Newsletter
Email:
Poll: Fjala e Lire
Si ndiheni tek Fjala e Lire?
Home | STUDIME | Shkolla, vetëm ajo, ndihmon në njohjen e së vërtetës

Shkolla, vetëm ajo, ndihmon në njohjen e së vërtetës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Shkolla, vetëm ajo, ndihmon në njohjen e së vërtetës

Dr Fatmir Terziu

 

Një vit më parë si sot në Tiranë, Ambasadori i Izraelit në kryeqytetin shqiptar, Boaz Rodkin, pak a shumë ishte i mendimit se “Populli shqiptar meriton të dijë të vërtetën për atë që ka ndodhur gjatë diktaturës komuniste në vend”, pasi sipas tij, “çdo shoqëri duhet të mësojë nga e kaluara e vet”.

Edhe Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në vitin 2016, ambasadori Florian Raunig, do të shprehej “Të rinjtë shpesh ende nuk njohin as elementët bazë të regjimit komunist. Prandaj, kemi mendimin se kurrikula arsimore duhet të rishikohet me kujdes – përmes një procesi përfshirës – në mënyrë që të rinjtë të mësojnë jo vetëm për fakte dhe ngjarje si ekzekutimet pas incidentit të “Bombës në Ambasadën Sovjetike”, por edhe që të zhvillojnë vlerësimin kritik të ngjarjeve historike, si dhe të kuptojnë rolin e tyre në sistemet e mëdha të qeverisjes dhe shtypjes”.

Sakaq një denoncim nga vetë ISKK-ja thekson se “Qeveria shqiptare nuk është aspak e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes që ajo ka nënshkruar me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, në lidhje me përfshirjen në kurrikulat mësimore edhe lëndë që kanë të bëjnë me njohjen e nxënësve të shkollave dhe gjimnazeve me krimet e komunizmit, si dhe aspekte të përndjekjes e terrorit komunist mbi qytetarët shqiptarë”.

Që në muajin Qershor të vitit 2008, kur në Pragë, Republika Çeke, u mbajt një konferencë “Ndërgjegjja dhe komunizmi evropian”, u duk se dhe në Shqipëri do të kishte lëvizje adekuate për qëllimin dhe efektin e saj. Konferenca në atë kohë ngriti çështjen e trajtimit të barabartë të krimeve naziste dhe të krimeve komuniste. Në atë Konferencë është theksuar se krimet e komunizmit ende nuk kanë marrë një vlerësim dhe gjykim mjaft të qartë nga pikëpamja ligjore, morale, politike dhe historike. Kjo ishte mbi një bazë të saktë, të qartë e të mirëstudiuar ku i referohej në mënyrë eksplicite Rezolutës 1418 (2006) të PACE mbi nevojën për të dënuar ndërkombëtarisht krimet e regjimeve totalitare komuniste. Konferenca, e ndjekur nga politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme qeveritare të përfshira në hetimin e krimeve komuniste, miratoi një deklaratë të veçantë të nënshkruar nga pjesëmarrësit, duke përfshirë presidentin çek (1993-2003) Vaclav Havel dhe Joakim Gauk, kryetari i parë i Federatës Komisioni për zbulimin e arkivave Stasi në Gjermani dhe më pas President i Gjermanisë. Në dokument, përveç arritjes së një mirëkuptimi pan-evropian, regjimet totalitare naziste dhe komuniste, secili gjykuar dhe analizuar mbi “meritat” e tyre të tmerrshme, mbi faktet dhe bazën sa ata janë shkatërruese në politikën e saj të zbatimit sistematik të formave ekstreme të terrorit dhe shkelin të gjithë civilët dhe liritë njerëzore, ato duhet të konsideroheshin si e keqja më e madhe që goditi shekullin e njëzetë, gjithashtu kërkohej një ndryshim i kurrikulave me ato të reja në të cilat duhet të mbulohen faktet e vërteta të komunizmit dhe me të ndërtoheshin programe efikase shkollore.

Më pas në muajin Prill 2009, Parlamenti Evropian mbështeti Deklaratën e Pragës dhe miratoi rezolutën “Ndërgjegjja dhe totalitarizmi evropian” me të cilin “dënoi me vendosmëri dhe pa dyshim të gjitha krimet kundër njerëzimit dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut nga të gjitha regjimet totalitare dhe autoritare” dhe kërkoi vlerësimin e krimeve të regjimeve totalitare komuniste. Parlamenti shqiptar u vu menjëherë në vlerësim të kësaj rezolute dhe u duk se gjërat do të viheshin në vijë. Kështu që më pas vetëm në vitin 2016-të u duk se një formë e mirë po shkonte në një kënd të pritur. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” për vitin 2016 kërkonte nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, në vijim ISKK, si institucion publik i pavarur me rëndësi të veçantë për trajtimin e periudhës së regjimit komunist, “Fillimin e zbatimit të marrëveshjes midis tij, pra ISKK-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për informimin e nxënësve të shkollave të mesme të kryeqytetit, në lidhje me krimet dhe format e përndjekjes së qytetarëve gjatë diktaturës komuniste, luftës së klasave, biografisë, dëbim-internimeve etj.” Pra ishte një zë i mirë që sigloi ligjërisht që krimet e regjimit komunist në Shqipëri duhet të studiohen në shkollë. Në rajonin e Ballkanit, ishte Bullgaria, pikërisht Asambleja Kombëtare, që vuri në pah ligjërisht ndryshimet në Ligjin përkatës për studimin e krimeve të regjimit komunist në programet shkollore.

            Historia e betejës për të pranuar një studim adekuat të regjimit totalitar komunist në lëndët e historisë në klasat e mesme në Bullgari ka një histori të gjatë dhe të pasionuar. Kështu që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Bullgarisë (MASH) publikoi planprogramin e ri “Historia dhe Qytetërimi” në klasën e 10-të, të miratuar falë punës aktive të disa historianëve profesionistë dhe mbështetjes politike të figurave individuale nga qeveria. Por deri në një arritje të tillë faktet pasuan kronologjinë e ngjarjeve që çuan në fundin përfundimtar të diktaturës komuniste totalitare në Bullgari me njohuri dhe terma të reja në mësimet e historisë.

            Ndërsa dihet se Rezoluta e lartcituar e Kuvendit të Shqipërisë e vitit 2016-të kërkonte dhe Rolin e ISKK-së në informimin e strukturave të posaçme të OKB-së, që trajtojnë çështje të kujtesës kolektive dhe të drejtave të njeriut, në lidhje me zbardhjen e së shkuarës komuniste në Shqipëri, dhe arritjet studimore në evidentimin e keqtrajtimit të grave dhe fëmijëve gjatë diktaturës, si dy kategoritë më të pambrojtura sociale, në anën politike gjërat ende ishin në një larmi debatesh.

Në këto debate vetëm faktet e ISKK-së qëndronin midis të tjerave argumenta të mirëstudiaura.midis të tjera ISKK kishte kryer analiza në lidhje me strategjinë e përdorur nga regjimi komunist për internimin masiv të mijëra familjeve politike gjatë periudhës 1945-1954; studime në lidhje me trajtimin çnjerëzor dhe të paligjshëm të grave dhe fëmijëve në kampet e internimit me tela (1945-1954), studime mbi proceset e ridënimeve brenda burgjeve dhe proceset e inskenuara gjyqësore; studime në lidhje me mekanizmat e përgjimit të përdorur nga ish-Sigurimi i Shtetit, sidomos në fund të viteve 80 etj., gjë që në fakt temën adekuate të trajtesës së krimeve komuniste në shkollat përkatëse e bënte akoma më të afërt dhe më të respektuar. Por përtej debateve, hezitimeve, rezultateve dhe dështimeve, duhet theksuar se vetëm Shkolla, vetëm ajo ndihmon në njohjen e së vërtetës.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1