë së tij, apo që në fazën e afirmimit të tij si shkrimtar i shquar. Tema e Kosovës ka zënë vend të merituar dhe sipëror në veprat e tij, qoftë letrare, qoftë bublicistike. Si në poezi, ashtu edhe në prozë. Është botuar brenda vëllimeve të përgjithshme, por edhe në botime të veçanta.

Trajtimi i temës së Kosovës te Kadareja kap një periudhë të gjatë kohore të shtrirjes si problem, madje që nga koha e pushtimit turk të tokës së Kosovës (1389) e deri më tani, kur Kosova ende vazhdon të mbetet në agjenden shqiptare dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Kontributi i Kadaresë ka qenë i patjetërsueshëm në lidhje me këtë problematikë e cila, jo rrallë herë, atij edhe i ka shkaktuar telashe të llojit të vet. Megjithatë, karshi kësaj çështje, ai e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë detyrën e vet si intelektual dhe shkrimtar i shquar i letërsisë së kombit të tij.

Bibliografia

Ismail Kadare, “Koha e shkrimeve”, Tiranë, 1976.

Ismail Kadare, “Koha e shkrimeve”, Tiranë 1986.

Ismail Kadare, “Tri këngë zie për Kosovën”, Onufri, Tiranë, 1998.

Ismail Kadare, “Ra ky mort e u pamë”, “Onufri”, Tiranë 1999.

Ismail Kadare, “Ra ky mort e u pamë”, (botim i tretë i plotësuar),” Albanian Publishing”, Nju Jork , 2005.

“Bisedë përmes hekurash", letërkëmbim me Autorë Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti. "Onufri", Tiranë 2000.

Ismail Kadare, “Krushqit janë të ngrirë” , “Onufri”, Tiranë, 2016 (Parathënia: Mehmet Kraja).

Ismail Kadare, “Çlirimi i Serbisë nga Kosova”, “Onufri”, Tiranë, 2012.

Shaip Beqiri, “Sfida e gjeniut”, “Buzuku”, Prishtinë 1991.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1